Albspirit

Media/News/Publishing

Nardi Olli:  Të dalim një orë e më parë nga ky tmerr pa fund që na rrethon

Prej disa ditësh ndjek reagimet e miqëve apo kolegëve gazetarë, ku jo rrallë herë konstatojnë habi për mosreagimin apo dhe reagimin absurd të KM dhe funksionarëve e instancave të tjera shtetërore. Të nderur miq, nuk besoj se ka ndonjë çudi këtu. Kjo ngjarje tragjike ka rizbuluar se sa i kriminalizuar është pushteti rilindist, e për rrjedhojë edhe qelizat e shtetit. Nuhu mund të ketë mijëra kusure, por do të ketë gjithmonë meritën e madhe së pari se bëri publik një krim të shëmtuar dhe së dyti që riprovoi nivelin absolut të pushtetit kriminal. Dhe dikush priste që KM të reagonte ndryshe?! Po pse? A nuk është ai arkitekti kryesor i këtij pushteti kriminal dhe mbushjes së parlamentit me ligjvënës që kanë problemet më të mëdha me ligjin?! Kaq shpejt u harruan bëmat e KM me gratë e jetës së tij, ku dhuna e skandalet nuk kanë të sosur! Ku qëndron habia këtu?! Ka një shprehje që thotë se institucioni (privat e shtetëror qoftë) reflekton profilin e individit që e drejton. Rama drejton shtetin, i cili reflekton fytyrën dhe profilin real të Ramës dhe individëve dhe interesave që ai përfaqëson. Pse ajo gjuhë e rëndë si në rastin Zagani apo atë Nuhu?! Është i thjeshtë ata nuk ekspozuan ca skandale që i prishnin imazhin qeverisë, ata zbuluan thelbin kriminal të këtij pushteti dhe prekën gjymtyrë të “dobishme” të tij. E kjo përbën “krim” shumë të madh pasi të nxjerr zbuluar dhe tremb ushtarët e krimit, të cilët kuptojnë se KM nuk të mbron 100% në çdo rast. Dhe si në çdo organizatë kriminale po u vu në dyshim forca e kapos, vihet në dyshim lidershipi i tij. E Rama e di shumë mirë këtë fakt, e prandaj shkumëzon jashtë çdo kontrolli për këtë “gjëmë”. E kur e keqja plas ashtu si qelbi plagës së gangrenizuar fillojnë sulmet e dirigjuara dhe të mirë orkestrura se denoncuesit janë të korruptuar, tradhëtare, mëkatarë të paparë. Fushatat denigruese e kërcënuese, si sjellje tipike e diktaturave, në thelb nuk synojnë aktorët e momentit por aktorë të tjerë, denoncues potencialë të cilët duhet ta dinë mirë se çfarë i pret. Dhuna barbare ndaj gazetarëve është po në funksion të kësaj. Dhe kur ky kërcënim apo dënim me vdekje u bëhet ballazi gazetarëve, nëpunësve të shtetit, punonjësve të policisë imagjinoni se çfarë e pret një qytetar të thjshtë nëse mendon të denoncojë krimet e pafund që ndodhin. Kam dëgjuar apo kam lexuar opinione, të cilat na krahasojnë me Italinë e viteve ’80. Në gjykimin tim modest jemi larg atij modeli. Në Italinë e aso kohe Mafia ishte në ndihmë dhe vartëse e segmenteve të politikës italiane, ndërsa këtu tek ne Mafia është në pushtet dhe ka venë përfund shtetin. E njëtja histori edhe me pseudo-oligarkët të cilët janë vartës dhe lavatriçe të KM. E pa Ramën kjo nuk do të ishte e mundur….. Prandaj miq të nderuar, nuk ka pse bëjmë ta habiturin apo çuditurin, puna është të dalim një orë e më parë nga ky tmerr pa fund që na rrethon.

Please follow and like us: