Albspirit

Media/News/Publishing

Femrat deputete të Rilindjes: Për ne drejtësia për vajzën është mbi gjithçka

Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste kanë reaguar pas arrestimit të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhepi, ku shprehen se mbështesin Prokurorinë në hetimin deri në fund të së vërtetës për dhunimin e Xhisiela Malokut.

“Na vjen shume mirë që prokurorja e çështjes është një grua, e cila sot ka të gjithë solidaritetin tonë në kryerjen e detyrës si edhe inkurajimin tonë të plotë, për t’i shkuar deri në fund çështjes në fjalë. Duke i rezistuar çdo ditë prej kohësh tanimë, vulgut politik e mediatik dhe duke treguar guxim e vendosmëri në ndarjen e drejtësisë nga politika, Prokuroria po jep në vijimësi sinjale shumë inkurajuese për shqiptarët që duan drejtësi”, theksohet në komunikatë.

Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste i bën thirrje kolegeve deputete të opozitës të ndikojnë që të ndalet sipas tyre dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare.

“I bëjmë përsëri thirrje kolegeve deputete të opozitës të ndikojnë që të ndalet dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare. Po ashtu u shprehim atyre keqardhjen për deklarata e akuza të ulëta, që shkojnë në drejtim krejt të kundërt me interesin e Xhisielës dhe të drejtësisë për të. Për ne drejtësia për vajzën është mbi gjithçka. Për ne ligji është mbi gjithkënd”, përfundon komunikata.

Please follow and like us: