Albspirit

Media/News/Publishing

Ndalimi me ligj i adresave anonime në rrjetet shoqërore

Angela Rayner është një nga politikanët e shumtë që kanë sugjeruar se adresat anonime nëpër rrjete shoqërore duhet të ndalohen, në mënyrë që të ulen abuzimet dhe kërcënimet në internet.

Nuk ka dyshim që Rayner e ka me sinqeritet këtë ide dhe se problemi i saj është serioz, pasi ajo dhe kolegët e saj ia vuajnë vetë pasojat.

Realiteti është që shumë parlamentarë e figura publike marrin kërcënime dhe abuzime në rrjetet shoqërore, sidomos gratë, e sidomos gratë me ngjyrë apo trans.

Për shkak të dëmit që shkaktojnë këto llogari, është e lehtë të kuptosh se pse u vjen arsyeshëm të kërkojnë të bllokohen. Megjithatë, kjo masë më shumë do të dëmtonte se të ndihmonte.

Përvoja e shumicës së njerëzve në rrjetet shoqërore nuk është njësoj si ajo e personave publikë, të cilët kanë nga qindra mijëra ndjekës. Përdoruesit mesatarë kanë nga 500 ndjekës. Nëse figurat publike kanë me mijëra komente në ditë në faqet e tyre, shumica e përdoruesve do të kenë nga një ose nga dy, në varësi të njerëzve që njohin.

Sugjerimi nga Rayner dhe të tjerë që thonë se adresat anonime janë të paligjshme, u lejon udhëheqësve autoritarë të thonë të njëjtën gjë.

Lloji i abuzimit që marrin parlamentarët e të tjerët si ata haset më rrallë në shoqërinë e gjerë. Edhe pse kjo nuk e shfajëson, e as nuk do të thotë që ky problem nuk duhet adresuar, ndalimi mund të shtrembërojë mënyrën se si politikanët diskutojnë anonimitetin dhe rrjetet shoqërore.

Shumica e njerëzve në Britani janë më pak të lirë që t’i shprehin mendimet në internet se parlamentarët, aktivistët apo gazetarët. Kjo ndodh shpesh për shkak të kufizimeve që kanë nga punëdhënësit. Për miliona punonjës në sektorin publik, sidomos në polici dhe në shërbimin shëndetësor, ka udhëzime dhe rregulla të qarta kundër shprehjes së pikëpamjeve politike. Kështu, nëse dikush do të dojë të diskutojë për politikën në internet, që është e arsyeshme, do t’u duhet të përdorin adresa anonime.

Të njëjtat shqetësime kanë edhe në sektorin privat. Kemi dëgjuar për njerëz që kanë humbur punën ngaqë kanë folur hapur për punëndhënësin në rrjetet shoqërore, apo pasi kanë postuar foto të një feste të shfrenuar me miqtë. Për këto arsye, njerëzit kanë të drejtë që nuk postojnë me emrat e tyre.

Edhe ata që kanë mundësinë të postojnë me emrat e tyre, shpesh krijojnë adresa alternative që t’i përdorin për familjarët, apo kur duan të flasin për shëndetin mendor, për seksin, apo kur duan të ankohen për dikë. Sado të rrudhim vetullat për këtë të fundit, nuk është as kriminale, as sjellje e dënueshme.

Por kjo mund të ndiqet nga diktatorët. Sugjerimi i Rayner-it dhe të tjerëve që adresat anonime duhet të jenë të paligjshme, u jep mundësinë udhëheqësve autoritarë që të thonë të njëjtën gjë e të mbytin zërin e kanaleve të ndryshme të opozitës.

Të bllokosh adresat anonime është jo vetëm liberale, por edhe dështim për t’u solidarizuar, dështim për të kuptuar jetën e vërtetë të atyre që janë jashtë sistemit politik dhe jashtë vëmendjes së medieve.

Rayner mund të quhet si një prej parlamentareve më në kontakt me botën jashtë fluskës politike, por sugjerimi i saj për rrjetet shoqërore është simptomë e një politike që shpesh nuk arrin të kuptojë nevojat e të tjerëve.

Në botën jashtë internetit, kjo u vërtetua me manifeston e laburistëve në vitin 2017, që bënte oferta të mëdha për trenat dhe kreditë për studentë, por nuk ofronte asgjë për autobusët, të cilët përdoren më shpesh nga shtresa  e mesme dhe e ulët, sidomos jashtë juglindjes së Britanisë.

Jeta e atyre që janë nën vëmendjen e politikës dhe medias është shumë ndryshe nga ajo e njerëzve të cilët përfaqësojnë e për të cilët shkruajnë.

Propozimi i Rayner-it për anonimitetin në internet është shembulli më i qartë që tregon se ku ndryshojnë interesat mes palëve, Por nuk është i vetmi rast.

James Ball, the Guardian

Top Channel

Please follow and like us: