Albspirit

Media/News/Publishing

Peshkopata Arbanense, Gjon Kastrioti dhe grindja për kufijtë me peshkopatën e Lezhës

Prof. Aleksandër Meksi

Ligjërata ime trajton një temë me interes për periudhën që paraprin luftën e Gjergj Kastriotit si dhe për shekujt që pasuan. Ajo lidhet me një fakt të njohur të këtyre shekujve e të shumë debatuar për studiuesit vendas e të huaj. Është fjala për grindjen ndërmjet peshkopatës Arbanense dhe asaj të Lezhës (Alexiense-Lexiensi), për përkatësinë e një sërë kishash që pretendohen apo kontestohen nga të dy palët dhe për vetë historinë e kësaj peshkopate. Deri më sot dëshmia më e vjetër për këtë grindje ishte një letër e Gjon Kastriotit, Atit të Heroit tonë, dërguar Serenisimës, e cila dëshmohet në Aktet e datës 3 prill 1407, ku nga sa kuptohet Gjoni shkruan se këto 12 kisha janë në territoret e tij e i përkasin Peshkopatës Arbanense prej 800 vitesh. Ai kërkonte që të ndërhyhej për të shmangur grindjet dhe trazirat ndër popujt e atyre viseve nga kjo padrejtësi. Në Aktet, pas një shpjegimi të shkurtër, jepet teksti i Letrës që i dërgohet Atit të Shenjtë, Papës Gregori i XII, ku i kërkojnë që të ndërhyjë në favor të peshkopatës Arbanense, për të detyruar Peshkopin e Lezhës-Alexiense të mos i mbaj të zaptuara ato 12 kisha të Arbanense, në letër episcopatum Albanie, e vjetër prej 800 vjetësh. Kjo letër njihet prej kohësh nga studiuesit dhe është botuar nga Jireçek, Ljubiç, si dhe nga At G. Valentini në A.A.V, e më pas trajtohet nga Šufflay edhe prej studiuesve të mëvonshëm.

Të dy këto aspekte, vjetërsia e Peshkopatës Arbanense në tokat e veta, ashtu dhe përmendja e 12 kishave mjaft qartë, kanë qenë subjekte në studime e botime të veçanta, por siç vëren Prof. Kristo Frashëri ‘se ku ndodheshin këto 12 kisha dhe përse interesohej Gjon Kastrioti për to, historianët nuk e kanë hetuar me kujdes deri sot’.
Rasti e solli që të më bjerë në dorë, Letra e transkriptuar e Papës Gregori VIII drejtuar Kryepeshkopit të Antivarit -Archiepiscopo Antibarensi, e cila mban datën 23 maj 1407. Në këtë kohë në selinë e Tivarit titullar ishte Martini nga Ulqini (Martinus de Dulcinio 1395-1420), ndërsa në Lezhë ishte titullar Andrea Summa (1405-1426). Ati i Shenjtë, i nxitur nga Peticioni i dërguar prej episcopo Arbanensi Georgij kërkon lirimin e kishave të zaptuara nga peshkopata e Lezhës, të cilat, de jure, i takojnë peshkopit Georgij dhe paraardhësve: megjithatë vëllai ynë i nderuar Andrea, Peshkop i Lezhës (Lexiensi) vazhdon t’i mbajë ende të zëna padrejtësisht duke shkaktuar një dëm…. Ati i Shenjtë kërkon që peshkopi i Lezhës dhe të tjerët të tërhiqen ndryshe… nuk do të mund të presin falje nga Selia Apostolike për pezullim nga detyra ose shkishërimin e tyre.

Duke dashur të jemi më të saktë në shqyrtimin e Letrës në fjalë dhe përmbajtjen e saj, arritëm të sigurojmë faksimilen e saj nga Arkivi Sekret i Vatikanit, që mundëson një lexim të saktë të saj, të pajtorëve të kishave dhe vendndodhjen e tyre. Dallimi më i rëndësishëm, nga çka dihej deri më sot, është se nga Peshkopi i Lezhës në dëm të Arbanensis diocesis janë zaptuar 17 kisha në 16 fshatra, dhe se ato kisha dhe fshatrat ku ndodhen lexohen me saktësi. Pra, tashmë për problemin që zgjatet në shekuj me debate, mund të flitet mbi të dhëna konkrete e të plota.

Së pari, në Letrën e Atit të Shenjtë lexohet se Ai ka pasur një ankim (petitio), me sa kuptohet të hollësishëm (në datë të panjohur për ne), nga titullari i selisë episcopale Arbanensis peshkopi Georgij. Nga Letra rezulton se ankimi është hetuar sipas rregullave, çka solli për pasojë urdhrin a porosinë e Vatikanit.
Së dyti, në Letër kemi Listën e plotë dhe të saktë të kishave në fjalë dhe vendndodhjen e tyre:
Sancte Venere in Baldreni, Sancti Nicolai in Blenisti, Sancti Salvatori in Malemalit, Sanctu Johanis in Merchina, Sancte Eufemia in Calameto, Sancte Venere in Vello, Sancti Salvatoris in Vello, Sancti Georgij in Fico, Sancti Blasij in Solomundo, Sancti Demetrij in Span, Sancti Alexandri in Bochiano, Sancti Nicolai in Soyme, Sancte Barbare in Pedana, Sancte Venere in Re, Sancta Maria in Soesa, Sancti Michaelie in Castineto, Sancti Helie in Guimala.
Le të shqyrtojmë ku ndodhen ato kisha të 16 fshatrave, për të cilat deri më sot ka pasur vetëm hamendësime të kërkuara për përfundime aprioristike. Shumica e këtyre kishave ndodhen dhe sot në fshatrat me të njëjtin emër që i gjejmë në Listën.
– Në Balldre(n) kemi kishën e Shna Prendës.

– Në Blinisht nuk gjejmë një kishë të Shën Kollit, por vetëm aty pranë në Kakarriq. Por, në Kadastrën Veneciane të vitit 1416-17 gjejmë si Fshati Kakarriq ashtu edhe Fshati i quajtur Shën Kolli i Kakarriqit apo Blinishti.
– e treta në listë duhet të jetë Kisha e Shelbuemit në Akrolis, mali në lindje të Lezhës nga e cila ruhet më shumë emri se sa gjurmë të rrënojave.
– Në Mërqinë kemi kishën e Shën Gjinit.
– Në Kallmet kemi edhe sot kishën e Shën Eufemisë (Mia).
– Në Velë ndodhen dhe Shna Prenda dhe Kisha e Shelbuemit.
– Në Rasfik ndodhet kisha e Shën Gjergjit.
– Në Grykë Manati rruhet kisha e Shna Vlashit dhe emri Solomund.
– Vendndodhjen e fshatit Span nuk kemi mundur ta gjejmë. Në ato zona, në shpinë të Lezhës, kemi vetëm një kishë me pajtor Shën Dhimitrin në fshatin Tresh-Dardhë.
– Mbi fshatin Spiten ndodhet kisha e Shën Llezhdrit të Bokianit.
– Në Zejmen ndodhet kisha e Shën Kollit.
– Në Pllanë (Pëdhanë) ndodhet Kisha e Shën Barbullës.
– Në Rej ndodhet Kisha e Shna Prendës.
– Në Zezë (Reja e Zezë) nuk njihet Kisha e Shën Mërisë.
– Në Kashnjet ndodhet Kisha e Shën Mëhillit.
– Në Gjunal nuk kemi gjetur ende një kishë me pajtor Shën Ilinë, por aty pranë, në Jezull (Gazull), përmendet një kishë me këtë pajtor.
Pra, këto 17 kisha në 16 fshatra, janë të gjitha në lindje të qytetit të Lezhës dhe mbi Lumin e Matit, d.m.th. në veri të tij.
Së treti, duhet të kërkojmë arsyen pse ndërhyri, në këtë grindje në krahun e Peshkopatës Arbanense Gjon Kastrioti. Pra, mendojmë se këto fshatra ishin në zotërimet e Gjon Kastriotit, apo se atij ju kërkua ndihmë si një sundimtar i fuqishëm, në territoret pranë dhe me interesa për rrugët, portet detare të atjeshme dhe nevojën për marrëdhënie të mira me Kishën dhe sundimtarët vendas, duke dalë në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të tyre. Me sa duket, ato troje dikur të Principatës të Arbrit, ndërkohë sundoheshin nga shumë feudalë të vegjël. Ne mendojmë se, duhet të kenë qenë krerët e episcopatus Arbanensis, ata që i kanë kërkuar mbështetje Gjon Kastriotit, me sa duket jo shumë të bindur se mund të zgjidhnin vet këtë problem në favor të tyre, duke shpresuar te marrëdhëniet e mira e mbi baza interesi reciprok, ndërmjet Kastriotit dhe Republikës, e cila zotëronte nga viti 1393 dhe Lezhën, ndërhyrja e mbështetja Gjonit do të ishte e dobishme për ta.

Ka dhe një shpjegim tjetër, të nisur nga shprehja e Gjon Kastriotit që janë në zotërimet tona e janë të peshkopatës arbanense prej 800 vjetësh, se ato janë pra në toka të Kastriotëve. Unë mendoj se kjo shprehje është thjesht justifikuese për ndërhyrjen, për arsye afirmimi në një krahinë pranë territoreve të Gjon Kastriotit dhe me lidhje të vjetra me to. Mund të na ndihmojë për këtë një shënim në fund të Regjistrit osman të vitit 1431-2, ku në timarin e Andre Karlo-s thuhet: Edhe nëntë copë fshatra, sipas tahvilit të Skënderbeut, birit të Gjonit u morën nga vilajeti i Dhimitër Jonimës dhe timari u regjistrua në regjistrin e tokës së Gjonit. Në rast nevoje të shihet [në] atë regjistër. Ky shënim është i vitit 1441. Nga ky shënim ne kuptojmë se këto toka nuk ishin më përpara të Gjon Kastriotit, por i përkisnin Jonimëve.

PESHKOPATA ARBANENSE
Peshkopata e Arbërit dhe organizimi politik i krahinës ku ajo shtrihej është një temë që ka hapur diskutime të shumta për qenien, shtrirjen dhe vazhdimësinë e saj në kohë. Përmendjen e parë të një peshkopate të Arbrit e hasim në aktin e shugurimit të kishës së Shën Trifonit në Kotor, në vitin 1166, ku merr pjesë titullari i saj episcopis Lazaro Albanensi dhe Lazarus episcopus Arbanensis. Në ceremoni, krahas peshkopit Lazar, i cili shuguron altarin në të majtë të kryesorit, merr pjesë dhe Andreas prior Arbanensis, me të cilin në historiografinë shqiptare është krijuar një pështjellim, duke e quajtur si të parë të krahinës, ndërkohë që duhet të pranojmë, duke u korrigjuar, se prior është i pari i komunitetit fetar në një dioqezë dhe që renditet pas peshkopit. Në mesin e shekullit XII, trojet e banuara nga shqiptarët, në aspektin e organizimit kishtar, janë nën juridiksionin e disa qendrave kishtare. Në Shqipërinë e Veriut; nga kryepeshkopata e Raguzës-Epidaurit varen peshkopatat e Tivarit (Auarorum), Ulqinit (Liciniatensem), Shasit (Suacinensem), Shkodrës (Scodrinensem), Drishtit (Driuastinensem) dhe Pultit (Polatensem); në Shqipërinë e Mesme kemi Metropolin e Durrësit (Dyrrahut) nga e cila varen peshkopatat e Lezhës (Elison), Stefaniakës (Stefaniakon), Krujës (Kroon), dhe Kunavise (Hunavian); në Shqipërinë Lindore dhe Jugore Kryepeshkopatën e Ohrit me peshkopatat e Gllavnicës, Deabolit, Kaninës dhe Dibrës, ndërsa në Shqipërinë e Jugut peshkopatat e Himarës, Butrintit (Buthrotit) dhe Drinopojës (Drinopoleos) nën vartësi të Metropolisë së Naupaktit. Prej tyre peshkopatat e Shqipërisë së Veriut i takojnë kishës katolike, duke u varur nga Vatikani, me të cilën janë të lidhur dhe katolikët apo latinët e Dyrrahut me një arqidiakon në krye.

Një vit më vonë nga përmendja në shugurimin e altarit të kishës së Shën Trifonit në Kotor (1167), papa Aleksandri III i drejtohet peshkopit “Lazarum episcopum de Albania” duke e lavdëruar që dëshiron të mohojë ritin grek dhe ke vullnet t’i shmangesh në shumë raste kur të paraqitet mundësia ritit grek. Në të njëjtën dite, papa në një letër tjetër me vlerë të dëshmisë zyrtare, i konfirmonte kryepeshkopatës së Raguzës shufraganët e saj, por ndër ta nuk ishte peshkopata e Arbrit, e cila nuk njihet si e tillë edhe në mjaft bula të tjera papnore të mëparshme që konfirmojnë shufraganet e Raguzës. Po kështu, një peshkopatë e Arbrit nuk është ndër shufraganët e mitropolisë së Dyrrahut apo kryepeshkopatës së Ohrit.

Në të tilla rrethana priremi të mendojmë se kemi të bëjmë me një peshkopatë të krijuar jo prej shumë kohësh, në një territor të mitropolisë së Durrësit, pra nën sundimin bizantin, drejtuesit e së cilës, për të afirmuar ekzistencën apo dhe për bindjet fetare, lidhen me kryepeshkopatën e Antivarit. Që peshkopata e Arbrit u krijua në territore deri atëherë të Dyrrahut e tregon përmbajtja e letrës së sipërpërmendur të papës Aleksandër III, në të cilën, mjaft qartë, vërehet përkatësia e saj në ritin ortodoks (grek në letër) dhe vartësia nga metropoliti (nënkuptohet që ishte fjala për atë të Durrësit), të cilit duhet t’i tregojë respektin që i takon, çka shpjegohet me marrëdhëniet e mira të Papës me perandorin e kohës Manuel Komneni.
Krijimi i një peshkopate të re në kushtet e mesjetës, duke iu shkëputur strukturave të mëparshme kishtare me një traditë të gjatë nuk mund të kuptohet pa përkrahjen e një fuqie shtetërore ose të një feudali të madh. Na mbetet të mendojmë që kjo peshkopatë mund të ketë qenë e lidhur me një feudal vendas, i cili, në rrethana të caktuara arriti të vendos sundimin e tij në atë territor, dhe këtë akt mvehtësimi e shoqëroi dhe me krijimin e peshkopatës që administronte kishën në tokat e tija.
Me peshkopatën Arbanense lidhet pandashëm dhe principata e Arbrit, për disa shteti i Arbërit, të cilës në historiografinë shqiptare i është lënë një vend i rëndësishëm duke e konsideruar si formacioni i parë shtetëror për arbrit. Mbizotëron ideja se arbrit kishin një arhondi të tyren që shekuj më parë dhe prej saj në kushte të reja u krijua Shteti i Arbërit, diku ndër vitet 1190-1991 deri në vitin 1215

 

DY PYETJE
Dy probleme të tjera të lidhur me njeri-tjetrin dhe që duhet të trajtohen janë:
1. Cili ishte territori dhe selia e kësaj peshkopate?
2. A është peshkopata e Krujës e njëjtë me atë të Arbanense ?

