Përvoja e huaj +16/Si erdhi në Shqipëri ‘rregullorja e kurvërisë’ së Sarajevës?
Dorela Paci
Në Shqipëri prostitucioni filloi të përhapej pas vitit 1922 si i ligjëruar. Shembulli u mor nga një “rregullore e kurvërisë”, që përdorej në rrethin e Sarajevës. Duke marrë një pjesë të mirë të rregullave dhe hilet e zanatit nga ai vend, ky profesion u pa si një profesion fitimprurës nga ata që arrinin të merrnin licencën për hapjen e shtëpive publike. Licencë nuk duhej të merrnin vetëm pronarët, por edhe femrat të cilat kërkonin të kryenin këtë punë. Një pjesë e mirë e femrave publike ishin gra të martuara shqiptare edhe të huaja. Ky biznes nisi në bazë të një modeli, por nuk do kalonte shumë kohë nga dita kur rregullorja nuk do të zbatohej sipas shembullit të saj. Ata më të vjetrit thonë se prostitutat kanë qenë femrat me të bukura të kohës dhe “mbi të gjitha leshverdha”.
Prostitucioni, i cili filloi të lulëzojë bashkë me shtetin shqiptar për më shumë se 25 vjet u bë ndër më fitimprurësit për arkën e shtetit dhe profesioni më i përfolur nga të gjithë. Prostitucioni fillimisht filloi të ushtrohej në Shqipëri nga femrat e huaja siç ishin ato malazezet, italianet, gjermanet. Nuk është se këto femra u gjendën rastësisht në vendin tonë. Një pjesë e mirë e tyre erdhi bashkë me ushtritë, të cilat erdhën në Shqipëri kryesisht gjatë Luftës së Parë Botërore apo edhe më vonë. Ka shumë njerëz që akoma nuk e kanë të qartë se cila ka qenë kombësia e këtyre femrave dhe shpesh shtrohet pyetja nëse këto femra kanë qenë të huaja apo shqiptare?
Nëse shikon dokumentet e Ministrisë së Brendshme, të bashkive, prefekturave të rretheve të ndryshme të Shqipërisë, vihet re se femrat publike kanë qenë të kombësive të ndryshme. Siç shkruhet, numri më i madh i femrave kanë qenë të huaja, pa munguar dhe ato shqiptare. Megjithëse ka dhe nga ata që duan të besojnë se në ato shtëpi publike ka pasur vetëm femra me kombësi të huaj, një pjesë e mirë e grave që shërbenin në këto shtëpi ishin vendase. Për ketë arsye nuk lejohet as publikimi i emrave të tyre, pasi sot një pjesë e tyre mund të kenë të afërm. Kjo nuk është çudi, pasi shumë nga femrat publike ranë në dashuri dhe u martuan.
Sipas arkivave, tregohet qartë se ka pasur një pjesë të mirë të grave publike që lidhën jetën edhe me klientët e tyre apo me meshkujt që punonin aty pranë shtëpive publike, në bazë të një rregulloreje, e cila i lejonte femrat publike të nisnin jetën e tyre të re, larg prostitucionit.
Të huajat
Nga dokumentet në arkiva rezulton se prostitucionin në Shqipëri nuk e kanë ushtruar vetëm italianet, gjermanet, malazezet, por dhe një numër shqiptaresh edhe pse në një qarkore që ministri i Punëve të Brendshme, Qamil Papa, i dërgonte Prefekturës së Tiranës e bën me dije se pjesa më e madhe e prostitutave janë të huaja “shumica e personave në vendin tonë janë të huaja” dhe për këtë arsye ai kërkonte kujdes maksimal nga ana e ministrisë për kujdesin dhe vizitat e këtyre femrave. “Vizitimi i tyne ka nji randsi shumë të madhe nga pikëpamja e ndalimit të përhapjes së sëmundjeve veneriane, sepse një pjesë e tyne kur takson të vizitohet nuk u bahet nji vizitim shembullor”.
