Besjan Pesha: Për dashnorët e përdhunimit…
Si çdo mëngjes, edhe sot, kafen e shoqërova me statuset e miqve në FB. Më kapi një trishtim, qysh pa hapur mirë sytë, kur pashë jo pak njerëz që kishin karikuar armët e tyre telefonike dhe po zbraznin karikatorë gërmash ndaj vajzës që na tërhoqi vëmendjen të gjithëve këto ditë, Xhisielës.
“Mirë iu bë kurvës”, “Vetë e kërkoi”, “Pse plekset ajo me të fortë, sepse ia ka qejfi, pastaj qahet”, “Nuk të bie njeri kot në qafë, kushedi se çfarë ka bërë ajo po hë”, “Ky nën komisari e ka patur dashnore”, “S’ka faj djali i deputetit se këto ta bien në majë të hundës”…ishin disa nga plumbat fjalë që gjindja zbraste pa mëshirë kundrejt një vajze jetime nga një fshat i varfër i Shqipërisë. Plumba që synojnë të vrasin viktimën me besimin se pa të nuk mund të ketë më përdhunues. Kështu ai shpëton dhe turpi varroset bashkë me viktimën.
Të dashur dashnorë të përdhunimit, kam disa pyetje për ju:
Po sikur Xhisiela të ishte motra juaj, vajza juaj, a do të reagonit kështu?
A duhet të ndëshkohet ashpër një përdhunues?
A duhet të dënohen me forcë nga shoqëria ata që mbështesin përdhunimin?
A mjafton vetëm një denoncim për përdhunim që policia të izolojë autorin deri sa të zbardhjet ngjarja nga prokuroria dhe gjykata?
Teksa mendoheni pak për përgjigjet e këtyre pyetjeve dua t’iu drejtoj edhe disa të tjera pak më personale:
A vlen jeta juaj më pak se ajo e Edi Ramës?
A vlen jeta e fëmijëve tuaj më pak se ajo e fëmijëve të deputetëve?
A vlen ti më pak se ai që ti voton?
E kur t’u jeni përgjigjur edhe këtyre kam edhe një të fundit:
Mos po shndërroheni në skllevër të partisë duke i dhënë asaj të vetmen karakteristikë që dallon homo sapiensin nga qëniet e tjera në Tokë, AFTËSINË PËR TË MENDUAR?!
P.S.: Nëse këto pyetje të kanë vënë sadopak në mendime, URIME, ke ende shpresë.