Albspirit

Media/News/Publishing

Këngë helene nën shqipërimin e Arqile Garos

Sotia Tsotou: Vjen mbrëmja

 

 

Vjen mbrëmja përsëri, darka afrohet,

dhe ora ime vjen, ah! ajo orë…

kur mugëtirë e saj unifikohet,

me vranësinë e shpirtit tim të gjorë,

vjen mbrëmja…

 

Djalosh i natës unë përherë, agimin shoh si gjë pavlerë,

me zotërinjtë e dhjamur, me kazmirët.

Unë vetëm natën adhuroj tok me ata që dashuroj,

me fukarenjtë, të shtypurit,… të mirët.

 

Vjen mbrëmja përsëri, darka afrohet,

atëherë nis fishkëllej një melodi…

Si nëna, errësira më mbështjell tek shtohet,

një orë të tillë doja të vdisja, ç’ mrekulli,

vjen mbrëmja…

 

Djalosh i natës unë përherë, agimin shoh si gjë pavlerë,

me zotërinjtë e dhjamur, me kazmirët.

Unë vetëm natën adhuroj tok me ata që dashuroj,

me fukarenjtë, të shtypurit,… të mirët.

 

Vjen mbrëmja përsëri, darka afrohet,

dhe ora ime vjen, ah! ajo orë…

që mugëtirë e saj unifikohet,

me vranësinë e shpirtit tim të gjorë

vjen mbrëmja…

 

Shqipёroi: Arqile Garo, Janinё, dhjetor 2014.

 

 

Jannis Miliokas: Për të mirën time   

 

E pashë si bota para meje po rrënohej

dhe lagjen time në gërmadhë tek po shndërrohej,

për të mirën time.

 

Pemët ku kacaviresha fëmijë i masakruan,

mbi një kamjon ëndrrat e mia i ngarkuan,

për të mirën time.

 

Pashë dhe mësuesin tek egër po më rrihte,

duart e mia sakatuar nga goditjet,

nervat e shkreta hap pas hapi çakordohen,

tërë mirësi e ëmbëlsi më hakërrohen.

 

Veç se për mirë, veç për të mirën time,

derisa truri xheç lëvizi një thërime

dhe morri xhirro mprapsht në kokën time,

ndaj është pavioni numër shtatë adresa ime,

në qetësi duke kërkuar vetën time.

 

I pashë që prej kafshatës sime po kafshonin,

rrobat e vjetra m’i riqepnin, m’i shkurtonin,

veç për më mirë.

 

Pashë nënën time që vajtonte e deshpëruar

pashë plakun që u nis për në kurbet i gjunjëzuar

për të mirën time.

 

Pashë miqtë e mi tek bënin be rrufeje,

i pashë sa donin të shkëputesha prej teje,

të më zvarritnin për rajon që pa u gdhirë,

tek thoja vjershën, për tu dukur djalë i mirë.

 

Veç se për mirë, veç për të mirën time,

derisa truri xheç lëvizi një thërime

dhe morri xhirro mprapsht në kokën time,

ndaj është pavioni numër shtatë adresa ime,

në qetësi duke kërkuar vetën time.

 

Veç se për mirë, veç për të mirën time,

të akulluar trupi im dhe zemra ime,

gjilpëra, elektroshok e dru, veç se për mirë,

sot, një pranë meje dergjej vdekur, shtrirë,

ndërsa luftoj të gjej anën e mirë të vetës sime,

mbaj fshehur thikën veç se për të mirën time.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2014.

 

 

Kostas Tournas: Unë kam frikë nga njerëzimi

 

Jam bërë me hije nga ca njerëz

me buzëqeshje aristokrate.

Që lajkatojnë, hiqen mirëbërës,

me puthje, bëma e taksirate.

 

Jam bërë me hije ng’ ata njerëz

që mbrapa shpine zënë e llapin.

Rrëmbëjnë çfarë munden nga të tjerët,

e sidoqoftë, ta dredhin llafin.

 

Po s’ është gjynah, mëkat e krim,

që fatet tona ata drejtojnë?!

E nga i njerëzisë mjerim,

veç pasurohen e fitojnë?!

 

Jam bërë me hije nga ca njerëz

dhe më habit ç’ ka më rrethon.

Tek duhet koka vihen kembët,

e kush ka faj, bërtet, gjëmon.
Jam bërë me hije nga ca njerëz,

dhe janë ata, që na premtojnë.

Që ledhatojnë e shajnë pas derës

e pa pikë turpi na mashtrojnë.

 

Po s’ është gjynah, mëkat e krim,

që fatet tona ata  drejtojnë?!

E nga i njerëzve mjerim,

veç pasurohen e fitojnë?!

 

Nuk është gjynah, mëkat i rëndë,

që veç ata na rrinë mbi kokë?

Na hedhin prangat dorë e këmbë,

e një kacidhe  s’ lenë përtokë?!

 

I trembur jam nga njerëzimi,

i dua njërëzit por s’ gëzoj.

Oh! sa frikë kam nga njerëzimi

dhe kur më duan, nuk besoj.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, mars 2014.

 

 

Tasos Livadhitis: Shi në lagjen e fukarenjve

 

Sokak i ngushtë strukur në terr,

shtëpitë porsi thërrime,

tek bie shiu, lloh dhe erë

gjëmojnë në zemrën time.

 

Dynja e poshtër e pa besë,

plot derte dhe mundime,

e vockël  je, dot nuk e nxë

dufin gjithë ngashërime.

 

Fatkeqësi pa numërim,

mbi kokë të derëziut,

e ikin ditët me gulçim,

porsi rrëketë e shiut.

 

Shqipёroi: Arqile Garo, Janinё, nëntor 2014.

 

 

Ilias Lymberopoulos: Se Kythirat nuk kemi për t’i gjetur

 

Valës së bregut tek po pret

vër dorën strehë nën qiell,

merr edhe mbush një grusht me det,

merr dhe një grusht me diell

 

dhe më fresko fytyrën

dhe më fresko fytyrën.

 

Se Kythirat, ne s’ kemi për t’ i gjetur,

anij’ e linjës shkoi e dot  s’ e zumë.

Në dallgët e Egjeut të mbështetur,

dy dallgë që veç u tretëm, Ti dhe Unë.

 

Shqipёroi: Arqile Garo. Janinё, nëntor 2014.

 

 

Alqis Alqaios: Roza

 

Me buzë të tharë nga etja edhe mundimi,

gërmoj asfaltin për të gjetur ujë,

kalojnë pranë nesh kamionë e bie nata

por ti më thua se po vjen shtërngata,

dhe më tërheq në kabare plot bujë.

 

Të njëjten rrugë ne zgjodhëm për të ikur,

ndërsa qelitë mes nesh, i kemi ndarë,

në një qytet magjik po qarkullojmë,

nuk dua më t’ ja di se nga po shkojmë,

mjaftojnë dy puthje veç nga ty të marr.

 

Më luan në ruletë e ikën tutje,

si një përallë që kthehet në skëterë,

dhe zëri im porsi piskamë viktime,

një bimë që kacaviret jeta ime,

që ti e pret dhe bie në humnerë.

 

Se si një hall në histori shndërrohet,

dhe historia heshtje që rrënkon,

pse më shikon ti Roza të hutuar,

më fal e dashur ende s’ kam kuptuar,

që shifrat dhe kompiuterat diç thonë.

 

Ti dashuri prej squfuri e qymyri,

si mundi koha të të shfytyrojë,

kalojnë mbi ne kamionët sa vjen nata,

i lodhur nëpër mjegull e shtërngata,

shtrihem pranë teje pa vënë bukë në gojë.

 

Se si një hall në histori shndërrohet,

dhe historia heshtje që rrënkon,

pse më shikon ti Roza të hutuar,

më fal e dashur ende s’ kam kuptuar,

që shifrat dhe kompiuterat diç thonë.

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, dhjetor 2012.

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: