Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Çani: Ndodhi të panjohura nga Mashkullora e Gjirokastrës

SI U SHMANG NJË GJAKDERDHJE?

Fshati Mashkullorë ka kaluar mirë me të gjitha fshatrat e tjerë të Zonës. Por edhe me kurveleshasit që kalonin me shumicë për në Gjirokastër, ku ishte Prefektura dhe organet e tjera të administratës dhe ku bëhej pazari. Njerëzit kalimtarë kalonin me kafshët e veta mes për mes fushës së fshatit që ishte e mbjellë me kultura bujqësore. Zakonisht në mbrëmje ata edhe pushonin në fushën e Mashkullorës, duke lëshuar kafshët hergjele e duke marrë ndonjë sy gjumë. Zakonisht nuk bënin dëme, por kishte raste që merrnin e vidhnin perime, se bostanet nuk i njihnin, aq më shumë natën. Dëme bënin dhe në jonxhishte. Për ruajtjen e fushës dhe të prodhimeve fshati vinte disa roje, që në raste të veçanta edhe i dublonin. Më shumë këta roje i largonin nga dëmet. Një natë, saktësisht më 19 korrik 1928, erdhën nga Picari rreth 8 vetë. Ata lëshuan kafshët dhe filluan të vidhnin perime. Dëme bënë sidomos në bostane, se nuk i njihnin nga errësira e natës. Një pjesë të bostaneve filluan t’i çanin me thika. Rojet i panë dhe u folën të largoheshin, por urdhri i tyre nuk u prit mirë nga picariotët dhe filluan të rriheshin me njëri-tjetrin. Kjo ngjarje bëri përshtypje të madhe në banorët e zonës. Picariotët e gjykuan të vinin në Mashkullorë e të merrnin hak. Dhe ashtu bënë. U organizuar rreth 250 burra e të rinj nga Picari me armë dhe zbritën e rrethuan Mashkullorën. Sulmin do ta bënin herët, kur të fillonin lëvizjet e njerëzve për në punët e ditës.

Paria e picariotëve i bëri edhe njëherë apel situatës…”Mirë do të sulmojmë, por edhe këta janë fshat i madh me trima e në pozita mbrojtëse…Pastaj këtu kemi shumë vajza picariote të martuara me mashkulloritë… dhe ato kanë bërë shumë djem. Atëhere mbi ta do qëllonin?!…” Pastaj, me sa duket i dhanë karar të mos bënin zullum, por të niseshin për në Picar. E sërish u lindi pyetja: “Mirë kur jemi të organizuar, por kur të kalojmë një e dy veta, si do mbrohemi?” Kështu konflikti, mendonin ata do vazhdonte me kohë. Prandaj vendosën njëzëri dhe u tërhoqën drejt Picarit.( V.M) Një rol të madh në anulimin e asaj orvatjeje luajtën: Hadër Seferi, Dalip Sejko, Nuredin Thana, Nuredin Muro, etj. Në atë kohë Shefqet Peçi ishte i ri. Me mashkulloritët kishte miqësi që nga luftimet ne Cepo e në Vlorë kundër andartëve grekë dhe pushtuesve italianë. Veçanërisht miqësi ai kishte me Vehip Myrten.

U takuan së bashku me Vehipin një ditë në fushën e Mashkullorës, kur po kalonte për në qytet. Ishte me babanë e tij, Shefqeti. U kujtua, zuri Vehipin, e uli për sheshi dhe bënte sikur e qëllonte. Në moment i thotë babait të tij, Shaqirit: “Ja, e shikon? Ta mora hakun…”. “Të pashë, more, të pashë… – i tha Shaqiri, të birit, – Ma more hakun mua, por hajde e t’i rroni sho-shoqit!”. Dhe kështu miqësia midis tyre u rrit si edhe miqësia midis picariotëve e mashkulloritëve.

 

NJË VRASJE QË MUND TË ISHTE PARANDALUAR

Tërë kohën fusha e Mashkullorës vaditej dhe për këtë viheshin njerëz me akord që ta pastronin e të nxirrnin ujë në 1 Maj të çdo viti. Bënë kanalin ujitës të fushës, duke marrë ujin e bollshëm të lumit të Kardhiqit deri në Virua. Kështu ujiteshin kulturat bujqësore. Në atë ujë pinte edhe blegtoria. Me ujitjen e kulturave u shtua dhe prodhimi bujqësor, po ashtu dhe prodhimi blegtoral u vu në baza më të shëndosha. Mashkulloritët me prodhimet e veta zgjidhnin nevojat familjare, dërgonin në shtet detyrimet, si dhe shisnin një pjesë të mirë në tregun e lirë në Gjirokastër, e sidomos në Këlcyrë. Çdo vit për pastrimin e kanalit që mbushej nga shirat e dimrit, bëhej goxha punë voluminoze. Për këtë vinin katër veta nga Mashkullora dhe po aq edhe nga Gjirokastra, se edhe ata kishin shumë sipërfaqe të tyren në fushën e Mashkullorës. Për disa vjet e morën përsipër punën e pastrimit me akord Avni e Bedri Ahmeti, si dhe Rasho Myrtaj me Brahim Beqirin. Ndërsa nga Gjirokastra e merrnin me akord këtë detyrë: Qerim Toska dhe Hadër Toska zakonisht, por herë pas here edhe dy vetë të tjerë. Bedri e Avni Ahmeti kanë qenë të dalluar si burra shumë nevrikë, ndërsa Qerim e Hadër Toska si shumë qesëndisës.