Këto janë fakte që tregojnë qartë se numri më i madh ka qenë i femrave të huaja dhe për këtë arsye dhe përkujdesi do ishte më i madh. Problem për të gjitha strukturat përkatëse nuk ishte fakti i prostitutave të mbledhura në shtëpi publike apo në garsoniere, siç quheshin atëherë, por problemin më të madhe e hasin tek femrat që ishin shpërndarë anekënd Shqipërisë, duke mos pasur mundësi kontrollimi nga mjekët. Meqenëse pjesa më e madhe e prostitutave kishin ardhur me ushtritë të cilat erdhën në vendin tonë, kjo i vinte organet kompetente në vështirësi të shumta për numërimin dhe kontrollimin e tyre. Prandaj dhe masat që merreshin ishin më të rrepta për prostitutat e huaja. Në të gjitha rregullat që bashkia vendoste një pjesë të mirë të tyre ua kushtonte këtyre femrave të cilat nuk ishin shqiptare.
“Të gjitha gratë publike që ushtrojnë çiltazi (hapur) profesionin e kurvënies qofshin të huaja ose shqiptare, pa asnji përjashtim të detyrohen me nji herë me u mbledhe dhe më qëndrue në mënyrë përmanente në këtë ose këto ndërtesa”.
Ky ishte një nga rregullat që Këshilli Bashkiak vendosi me datën 26.07. 1935 për femrat publike të huaja apo shqiptare qofshin ato. Asnjë femër publike që ushtronte këtë profesion nuk lejohej t’i jepej një leje banimi për të jetuar në një shtëpi të sajën, por vetëm brenda shtëpisë publike. Ky rregull cenonte më së shumti femrat e ardhura se ato shqiptare, mbi të gjitha “përkëdhelte” femrat publike të cilat ishin nga Tirana, pasi ato ndryshe nga femrat e tjera mund të gjenin strehim nëpërmjet të afërme të tyre. “Të mos i lejohet leje banimi as nji kurve në Tiranë për me banu jashtë shtëpive publike”.
Ky rregull tregon më se qartë masat e marra për vendin ku ato banonin. Kjo nuk bëhej vetëm për arsyet e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, por në mënyrë që edhe ato mos të kishin mundësi ta ushtronin profesionin rrugëve, pasi një pjesë e mirë e fitimeve shkonte siç dihej në arkën e shtetit. Të gjitha gratë të cilat nuk pranonin t’i nënshtroheshin vizitës mjekësore në mbarë viset e mbretërisë shqiptare, ose nuk pranonin të mblidheshin në shtëpitë publike përkatëse, merrej masa e menjëhershme për largimin e tyre nga Shqipëria drejt vendlindjes se tyre.
Pjesa më e madhe e femrave publike të cilat vinin nga jashtë më së shumti e ushtronin profesionin e tyre fshehurazi nëpër magazina, bare e kafene. Numri i këtyre femrave që ushtronin profesionin në këtë mënyre nuk ishte i pakët dhe ky përbente një rrezik të madh për sëmundjen e sifilizit dhe shumë sëmundjeve të tjera ngjitëse, pasi të gjitha këto vepronin jashtë të gjitha rregullave dhe kontrolleve mjekësore. Duke parë që në të gjitha dokumentet rregulloret posaçërisht niseshin për t’u bërë për femrat publike të huaja, pasi ato ishin dhe me problematiket. Aty kupton qartë që numri më i madh i femrave publike ka qenë i huaj. “Jemi të mendimit që gratë prostituta që nuk i shtrohen vizitës mjekësore të internohen në vende të tjera tue u largue në ketë mënyrë nga kryeqyteti.
Këtë dispozitë rregullorja e vjetër e parashef vetëm për prostitutat e huaja. Por edhe po të aplikohet për vendaset do të jetë mjaft e dobishme”, kjo ishte një letër tjetër që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Abidin Nepravishta, i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qarkoret dhe rregullat ishin shumë të prera dhe asgjë nuk i kthente më mbrapsht. Nëse këto femra nuk do i bindeshin urdhrave, ato menjëherë largoheshin nga vendi ku ushtronin profesionin drejt vendlindjes apo jashtë Shqipërisë, andej nga edhe kishin ardhur, për asnjë lloj arsyeje apo justifikimi ato nuk lejoheshin të rrinin në vendin ku e ushtronin prostitucionin fshehurazi. Duke qenë se femrat të cilat ushtronin profesionin jashtë shtëpisë publike punonin vetëm për hesap të tyre dhe pa shtuar as një qindarkë në buxhetin e shtetit. Gjithashtu edhe pronarët e bordellove kanë qenë karshi të huajve, edhe shqiptarët.
Shtëpia më e suksesshme publike në kryeqytet ka qenë pronë e një italiani, i cili kishte ardhur në Shqipëri. Sa vihet re në arkivat e shtetit, tek ju hedh një sy emrave të prostitutave, vihet re një numër i madh femrash shqiptare që ushtronin profesionin e prostitutës. Sidoqoftë kjo nuk para pranohej hapur në atë kohë.
Për herë të parë ekzistencën e prostitucionit e përmendi Migjeni, ndërsa ai cilësohej si tabu. E kush mund ta mendojë se sot në vendet më të populluara e më të frekuentuara ka pasur shtëpi publike?! Ndër lagjet më të përfolura sipas dokumenteve të prefekturës, bashkisë e komisariatit të policisë në vitin 1934, kanë qenë “Zogu i Zi”, “Bërraka”, sot lagjja në fund të bulevardit “Zogu i Parë”, “Shallvaret” e shumë të tjera. Duke qenë se këto ishin vende të populluara, në bashkinë dhe në prefekturën e Tiranës paraqiteshin shumë kërkesa për largimin e tyre nga ato vende dhe mbledhjen e të gjitha grave publike në një shtëpi të madhe. Ishte koha kur zyrtarët e lartë të kryeqytetit ishin në panik nga një “epidemi” sifilizi e sëmundjesh të tjera veneriane. Duke qenë se nuk kishte shtëpi të stacionuara dhe mjaft prej atyre që quheshin femra publike punonin të përhapura në zonat e banimit, rrezikohej dhe përhapja e sëmundjeve tek njerëzit e tjerë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës në vitin 1934 Abidin Nepravishta i dërgon një shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme ku e njofton se, në rrethin e Tiranës më shumë se 50 për qind e “grave publike” nuk shkonin te mjeku. “Kemi nderin të ju përsërisim se tue qenë se numri i grave publike që ushtrojnë profesionin e tyne këtu, kalon qindindhe ato të njoftuana prej Zyrës së Shëndetësisë, bashkisë janë ma se 50 (pesëdhjetë) vetëm nja 10-15 paraqiten për vizitim e natyrisht të tjerat si të sëmura e të mjekueme që janë, po përhapin sëmundje të rrezikshme, veçanërisht midis djalërisë. Për me detyrue së pakut ato të njoftunat prej organeve të Bashkisë për me ju shtrue vizitave të rregullshme mjafton t’aplikohen ndëshkimet gjobuese të përparme në Ligjin e rie të Bashkive, në kompetencen e Këshillave Bashkiakë. Megjithëkëtë, një mungesë të nji rregulloreje të posaçme për prostitutat. Lutemi në këtë rast na ndihmoni aplikimin e gjobave që parashihen në Ligjin e Bashkive kundrejt personave që shkelin urdhnat e Bashkive të dhanuna për nevojat e shëndetësisë publike”.
Ky ishte shqetësimi që kryetari i bashkisë i paraqiste Ministrit të Brendshëm, duke i kërkuar atij që të vendoste menjëherë rregulloren dhe ligjet për femrat që e ushtronin prostitucionin rrugëve dhe të atyre që nuk pranoni të vizitoheshin te mjeku. Rreziku ishte i madh. Mjekët kishin identifikuar një numër në rritje të djemve me sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe kjo kishte vënë në alarm zyrtarët lokalë. Për të gjitha këto shkelje kryebashkiaku iu lutej që t’i lejonin të aplikohej masa e gjobave të cilat përfshiheshin në ligjin e bashkisë, kundër personave që shkelnin urdhrin e bashkisë, e cila kishte dhënë për nevojat e shëndetësisë publike.
Një tjetër ankesë për shtëpitë publike në mes të Tiranës do vinte dhe nga Komisariati i Policisë drejt Prefekturës të Tiranës. Ku në shkresën e saj ajo bënte dhe njëherë me dije se në qytet gjendeshin dy bordello, të cilat ishin me dhoma të pakta dhe jo të përshtatshme për bordello. Sipas kësaj, ata kishin dhënë shkak që “gratë publike të hapeshin sa nga njëra ana sa nga ana tjetër, duke banuar midis lagjeve të cilat ishin të mbushura me familje me emër, të cilat nuk kishin se si mos të ankoheshin për prezencën e prostitutave në lagjet e tyre. Ankimet e tyre po bëheshin herë pas herë për lagjet “Bërrakë” dhe “Shallvare”. Për këtë arsye prefektura duhej të merrte masa me qëllimin që nga njëra anë të shmangnin ankesat nga qytetarët dhe nga ana tjetër të kishin mundësi t’i mbronin nga sëmundjet ngjitëse, që mund të përhapeshin prej tyre. Por prapë se prapë kjo deri diku ishte e pamundur pasi gratë publike e ndërronin shpesh banimin e tyre. Në këtë mënyrë, atyre nuk u mbetej shumë kohë dhe raste për gjurmimin e grave që ishin të asaj rrugë. Bordellot tashmë ishin bërë një problem shqetësues për familjet që jetonin për rreth, pasi frika sa vinte e ju shtohej nga dita ne ditë dhe për ketë bashkia duhej të merrte masa urgjente për rregullimin e situatës.
Çështja e sëmundjeve ngjitëse po bëhej e rëndësishme, prandaj duhej t’i kushtohej një rëndësi e posaçme nga pikëpamja e shëndetit të njerëzve. Për këtë arsye “komiseria e policisë” (komisariati) e shikonte të udhës që prefektura të urdhëronte bashkinë për të hyrë ajo në marrëveshje me njerëzit, të cilët mund të bënin rregullimin e bordellove. Në këtë mënyrë të ndërtohej një ndërtesë e madhe e cila të mblidhte të gjitha femrat që ushtronin profesionin e prostitutës aty. Kjo ndërtesë do bëhej për arsye se këto femra kishin më shumë nevojë për kushte të tjera në bazë të rregullores. Për shkak të profesionit që ushtronin duhet te ishin më të mbrojtura dhe mos të jetonin me në ato kushte të mëparshme. Për veç këtyre, ai person që do të merrte përsipër rregullimin e grave ne bordello, duhej t’i vini dhe atij ca kushte në mënyrë që të kuptonte dhe të zbatonte pikë për pikë sipas rregullores mbi rregullimin e grave, në mënyrë që këtyre grave t’ju siguroheshin të gjitha të drejtat për të cilat fliste rregullorja, duke përfshirë të ngrënin, të pirin, mirë pastrimin e sidomos për sa u përkiste të drejtave që drejtorët e bordellove merrnin të ardhurat e vizitave të grave, e cila deri në atë ditë ishte shpërdoruar nga rojtarët e bordellove. Deri kur u bë kjo kërkesë pranë prefekturës përgjegjësit e bordellove kishin ndarë përfitimet përgjysmë, duke përfituar nga të ardhurat e femrave dhe i kishin lënë ata në një gjendje të mjerueshme. Kjo ishte dhe arsyeja që i bënte gratë të dilnin nga bordellot dhe ta ushtronin profesionin rrugëve, duke përhapur dhe shumë sëmundje ngjitëse e mbi të gjitha sëmundjen e sifilizit, e cila ishte shumë shqetësuese për banoret e tjerë të ndershme dhe për këtë arsye duhej të merreshin masa të rrepta që rregullorja të zbatohej ashtu siç ishte shkruar në licencë.
Prostitucioni në Shqipëri, si funksiononte dhe sa i përhapur ishte
Dikur qytetet më të mëdha të Shqipërisë si Tirana, Shkodra, Durrësi, Gjirokastra, Korça, apo edhe vendet e vogla si, Kavaja dhe Puka,kishin shtëpitë publike të tyre. Këto për një pjesë të mirë tënjerëzve nuk ishin problem, por kishte dhe një pjesë tjetër që nukmund ta duronte dot faktin që pranë shtëpisë së tyre të banonin ato që zyrtarisht njiheshin si “femra publike”. “standard” fillon botimin e një numri dosierësh mbi historinë e atyre që quheshin “femra publike” dhe problemet që kishin ato. Kanë kaluar mbi 67 vite nga ndalimi i ushtrimit të prostitucionit në Shqipëri, njerëzit ndoshta e kanë harruar, por ka edhe nga ata mosbesuesit të cilët nuk e besojnë se Tirana në ’34, ka pasur dy shtëpi publike, madje edhe lagje ku vepronin “femrat publike” si “Bërraka” e “Shallvaret”. E çuditshmja ndodh kur hyn dhe gërmon brenda arkivit të shtetit, pavarësisht se një pjesë të mirë të dosjeve të “zeza” është e pamundur që t’ju hedhësh të paktën një sy. Në to ka emra femrash pafund, emra vendesh, pronarësh lokalesh dhe mjekësh të cilët janë kujdesur për “femrat publike”.
Përshtypje në ato dokumente të bëjnë shumë gjëra, po e veçanta ndoshta edhe e çuditshmja qëndron në faktin se këto femra kanë pasur vëmendje nga pushteti lokal i Mbretërisë Shqiptare. Çdo femër e pabindur karshi urdhrave mjekësore gjobitej me të holla, masa me burg deri dhe në heqjen e të drejtës për të ushtruar këtë profesion. Femrat të cilat kapeshin duke e ushtruar profesionin më të vjetër në botë rrugëve, merreshin më forcë dhe dërgoheshin në shtëpitë publike. Për këto prostituta nuk vihej vetëm rregullorja se ku do e ushtronin profesionin, por dhe vendi i tyre i banimit. Asnjë pronar bordelloje nuk mund t’i shfrytëzonte këto femra, çdo fitim ndahej në mënyrë të barabartë mes pronarit dhe femrës. Që në vitin 1922 kur ky profesion filloi të ligjërohej, por edhe deri në fund të viteve ’30 ishte vënë në fuqi vizita e detyrueshme të mjeku, pasi në vizitat e tyre të para pjesa më e madhe e femrave dilnin me sifiliz, diçka që ishte shumë e rrezikshme dhe vendi kërcënohej të përfshihej nga kjo sëmundje. Për këtë arsye vizita të mjeku u vu me detyrim dhe asnjë femër nuk mund ta shkelte këtë rregullore, në të kundërt masat që merreshin nuk ishin vetëm pagimi i gjobës në të holla por dhe më shumë se aq, deri duke i përzënë nga “vendi i punës” dhe nga prefektura ku ato ushtronin profesionin.
Shpesh shtrohet pyetja nëse këto femra kanë qenë të huaja apo shqiptare, megjithëse ka dhe nga ata që duan të besojnë se në ato shtëpi publike ka pasur vetëm femra me kombësi të huaj, por kjo nuk mund të jetë aspak e vërtetë. Prostitucionin në Shqipëri nuk e kanë ushtruar vetëm italianët, gjermanët, malazezët, por dhe një numër i madh femrash shqiptare. Gjithashtu edhe pronarët e bordellove kanë qenë karshi të huajve edhe shqiptarët. Për shumë kohë vihet re se pronarët e shtëpive publike kanë qenë meshkujt, por ky rregull filloi të ndryshoje. Për të hapur bordello në gjykate filluan të bëheshin kërkesa edhe nga femrat të cilat donin të hapnin shtëpitë publike. Femrat që bënin kërkese kryesisht ishin ato femra, të cilat këtë profesion e kishin ushtruar dhe vete. Ndoshta duke e parë si një mënyrë të mirë fitimprurëse, filluan të mendonin se pse jo mos të ishin dhe ato pronare. Për hir të së vërtetës duhet thënë se ato e njihnin më mirë hilet e këtij zanati.