Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Koha për një ultimatum ndaj Ramës

 

Fronti i opozitës shqiptare që  kërkon veting në  politikë  dhe qartësisht i drejtuar kundër drogës dhe lidhjeve pengmarrëse mes krimit dhe qeverisë po shihet si alternativë e shëndetshme për nxjerrjen e vendit tonë  nga turpi ku e ka zhytur implikimi qeveritar i narkotrafikut dhe bandave. Ngjarjet e fundit njëra më e rëndë se tjetra ku pushteti torturon, dhunon femra të  pambrojtura e deri oficerë  policie që thjesht bëjnë  punën e tyre, kanë  kapur në  flagrancë  pengmarrjen e plotë  të shtetit prej krimit. Aq e rëndë  është situata sa pushteti ka rekrutuar fatkeqësisht edhe gazetarë  gjoja të  pavarur e investigativë  që  të  hedhin baltë  mbi një  femër të  pambrojtur dhe mbi policët e syrgjynosur prej krimit duke u dhënë qeveritarëve alibi që  të  çojnë  kolegët e këtyre të ashtuquajtur gazetarë nëpër gjyqe dhe pse jo në burg. Tashmë barrikada e krimit është ngritur dhe në të po merr pjesë media mercenare me gazetarucë që u shërbejnë interesave të pushtetit që nuk bën dot shtet dhe matet tashmë me femra të vetmuara dhe pa përkrahje. Dhe kjo e gjitha që të mbrohet qeverisja dhe njerëzit e lidhur me të dhe krimin. Kryeministri Rama gjendet nën panik dhe nën nevojën që të thërrasë nën armë gazetarët e oborrit që të krijojnë sadopak mjegull në këtë hall të madh që e ka zënë. Mirëpo ja që ka njerëz në këtë vend që kanë memorie dhe ju ftoj që të kujtojmë pak se si nga momentet e para kur ndodhi skandali i Divjakës u formëzuan dy kampe ku mazhoranca fshehu fakte dhe prova, ndërsa opozita vigjëlonte dhe nxirrte orë pas ore të dhëna të vlefshme për zbulimin e trafikut të drogës nga ajri. Qeveria dhe Kryeministri ngjanin të tronditur dhe pa fjalë nga ajo që kishte ndodhur, kurse shqiptarët të çuditur dhe me gojë hapur pranuan vërtetësinë e akuzave të guximshme të opozitës për përfshirje të qeverisë në trafikun ndërkombëtar të drogës që nuk bëhej me rrugët tradicionale por tashmë me avionë. Çdo ditë që kalojmë nga ajo ngjarje fatale për Ramën, shohim dhe dëgjojmë të dhëna shumë interesante dhe kompromentuese për strukturat e shtetit, ndërsa Rama dhe kabineti i tij qeveritar dukshëm i janë nënshtruar panikut. Strategjia e mazhorancës është sulmi dhe frikësimi i opozitës me kërcënime për burgosje dhe hapje të dosjeve të vjetra. Në kushtet kur pushteti ka humbur çdo dinjitet dhe burrëri, në kushtet kur pushteti gënjeu për Divjakën, gënjeu për Zaganin dhe provat që ai publikisht bëri të ditura mbi marrëdhënien mes krimit dhe Tahirit, gënjeu mbi vëllain e Xhafajt kur tha se nuk ishte në kërkim, po gënjen mbi provat që paraqet nënkomisar Nuhu dhe ka vënë nën shënjestër gazetarin e guximshëm Basir Çollaku për ta burgosur ose edhe më keq, largimi i Ramës duhet të ketë një datë, një kufi kohor, një vijë të kuqe përtej së cilës vendi duhet të ngrihet. Opozita dhe partia kryesore e saj duhet të thotë qartë se deri kur do e tolerojë Ramën, i cili jo vetëm që deri më tani nuk ka treguar shenja pendese ndaj shqiptarëve për narkotrafikun, por po mallkon dhe po përndjek opozitën pse ajo zbuloi drogën me avionë dhe pse zbulon dhunues femrash të pambrojtura. Qëndrimi prej kapadaiu i Ramës edhe mund të tolerohet nga demokratët apo opozitarët në përgjithësi, por a mund të tolerohet nga qytetarët? Ndaj është përparësi kombëtare dhe pse jo strategjike vendosja e një afati të shkurtër kohor përtej të cilit Rama duhet ta dijë se do të ngjallte reagimet më të paparashikueshme që mund të ekzistojnë. Natyra paqësore e protestave të opozitës që kërkon logjikë tek një njeri që thotë se avionin e solli Saliu në breg të detit, është thjesht e papërshtatshme. Ultimatumi është gjuha që duhet të njohë Rama dhe për këtë opozita duhet të sqarojë mbështetësit e saj. Shumica qeverisëse është futur në një spirale shumë të diskutueshme të përfshirjes së saj në një sërë veprimesh shumë vetëdiskredituese ku skandalet pasojnë njera tjetrën. Rama vetë është i zhytur në një realitet krejt të ndryshëm nga ai që përjetojnë shqiptarët, ndërsa pengmarrja e tij prej krimit të organizuar është evident dhe pamundësia e reagimit dhe paaftësia është shembullore. Po mbushen dalëngadalë dy mandate qeverisjeje dhe Rama nuk ka prezantuar asnjë punë konkrete, asnjë vepër publike, asnjë investim inkurajues, asnjë investitor të madh ndërkombëtar, asnjë reformë domethënëse dhe hiç vende pune. Ky realitet i rëndë dita ditës po kaplon gjithë masën e shqiptarëve që votuan apo nuk votuan Ramën dhe tashmë nën zë edhe vetë socialistët po thonë që ky Kryeministër nuk bën. Për të gjithë të tjerët që nuk kanë votuar Ramën ose për të gjithë ata që edhe pse nuk e donin e votuan se donin një ndryshim, gjërat janë edhe më të qarta dhe largimi i Ramës po kthehet me shpejtësi në një aksion kombëtar dhe detyrë primare. Vrasjet, shpërthimet me tritol, ekzekutimet dhe atentatet mes përfaqësuesve të mazhorancës për të marë jetët e njeri tjetrit siç ndodhi me rastin e ish Prefektit të Vlorës Dervishi apo biznesmenit Karçini, janë fakte tronditëse nga ajo që përjeton vendi ynë çdo ditë. Ndaj opozita nuk ka se çfarë të presë më shumë. Ultimatumi është gjuha e vetme që mund të kuptojë Kryeministri dhe Lulzim Basha është në një moment kritik për të ardhmen e shoqërise dhe vendit dhe duhet të marrë përgjegjësinë që po i ofron momenti. Ai duhet të nënshkruajë publikisht atë ultimatum ndaj Ramës.

Please follow and like us: