100 Thousand Poets for Change
Kozeta Zavalani
Ne, një grup prej 20 vetësh, poetë e artistë, të mbledhur më 29 shtator 2018, ora 11:00, në katin e 14-të të bar Rosa Blu në G-Kam Tower (rruga e Kavajës, Tiranë), në eventin; 100 Thousand Poets for Change, Tirana, deklamuam artin tonë me një nga poezitë tona, për të ndryshuar sado pak fenomenet negative të shoqërisë, për të ardhmen më të mirë e të sigurt të fëmijve tanë… Është viti i 7-të që në mbështetje të idesë së iniciuar nga miku ynë Michael Rothenberg, për të frymëzuar komunitetin global të poetëve, që të mblidhen së bashku jo në një vend të vetëm, por në një ditë të vetme, të bëjnë poezi për hir të çfarëdo lloj ndryshimi që ata besojnë se është më i nevojshëm, në nivel lokal, kombëtar e në të gjithë planetin.
Fatkeqësisht jemi bërë të huaj për njëri-tjetrin në vitet e fundit e vështirë t’i njohim fqinjët tanë nëpër rrugë, e jo më poetët e tjerë, të cilët jetojnë dhe ndajnë shqetësimet tona në vende të tjera. Ndaj ne duhet ta ndiejmë këtë lloj solidariteti global, duke menduar se do të sjellim një ndryshim të vogël në komunitet nëpërmjet motos: “Jemi të gjithë ëngjëj, le të bashkojmë krahët në fluturimin tonë drejt së ardhmes, duke protestuar kundër padrejtësive sociale, papunësisë e dhunës ndaj grave, për një familje të shëndoshë në një shoqëri të shëndetshme”!
Takimin e çeli Kozeta Zavalani me përshëndetjen e drejtuar nga iniciuesit e këtij eventi global Michael Rothenberg dhe Terri Carrion, vazhduar me përshëndetjen e kryetarit të Ambasadorëve për Paqen, politikan e njëkohësisht edhe artist e poet Gaqo Apostoli, që solli poezinë “Lukunitë”
Lukuni qensh
Mbushin rrugët e Tiranës netëve.
Lukuni ujqish
Dynden partive, parlamenteve.
Lukuni çakejsh
Ulërijnë në faqet e gazetave.
O Zot,
Pse i le të futen në vargjet e poetëve?
Këtë poezi e lexoi e përktheu kryetarja e PEN Albania Entela Kasi.
Pastaj vazhdoi Kozeta Zavalani me poezinë
“Në përmbushje të ndryshimit”
A mendoni se diçka ka ndryshuar?
Po, ndryshimi është në ajrin që marrim frymë
shpatullave peshon si presion;
frikë nga të padukshmet
Vuajtje dhe konfuzion.
Natyra mban frymën
si erërat e ftohta të nëntorit
që përzënë gjethet e thata, të pajeta
nëpër rrugët e shterura pa kuptim.
Unë marr kuptim
Nga ajo që shoh përrreth
Nga një zhurmë që mezi dëgjoj
në mesin e turmave
në rrugët e qytetit që
fshihet në flluska periferike
nga stuhia që po afrohet.
Zëri im është shumë i vogël
për të prerë mosmarrëveshjen
e zemrave të frikshme njerëzore,
megjithatë, duhet të provoj
duke folur të vërtetën me dashuri
për hir të paqes.
Eci në mëngjes herët.
Përshëndes fqinjët e mi.
“Mëngjes”, them duke kaluar.
Nuk mund të them “Mirëmëngjes”.
Deri sa gjithkush të ndjehet i sigurt
Pa u frikësuar për t’u kthyer në vendin tonë
Pas pushimeve diku nëpër botë.
Unë nuk kam bërë asgjë për të merituar privilegje.
Ju nuk keni bërë asgjë për të merituar më pak.
Ndaj e di se një mëngjes
Do them “Mirëmëngjes!”
Për të gjithë ata që takoj
Dhe e di se do të jetë një mëngjes i mirë
Por deri atëherë
Ne kemi punë për të bërë.
Ju lutem, a mund ta bëjmë së bashku?
duke hedhur poshtë ndarjen e racave dhe fesë
duke mbjellje rrënjën e paqes në zemrën tonë
Megjithëse të heshtur, nuk jemi të verbër
për gati 60 vjet unë kam parë e mësuar në jetë
Ju me një pëshpëritje
U thoni fëmijëve, nipërve e mbesave
kush jeni dhe çfarë bëni, i mësoi ata
si të veprojnë e trajtojnë njerëzit,
për të mbrojtur veten
nga zemërimi, gjykimi dhe ndëshkimi
Sepse ne kemi përgjegjësi
për fëmijët, të moshuarit
për ata që nuk janë në gjendje të ndihmojnë vetveten
Sepse ne kemi përgjegjësi
për miqtë e armiqtë e të gjitha ngjyrave
për miqtë e armiqtë të çdo etnie dhe kombësi
Kemi përgjegjësi
për miqtë e armiqtë të të gjitha besimeve dhe mosbesimeve
për demokracinë
drejtësinë e lirisë dhe barazisë për të gjithë.
Kemi përgjegjësi!
Ndaj gjaku, lëkund eshtrat dhe arteriet
duke flijuar
pulsin jetik të tregtisë botërore
me rrjedha shkëmbore të shkrirë si vullkan
në një tavan qelqi në pjesën e sipërme të shkallës së punësimit
që është një dysheme e zjarrit të lëngshëm në pjesën më të ulët.
Ju mund të imagjinoni trazirat;
ngjeshja e arterieve të mëdha nga devijimi
një rrufe në qiell të artikuluar.
Ngjarjet mund të qartësojnë errësirën e shprehjes
ju mund ta kuptoni, derisa të përmbushni ndryshimin…
Artisti këngëtar e poet Neil Neil Ruçi me poezinë
“KUJTESËN MBRAPA KTHEVA”
Rri mendohem ç`far të shkruaj?
sepse kemi shumë problem,
vëndi ynë vazhdon të vuaj,
thirrje u bëj të gjitha feve:
-O i madhi Zot!
q`na solle në jetë,
ribekoje këtë tokë,
këtheji indetitet.
Se po e humbasim,
s`di për ç`interesa,
me vehte po flasim,
na ikën kujtesa.
Ta kërkoj këtë,
në emër të të mirëve,
shiko edhe bëje,
për hir të fëmijëve.
Ne jemi drejt fundit,
të jetës q`na dhe,
për të mirë të vëndit,
rreth teje na ke.
Po shikoj lajthitje,
grindje,prapaskena,
nuk jemi në ngjitje,
gati është humnera.
Vur dorën në zemër,
ashtu siç di vet,
t`mos ngelemi pa emër,
e pa indetitet.
Të më falni o Zot,
dhe ju o miqt e mi,
pse shkrojta kështu sot,
për Nënën Shqipëri.
Shkrova atë që ndjeva,
për një çast mendimi,
kujtesën mbrapa ktheva,
të na vijë reflektimi.
Mundësit i kemi,
busull historinë,
në Europ Ne jemi,
po humbim krenarinë.
Krenaria Shqiptare,
nuk shitet dhe blihet,
trashëgimi të parëve,
kurrë s`do të fshihet.
Kush do që ta fshijë,
kot` edhe që rron,
sepse do t`lësh fëmijë,
ku krënaria ju mungon.
Vera Cato tha: Kush me mire se gruaja do sjellë ndryshimin ,
prandaj kam përzgjedhë poezinë:
Krijesa e bukur “Grua”
Buzëqeshja e gruas,
sikur diell,
në zhdukje,çdo re e zezë,
sa e bukur ngjason bota!
Edhe kur trishtimi ulur
këmbëkryq
qëndron mbi qënien e saj:
Përqafon shpresën ,
pa mëdyshje:
Bota e saj se njeh humbjen.
Gënjeshtren e sfidon
me shpresë,
Jetës i përcjell lumturi!
Ti je krijesa e njerëzimit,
S’ka në botë si ty,
Dashuria tënde,
shkrin çdo akull,
Jetën e kthen gjithmonë,
në oqean lumturie….
Eli Kanina e filloi kështu fjalën e saj: “Përshëndetje Kozeta!
Të falenderoj për organizimin e eventit çdo herë!
Ndihem e emocionuar kur shkëmbejmë emocione me interpretimin e poezive tona, me mesazhet që përcjellim, me informacionet që marrim për njëri tjetrin, për autorë shqiptarë të pranishëm ose jo, por edhe autorë të huaj të letërsisë bashkëkohore!
Ne nuk mund ta ndryshojmë dot botën! Ne mund të ndryshojnë veten! Duke filluar nga vetja, e bëjmë më të lehtë qasjen ndaj të ndryshmëve! Për të qenë më të mirë me njeri tjetrin, dhe për të shpërfaqur më të mirën si individë ditë pas dite, çdo ndryshim ia vlen!
Në Ditën Ndërkombëtare të Zemrës, ju uroj të gjithëve zemra të shëndetshme së pari, dhe më pas edhe shpirtra të bukur siç dinë të shpërfaqin me artin e tyre krijuesit e dashamirësit e librave, pikturave dhe këngëve! I qofshim njëri tjetrit kështu e për shumë vjet, me evente të tilla të fjalës së bukur!
Sot kam përzgjedhur poezinë “NJERIU MË PËRTEJ”
E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjeshtë një qenie…
Një miks i ngrohtë ndjesish!
Mirësish
Mundësish
Mendësish
Marrëzish
Mëkimesh
Mësimesh
Mallkimesh
Mbarimesh
Mëkatesh që e lindin dhe e mundin
Mes rënkimesh e ofshamash
Me fund, deri në fund, për fundin!
E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjesht një qenie…
Një miks i njelmët jete!
Gjaku
Limfe
Qumshti
Pështyme
Djerse
Sperme
Lotësh çurgë
Në lojën ngriva-shkriva, stres, kujdes
Një rrjedhë lakadredhash që pikon pa limite
Derisa të ngurtësohet
Ditë pas dite!
E ç’mund të jetë tjetër njeriu?
Në mos thjesht një qenie…
Një miks qeniesh në përsosje!
Më shumë se qen, mace e mi
Më shumë se krimb, gjarpër e kërmill
Më shumë se ujk e dhelpër
Më shumë se mjelma e lejlekë
Më shumë se gomar e derr
Më shumë se peshk e ngjalë
Më shumë se korbi nëpër terr
Vlerëvluar, vetlëvduar, votbesuar
Përgjegjës pa përgjegjësi
I patëdytë mbi dhé
Njeriu nga parajsa në ferr
Më pak se njeriu-njeri
Gjithandej…
Kurdoherë…
Pastaj vazhdoi Perikli Shuli me poezinë e tij:
“S’të gjeta !
Të kërkova tek rruga pa emër
Mëngjezeve të freskëta të kërkova
Tek vapa e mesdites
Mbrëmjëve të zhurmshme në qytet.
Pyeta njeriun e parë që takova,
Në statcionin përbri
në dritat e kryqëzimeve vrojtova
ndoshta aty do të ishe ti,
në sheshin qëndror të qytetit
tek stolat në park..
Të kërkova në gazeta, ekrane
Në portale të kërkova,
S’të gjeta!
Të kërkoj akoma,
Pyeta në çdo vend,
Por thonë se je zhytur
Je mbytur,
do të dalësh përsëri!
…Kur?
… këtë po pres
ma thotë njeri?
…………..KU ESHTE E VERTETA?
E veçanta e takimit ishte pjesëmarrja e poetes izraelite Braha Rosenfeld, që recitoi poezinë e saj në Hebraisht dhe Entela Kasi që e kishte ftuar nëpërmjet Albanian PEN Center, e lexoi atë në gjuhën shqipe. Braha Rosenfeld i takon brezit të poeteve të periudhës pas krijimit të shtetit të Izraelit; poetë që kombinojnë historinë personale dhe kombëtare në shkrimet e tyre, vlerësuar me çmimin e Organizatës së Shkrimtarëve të Izraelit- 2009. Ajo ka drejtuar Unionin e Shkrimtarëve Hebraikë të Izraelit. E përkthyer në disa gjuhë dhe e botuar në vende të ndryshme të botës. Një prej zërave femërore më të veçantë të letrave në Izrael. Ja disa nga vargjet e saj: “Unë po ndërtoj një tempull nga eteri,
po ndërtoj një pallat nga ajri
nga gurët e varura të shtresave të reve
zhvillojnë perde me shi që
përpiqen të zbusin
erërat e ndezura
dhe fantazmat e zymta… Entela Kasi theksoi: Sot jemi me Braha Rosenfeld, në një bisedë për letërsinë. Me autorë shqiptarë, studiues, artistë dhe miq…
Duke lexuar Hebraisht dhe Shqip.
Faleminderit, Edita Kuci- Ukaj për përkthimin aq të bukur të poezive të Braha Rosenfeld, një prej autoreve më të rëndësishme të letërsisë hebraike.
Faleminderit Kozeta Zavalani për ftesën, bashkëpunimin dhe realizimin e këtij takimi mbresëlënës.
Ajo çka ishte surpriza më e veçantë dhe emocionuese njëkohësisht, mbetet dedikimi në dorëshkrim që Studiuesja dhe Profesoresha Klara Kodra, i dhuroi shkrimtares Hebreje sot pas këtij aktiviteti. Njëkohësisht biseda e tyre për çështjet e letërsisë dhe artit do të jetë një kapitull në kujtimet të cilat do të mbeten dëshmi autentike edhe e kësaj dite.
Nuk mund të qëndroj pa përmendur kënaqësinë e madhe që kishim, ndërsa mikja jonë Vilma Jazexhiu Proko, na lexoi sot poezinë e Elvi Proko, laureat i PEN Albania 2016.
Letërsia është atdheu i Letërsisë Universale, dhe gjithmonë do të mbetet njerëzimi me etiketat antike të lashtë dhe moderne!
Letërsia ka këtë dimension të thellë të lirisë, dhe për këtë është sublime!
Jemi mirënjohës për ju e dashur Braha Rosenfeld që keni ardhur në Shqipëri dhe për të ndarë me ne urtësinë, dashurinë, respektin dhe më së shumti për vlerën e dinjitetin!
Poetja Nexhi Baushi tha:
Sipas filozofit gjerman Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) artet për nga thelbi artistik i renditi kështu. Ai vuri me krye te vendit muziken, dhe menjëherë pas saj e vendosi poezinë. Nese Muzika si lend krijuese të saj ka tingullin, poezia është po kaq artistike, ngase komponenti krijues i saj është, fjala.Forca e fjales, muzikaliteti dhe perdorimi i figurave letrare, nga krijuesit ndryshojne boten dhe e dhe vene ate ne levizje.
Për sot po lexoj poezinë “DHEMBJE NUK TË LLOGARIS”
Ka kohë që me dhembjen eci përkrah,
atje ku bota ngrin edhe në zheg,
atje ku mëngjesi zgjohet mavi,
dhe nata vajton të lindurit e vet.
Netëve kur yjet janë të burgosur,
hetova dhembjen te gratë e mavijosura,
ku mizoria maskiliste mëshirë nuk kish.
E njoha në kazanët me pirgje mbetjesh,
ku të vobektit së bashku me qentë,
rrëmojnë dhe grinden mes tyre për një kockë.
E mallkova dhembjen me mllef,
këmbëkryq ish ulur te fëmijët leuçemikë.
E njoha tek ëndrrat e venitura të një vashe,
e përdhosur, leckosur trotuareve.
E takova dhembjen bulevardeve, udhëkryqeve,
të pamundurën bëri në hendeqe lotësh,
shpresën të ma mbysë.
Në asht ndjeva dhembje,
kur bijtë bastardë të etërve dinakë,
me babëzi gjakun e kombit si shushunja thithnin.
E njoha në indiferencën pa skrupull të të majmurve,
që nginjen në orgjitë e shfrenuara të kurvërisë,
dhe çirren për veting.
Me ajërdroge ky popull gjumin letargjik ka marrë,
i pashpresë trotuareve kafshon veten si i marrë.
Harruar i ka ëndrrat më skutat e kujtesës biblike,
në tempullin e zhgënjimit veten ka bashkudhëtarë.
E njoha dhembjen, në shpirtin e një kombi
ku trungun në pjesë ja kanë ndarë.
E pashë te dhembja e një flamuri,
kur i sëmurë renkon zëngjirur,
që shekujve dalëboje u valëvit.
Dhe vendi, ah vendi,
për ironi të fatit tonë po vuan,
nga gojëmbyllja e të mirëve.
Me grushtin e fortë të fjalës,
e godita në zemër,
e bëra të dridhej,
e ndala për t’i thënë:
Ty dhembje,
Nuk të llogaris!
Takimi vazhdoi me poeten e studiuesen e letërsisë Klara Kodra që recitoi poezinë “Vite që ikin, vite që vijnë”, Kristaq Shabani, kryetar i Lnpsha Pegasi Albania gjatë diskutimit vuri theksin te thelbet e organizimeve letraro-artistike, platformat e tyre, kontributin dhe thellimin e efektivitetit te Letersise dhe Artit te Mirefillte…e me radhë poetët Zhuljeta Grabocka Çina,Lumturi Ymeri Bersava, Perikli Shuli, Nexhi Baushi, Jozefina Traboini,Kristaq F. Shabani, Vilma Jazexhiu Proko, Marjola Dashi, Pëllumb Alia, e te tjeret, nga te cilet po pres te me dergojne poezite…