‘Lutja’ e Gazmend Lekës ekspozohet në FAB
Galeria FAB ka nderin t’ju ftojë në ekspozitën personale të piktorit të mirënjohur
Gazmend LEKA
“LUTJA”
Hapja / dt. 4 tetor, 2018, ora 19.00
Kohëzgjatja / 4 tetor – 31 tetor 2018
Kurator / Ermir Hoxha
Galeria FAB / Universiteti i Arteve
Oraret / 10.00 – 20.00 (çdo ditë)
“LUTJA”
Teksti kuratorial
Në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit.
LUTJA është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen.
LUTJA është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike.
LUTJA është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.
LUTJA është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar.
Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne.
…
Duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.
Kjo ekspozitë i dedikohet kësaj Heshtjeje të Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq “i rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh.
…
Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë.
Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit, në habitatin e vet, si një bunacë shurdhe para një stuhie të egër.
Është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.
Leka e ka konsideruar veprën e tij gjithnjë si një akt të gjatë lutjeje, që: “… fillon çdo ditë me lindjen e diellit”. E shkruar, që në vitin e largët 1994, ajo mbetet ende sot e pandryshuar, si përkufizim dhe udhërrëfyes i njërës prej krijimtarive më të vrullshme të kohës që jetojmë.
Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.
Dr. Ermir Hoxha
Shtator, 2018