Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Vasilis Michailidhis nën shqipërimin e Arqile Garos

LARG TEJE

 

 

Që kur ika larg prej teje, q’ atë ditë që jam mërguar,

sytë e mi që nuk të shonë, pëllumbesha ime e shkruar,

nuk m’u mbyllën asnjë çast, gjumë i shkretë nuk iu afrua,

veç kërkojnë gjithkund plot mall bukurinë,  hiret e tua.

 

Por nuk gjenden ato bashkë, shpirt i ëmbël, i bekuar,

pse tek ti gjithë bujari zoti vetë i ka  blatuar.

 

Porsi kënga e bilbilit zëri yt më la pa mënd,

dhe si bardhësi e borës mrekulli e shpirtit tënd˙

në agimin larë në ar dallgëzojnë flokët e tua,

dhe në qiellin blerosh ngjyrë e syve që unë dua.

 

Më kujton vështrimin tënd vezullim’ i zbehtë i hënës,

thellësi e oqeanit ngjan me thellësinë e zemrës.

Veç të gjitha tok të bien në çdo çast përpara meje,

kur më vë buzën në gaz si hyjneshë zbritur prej reje.

 

Po kur zgjohem vi në vete shoh zhgënjimin ku kam rënë,

sepse marr për bukuri grimca bukurish n’ arenë,

e më vjen të zë të çmendem se larg teje qysh duroj,

a të marr vrull e të nisem e drejt teje të vrapoj?

 

E at’ here në më lënte, të më lër e shkreta mënde,

sy e zemër siç janë njësh, më lënçin në dorën tënde!

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, korrik 2015.

 

AJO

 

 

O zot, sa lezet, ç’ bukuri hyjnore!

ç’ e dallon ndër shoqe rrugës kur kalon.

Mes turmës së mjerë krijesë qiellore,

flladin vajzëror tërë gaz rrezaton.

 

Ajo nis e flet, muzikë ëngjëllore

ndihet, edhe zemra rreh me ngashërim.

Ajo nis hedh hapin, ti mendon se: “prore

me flatra të arta ngrihet fluturim”.

 

Të duket se mban shpatë të flakëruar,

me urdhër së larti jetën e sfidon,

flamurin e Zotit shpalosur në duar

dhe çdo vdekëtar drejt lavdisë e çon.

 

Tek sheh ato hire mbetesh mrekulluar,

syrin, mendjen, trupin, seç t’ i skllavëron .

Të thotë shpirti yt: shko i gjunjëzuar,

shpirti po të lutet, falje të kërkon.

 

Kur më hedh vështrimin, zemra më tërbohet,

më qëtohen plagët ndën atë balsam.

Duket se në shekuj jeta më zgjatohet,

duket se mbi tokë i pavdekshëm jam.

 

Më duket se qiejt, retë, i kam zaptuar,

veten e përqas veç me perëndinë.

Çaj dallgët e detit, kapiten i shquar,

harroj Zotin vetë, botën, njerëzinë.

 

Duket se m’ ofron dhuratë qiellore,

dhuratën hyjnore heshtaz ma blaton.

Më çon në sallone hyjnish, madhështore,

hap dyert e rënda e të hyj më fton.

 

Dehet truri im, gjen shpirtin e dehur,

veç një zë përbrënda nuk më lë në baltë.

“Vashë, atë vështrim mos ma mbaj të fshehur

dhe në qënka vdekja, është e ëmbël mjaltë”.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shtator 2014.

 

 

Please follow and like us: