Albspirit

Media/News/Publishing

Shënime për librin “Ne” të Besart Varfit

Emil P. Asdurian

 

Ndoshta e njihni!

Ka shumë mundësi të jeni takuar te sheshi i madh me pllaka të mermerta në kryeqytet, apo diku ulur te pragu i parkut, që rrethonte monumentin e Heroit Kombëtar, përballë Kullës së Sahatit. Në bibliotekë, ku librat burgosen për t’i ruajtur si dëshmitarë të rëndësishëm gjyqesh të qenë dhe të paqenë? Në librari, te këndi i rrugës, që kohë e mbrapshtë a varfëria e zbrazën nga kërshëria? Ah, po, isha ai, i cili, sa doli nga porta e kafenesë, mbushur me të panjohur, që rrufisin lajmet e ditës sikur të ishin ndodhi nga një planet tjetër dhe që enkas bëri sikur harroi, se u kthye mbrapsht të shihte se ç’u bë me novelëzën e tij, të cilën e la pas mbi një tryezë, me qëllim që të shihte nëse do ta merrte në dorë dikush dhe se kush ish ai që e mori?

Një si ju, lexues librash të harruar dhe të pluhurosur në ndonjë cep të humbur shtëpie apo nga shporta e atyre, nxjerrë për t’u falur. Jo, s’ishte shkrimtar, të shkruarit nuk të bën shkrimtar, por një rrëmihës faqesh të zverdhura dhe të venitura nga dhembjet dhe nga brengat e tyre. Një i papunë, a një i lodhur nga puna që bën, që për një çast, vetëm për pak, pati një ndjenjë gëzimi e u end me të dhe nëse lëçiti diçka të pandier më parë, më mirë për të. Një i paemër, me tjetër fytyrë, që mbuloi të tijën dhe mbeti askushi, në këmbët e një gjiganti të verbër që s’arriti ta shihte, se donte të ish i padukshëm. Apo një aktor i zgjedhur që prologun e shfaqjes reciton që të përgatisë publikun për atë që do të ndodhë më shumë në mendjet e atyre që vanë ta shohin. Se kush ishte, s’ka fare rëndësi. Atë rol mund ta luante kushdo.

Ç’është?

Aspak, një tregim i zgjatur me fillim dhe mbarim, por një pjesë në vazhdim, një ndalesë për të parë më me imtësi ç’ndodhi, as një krijim i mirëfilltë imagjinate dhe pse disa herë u mendua si i tillë, por një dritare e hapur në jetën e dikujt dhe po aq e vërtetë sa ç’është e vërteta e jetuar. Një ndërthurje, bashkëbisedim dhe bashkëvuajtje, dhe pse ndarë në qenie të ndryshme, në një zgjatje kohe, e cila s’matet vetëm me sekonda, orë dhe ditë, por me një shtrirje ndjenjash, me degëzimet e tyre, në sjellje a gjendje shpirtërore, që lindën e lindin mendime në një varg të pafund, të lidhura ngushtë në ekzistencën njerëzore. Po, kohë ka. Ndodhi, diku aty nga fundi i viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, siç tregohet nga ato që u shkruan ditë pas dite, disa herë në ditë; letra, poezi dhe aty-këtu disa biseda në tejzë (telefon), që u shndërruan në një gjuhë krejt të re, ku fjalët s’ishin më shenja a mbartëse mendimesh.

Vendi?

Në më shumë se në disa, njëkohësisht, dhe brenda trupash e mendjesh të njëjta të mbuluara me lëkurë dhe gëzof të ndryshëm dhe shkrirë e ndërruar te njëri-tjetri. Në një rendje dhe endje te një rrugë jete, kur të qenët si vetvete, jo pjesë e turmës, ish trimëri dhe përpjekje pa mbarim. Ikje dhe ardhje, tek i njëjti vend, përrua a shteg, si valët e një deti në baticë; nxiton të pushtojë gjithçka që mundet, se mos ia rrëmben qielli. A ndoshta jo, nëse ka vërtet vend shpirti?

Është dhe një rit dhe mit parësor mendjeje, ku ndërgjegjja dhe e kundërta e saj, nga kohët parahistorike, siç bëhen bashkë dhe ndahen të zemëruara, kur gjuha ish një mjaullimë, një klithmë vuajtjeje dhe gëzimi, ngopje dhe urie, e gjithçka tjetër e lidhur me to, dëshirë e pashpjeguar, më shumë se nevojë, domosdoshmëri dhe, gjithsesi, ndjenja më e ëmbël, në thelb jo vetëm e njerëzimit. Është historia e dy njerëzve dhe e një maceje. E asaj që, pas kaq mijëvjeçarësh, ka mbetur e pandryshuar, si të ish një perëndeshë e Nilit, ajo që ruante Pemën e Dijes dhe të Jetës, pjesa femërore e çdokujt. Siç është një kërkim i vetes brenda vetes, për të zbuluar thjesht dhe për të zhveshur nga çdo e tepërt, ndjesi dhe gjendje shpirtërore si të ishin fletë të saposhkruara të një rrëfenje nga Një mijë e një netët, se të gjithë, ata që ishin aty, u rrudhën e u pështollën sa u bënë një, pa e ditur, pa e kuptuar, pa pyetur nëse do të lindte edhe një herë agimi i lumturisë për ta. Rrinë shtrënguar, dhe pse nuk qe e gjitha ëndërr… ende.

 

Fotografia e Emil Asdurian

Please follow and like us: