Dëshmia tronditëse/Kush e ka plagosur deputetin Rrahman Rraja?
Oficeri Emiljano Nuhu, pasi është marrë në mbrojtje në një vend të Bashkimit Europian vazhdon të gozhdojë me deklaratat e tij për Policinë e Shtetit dhe deputetin e PS për Krujën Rrahman Rraja.
Në një intervistë me “Scype” për “News 24” ai tregoi për herë të parë se deputeti Rraja ka mbetur i plagosur në një shkëmbim zjarri me policinë në vitin 1998.
“A e dini se pse mban gjithnjë syze deputeti Rraja. Ku e ka dëmtuar syrin? Vëllai i tij Xhelal Rraja që më kërcënoi në zyrën time, në vitin në 97-98 ka shkëmbyer zjarr me një punonjës policie. Aty ka mbetur i plagosur edhe deputeti”, deklaroi Emiljano Nuhu.
I pyetur se pse nuk kishte vepruar në rrugë ligjore. Pra se nuk kishte vënë në pranga Xhelal Rrajën që e ka kërcënuar me pistoletë në prezencë të Taulant Ballës dhe Artur Bushit, Emiljano Nuhu tha se “kam vënë në dijeni shefin e Komisariatit i cili më tha merre me qetësi. Ndërsa prokurorja më tha shko në prokurorinë e përgjithshme. Në këto rrethana e pashë se jam i vetëm dhe i humbur. Askush nuk po më mbështeste përpara njerëzve me imunitet”, u shpreh ai.
Email Xhafës e Veliut
Më tej oficeri i larguar nga vendi, thotë se përmes e-mail zyrtar ka vënë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Më datë 12 Gusht u kam shkruar e-mail titullarëve më të lartë. Ju kam paraqitur shqetësimin tim në lidhje me dosjen e djalit të deputetit. U kam thënë se më 30 korrik më kanë kërcënuar kushërinjtë e tij në një lokal në Unazën e Re. U kam thënë gjithashtu se personi që më kërcënon, vëllai i deputetit (Xhelal Rraja) ka precedentë pasi ka plagosur një polic në 1998. Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Askush nuk më ka bërë telefon, email, për të pyetur si qendron e verteta”, deklaroi Emiljano Nuhu.
Madje pasi e ka vënë në dijeni, drejtori i Policisë së Shtetit, më 15 gusht vendos ta transferoje Nuhun nga Fushë-Kruja në Berat, duke i hequr kësisoj dosjen që po hetonte dhe ku i dyshuar për dhunë ishte djali i një deputeti./Opinion.al
*Dokumenti: e-mail që Emiljano Nuhu i ka derguar drejtorit Ardi Veliu.
*Foto të deputetit Rraja i cili mban gjithnjë syze
*Intervista e plotë e Emiljano Nuhut në News 24