Poezia e Stavros Stavropoulos nën shqipërimin e Arqile Garos
Në atë vështrim gjithçka ishte e gabuar
Në atë vçshtrim gjithçka ishte e gabuar – gjë që kurrë nuk e dalluan
Rei Çarlsi ose Borhesi· një qiri flakërues që po vjetërohej,
duke zbritur me ngadalë të tanishmën e kohës. E dëgjova tek po binte
si krisem dhe një çast më vonë të fryjë tymin e tytës së saj.
Dikush qe vrarë dhe unë uroja që të mos isha unë.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shkurt 2013.
Gjer në vdekje
Nuk arrita të jetoj
Por të paktën
Do arrij të vdes i gjallë
Jo i vdekur
Gjithmonë kam patur aftësinë
Të veçoja
Që kur isha në shkollë
-I vogël sa një guralec-
Të gjallët nga të vdekurit
Zaten unë
Gjithmonë e kam dashur
Jetën
Gjer në vdekje.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shkurt 2013.
Fytyra jote një hije
Le t’i shkallmojmë kufijtë e hapësirës
Dhe të kohës ku jetojmë
Të sulemi përtej fantazisë së jetës
Të orjentojmë lumturinë tonë
Në konceptimin thelbësor të natyrës
Lulja e ndarë në katërsh
Kullon gjak
Integron dashurinë
Duke mbarsur femrën sublime.
Çdo natë
Aroma ekzotike e kërthizës tënde
Më flak tutje në sekuenca bardhë e zi
Në lokale nate fantastike
Rikompozoj konstruksionin e planetit
Siç e percepton vorbulla e ndjenjave të mia
I kundërvihem gjthçkaje që përfshin
Antena bipolare e personazheve dhe e objekteve
Si meteor endem përmbi personazhet e objektet
Dhe mohoj ç’ ka nuk është iluzion.
Gjaku im i befasuar mblidhet
Në pikënisjen e re
Poshtë e më poshtë në kokën e karrit tim
I tërbuar dorëzohem në tkurrjen tënde epshore
Të çmendur
Nënë universale
Si trendafil i bardhë çel mes kofshëve të tua
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, mars 2013.
Aksident
Lulëkuqet sapo kishin ngritur krye,
Ngjyenin fustanin tënd të shkurtër lart gjer në qafë.
Retë thurnin diçka në formë kurore.
Dikush thirri ndihmën e shpejtë.
Nuk ka ndonjë dashuri këtu rrotull,
Ja, hidh edhe vetë një sy,
Ka kaq shumë gjëra akoma që duhet të mësosh
Për aksidentet dashurore,
I thashë personit me bluzë të bardhë
Që kërkonte me ngulm viktimën,
E u largova.
Braktisa të dashurën time të shtrirë në asfalt.
Tek digjej nga pasioni jashtë kontrollit,
O ndonjë tjetër lloj hemorragjie.
Asnjë i vdekur,
As i dëmtuar qoftë edhe lehtë.
Hodha një firmë të shpejtë,
Në librin e zi të aksidenteve.
Tek polici i ngjallmë me fytyrë të kuqe
Dhe pranga në sy.
Njerëzit dalëngadalë u rralluan.
Pas pak ndihej vetëm gjurmë e jehonës
Që zërat e tyre ma binin në veshë.
Përplasja ishte një faqe romani,
Inekzistente.
Hodha prapë sytë nga rruga e zbrazët,
Nga dielli që po zhdukej prapa malit,
Hëna nuk po shihte asgjë.
E dashura ime u ngrit,
Shkundi rrobat e grisura,
Ranë copëzat e ëndrrës.
I putha faqen e plagosur,
Dhe u nisëm drejt jugut.
Më hodhi dorën mbi supin e majtë,
Trupat tanë digjeshin mbi motor.
Dhe deti ishte akoma larg
Si letër nga koha e fëmijërisë.
Gjërat më të bukura në jetë
Janë të paperceptueshme për më të shumtët,
I thashë i verbuar nga dashuria.
Shkojmë tani të gëlltisim,
Pjesën e mbetur të mrekullive.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, prill 2013