Mendimi ynë për çështjet që paraqitëm mund të përmblidhet shkurtimisht:
1. Peshkopata Arbanense krijohet në kushte të caktuara historike rreth mesit të shek. XII, nga sundimtar të fuqishëm të krahinës, duke u lidhur fillimisht, e më vonë duke u përfshirë, si shufragane e kryepeshkopatës së Tivarit. Ajo krijohet me territore e kisha të Peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht dhe asaj të Stefaniakës. Në këtë fakt duhet kërkuar rrënjët e grindjes ndërmjet peshkopatës së Arbërisë dhe asaj të Lezhës.
2. Kjo peshkopate është e ndryshme nga peshkopata ortodokse (apo katolike kur ishte e tillë) e Krujës, që varet nga metropolia (apo kryepeshkopata) e Durrësit.
3. Territori i peshkopatës së Arbrit dhe i principatës që e krijojnë atë, ndodhej ndërmjet luginës së Drinit dhe asaj të Matit, ndërmjet malësisë së Lezhës dhe asaj të Lurës. Fqinjët e saj ishin peshkopatat e Lezhës, Pultit, Stefaniakës dhe Krujës. Ndërkohë mungojnë të dhëna për të caktuar shtrirjen e saj fillestare, zgjerimet e tkurrjet në kohë, pra kur peshkopatës i merren pjesë, si dhe kur i kthehen ato sipas Letrës së Papës, si edhe ndryshimet që pëson territori nën administrim gjatë sundimit osman. Gjithashtu, vëmë re se peshkopata arbanense nuk mbulon gjithë territorin që njihet nga dokumentacioni mesjetar me emrin Arbanon, për administrimin kishtar të të cilit ishte ngarkuar, kryesisht, metropolia e Dyrrahut.
***
Nga dokumentacioni që ruhet mësojmë se gjatë mesit të shekullit XIV krijohen apo konvertohen në katolike, gjithë peshkopatat ekzistuese në prapatokën e Durrësit deri atë kohë ortodokse, ndërkohë që me ndryshimin e sundimtarëve të territorit, sipas fesë së tyre ndryshonin dhe drejtuesit e peshkopatave. Duke filluar me pushtimin anzhuin (fundi i shekullit të XIII-të) dhe futjen e urdhrave të françeskanëve dhe dominikanëve, kemi veprimtari të shpeshtë të kishës katolike nga kryepeshkopatat e shqiptarëve në Tivar dhe Durrës për kthimin në katolike të peshkopatave ortodokse.
Kjo veprimtari, jep frute të qëndrueshme sidomos mbas shuarjes apo mospërmendjes të prelatëve ortodoks në seli të mitropolisë së Durrësit, e cila ndërkohë, me sa duket, zëvendësohet nga kryepeshkopata katolike. Siç kemi treguar gjetkë përmendja e fundit e një mitropoliti ortodoks të Durrësit i takon vitit 1343 në një akt sinodal, por nuk dihet nëse ai qe rezident në selinë e vet.

Vendosja në këto rrethana të reja e strukturave të kishës katolike që zëvendësojnë në selitë peshkopale ato ortodokse, ka dhe lëkundjet e veta kur territori i tyre sundohet nga Bizanti ose sllavët, në vartësi të lëkundjeve kishtare të aristokracisë arbërore. E njëjta gjë ndodhi dhe kur me pushtimin e parë turk rreth vitit 1415, peshkopata e Krujës kthehet në ortodokse e në vartësi të Kryepeshkopatës së Ohrit. Këto ndryshime në drejtimin e peshkopatave mbi bazën e dokumentacionit të ruajtur i trajton me hollësi Gj.Berisha.

Shekujt XV, XVI, XVII janë të vështirë për vendin e shqiptarëve ashtu dhe për kishën e tyre. Luftërat për pushtimin e vendit nga osmanët si dhe vendosja e pushtetit osman, që zgjati thuajse pesë shekuj dhe e shoqëruar me islamizimin e një pjesë të popullsisë së krishterë, me braktisjen dhe rrënimin e ndërtesave të kultit, e bënë të vështirë ndjekjen e vazhdimësisë dhe shtrirjes së peshkopatave si dhe çdo strukturë tjetër kishtare. Kjo edhe për shkak të lidhjeve përherë e më të vështira me Selinë e Shenjtë. Janë të shumta rastet, gjatë shekujve të parë të pushtimit, që dhe ata që emërohen si peshkopë nuk arrijnë të shkojnë në selitë e tyre, dhe me konvertimin në fenë islame të shumicës së banorëve, ato humbin e nuk përmenden më. Me gjithë këtë, studimi i Listave të peshkopëve na flet për qenien e tyre gjatë shekujve XVI-XVII, dhe kohën kur secila prej tyre pushon së ekzistuari.


Edhe gjendja kishtare në territoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut nuk është fort e qartë dhe duhet të studiohet mbështetur në të dhënat e Arkivave dhe dëshmive historike të kohës. Shkatërrimet e luftës shqiptaro-turke patën pasoja dhe për organizimin kishtar dhe funksionimin real të peshkopatave. Mjaft domethënëse është një dokument i vitit 1453 që na tregon se në peshkopatën e Krujës nuk ka prift as gjakon katolik që të ndihmojë gjatë meshës kapelanin Don Elia, i ardhur bashkë me ushtarët e Alfonsit V, çka e shtyn Gjon Berishën të mendojë se banorët e kështjellës praktikonin ritin lindor dhe se peshkopët ortodoksë në këtë kohë në Krujë, kanë luajtur dhe rol si ambasadorë të Skënderbeut. Me interes, për të kuptuar qëndrimin e Skënderbeut ndaj pranisë të të dy kishave, sidomos pas Koncilit të Firences (1439), është prania në Krujë e Nifonit, një arvanit nga Moreja që arriti te bëhet, në fund të shekullit, Patrik ne Kostandinopojë. Ai në fillim të viteve 60 të shekullit së bashku me Zakarian ndërmorën një udhëtim misionar dhe vizituan Krujën ku u pritën me entuziazëm nga Skënderbeu. Në Krujë, për sa kohë që qëndruan, ata zhvilluan misionin e tyre deri sa qyteti u rrezikua nga turqit e u larguan në drejtim të Ohrit. Sido që të jetë duhen kërkime të mëtejshme sepse rasti i Krujës tregon se trevat, nën juridiksionin kishtar të Durrësit, ishin ndërmjet dy riteve i rezultat i pështjellimit të krijuar në vitet e para të sundimit osman, pështjellime që vijon dhe pas vdekjes së Heroit dhe rënies së Krujës në duar të turqve që pasohet nga rënia e Durrësit në vitin 1501. Me të drejtë K.Frashëri vëren se në aspektin e fesë shqiptarët nuk ishin fanatikë, çka e ka vënë në dukje më parë dhe Šufflay, dhe se mesjeta shqiptare nuk ishte përplasje midis katolicizmit dhe ortodoksisë.

**
Peshkopata Arbanense ka vazhdimësi që nga krijimi i saj rreth vitit 1166 dhe, siç kemi thënë, nuk duhet të njësuar me të Krujës (Croiense), e ndryshme prej saj si territor dhe titullar. Grindja e vjetër ndërmjet peshkopatës së Lezhës dhe peshkopatës Albanense ridel në fillim të shekullit të XVII kur me të dërguarit e Kongregacionit të Propaganda Fide dhe misionarëve të vendosur në misionet fillon rindërtimi i strukturave kishtare në Shqipërinë e Mesme. Këtë e tregon letra e kryepeshkopit të Tivarit, Marin Bici, e vitit 1610, që thotë se kanë mbetur, veç asaj të Stefanisë, peshkopatat e Sapës dhe e Lezhës, duke kuptuar se peshkopi i Stefanisë është i Albanense i Kryepeshkopatës së dikurshme të Durrësit. Dëshminë e parë për grindjen e kemi që nga viti 1625, kur peshkopi i Lezhës Benedikt Orsini ankohet për sjelljen e Gjon Kolesit, i cili kur erdhi nga Roma pruri ndjesën e Vitit të Shenjtë vetëm për dioqezën e tij e jo për të tjerat, sepse sipas tij nuk jepen dioqezat e tjera. Sipas Orsinit titulli Albanense i dioqezës së Kolesit është fals, sepse nuk ka një dioqezë të tillë. Ai nuk dëshiron të kuptojë se Vatikani ka kryer një riorganizim ku gjithë territori që dikur ishte i Durrësit është kjo peshkopatë që më vonë quhet Kryepeshkopata e Durrësit me seli në Shën Venerandën e Kurbinit, në pamundësi për të qenë në Durrësin e pushtuar. Janë fillesat e ngjalljes së grindjes së vjetër Lezhë-Arbëri, për kishat e krahinave të Mirditës, Matit e Krujës, që zgjati në mënyrë të përsëritur, gjatë 30 viteve, kur në detyrë, pas Kolesit, është dhe Mark Skura, i emëruar dhe si Kryepeshkop i Durrësit. Kjo grindje pasqyrohet në relacione të shumta që dërgohen në Romë duke kërkuar përkrahje, herë njëra palë e herë tjetra. Shkaku është më se i qartë, sepse mosqenia e peshkopatës së dikurshme arbanense, ashtu dhe zhdukja gati prej 150 vitesh e drejtuesve të tyre ne Shqipëri, rezultat i pushtimit osman, kërkesa për ringritjen e tyre hasi në vështirësi të përcaktimit të kufijve, fillimisht të asaj të Lezhës dhe më tej të çka kishte mbetur nga kryepeshkopata e dikurshme e Durrësit.

Në relacionet që i dërgon Romës për vizitën e tij të vitit 1629, B.Orsini përmend si fshatrat në shpinë të Lezhës, që i quan të tijat, ashtu dhe fshatrat në malësi (Ndërfanda, Fani i Vogël, Mirëdita, Bulgëri. Kthella, Selita e të tjera që nuk i njihte), që bëjnë mbi 3000 shtëpi e që nuk i janë nënshtruar turkut dhe që sipas tij janë të dioqezës Albanese. Po në atë vit, pasi vdiq imzot Gjon Kolesi peshkopi i Lezhës shkon në Malet në Mirditë e i vë të betohen për të dhe që në Abacinë e Oroshit, dikur mitrale, të emërohet një abat i ri. Ndërsa në vitin 1636 me emërimin në post peshkopi Mark Skura ankohet për kishat e Shpërdhasës, Veljes, Gjunalit e Fandit të Madh, në të cilat peshkopi i Lezhës futet kur ato janë në zona që nuk i kanë përkitur kurrë e që janë të Kryepeshkopatës së Durrësit.

Grindja, për shkak të harresës të së kaluarës kërkoi dhe dëshmi nga një grup klerikësh e shekullarësh, e pak më vonë dhe disa famullitarë, të cilët në vitin 1636 tregojnë se fshatra të Kthellës, Mirëditës, Fandit, Selitës e Dibrit, qysh prej 60 vjetësh janë të peshkopatës Albanese. Kur Mark Skura atë vit merr nga Roma bulën dhe dekretet për kishën albanese e për administrimin e popujve të metropolit të Durrësit: Bendense, Lisiense, Crojense, Canouiense; përsëri ankohet se ai i Lezhës ka uzurpuar emrin Lisiense me Alessiense e ka marr disa fshatra. Për këtë qëllim Kongregacioni i Propaganda Fide dërgon në vitin 1637 Gjergj Uskoviqin si komisar për kufijtë ndërmjet Lezhës dhe Albanese, i cili nuk mban qëndrim të drejtë, siç tregon raporti i tij. Mark Skura në letrën e tij tregon se B.Orsini do t’ia zhduki emrin dioqezës së Lisit dhe se ai prej saj lëshon Blinishtin, Mirditën e tjera fshatra.
Prej asaj kohe edhe gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të XVII kemi relacione të hollësishme për gjendjen kishtare në trevat e peshkopatave katolike nga peshkopë e vizitatorë, ende të pabotuar tërësisht në gjuhën shqipe, më të rëndësishmet janë ato të Mark Skurës (mesi i viteve 40), Shtjefën Gasparit (fundi i viteve 60) dhe Vinçens Zmajeviçit të vitit 1701.

Kjo grindje arrin të mbyllet në mënyrë përfundimtare në vitin 1703 kur Koncili i Arbrit përcaktoi kufijtë ndërmjet peshkopatave të Lezhës, Sapës dhe Albanit si dhe ato të peshkopatës së Pultit. Sidoqoftë është një temë e hapur me shumë diskutime, që së bashku me historinë e organizimit kishtar për shekujt XV-XVII për Shqipërinë e Mesme e të Veriut, kërkon studim të plotë, ku botimet e Profesor Zamputit, Peter Bartl e një numri jo të vogël studiuesish vendas e të huaj mbeten themeltare, por njëherësh duhen kërkime të mëtejshme e shteruese në Arkivat e Vatikanit e jo vetëm atje.
Nuk mund dhe të mos vërejmë rolin që luajti në histori dhe katedralja e saj abacia e Shën Aleksandrit në Orosh (Sancti Alexandri supra Montem Meriditarum).
U munduam të hedhim dritë, brenda mundësive që patëm, në një problem ndër të shumtit e historisë sonë mesjetare. Është një periudhë që kërkon hulumtime të mëtejshme në arkiva, që duhen shqyrtuar me paanësi, por jo me nxitim apo me zell të tepruar. Vetëm duke u shumëfishuar përpjekjet do të hidhet dritë në Mesjetën e shqiptarëve duke kapërcyer atë mbi themelet e shkruara në dekadat e para të shekullit të kaluar.

*Marrë me shkurtime nga ligjërata që profesori mbajti në kuadrin e Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit në 550-vjetorin e vdekjes./ressublica/

Please follow and like us: