Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Për çdo libër të lënë mënjanë, si ‘NE’ të Besart Varfit

PËRZGJEDHJA
(për çdo libër të lënë mënjanë, si NE të Besart Varfit)

Herë herë marr në dorë librin e të ndjerit, (si mund të jetë i ndjerë, them, kur s’ndjehet nga asnjë shqisë) Besart dhe dy gjera më vinë ndër mend së bashku me një ah, që nuk zgjat shumë: Nastradini me shportën e qershive dhe ai vetë, q’ende vazhdojmë të mendojmë q’është diku i përzgjedhur, në parajsë, ndoshta për nga dlirësi e mendimit, që ne këtu poshtë, shpesh qëllimisht e harrojmë. Po, çdo njeri nga ne e di se sa e vështirë, të harrojmë vdekjen, edhe pse kinse bëjmë sikur nuk është për të, harresa është e tmerrshme dhe duhet harruar. Nuk ka përzgjedhje në vdekje. Jo, nuk merr më të mirët, t’i bëjë ëngjëj, me kosën e statistikës mijëvjeçare, të gjithë vdesin njëlloj, njësoj. Ndaj, nuk ka zgjedhje dhe pas vdekjes, qoftë dhe me një çmim “Nderi Kombit”, pasi fjala “hero” u përdor kaq shumë, e u shkel dhe më, sa u bë baltë qerpiçi, të mbulojë suvatë e mureve tanë të rrënuar. Mirënjohja, e zeza, korba, prapë s’duhet të mbetet si një rreckë kujtimi e të valëvitet e nderur, ca e lagur dhe ca e tharrë, të valvitet dhe ca më shumë, të na shkundë me të vërtetën e saj. Sa për Nastradinin, që pshurri mirë e mirë mbi shportën me qershi, për cfarëdo arsye, në kohën time Nastradini i Perandorisë, ishte dekadent dhe për të flitej nën zë, “zgjidhte” ato, të cilat i mendonte se i kishin shpëtuar currilit dhe i hante një nga një.

PIRAMIDA në vetëvehte nuk është ndërtim, nuk është dhe ndërtesë alegorike shteti. Piramida është, shumë m’e lashtë se ato, një zakon, i gdhendur trashë, thellë në nën-ndërgjegjen shoqërore, më thjesht në tru të njerëzisë, një mënyrë të menduari, e cila për të mbetur, besonte, përjetësisht e përzgjedhur, me gurë, dhe çfarë gurësh, ndërtoi veten e saj. Dhe majën e vuri në fillim, e jo në fund, gjë që mënçurisht, një i marrë arkitekt në Luvër, e përmbysi, por edhe e fshehu nën dhè nga frika. Dhe me qenë se trekëndèshi, figura gjeometrike m’e pandryshueshme dhe e qëndrueshme, u aplikua në çdo kat të saj, në çdo rreth, siguronte palëvizëshmërinë dhe mbështetje për peshën e rëndë t’asaj më lart. Për rrjedhojè, kish një kryearkitekt dhe një krye skrivan, ky diçka midis një poeti hymnesh dhe magjistari, i lidhur sigurisht, me një turbullim të mendjes nëpërmjet disa tingujve dhe një tymtemjani, q’ish aty për ndihmë apo plani B. Në më të shumtën ish maja, që zgjidhte, mjaft të përplaste duart gjithë gëzim dhe sa herë, të numëruara dhe të regjistruara saktë nga skrivane të tjerë, q’u rreken, dhe ai, i tyre,të ngrihej më lart. Me pak ndryshime aty këtu, nga parardhësit, arriti, ç’në atë kohë quhej Mar, fjalë e cila, në hieroglife përfshinte: një buf(M), një dorë,(B), pastaj një sy pa bebëzë (R) e pastaj disa të tjera, për zbukurim a mallkim ta ruante nga syri i keq, Arritje (Sukses). Se si i këndonin piramidat e vogla në bazë a themel, me përdëllim, aspak të shtirur apo pështynin me gëlbazë marrazi të mbledhur gjatë, se gjoja qëronin fytin, as që mund të përfytyrohet. Në të fundit, ish punë perëndish. Perëndish?

LIBRI PRISHI PIRAMIDËN E MENDJES SË MBRAPSHTË, çliroi lirinë e fshehur midis rreshtave, të cilën skrivanët skllevër dhe arkitekt-piktor-shkrimtarët e kishin kuptuar me kohë. Egjiptologët e dinë më mirë se kushdo, ku fshihen këto liri, në shkronja-figura, që nuk shpjegohen dhe s’dimë pse janë aty në mur të mishngrënësit (sakrofagut), tek ajo fshatare vdektare me gjoks, këmbë e trup, po aq, në mos më të bukur, se MerNeith, bashkëshortja e mbretit, Djet, tremijë vjet para çastit zero në histori. Ç’erdhi më vonë ishin ata që shkruanin, murgjit në manastiret e shkrimeve të papara, për t’i ruajtur nga mendjet e etura e të shprishura nga dëshira të dyshimta dhe ata të cilat filluanin t’i mblidhnin në bibliotekat e tyre vetjake, se në atë fillim, libri kushtonte sa një gjysëm kope delesh, që mund të mbante me “bukë”, një fshat të tërë. Përzgjedhja filloi dhe nuk dihej se kurrë do të mbaronte, sa në shekujt që pasuan ajo u shit sikur ishte e domosdoshme, që kritikët, qoftë dhe ata shkrimtarë, të krijonin piramidat e tyre, brenda rrethit të tyre, por disa, më të nderçmit ndihën për të zgjedhur ç’vlente më shumë për të këmbyer me një lëkurë të tharrë gjedhi, e cila tashmë nuk përdorej më si kartë.
Tregu, së bashku me lindjen e shtypshkronjës ‘Gutenberg’, ndryshuan përfundimisht ç’mendohej, si e dhënë nga Hyjt në qiell. Siç tregon Eco, në një bisedë libër, dikur një lexues i dëshëruar Persian, i cili duke kuptuar pafundësinë e librave dhe aq më tepër të faqeve të tyre, vendosi të përmblidhte çdo libër që lexonte, i shtrydhëte, t’u linte vend të tjerëve, deri sa u zgjodh të vdiste. Pa asnjë dyshim, që nuk do të komentoj aspak kundër përzgjedhjes, për të cilën dhe unë si të tjerë, sipas zakonit luftoj, por bibliotekat bënë dhe bëjnë çuditërisht, të kundërtën. Marrin në gji të tyre çdo libër të botuar, tre kopje, aq sa dhe vlera u matet me numrin e librave, që si vera, më mirë e kuptuar nga murgjit, q’i prodhonin, se sa më shumë vjetëroheshin aq më të vyer. Si Aleksandria deri sa u dogj dhe nxiti me zjarrin e saj simotra kudo në botë. Aq më tepër, në ditët e sotme, kjo është e mundur duke zënë fare pak vend, në një “hard drive”, një bibliotekë, në mos më shumë se një kombëtare, librash elektronikë. E megjithatë, grykësia e të lexuarit vazhdon me gjithë këto mundësi dhe pamundësi përzgjedhjeje. Jeta dite është e shkurtër, s’mjafton. Duke marë parasysh shijen e veçantë për çdo njeri, përzgjedhja bëhet e pamundur dhe n’është nuk dihet më si. Kritika, e cila dikur vlerësonte në bazë të parimeve të Faraonit, partisë dhe etikës marksiste, përjashtoi Dostojevskin, Pikason, Matisë, sigurisht dhe Sartrin dhe Camus, që ne të gjorët popull pa zë, nuk arritëm t’i lexojmë si Besartin, Blloshmin dhe të tjerë. Pas vdekjes u lexuan më shumë edhe pse për ta, atje ku janë, s’ka piramidë as kokëposhtë. Në shoqërinë e konsumit, klienti-lexues, është zot, se monedhën e tij prej bakri a letre, e jep për një kafè, lule, akullore apo libër. Individi është më në fund plotësisht i lirë, sa nuk pyet për këshillë a drejtim. Sa refuzon të qeverisë shoqërinë e vet! Dhe pse duhet? Kritika bashkëkohore nuk është më në dorë të piramidave dhe roli i tyre në thelb ka ndryshuar, jo aq në drejtimin q’e lindi, por duke vënë në dukje të veçantat dhe arritjet me anë të krahasimeve të paanëshme me ç’më parë, të shpjegojë lidhjen që kanë me teoritë e shkrimit në shekullin kur u shkruan edhe pse nën shëmbullin e relativitetit të gjitha kanë ndryshuar aq shumë sa e Bukura e vërtetë dhe e vetme e Sokratit, ka frikë të shfaqet në bedena. Kush mund të mendonte, që vetë Eco, zgjodhi Narval-in e pa dëgjuar jashtë të tive, kur kish, dreqi ta hajë, mundësi të zgjidhte plotë Nobelistë të tjerë. Dihet si zgjedh Nobeli, shpesh siç do e jo tonin, atë që presim ne. E megjithatë, shumë nga këta të panjohur janë në themel të kulturës së një kombi. Shumë rapsodë, si dhe Homeri m’i madh nga të gjithë, sa Zeusi, kur është në qejf, e lë të ulet pranë tij, përdorte vargje të gatshme me rima si parafabrikate, siç bënin rapsodë të tjerë për legjenda të tjera dhe ata që kishin lidhje gjaku me Akejtë e përdorin edhe sot, dhe jo vetëm ata. Gjuha, ish parësisht e kënduar nga më të thjeshtët, që vargun e mbajtën në buzë mbi një magje buke. Sa nga ju mbani mend këngen që nëna juaj këndonte nën zë? Ç’do njëra, qe ajo që gjuhën mëkoi, në breza, para dhe pas Buzukut.

Blerja e një libri, s’mund të jetë ky m’i mirë se tjetri, se shumë prej tyre përsërisin nga njeri-tjetri, siç janë të ndërthurur mes tyre, me shumë fije të padukëshme, se është pikërisht në këtë përsëritje valësh që lind dhe ndërtohet e veçanta jote. Dhe mbahet gjallë jo vetëm gjuha, por shpirti i një kombi, që të jetë.

Nastradini, në të fundit, zgjodhi sa mundi edhe pse në duar e ndjente q’ishin të lagura, kush me shumë kush më pak, të gjitha!

Fotografia e Emil Asdurian

Fotografia e Emil Asdurian

Fotografia e Emil Asdurian

Please follow and like us: