Albspirit

Media/News/Publishing

Fisi Loloçi në Dunavat të Gjirokastrës

Kadri & Zihni Loloçi

 

 

 

Jeta e njeriut, brenda pafundësisë, në hapësirë, kohë dhe masë është kaq e vogël, sa në tre komponentët e mësipërm duket e papërfillshme.

Njeriu, ndryshe nga çdo qënie tjetër është i pajisur me zgjuarsinë, ndërgjegjen dhe intelektin, që i jep mundësinë të njohë botën që e rrethon. Ai e di se jeta e tij është e shkurtër, krahas kësaj atë e karakterizon një moral i lartë për të mos u stepur dhe trembur. Vazhdon të jetojë, të punojë, të luftojë për përsosjen e dijeve të tij dhe për më tepër për të përshtatur natyrën në interesin e vet.

Më gjithë këtë, ai prapë ka kërkesat e veta. Krahas dëshirës që me punë e tij ta bëjë jetën sa më të lumtur, është i interesuar të dijë, të mësojë, të njohë dukuritë e natyrës, prejardhjes së gjithë shoqërisë në përgjithësi dhe fisit dhe familjes në veçanti.

Kjo është e domosdoshme që të njohë jo vetëm thjesht prejardhjen nga ana gjinore e kronologjike, por edhe nga aftësitë, virtytet, raportet që kanë pasur me shoqërinë, ku kanë jetuar, kontributet që kanë dhënë, përparësitë që kanë pasur në jetë.

Për këtë arsye duhet që çdo brez të njohë brezat paraardhës dhe t’u lëjë pasardhësve gjithë historinë e trungut të vet.

Në qoftë se bëhet kjo, atëhere zinxhiri i jetës zgjatet e zgjatet deri sa bëhet i pavdekshëm, nëse ajo pasqyrohet në pafundësi. Kjo bën që jeta e njeriut nga e shkurtër të bëhet më e gjatë dhe mban me shpresë se do të jetosh përjetë brenda intelektit të pasardhësve.

Nuk dua të futem në teoritë teiste të jetës përtej varrit, se kjo u takon atyre institucioneve që merren me të. Nga ana tjetër nuk marr përsipër, as të kundërshtoj dhe as të vërtetoj këtë se qëllimi im është thjesht të paraqes dhe plotësoj argumentat e mësipërme për jetëgjatësinë.

Në këtë kuadër, qysh në rininë e jetës kam dashur të paraqes historinë e trungut të familjes. Për të arritur këtë kam mbledhur materialet e pakta dokumentare dhe të dhënave gojore, që janë transmetuar brez pas brezi.

Për trungun e fisit tonë deri në adoleshencën e vëllezërve nuk kemi patur material të shkruar. Ato kanë filluar të shkruhen pak nga pak, bazuar edhe në të dhënat fiskale dhe hipotekore, që u kërkuan gjatë gjithë jetës dhe u realizuan këtë botim të plotë.

Vitet e para mbas Luftës së Dytë Botërore ishte parësor preokupacioni i mbijetesës, për shkak të varfërisë së trashëguar dhe pasojave të luftës planetare.

Në këto vite dhe më pas kur filloi të stabilizohet jeta, të rritet pjekuria dhe arsimimi, u fillua të grumbullohen materiale. Kryesisht në fillim realizohej nga të dhënat gojore të transmetuara brez pas brezi. Megjithatë duhej këmbëngulje e madhe dhe punë vazhdimisht për të mbledhur të dhëna të sakta.

Përveç meje edhe vëllezërit Izeiri dhe Fuati, motrat Muzo dhe Tefta kanë dhënë kontribut nga të dhënat që kanë marrë nga prindërit dhe pleqtë bashkëkohës të tyre. Këto materiale janë të bazuara dhe në të dhënat e sinkronizuara me degët e Marjave, Golemajve dhe Xhevdet dhe Dine Loloçit.

Periudha në të cilën ka ardhur fisi ynë në lagjen “Dunavat” përkon me kohën e popullimit të Gjirokastrës, në gjysmën e dytë të shekullit XVII, që arriti më pas në formën që afërsisht kemi sot.

Vendosja e fisit tonë në Dunavat është bërë ndër të parat. Këtë e vërteton më së miri hapësira e zënë në këtë lagje. Jemi vendosur në sipërfaqe më të mëdha nga fiset e tjera dhe në terrenin më të butë, rreth të cilit janë vendosur fiset e tjera.

Koha e ardhjes në Gjirokastër përputhet me dokumente historike të popullimit dhe moshës së brezave të katër degëve të fisit tonë. Mjafton të përmendim se gjyshi ynë Izeir (Zero) Loloçi ka lindur në 1820.

Porta e shtëpisë bazë (Dine Loloçi), që është punim modern i kohës, u bë shumë vonë nga ardhja e fisit; pikërisht e ndërtuar nga Ibrahim Loloçi në vitin 1857 vërteton se sa i vjetër është fisi ynë.

Të mos harrojmë se Ibrahimi ka qenë brezi i IV.

Qyteti i Gjirokastrës zë një pozitë qendrore në luginën e Drinos. Rrugë të ndryshme e lidhin qysh në lashtësi këtë qendër me Vlorën, me pellgun e Delvinës dhe përmes grykës së Këlcyrës me shumë qendra të tjera të krahinës jugore të Shqipërisë. Krahinat malore të Kurveleshit të Sipërm, Pogonit dhe Zagories si dhe ato të Dropullit e Lunxhërisë kanë qenë prej kohësh të lidhura me Gjirokastrën, si kryeqendra e zonës.

Gjirokastra bën pjesë në grupin e atyre qendrave qytetare që ngrihen mbi terrene të pjerrta dhe që përgjithësisht e kanë zanafillën e tyre te kalatë.

Në këtë grup të madh dhe karakteristik të qyteteve shqiptare, Gjirokastra shquhet për larminë e theksuar të relievit, i cili ka kushtëzuar tiparet e veçanta të lagjeve të banuara si dhe dinamizmin e theksuar të kompozimit.

Kalaja e Gjirokastrës sipas të dhënave të deristome zë fill nga gjysma e dytë e shekullit XIII. Ajo, në gjendjen e sotme, paraqitet me dy faza ndërtimi. Faza e dytë është ndërtuar në vitet 1811-1812 nga Ali Pashë Tepelena.

Njoftimi më i hershëm për qytetin e Gjirokastrës i përket vitit 1336 prej kronistit bizantin I. Kontakuzeni. Ky autor e përmend Gjirokastrën në trajtën “ARGYROKASTRON”, një herë qytet dhe pastaj kështjellë.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIV Gjirokastra u bë qendra e feudaleve të Zenebisë, ndërsa në 1419 ra në duard e pushtuesve turq.

Për rolin e rëndësishëm që luante në shekullin XV u caktua kryeqendra e sanxhakut të trevave jugore. Sipas regjistrave fiskalë 1431-1432 Gjirokastra kishte 163 banesa. Zgjerimi i qytetit jashtë mureve rrethues i përket gjysmës së parë të shekullit XIV.

Gjatë shekullit XV Gjirokastra u zvogëlua dhe kështu në vitet 1500-1507 ajo ishte me 143 banesa. Në vitin 1583 arriti në 434 banesa.

Gjatë shekullit XVII rritja bëhet më e ndjeshme. Të dy ansamblet e lagjes “Dunavat”, që përbëjnë njësi të lidhura mjeshtërisht me truallin, janë kompozuar më lirshëm dhe ndërtimet shfaqen më qartë individualisht duke e bërë më të larmishëm kompozimin, pa cenuar unitetin e tij.

 

 

 

Origjina e fisit Loloçi

 

Fisi Loloçi zë fill qysh nga fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII.

Duke u nisur nga numri i brezave dhe mosha gjykohet se fisi ynë është vendosur në Gjirokastër (Dunavat), në kohën e shthurjes ekonomike dhe natyrore të fshatrave. Në këtë kohë Gjirokastra kishte arritur thuajse shtrirjen që ka sot, duke hedhur kështu konturet e linjave urbane.

Vendosja në hapësirën më të mirë të lagjes “Dunavat” tregon se jemi ndër fiset e para të ardhura atje. Të dhënat për prejardhjen e fisti tonë rrjedhin vetëm nga ato gojore, të transmetuara brez pas brezi.

Kuptohet se për shkak të pushtimit turk, të analfabetizmit të tejskajshëm dhe preokupacionit kryesor të zgjidhjes së problemeve ekonomike që dilnin në atë kohë, nuk mund të gjenden dokumente të shkruara. Materiale të shkruara ka nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, të cilat paraqiten në formë e të dhënave të pjesshme hipotekare fiskale dhe të gjendjes civile. Këto të dhëna u bënë më të plota nga fillimi i shekullit XX e në vazhdim.

Fisi ynë është përbërë në kohën që përmendëm më lart nga 4 vëllezër që janë njohur dhe përmendur me emrat Izeir (Zero), Majko, Omer (Mero) dhe Golem. Prejardhja e tyre nuk dihet me saktësi nga cila krahinë kanë ardhur. Mendohet se kanë ardhur nga fshati Golem, meqënëse  njërit vëlla i është vënë emri Golem për të përjetësuar emrin e fshatit. Por është e pranueshme edhe nga Kradhiqi, si krahinë më e vjetër se Gjirokastra dhe që sot egziston atje një fis me mbiemrin Loloçi.

Katër degët e krijuara nga 4 djemtë morën drejtime të ndryshme në jetë, sipas prirjeve dhe mundësive.

Kështu dega e Izeirit (Zeros) u mor kryesisht me blegtori dhe punë të ndryshme. Kjo degë kishte një kope të madhe me dele, që iu la nga babai i tyre. Dega e Yzeirit pasohej nga Bashkimi (Bashua), përsëri Yzeiri e Hazisi dhe dega e katërt nga Qemali (Qemua), Mehmeti (Metia), Izeti dhe motra e tyre Xhanfizeja (Xhanua). Më poshtë këtë degë do ta përshkruajmë imtësisht deri në nipër e mbesa. Për degët e tjera nuk do të ndalem sepse iu takon atyre të merren me to si njohës më të mirë të vazhdimësisë

Dega e dytë me katragjysh Majkon pasohet nga Avniu, Ibrahimi, Xhevdeti, Ibrahimi, Avdiu dhe Dinia. Ibrahimi trashëgoi emerin e gjyshit dhe vazhdoi profesionin e mjekut.

Dega e tretë me katragjysh Omerin pasohet me Shabanin, Dervishin, Asimin e Beson. Edhe në këtë degë që ka marrë mbiemrin Mero trashëgohen emrat e paraardhësve të tyre: Omer, Shaban, Dervish, etj.

Dega e katërt me katragjysh Golemin pasohet nga Arifi, Jaçia dhe në fund Muniri. Katër djemtë që rrojnë dhe sot janë Arifi, Matua, Jaçia, Limozi dhe një motër Ferua, që është martuar me Kanan Sporenë.

Interesante është se babai i vëllezërisë Loloçi ka patur mundësitë ekonomike dhe intelektin për t’iu dhënë djemve të tij drejtime sipas prirjeve dhe aftësive të tyre. Kështu njërit djalë Izeirit (Zeros) i la më shumë bagëti (një kope me të imta), për të cilat mbante dhe barinj me pagesë. Lidhur me këtë vërtetohet dhe nga proverbi që përdorej: “Dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”. Edhe sot pasardhësit e kësaj dege jetojnë në Dunavat të Gjirokastrës.

Po kështu dhe Golemit, me familje më të vogël, i la më pak bagëti, një bahçe dhe shtëpi modeste (sot e rikonstruktuar), që mundësonte aktivitetin e tij pjesërisht me blegtori dhe punë të ndryshme.

Majkos i la shtëpinë bazë në Dunavat ku sot jetojnë pasardhësit e Dines, kurse Omerit i la shtëpinë në lagjen “Dunavati i Dytë” si dhe tokën afër Viroit. Familjes së Majkos iu dha mundësi studimi dhe prej tyre dolën mjekë si Ibrahimi, Xhevdeti dhe përsëri Ibrahimi. Pra nga kjo familje dolën intelektualë mjekë si dhe të tjerë që merreshin me punë të tjera.

Dega e Omerit pasohet nga Shabani, Dervishi dhe më pas Besimi dhe Arsimi, pasardhësit e të cilëve jetojnë edhe sot. Edhe kësaj dege i dha drejtim shkollimin në fusha të ndryshme duke krijuar pasardhës intelektualë. Nuk është i rastit fakti që Arsimi, i cili kishte mbaruar “Zosimenë” në Janinë ka vënë emra që tregojnë intelektin e tij kulturor: Omer, Astrit, Mërkur, Volter dhe Neptun.

E shoh të domosdoshme, duke njohur më mirë bashkëpunimin e kësaj dege me vëllazërinë tonë, të ndalem dhe të shkruaj për marrëdhëniet dhe mendimin tim për aktivitetin dhe meritat e tyre në kohën që i kam njohur dhe jetuar me ta. Është aktiviteti i përbashkët, respekti që kam për ta dhe që t’u tregoj pasardhësve vlerat e tyre shkurtimisht dhe mendimet e mia si njohës më i mirë i tyre. Më hollësisht iu takon atyre të shkruajnë për jetën dhe punën e tyre.

Dervishi (Vishja) ka qenë i njëjti brez me gjyshin tonë dhe mbas tij kanë qenë Asim Mero dhe Besim (Besua) Mero. Pikërisht për këta dhe pasardhësit e tyre e shoh të domosdoshme të shpreh shkurtimisht për jetën dhe cilësitë morale e burrërore që kanë patur. Sigurisht unë jam bashkëkohës i pasardhësve të Asimit e Besimit e nuk mund t’i lë pa përmendur në këtë botim. Për ta unë kam shumë për të shkruar, por iu takon atyre të shkruajnë më hollësisht për jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Të më falin degët e tjera, por meqë kam qenë i larguar, nuk kam shumë njohuri për jetën e tyre, megjithëse e di që të gjithë kanë qenë punëtorë e të respektuar si Dinia me fëmijtë e tij ashtu edhe Muniri.

Ashtu siç theksova më lart djemtë e xha Vishes, Asimi dhe Besua, të dy të nderuar e të mençur, kanë pasardhës që kanë manifestuar virtytet e larta të prindërve të tyre. Besua kishte dy djem, Beqon dhe Shabanin. Bequa, një burrë i nderuar, ka dhënë kontribut si në luftën NÇ dhe mbas çlirimit që, së bashku me gruan e tij Nedon, kanë rritur dhe dukuar tre djem që jetojnë e punojnë dhe sot: Leonardin, Çlirimin dhe Besimin, të cilët jetojnë dhe punojnë e janë të nderuar.

Shaban Mero, djali i Besos, një burrë me kontribut të madh si në luftën NÇ dhe mbas çlirimit ndërroi jetë në moshë shumë të re duke kryer detyrën e rezervistit si oficer gjatë stërvitjes. Burrë shumë i gjallë, me aktivitet të dendur gjatë luftës dhe aktivist i pa lodhur mbas çlirimit. Ishte martuar me Drita Sinanin, motrën e dy dëshmorëve, një grua shembullore që rriti me nder 3 fëmijtë e saj.

Drita, si nënë shembullore e grua besnike, megjithëse burri e la të re, ajo rriti tre fëmijtë e saj. Megjithëse pati tronditje të rëndë, me humbjen e vëllezërve e më pas të burrit, Shaban Mero, pati dhe goditjen e fundit kur humbi vajzën në lulen e rinisë nga një aksident automobilistik. Me mbështetjen e dy djemve të saj si lastarë deri sa ndërroi jetë në moshë madhore, ajo mbeti e nderuar dhe e respektuar dhe shëmbull urtësie për të gjithë.

Djemtë e tyre Dervishi, që mbante emrin e stërgjyshit dhe Maksi janë njëlloj si bababi i tyre, jo vetëm nga ngjashmëria trupore, por edhe nga karakteri, urtësia, mençuria dhe dashuria. Ju uroj jetë të gjatë se më nxjerrin mallin e babait të tyre.

Djali i dytë i Dervishit (Vishes), Asimi (Mero), dëshmor i atdheut, iku nga jeta shpejt. Ai ishte jo vetëm patriot e luftëtar, por edhe intelektual. Bashkë me gruan Shahadetin lindën dhe rritën 6 djem: Omerin, Astritin, Mërkurin, Agimin, Volterin, Neprunin dhe një vajzë Pranëverën, që iu erdhi në familje si lule e pranëverës që mori edhe emrin.

Të gjithë djemtë që nga Omeri, Astriti e Mërkuri treguan shembull patriotizmi e trimërie me një aktivitet të madh si në luftë e mbas çlirimit dhe tre të tjerët ishin të arsimuar me shkolla të larta. Agimi, Volteri e Neptuni janë shembull si intelektualë duke qenë në ballë të punëve në fushat e jetës ku u shkolluan dhe vepruan. Nuk ngopem së shkruari për virtytet e tyre, por mjaftohem me kaq për të treguar dashurinë dhe respektin që kam për ta.

Please follow and like us: