Shokë socialistë, votoni rilindjen dhe pastaj mblidhni shkarpa e shullëhuni në Diell!
Sa herë që politika i hap petët lakrorit të hajdutërisë na del përpara e njëjta skemë: deputetë që fusin hundët dhe duart ngado ku luhet paraja. Me pak vëmendje këtij mekanizmi mund t’i japësh edhe një karakteristikë të vetën. Për qeverinë e z. Rama deputetët që dalin thuajse ngado në akuza, janë ata që kanë mbërritur në politikë me katapultimin e vetë kryeministrit. Rilindas të ardhur në PS pas vitit 2005. Qoftë ata që akuzohen sot, qoftë ata që u diskredituan dje.
Sot është deputetja Bushka, një lidhje e shkurtër e Erion Veliajt. Dje ishte Alket Hyseni, një zgjedhje personale e z. Rama, që mesa duket ka parë më shumë nga vetja.
Pak më tutje, Mimi Kodheli, Sajmir Tahiri. Nuk ka rëndësi vërtetësia penale e akuzave. Perceptimi nuk gabon kur lexon te pushteti i sotshëm një ligjësi të shpërndarjes së parasë dhe përfitimeve që shkojnë përherë thuajse te njerëz të enturazhit të z. Rama.
Dhe ndonëse elitat në krye të PS-së janë ndryshuar tërësisht, elektorati voton besnikërisht. Kjo sjellje të kujton atë skenën te filmi “Lulëkuqe mbi mure” kur financieri i jetimores pasi futi në mencë disa të “zgjedhur” u kthye nga fëmijët që po prisnin dhe u tha: Ju të tjerët ngrohuni në diell.
Kështu edhe me shokët e dashur socialistë që bëjnë hasha Shqipërinë për Partinë: Ngrohuni në diell dhe mbani shënim bëmat e Taulantit dhe kalamajve miliarderë që ju tërheqin për hunde me ndonjë vend pune, apo ndonjë bursë 3 mujore gjëkundi.
Garderobisti