Një ditë pasi punonin së bashku në vijë, ngatërruan llafet me njëri-tjetrin më 12 prill 1930. Në grindje e sipër Bedriu ngriti lopatën dhe i ra në kokë Hadër Toskës duke e vrarë atë. Me lopatë i ra dhe Avni Ahmeti. Ndërsa kundërpërgjigja nuk qe sepse Bedri e Avniu qenë shumë të fortë, por afër qenë dhe mashkulloritë të tjerë. Konflikti vazhdoi disa ditë dhe gjirokastritët u munduan të merrnin hakën. Kështu një ditë në hanin e kafshëve në qendër i bënë atentat Vangjel Pucit, por ai shpëtoi me këmbë dhe nuk e vranë dot. Erdhën disa herë në fshat xhandarmëria, për t’i kapur e burgosur ata. Rrethuan shtëpinë e Avniut, por ai u tha xhandarëve: “Unë dorëzohem vetëm tek Xhevdet Gjoleka, të cilin e kishte mik e që ishte Komandant i xhandarëve.” Por njëri prej xhandarëve ia ktheu: “Po u dorëzove tek Ai, ta dish që ai të merr jetën”. Bënë ca muaj burg dhe u liruan, sepse paria e qytetit dhe e fshatit hynë në bisedime dhe thanë: “Ne fushën e kemi bashkë. Njerëzit venë atje në punë në grupe, por dhe vetëm. Tokat i kanë pranë njëri-tjetrit dhe nuk ruhen dot nga njëri-tjetri”.

Në periudhën e punës intensive që bënte Qarkori i Gjirokastrës për të hedhur Mashkullorën në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, merrte pjesë dhe nipi i Qerim Toskës, Haki Toska. Mbledhja e dytë për krijimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit u bë në shtëpinë e Selim Bistrit, por inaugurimin dhe formimin e këtij këshilli e bënë në shtëpinë e Bedri Ahmetit. Aty u bë dhe pajtimi i tyre, duke i sheshuar plotësisht dhe hasmëritë e shkuara. Është e habitshme se në takimet që unë kam pasur më 6 mars 1973 në aktivin e Erindit, në takimin e dytë më 23.10. 1979 në Tiranë dhe më 21.8.1985 në turizmin e Gjirokastrës me Haki Toskën, më është shprehur në prezencë të gruas së tij, apo dhe të shokëve: “Me ju mashkulloritët jemi në hasmëri…”. Ndërsa unë vazhdimisht si me shaka ia ktheja përgjigjen, duke u shprehur se: “Hasmëritë Partia i ka sheshuar që në Luftën Nacionalçlirimtare, pastaj nuk mendoj që një anëtar i Byrosë Politike të jetë akoma me këto iluzione”. Ai pas këtyre përgjigjeve nuk e vazhdonte më tej, por mendohej e herë-herë psherëtinte.

Këto mendime nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë në lidhje me vlerësimet e tij në adresën time. Shumë herë në këto biseda ndodhej edhe Jaup Dabulla, partizan i Brigadës VI shok me xhaxhallarët e mi dhe me mashkulloritë të tjerë të kësaj brigade partizane e më vonë kuadër në Ministrinë e Brendshme. Ai kurdoherë dilte në përkrahje të përgjigjeve të mia dhe vlerësonte kontributin e mashkulloritëve në luftë e në punë. Atij nuk i vinte mirë që kjo ngjarje përsëritej në kujtesën e njerëzve herë pas herë kur takoheshim. Nga rrëfimet e bashkëfshatarëve të mi, sidomos veteranët, për këtë ngjarje tregonin se mashkulloritëve, ata, u kanë rënë në qafë disa herë; Disa herë merrja guximin dhe i ktheja përgjigjen që i takonte, pavarësisht kush ishte ai. Unë krenohesha me bëmat e mashkulloritëve për identitetin tim.(V.M,B.B)

NJË INCIDENT QË U MBYLL PA PASOJA

Më 9 korrik të vitit 1932 ndodhi një ngjarje e pazakontë. Mashkullora ka qenë dhe mbetet një fshat bujqësor. Për këtë arsye fshati, për të punuar fushën, mbante shumë qe’ pune. Atëherë nuk ka pasur familje në Mashkullorë pa dy a tre qe’ pune. Kur nuk ishte kohë pune, i organizonin nëpër tufa si fshat dhe vinin dy-tre roje që i kullosnin natën e në mëngjes herët i binin në bishtin e Kares për vapë e të pinin ujë.

Zakonisht për mbajtjen e tyre vendosej Bajo Ahmeti e tjerë. Duke i zbritur qetë tek bishti i Kares, barinjtë i zuri gjumi, pasi ishin të lodhur. Siç thoshte Bajua: “Na zuri gjumi i vdekjes.” Vanë hajdutët dhe i morën të 310 qetë e fshatit, i vunë përpara rrugës e kaluan në Humelicë, Picar, Medar, në mal Progonat, Progonat, Gusmar e i shpunë në mol të detit pranë anijes, për t’i shpurë në Korfuz. Andej komandonte Novruz Bellua, që ishte një hajdut e kriminel i njohur, por nuk dilte dot në Shqipëri, se ndiqej nga shteti. Ai bashkëpunonte me miqtë e tij, me Dukajt e Nivicës, por lidhje kishte edhe me të tjerë.

Atëherë fshati u vu në lëvizje, për t’i gjetur qetë e zhdukur si me magji, dhe për t’i kthyer prapë në fshat. Atëherë Abazi, si më i shkathët e me miq në Kurvelesh, mori armën dhe u nis me Myrto Bistrin e Vangjel Pucin. Pas tyre shkoi dhe Bajo Ahmeti, megjithëse ishte sakat. Ata trokisnin tek miqtë e tyre dhe pyesnin për kalimin e qeve apo vendin e ndodhjes së tyre. Në Humelicë e në Picar morën informatat e duhura… Në Medar jo vetëm që u dhanë informata, por i shoqëroi dhe miku i tyre, Islam Koshi, një burrë i mirë, që ishte trim e me miq në Kurvelesh. Kaluan malin e Medarit dhe zbritën në Progonat, ku u mbështetën te Çelo Milori, një burrë me shumë influencë edhe tek hajdutët. Edhe Rexhep Guga që qe bashkë më hajdutët, qe dhe më shumë mik me mashkulloritët me Maksut Myrten.

Ai u dha adresën që qetë ndodheshin në Himarë dhe u tha: “Ju kthehuni në Mashkullorë, po të doni, rrini, se të gjithë qetë për tre ditë do t’u vinë”. Si tha këto fjalë, nxori brezin e tij dhe ua dha dy djemve të shkathët dhe si i porositi, i nisi tek autorët e ngjarjes në Dukajt e Nivicës duke i shoqëruar deri në mol. Ata i gjetën qetë duke u ngarkuar në anije. Siç duket, Çelo Milori ishte me influencë të madhe në zonë, ose ishte ortak me ta. Hajdutët u menduan dhe i kthyen prapa qetë, të shoqëruara nga tre djem të fshatit dhe i zbritën në Mashkullorë brenda afatit. Atyre u ngeli sharra në gozhdë me këtë veprim që kishin bërë. Kjo edhe për faktin e miqësisë që mashkulloritët kishin me Çelo Milorin, por edhe për faktin që kurveleshasit kalonin nëpërmjet fushës së Mashkullorës për në qytet vazhdimisht, vetëm apo edhe me grupe. Disa familje kishin edhe lidhje fisnore e martesore me njëri-tjetrin si dhe shpinin e binin bagëtitë te njeri-tjetri. Mashkullora qe fshati më i madh me burra e të rinj shumë trima e kompaktë me njëri-tjetrin; prandaj u konkludua me miqtë e Progonatit, Gusmarit, Nivicës, Rexhinit e Lekdushit që të ktheheshin qetë. Të 310 qetë u kthyen atje ku i kishin marrë, siç e thamë me tre të rinj të shkathët e të fortë. Me ta qe edhe një nga ata që i kishin marrë, pra një nga hajdutët. Kur e pyetën: “Po ti kush je?”; Ai u përgjigj: “Jam pjesëmarrës i grupit dhe miku i Novruz Bellos dhe vij direkt me porosinë e tij, që t’ju kërkoj falje juve për shqetësimin që iu krijuam. E t’ju garantoj në emër të tij, se nuk do të ndodhin më ngjarje të tilla.”

Kështu kanë qenë mashkulloritët në marrëdhëniet me fqinjët në të gjitha kohët. Miqësia me Çanajt dhe Milorajt ka vazhduar edhe më vonë e gjer në ditët e sotme që kjo miqësi është rritur edhe më shumë e mbeten miqësi për jetë edhe me fiset e fshatrave të tjera, si me Gusmarin, Nivicën, Rexhinën, Progonatin, Lekdushin, Medarin e Picarin, pra me të gjithë miqësi e fortë. Kështu u zgjidh me sukses edhe kjo ngjarje e pazakontë.

NJË PLAGOSJE E PADËSHIRUAR

Familja e Demir dhe Qemal Zenelit erdhën në Mashkullorë aty nga viti 1920. Ata u vendosën me shtëpi e plaçkë në krye të fshatit si për mënjanë e për manovrimin e bagëtive, lëvizjen e kullotjen e tyre. Në përgjithësi ata kanë parë punët e tyre, se sa ato me fshatin. Ata kishin prurë nga Golëmi dhen e dhi jo të pakta. Më vonë Qemali lindi plot djem e vajza, të cilët silleshin mirë me gjitonët e me fshatin. Në vjeshtë e vitit 1933 më 17 shtator qenë në fushë shumë burra të fshatit me dhen e dhi, se vileshin prodhimet rreth togjeve të misrit. Burrat e të rinjtë mblidheshin edhe për të vjelat edhe për muhabete e shakara. Për këto fshati ka pasur në çdo kohë shumë lloje tipash. Ndodheshin në parcelën e misrit. Atje misrin e vjelë e ngrinin me thasë në krahë dhe e bënin tog në një vend. Atje shakatë e muhabeti vazhdonin. Në afërsi të një togu të madh me misër ishte dhe Demir Zeneli, Shyqyriu, Abazi, Abduli, Halil Haska etj. Halili bënte shaka të tepëruara me këdo, por atë ditë edhe me Demirin e Qemal Zenelin. Atëherë Demiri u keqkuptua, u mërzit dhe u revoltua, ndaj nxori revolen dhe qëlloi në drejtim të Halil Haskës, por në vend që të plagoste atë, plagosi Shyqyriun në dorën e djathtë. Për pak plumbi e mori në gjoks dhe pasojat do kishin qenë shumë më të mëdha…

Kur e pa seç ndodhi, mblodhi veten dhe u hodh me gjithë rroba në lumë e përtej. Lumi ishte plot me ujë nga prurjet e shumta si rezultat i shirave të shumta. Ai u fsheh në zonën e Lunxhërisë. Abazi shkoi në Shehajt e Çepunës, mori dyfekun e Saliut dhe tentoi të merrte hakën e vëllait. Në fshat lindi një konflikt jo i vogël me një fis të madh e me miq të shumtë, kurse ata, Alikajt, ishin thjeshtë jabanxhinj e me mbështetje më të paktë. Shyqyrinë e morën shokët dhe ia lidhën plagën fort, pasi i ndaluan gjakderdhjen. Pastaj e shpunë në spital, për t’u mjekuar. Abazi iu vu pas Demirit dhe kërkonte ku ishte strehuar ai në Lunxhëri. Më pas ai me Qemalin vunë miq nga fshati e nga fshatrat përreth si dhe nga paria e qytetit për pajtim Pas shumë tentativave u arrit edhe pajtimi. Që atëherë e sidomos më vonë pas pajtimit midis këtyre dy familjeve e fiseve kanë ekzistuar marrëdhënie të mira. Burrat e njëhershëm të Mashkullorës kanë qenë njerëz që e mbanin fjalën. Kështu ka ndodhur edhe midis nesh që jemi fëmijët e tyre. (A.C, V.M)

KUJDESI DHE PREOKUPIMI PËR VAKITË DHE FESTIMET

Mashkulloritët në tërë kohërat janë preokupuar shumë për gjithë ceremonialet e jetës njerëzore, si për mirë edhe për keq, duke i kapërcyer ato me njerëzit e afërt, miqtë e shokët. Kështu është vepruar për njerëzit e sëmurë të fshatit, qoftë në shtëpi apo edhe në spital, kudo që ndodheshin. Njerëzit shkojnë për t’i parë të sëmurët, e për t’u uruar shëndet e shërim të shpejtë, kushdo qofshin ata. Dhe nuk shkohet me duar bosh, por me gjëra simbolike ose me lekë. Për raste vdekjesh shkohet, për të ngushëlluar nga i gjithë fshati, jo vetëm në shtëpi, por edhe në varreza, dhe nderimet vazhdojnë edhe në ditë të tjera, në të tretat, në të shtatat, të dyzetat, në të vitit të parë e me radhë në përvjetorë. Edhe në këto ditë nga të afërmit e sipas gjendjes, jepen sasi të ndryshme lekësh, për të ndihmuar familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Pas varrimit bëhet një drekë sipas mundësive ekonomike të familjes. Zakonisht mbahen të afërmit e sidomos nderohen të huajt.

Në Mashkullorë qahet në ksodhe, jo me zhurmë, por disi qetë në të gjitha ngjarjet edhe kur janë në moshë të re këto humbje. Në momente të caktuara është futur fenomeni i motërmave ose i djemve vëllezër, sidomos me besim të ndryshëm fetar. Kështu Andon Puci shpoi gishtin, kështu dhe Abaz Çani, dhe pinë gjakun e njëri-tjetrit; Vehip Myrtaj me Stavro Pucin; Këno Puci me Selim Bistrin dhe Vasil Puci me Myrto Bistrin apo Idriz Bistri me Niko Pucin. Aty Safo Tarifa me Fete Çanin; Leonora Mati, me Sanije Çanin apo Efo Ndreu me Vito Bistrin dhe Vito Llogos me Ajshe Haskën, etj. Sipas kohëve miqësia midis këtyre familjeve është shtuar. Në këtë kohë është zhvilluar shumë dhe ruajtja e përbashkët e bagëtive. Kjo është aplikuar rëndomë në kohën kur andartët grekë kanë influencuar më shumë. Por kjo mënyrë ka gjetur përdorim edhe për të mbrojtur njëri-tjetrin sipas ndikimeve në periudha të ndryshme.

Festat fetare janë ndjekur në të dy llojet e institucioneve, në kishë e në xhami. Por është fakt që mashkulloritët nuk janë shumë fanatikë. Prifti vente dhe vazhdon të vejë dhe sot e kësaj dite një herë në javë. Me kthimin e katolikëve në myslimanë, autoritetet në Gjirokastër insistonin të krijoheshin institucione fetare, xhamit. Kemi dokumente që në 1700 erdhi Mulla Muhamet Kuka nga Gjirokastra. Ai jetoi disa vjet në Mashkullorë. Ishte i aftë e me grada në fe. Por shpesh disa djem të fshatit talleshin me të. Në prill të 1721 tek hajati i xhamisë disa djem po talleshin me të duke i thënë se: “Ju, hoxhët, jeni kot”. Ai kishte në dorë një shkop rrapi me dy zgjatime. Për të vërtetuar aftësinë e tij e nguli degën e rrapit në tokë. Ajo u zu dhe u rrit ndër vite. Sot trungun e ka mbi 1 metër e gjysmë, i gjatë dhe me degë është mbi 70 metra i lartë dhe me hije të freskët. Te ky rrap janë bënë disa mbledhje ku kanë folur: Jani Minga, Reiz Çani, Berdi Spahiu, Memo Metua, Mustafa Matohiti dhe më 20 mars 1978 ka folë Enver Hoxha, ku kanë vlerësuar mashkulloritët për kontributin e tyre. Tek ky rrap i shenjtë dhe sot bëhet takime të rëndësishme të fshatit. Aty janë dhe disa objekte socialo-kulturore të fshatit. Pas Mulla Muhametit në Mashkullorë erdhi Mulla Azisi nga lagjia “11 Janari” e Gjirokastrës. Pas vdekjes së Mulla Azisit erdhi Muslim Ballashi. Ai erdhi më 1921-1938. Bëri dy vajza Bebinë që u martua me Zano Ahmetin dhe Neslin që u martua me Nure Daden. Lindi dhe Muin Balashin që doli partizan dhe ra dëshmorë. Pas tij u vendos Ali Xhekua, i cili pasi mbaroi shkollën, filloi si hoxhë në Mashkullorë më 1936 deri në vitin 1966. Ndërsa hoxhët e ardhur nga qyteti si Muslim Balashi, e më vonë Ali Xhekua qëndronin në fshat dhe u bënë mashkulloritë. Mulla Azis Xhekua ka qenë i ditur, i nderuar dhe i respektuar nga Gjirokastra dhe nga fshatarët tonë. Ai në 1912 ishte përfaqësuesi i Gjirokastrës në kuvendin e Vlorës. Mulla Azisi kur vdiq është varrosur me nderime në bahçen e Izmet Xhekos në 1918, atëhere iu këndua kënga nga gjyshja e Stefan Ndreut (Haxhua):

”O bilbili përmbi gurë

miq me turq, miq me kaurë,

Në Kosovë e tatëpjetë

gjykoje si doje vetë.”

Kur vdisnin mashkulloritët, varroseshin në një arkivol që rrinte bosh në xhami. Dhe pasi futeshin në varr arkivoli kthehej përsëri në xhami. Tani të vdekurit varrosen me arkivol të veçantë, por ka tendenca të varrosen dhe si më parë.

Hoxhët janë sjellë mirë pa teprime, prandaj janë respektuar shumë nga populli. Më shumë në Mashkullorë është aplikuar vajtja në familje apo fise, madje dhe fshatçe për festat fetare si Pashkët, Vangjelizmoi apo Novruzi, Bajramet, etj. Më vonë u kalua tek festat fshatçe të organizuara me komisione dhe me investimet e vetë fshatit, si Festa e 1 Majit, 28 Nëntorit e 29 Nëntorit, festa këto që bëheshin me rregull e të gëzueshme. Kjo mënyrë u fillua dhe më 18 mars 2008 në kujtim të 100-vjetorit të luftës së çetës së Çerçiz Topullit. Shumë mirë janë zhvilluar dhe po zhvillohen edhe sot kremtimet e përbashkëta me rastin e fejesave e sidomos dasmave, sipas nivelit ekonomik të familjeve përkatëse nga varet dhe masiviteti i tyre. Që nga 30-40 veta e deri te 150-200 dasmorë. Në të gjitha dasmat këndohet me gojë si nga gratë dhe nga burrat.

Nga vitet 1960 e në vazhdim është futur dhe orkestra popullore që ka ndikuar në zgjatjen e ceremonialit edhe 5-8 orë më shumë nga tradita e mëparshme. Dasmat dhe fejesat bëhen të pasura shumë, sidomos mishi i pjekur e rakia zënë vendin kryesor. Dhe kështu vijon edhe sot ky ceremonial i gëzueshëm i jetës së njeriut. Është vënë re se në Mashkullorë nuk është lejuar të dehen jashtë mase dasmorët, sa të prishin dasmën e qetësinë e fshatit. Në zonë ishte zakon që një ditë para se të martohej djali, vinte ai të vidhte. Në Mashkullorë nuk ishte ky zakon. Por një herë e provoi Jace Kuca. Ai vajti të villte në një kope me dhi dhe çobanët e dëgjuan dhe e vranë djalin. Kështu mbeti nusja pa marrë dhe dasma pa bërë. Nusja ishte nga Kardhiqi, nëna e Jaços e qau me ligje:

“Tek Kumanati në rrepe

Sec na ranë ca dyfeqe

Vajti haberi tek nëna

Sec u vra Jaco Kuca, Tënda

Për një dhi dhe për një dele

Na mbeti nusja me tele.” (S.H)

Dy kanë qenë figurat që mbanin rregullin nëpër dasmat e fshatit e të zonës: Vangjel Puci e Vehip Myrtaj, të cilët pavarësisht se nuk kishin lidhje fisnore, ata thirreshin në të gjithë fshatin. Të gjëra e të pasura janë bërë edhe festimet për përcjelljen e djemve në kryerjen e shërbimit ushtarak, etj. Del detyrë të ruhen e të kultivohen më tej këto tradita të mrekullueshme të mashkulloritëve.

VESHJA E MASHKULLORITEVE

Si kudo në zonën e Kardhiqit, edhe në Mashkullorë, zakonisht, por në ditë kur kanë sebepe, gëzime e festa, në dasma e në ditë fitoresh mbi armiqtë, burrat e gjatë visheshin me rroba të mira dhe karakteristike. Veshja e burrave mashkulloritë, ka qenë: qylafi i bardhë në kokë; këmisha e bardhë me mëngë të gjëra, me palë në supe të qëndisura nga duart e grave; mbi to ishte xhamadani i cohtë; burrat e shtrëngoni mesin me brezin e bardhë prej leshi; pastaj veshin qillotat me këmbë deri nën gjunjë me ngjyrë të zezë; vazhdon pastaj me kalca leshi të bardha të shtrënguara me lidhëse të bardha po prej leshi; veshin këpucë meshini ngjyrë të verdhë dhe me hundë të ngritur përpjetë me një xhufkë të zezë në majë të tyre. Kjo veshje i bën ata të duken më burrërorë.

Disa burra që ishin më të pasur dhe më serioz, mbanin pantallona të leshta dhe mbi to fustanedhën, por këta kanë qenë të paktë në numër. Kjo veshje e mashkulloritëve ngjan me ato të burrave të Golëmi, Zhulatit e Kardhiqit.

Por edhe veshja e grave të Mashkullorës ka qenë karakteristike. Dallonte ajo e nuseve të reja me të grave të moshuara. Në kokë nuset dhe gratë e reja, mbanin shami të kuqe të qëndisura me rruaza me ngjyra të ndryshme, ndërsa më të moshuarat mbanin shami të zezë e mbi të shifon të zi e të hollë. Këmishët e grave ishin të bardha, mbi to vishnin peshli, ndërsa mbi të vishnin jelek të kuq të qëndisur me rruaza. Në mes e poshtë ato vishnin çitjane prej mëndafshi të kuq apo kafe. Ndërsa në fund të këmbëve çitjanet i kishin të qëndisura. Ato vishnin këpucë meshini të zeza apo kafe. Të gjitha pjesët e veshjes së grave të moshuara ishin të zeza dhe pa qëndisma. Veshja e grave të reja e të vjetra mashkullorite ngjan si ajo e kardhiqoteve, pasi shumica e tyre ishin prej andej dhe afërsisht ajo ishte njësoj si: kolonjaret, zhulaqotet dhe golëmaset.

KËNGA DHE MASHKULORITËT

Pothuaj të gjithë mashkulloritët kanë kënduar mirë dhe bukur këngën polifonike labe të të gjitha gjinive. Këngë satirike, të dasmës, të vajit, të kurbetit, etj. Krahas parmendës dhe pushkës mashkulloritët kanë mbajtur gjallë edhe këngën. Nëpërmjet këngës labe janë shprehur trimëritë, heroizmi, luftërat për liri, gëzimet, derte dhe humori të derdhura në vargje popullore, plot figura e pasion të cilat janë kënduar kurdoherë. Këngët janë karakteristike sidomos të burrave, këngë të forta, të gjata e me refren, por edhe si të zonës apo të qytetit, e disa herë të përsëritura dy herë vargu, siç janë lidhjet që kanë. Personazhet e këngës janë: marrësi, kthyesi, hedhësi, që dallojnë nga të tjerët. Më shumë burrat kanë kënduar e këndojnë në shesh e në këmbë, por më parë edhe në valle të përbërë nga dy grupe. Në këmbë apo në shesh kanë kënduar 7-9 veta e në disa raste më shumë. Më vonë grupi i burrave për këngë kanë marrë dhe një vajzë hedhëse, që dallonte nga grupi.

Bukur kanë kënduar: Kalo Haska, Muharrem Mamaj, Jaço Beqiri, Brahim Beqiri, Abaz Çani, Njazi Çani, Ylli Mati, Nik Puci, Metkë Mamaj, Maria Puci, etj. Kënga më e lashtë historike këndohej nga Maria Puci:

“Ç’ ai zjarr që del në mal i flonjor, o i flonjor,

S’është zjarr po është djalë i flonjor o i flonjor

Ai është djalë beqar i flonjor o i flonjor

I kullon festia ar i flonjor o i flonjor*” (*I florinjtë)

Mashkullora e këndon mirë këngën labe, si në vend dhe në valle. Këndojnë mirë si burrat dhe gratë, si të rinjtë ashtu dhe të vjetërit. Këndon shumë mirë dialektin e Gjirokastrës dhe atë të fshatrave përreth. Janë kënduar këngët krejtësisht të qeta, por dhe të zgjatura e me refren. Fillimisht Feko e Teme Haska ishin marrëse dhe kthyese shumë të mira. Ato këndonin në ngjarjet që kishte fisi dhe fshati, ndërsa të tjerat mbanin iso. Ato më shumë ia merrnin këngës:

“Mike me shami mënjanë

Ç’ke mike që dogje fshanë

Ç’i bëra fshatit të shkretë

Ra zjarri dhe u dogj vetë.” Etj

Kënga shoqërohej në shumë shaka. Në periudhën e më vonshme këndonin shumë mirë Kano Ahmeti e Bukurie Çani. Ndonjëherë futej e këndonte me to edhe Nefo Ahmeti. Ato ia mernin:

“O Çajup o mali i bukur

O baçe e luleve

Atje më parë ka qenë

Pusia e hajdutëve

Kurse tani je bërë

Fusha e produkteve.” etj

Më vonë këndonin shumë mirë Patër e Rina Puci, në aktivitete të ndryshme. Ato ia merrnin shumë lartë e bukur. Ato këndonin zakonisht:

“Do vete të ri në krua

Të më vijë ajo që dua

Leshëverdha përmbi thua.” Etj

Ndërsa më vonë grupi i burrave të Mashkullorës me marrës Nikë Pucin e kthyes Mufit Matushin dhe hedhës Fero Hametin. Që të tre këndonin shumë bukur. Ata kënduan në 29.11.1949 dhe kënduan shumë bukur. Ndërsa më vonë grupi i të rinjve më një marrës dhe një kthyes dhe me një vajzë hedhëse. Ata qenë Kico Puci, Trëndelina Haskaj dhe Bushi Hysometaj. Më shumë është përmendur grupi i burrave. Ai përmendej si në fshat ashtu dhe në shkallë vendi, si në Gjirokastër, Vlorë dhe sidomos në Tiranë, por në Shtator të 1989 këndoi edhe në Francë. Kënga në valle ka qënë e vazhduar pak. Jaçe e Fike Beqiri këndonin këngë të zgjatura, si dialekti i Gjirokastrës në sebepe që kishte fshati:

“Shkurt a Marsi s’mbaj mënd mirë

Asqerë nga Janina vijnë

Rrethojnë fshat e xhaminë

Se komitat këtu rrinë

Ku ka zemani shtëpinë

Kollat e bardha në brinjë

Që kanë karshi Lunxhërinë.” Etj

Kamberi e Halil Çani këndonin shtruar:

“O moj lulja vergje vergje

Unë të flas e ti s’përgjegje

Apo je sëmur e dergje

As sëmurë as dergjem kurrë

Por kam ca fëmijë të sëmurë

Jap e jap ti vë në gjumë”.

Në vitet e para pas çlirimit Nika si marrës, Mufiti si kthyes dhe Ferua si hedhëse ia morën:

“Kur fole gjuhën frëngjishte

Gjithë njerëzit i çudite”. Etj

Apo:

“Lajmi nga Athina doli

U përhap në Shqipëri

Zerva përgatit ushtrinë

Të sulmoj në Shqipëri

Zerva në ta mban ti eja

Se ne jemi gati.” etj

Kjo këngë bëri shumë jehonë,vajti shumë mirë dhe kishte fjalë të goditura. Brahim Beqiri dhe Abaz Çani kur pinin ia merrnin:

“Vajzat e shehut, moj vajzat e shehut

Të tria

Bënë poshtë, mor bënë poshtë

Nga xhamia

Prapa u ranë, mor u ranë

Djemuria

Në shkallë, mor në shkallë

Dolli baxhia

Ç’kini me vajzat e mia

Mirë me një, por pse të tria!”

Në festivalin e 1968 në Gjirokastër grupi i Mashkullorës zuri vend kryesor. Kënga ishte një himn dhe u vajti shumë mirë:

“Moj ushtria popullore

Garancia je për ne

Enveri na mëson ne

Me kazmë e pushkë në dorë

Dil puno, Dil lufto, Në beteja.” Etj

Në mars të vitit 1972 në Mashkullorë u zhvillua festivali folklorik i fshatit ku u këndua në vatrën e kulturës pothuaj nga të gjitha fiset e fshatit. U kënduan 16 këngë të reja të ngritura nga vetë fshatarët. Në këtë festival vendin e parë e zuri grupi folklorik i familjes Qirko ku ja mori Mite Qirko dhe ia ktheu Panua, ia hidhte Petrua dhe të tjerët bënin iso. Kënga ishte ngritur nga Petrua:

“Këndon Mashkullora ime, dasëm shtëpi më shtëpi

Veprat tona s’numërohen, ato s’janë një e dy

Vepra më madhështore është njeriu ynë i ri” etj.

Vendin e dytë e zuri fisi i Haskajve dhe vendin e tretë e zuri fisi i Çanejve.

Në vitin 1968 këngës ja mori Metk Mamaj, ja ktheu Mufit Matushi dhe ia hodhi Ramo Dadja. Grupi kishte në përbërje 7 veta. Në vitin 1973 grupi i Mashkullorës këndoi këngën:

“Lulëzo moj Shqipëri

Shqipëri e bukur o

Ndërtou me forcat tona

O ylli i stolisur o

Uron popull e partia

Të na rrojë Shqipëria”

Këngës ia mori Malo Dadja, ia ktheu Mufiti dhe 7 veta bënin iso.

Një herë këndoi te Rrapi grupi i Mashkullorës, ku Isufi ia mori dhe Petrua ia ktheu me grykë:

“Bilbili me gjuhë shumë

pse s’këndon po mendohesh shumë

Për ata trima fodull

Për ata trima levendë

Të bukur trima që qenë.”

Grupi i Mashkullorës në fillim këndoi këngën “Moj ushtria popullore garancia je për ne” dhe qenë 13 vetë. Metk Mamaj(marrësi), Ramo Dadja (hedhësi), Asllan Kasi (iso), Mufit Matushi (kthyes), Isuf Alikaj, Dajlan Haska, Theodhori Puci, Petro Qirko, Pano Qirko, Njazi Çani, Mujo Kalemi, Gëzim Bistri, Ago Haska.

Në vitin 1978 grupi i Mashkullorës këndoi këngën:

“Moj e bardha Mashkullorë

Rrëzë malit me dëborë

Dhe në halle varfëri

Moj e bardha Mashkullorë

Ishe yll në histori

Shpata brez pas brezi zbardhi

Luftove me një dovlet

Çerçizi përposh te rrapi

Të dha histori për jetë.”

Kësaj kënge ia mori Malo Dadja, ia ktheu Mufit Matushi, ia hodhi Ramo Dadja.

Në 1983 Grupi i Mashkullorës këndoi këngën:

“Me kazmë e pushkë në dorë

Gjithmonë gati jemi ne

Bijtë e Shqipërisë së re

Si në kohën partizane”. Etj

Ndërsa në vitin 1988 grupi i Mashkullorës ia mori bukur dhe i vajti akoma më bukur këngës:

“O rrapi në Mashkullorë

asaj dite si ja the

Kënga por si zile ra

Për luftërat lavdi më dha

Çeçua buzagaz karshi

Krah për krah me shokët rri.”

Për këto dy këngë ia mori Kristaq Puci bukur dhe ia ktheu po bukur Bushi Hysometaj. Vazhdimisht kanë kënduar bukur grupet e Mashkullorës, rapsodi popullor Ajaz Bala, Ëngjo Fino, Njazi Çani, Gëzim Bistri e Gëzim Beqiri e kanë furnizuar grupin me këngë të bukura, që i janë përgjigjur situatës. Do kalojnë vite dhe grupi i Mashkullorës do vazhdojë traditën e tij të kënduarit bukur dhe vazhdimisht duke u përtërirë me elementë të rinj.

PLEQËSITË DHE KËSHILLAT POPULLORE NË MASHKULLORË

Fshati Mashkullorë ka qenë dhe ka mbetur një fshat i qetë punëtor, pa vese e miqësor e mikpritës. Këto virtyte të mira ruheshin me fanatizëm nga të gjithë njerëzit. Mashkullora ka pasur dëshirë që në krye të fshatit të kishte një pleqësi të mirë, me këshilla korrekte. Këto duhej t’i kishte të zgjedhura nga vetë populli me votën e lirë. Paria e fshatit ishte e interesuar për hallet dhe problemet e njerëzve të fshatit. Paria përfaqësonte popullin e fshatit që drejtohej nga rrethi, qarku apo nga varej zona. Paria e fshatit ka shërbyer në raste të veçanta edhe për ndarjen e kullotave e sidomos mushave, deri në dhënien e tyre me qira tufave të fshatit, por edhe të tjerëve për të nxjerrë fitime për fshatin. Paritë kanë ndikuar shumë me konfliktet e lindura në fshat apo midis fshatit me fshatrat e tjerë dhe kurdoherë synonin pajtimin. Kjo ka vlerë dhe sot edhe për unitetin në fshat e të fshatit me fshatrat e tjerët.

Në vitet 1908-1912 kryeplak i fshatit ka qenë Metko Ahmeti, njeri i drejtë, korrekt e disi kokëfortë. Në vitin 1912-1916 kryeplak ishte Bektash Lamia, bile ai u shpall edhe njëherë më 1917, por vdiq dhe u zëvendësua me Ladin Ahmetin, një burrë i zgjuar e dinak, sidomos në debatet me Dino Çiçon e për pajtimin me lazaratasit për sinorët e kullotave të fshatit me gjirokastritët. Më 1920-1924 doli nga zgjedhjet kryeplak Feim Haska, një burrë i zgjuar, por i ngathët, të cilin disa herë e kanë akuzuar si jo korrekt me pasurinë e fshatit për administrimin e kullotave. Më 1924-1928 kryeplak i fshatit ka qenë Reiz Hamzai i parë, njeri i zgjuar dhe autoritar.

Më 1928-1932 ka pasur më shumë se një kryeplak, si: Musin Haska, Kaso Haska, Hamo Medini, sepse ngjarjet e kobshme kane nxitur dhe ngjarjet e pleqësive, që t’u përgjigjeshin këtyre situatave. Më 1932 gjatë zgjedhjeve u vunë 3 kandidatura: Ladini, Feimi dhe Brahim Beqiri. Brahimin e nxitën miqtë që të vinte kandidaturën që të mos fitonin prapë dy kandidaturat e para, sepse kishin fituar edhe më parë. Por Brahimi mori vetëm një votë. Atëherë shfrytëzoi miqtë. Ai kish një mik major në Delvinë. Ky major ishte mik me Prefektin Daut Çarçani, i cili kishte dhe vetë miqësi me Çanejt e Mashkullorës. Brahimi vajti te miku i tij në Delvinë, ku u takua me majorin që e kishte mik. I cili pasi e dëgjoi bisedoi me Prefektin, i cili i tha: “E mora vesh që në Mashkullorë ka fituar për kryeplak Brahimi”. Ndërsa Dauti i tha: “Dërgoje këtu të bëjmë dokumentet e t’i japim vulën”. Dhe Brahimi shkoi në Prefekturë, ku bënë dokumentet dhe mori vulën e kryepleqësisë së fshatit. Pas 5 ditësh vajti Ladini të merrte vulën në Prefekturë, por i thanë: “Me dokumente ka fituar Brahimi dhe kështu u mbyll ky problem, duke qëndruar Brahimi si Kryeplak. Më 1936-1940 në Mashkullorë si kryeplak fitoi Hamo Mamaj, burrë korrekt, por zemërngushtë.

Fillimisht në 1800 kryeplak ka qenë Çavo Çani, pastaj nga 1820-1840 ka qenë Beqo Beqiri. Më pas, nga viti 1840-1860 ka qenë Xhelil Beqiri i Parë. Në 1860 ka qenë Myrte Haska deri në 1880. pastaj ka qenë Xhelil Bistri deri në 1900, pastaj ka qenë Metko Ahmeti deri në shtator të 1908; pastaj ka qënë Feti Çani 1808-1912; pastaj Bejtash Lamaj 1912-1917; 1917-1920 ka qënë Ladin Ahmeti; 1920-1924 ka qënë Reiz Hamzai i Parë; pastaj 1924-1932 kanë qënë Musin Haska, Ladin Ahmeti; Fehim Haska e disa të tjerë. Kurse në 1932-1936 ka qenë Brahim Beqiri. Në vitet 1936-1942 ka qënë Versel Mamaj. Deri në këtë kohë lagja e krishterë ka pasur kryeplak të veçantë ata ishin: Vangjel Puci, Sotir Qirko, Dhimitër Nikolla, Vasil Puci.

Më 27-28 mars 1942 u zgjodh Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit, ku kryetar i tij u shpall Bedri Ahmeti, burrë korrekt, i aftë, trim, me eksperience e bindës në argumentet e veta. Sekretar këshilli u zgjodh Mahmut Dadaj, ndërsa anëtarë: Vehip Myrtaj, Abaz Çani, Stavro Puci, Kol Qirko, Stefan Llukani, Avdyl Haska, Brahim Beqiri. Ky këshill me këta anëtarë nën drejtimin e Bedriut i ka kryer mirë detyrat në përputhje me kërkesat e asaj kohe. Në këtë kohë Vehip Rukia dhe Stavro Puci kanë qenë të zgjedhur dhe në Këshillin krahinor të Zonës.

Pas çlirimit këshillat popullore të zgjedhura kanë qenë të organizuara më mirë dhe e kanë marrë situatën në dorë në fshat me maturi e përgjegjësi para popullit. Në fillim kryetar ka qenë Thimjo Puci, Nebi Dadaj, Brahim Beqiri, Vehip Myrtaj, deri më 1960. Në kohën kur drejtonte Thimjua ka pasur shumë probleme, sidomos ato që kishin të bënin me unitetit. Më 1960-1980 kryetar këshilli kanë qenë: Mufit Matushi, i cili përpiqej për hallet e fshatit dhe të njerëzve në përgjithësi. Ishte njeri i qetë, punëtor, korrekt dhe i ndershëm. Ai, i ndihmuar dhe nga sekretari i këshillit, Njazi Çani (që nga 1960-1985) pati arritje në drejtimin e jetës në fshat. Më 1980 në fshat kryetar i këshillit u zgjodh Sejdi Ahmeti, një djalë i ri, i zgjuar e korrekt, një person punëtor dhe i drejtë, zbatues i rregullave dhe i ligjeve, si dhe studiues i mirë. Sejdiu vazhdoi deri në vitin 1992. Në vitet e proceseve demokratike e gjatë tranzicionit kanë qenë kryepleq: Fejzo Hasko, Bilal Bistri, Skënder Bistri, Murat Resuli, Aleks Puci, Fitim Matushi.

Në përbërje të pleqësive kanë qenë njerëz të mirë e të zgjedhur dhe shumë të tjerë, që janë munduar të punojnë mirë, duke hasur dhe vështirësi të shumta. I zgjedhuri duhet të ketë dinjitetin e vet në të gjitha kohërat e në të gjitha kushtet që ekziston praktikisht sipas situatave konkrete.

Please follow and like us: