RESHAT KRIPA, LINIDITA KOMANI DHE MARJANA BULKU PËR LIBRIN ”DEMOKRACIA NUK PRET”
RESHAT KRIPA: DEMOKRACIA NUK PRET
Në sallën “Antigonea” të hotel Rognerit, u zhvillua ceremonia e promovimit të tre volumeve të librit “Demokracia nuk pret”, të autorit të shquar të diasporës shqiptare të djeshme dhe të sotshme, të nderuarit Frank Shkreli, botuar me nismën e drejtuesit të gazetës “Telegraf”, Agim Çiraku. Ceremonia u zhvillua në prani të një publiku të zgjedhur, president, ish-president dhe kryeminister, ish-ministra, deputetë, funksionarë të institucioneve të ndryshme. dhe përfaqësues të tjerë të inteligjencës shqiptare U fol për vlerat e librave dhe mesazhin që përcjellin, duke i çmuar ato. Frank Shkreli, lindur në fshatin me të njëjtin emër më 1969, emigruar në Itali dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arsimuar pranë George Washington University (Washington CD), Drejtor për Euro-Azinë dhe Shefi i Shërbimit Shqip të VOA-s, USIA (Information Agensy), Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikanë në vitet 2005-2007, fitues i dekoratës “Thomas Jefferson Fellowship Award”, dhënë nga USIA dhe fitues i titullit “Qytetar Nderi” i komunës së Shkrelit, Malësi i Madhe, i paraqitet publikut, në atdheun e tij, me një vepër dinjitoze, e cila duhet të shërbejë si busull për çdo shqipëtar që e do dhe mundohet për Shqipërinë.
Me figurën e zotit Frank Shkreli jam njohur kohë më parë, nëpërmjet shkrimeve të tij realisë në gazetën “Telegraf”, si dhe në mediat online si “Fjala e Lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Tribuna Shqiptare, “Dielli’ e plot të tjera. Nëpërmjet tyre krijova bindjen, se kemi të bëjmë me nje personalitet të shquar në fushat e politikës, analizave dhe komenteve, një personalitet në fushën e gazetarisë së vërtetë dhe mendoj se ky duhet të jetë një shembull edhe për gjithë gazetarët e Shqipërisë. Libri ka një titull kuptimplotë, ”Demokracia nuk pret”. Po mbushen njëzetetë vjet nga përmbysja e sistemit totalitar komunist. Duke lexuar librin para syve te del pyetja: “A është arritur demokracia e vërtetë?” Përgjigjen na e jep autori nëpërmjet artikujve të botuar. Demokracia nuk ka arritur dhe, ndoshta, nuk do të arrihet as edhe pas njëzetetë vite të tjera. Përse? Autori, edhe unë i mbështetur në konkluzionet e tij, nuk jam shumë optimist lidhur me këtë pyetje. Mentaliteti komunist, i ngulitur për dyzetegjashtë vjet rresht në ndërgjegjen e atyre që kanë marrë përsipër drejtimin e shtetit, nuk i lejon të shohin dritën që vjen nga vendet perëndimore dhe ta kthejnë Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë. Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli.
Në shkrimin e tij “Dëshpërim dhe vetëm dëshpërim”, botuar më datën 16 tetor 2015 autori konstaton:
“Pas 25 vitesh, ç’prej shembjes së komunizmit dhe ç’prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës që, me të drejtë, u prit me euforinë më të madhe nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund, sot shqiptarët ndihen të ligështuar materialisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjë herë më parë, si të vetmen alternativë për të dalë nga kjo situatë”.
Ndërsa më poshtë vijon:
“Dëshpërim nën komunizëm, dëshpërim nën sundimin sllav e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci. Kur do të marrë frymë lirisht shqiptari?”.
Për analogji të frazave të më sipërme, parasysh më del një shprehje e dramaturgut të njohur Uilljam Shekspir, nga tragjedia “Makbeth”:
“Atdhe i mjerë, trembet kur sheh veten!
E kishim nënë dhe na u bë varr,
ku s’qesh veç buza e ndonjë të marri
dhe ku s’ pyet kush se për kë bie kambana!”
Demokracia nuk pret, shkruan Franko Shkreli. Kur do të bjerë ajo kambanë që do ta zgjojë këtë popull? Kur shqipëtarët do të pushojnë së emigruari, duke ikur nga sytë këmbët, vetëm për një copë bukë sa për të mbajtur frymën? Me këtë ritëm, sipas disa të dhënave të publikuara në shtypin e ditës, në vitin 2030, Shqipëria nuk do të ketë më shumë se 800.000 banorë. Merrni mundimin dhe shkoni në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë. Për çdo ditë atje do të shikoni qindra qytetarë shqiptarë që kërkojnë të aplikojnë për punësim, sipas ofertës së qeverisë gjermane. Para syve më dalin edhe vargjet e një kënge popullore që thotë:
“Kurbeti, shokë kurbeti,
Kush vate edhe nuk mbeti!”
Dhe ne vërejmë me dhimbje, sipas Frank Shkrelit, se Shqipëria është vendi i dytë pas Sirisë ku, për shkak të kushteve që ekzistojnë, shqiptarët janë të detyruar të kërkojnë largimin nga atdheu.
Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli.
-Ajo nuk pret kapjen e pushtetit nga klanet mafioze.
-Ajo nuk pret që drejtuesit e shtetit dhe partive politike ndërsa, nga njera anë, nuk lenë më baltë pa hedhur mbi fantazmën komuniste, nga ana tjetër i shohim të punojnë po me ato metoda të së kaluarës. -Ajo nuk pret që nëpër rrugët e atdheut të dalin turma individësh, midis tyre edhe personalitete të vendit, me portretet e diktatorit të rrëzuar.
-Ajo nuk pret që në ekranet e nje pjese të televizorëve të shfaqen filma shqiptarë të periudhë së komunizmit, ku figurë qëndrore është diltatori apo ndjekësit e tij.
-Ajo nuk pret kur sheh se në vend ekzistojnë ende shumë simbole të asaj periudhe të errët, si ylli i kuq në varrezat e dëshmorëve, mozaiku i realizmit socialist në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, emrat e shumë drejtuesve të organeve të diktaturës nëpër rrugët dhe sheshet e vendit dhe plot e plot skandale të tilla në të gjithë vendin.
Çuditërisht, në këto çaste, nuk m’u ndakan aludimet me shprehje të personaliteteve të mëdhenj. Para syve më del shprehja e princ Hamletit drejtuar së ëmës, në tragjedinë me të njejtin titull të shkrimtarit të cituar më lart:
“O nënë, hidheni poshtë gjysmën e keqe të zemrës
dhe rroni me gjysmën tjetër më të mirë!”
Siç duket shqiptarëve të sipër përmendur nuk do t’u ketë mbetur asnjë gjysmë zemre e mirë. Është e natyrshme që çdokush të ketë një ide të caktuar, por kur sheh se ajo është e gabuar, e hedh poshtë dhe kërkon të gjejë të vërtetën. Por te ne mungon kurajo civile. Askush, që nga funksionari më i lartë i shtetit, dhe deri te biznesmenët që kanë arritur majat brenda njëzëtekatër orëve, nuk kërkon falje për të kaluarën e tij. Biri i një ushtari gjerman që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës, kërkoi falje në emër të atit të tij, kurse te ne, askush nuk e kryen një veprim të tillë dinjitoz. Demokracia nuk pret, shkruan Frank Shkreli. Atëherë kur do të bëhet Shqipëria një vend me demokraci të vërtetë. Një miku im më ka thënë se Shqipëria do të bëhet kur ta marrin në dorë bijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1990. Do të doja ta besoja një gjë të tillë, por dyshimi nuk më lejon. A do të arrihet? Të gjitha këto më dolën parasysh duke dëgjuar lektorët në ceremoninë e promovimit dhe tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta falënderoj zotin Shkreli për këtë pasuri të madhe letrare që na dhuroi.
Faleminderit i nderuar Frank Shkreli!
Lindita Komani: “DEMOKRACIA NUK PRET”
Demokracia nuk pret! Ky është mesazhi që përshkon publicistikën e Frank Shkrelit, përzgjedhur e përmbledhur në një botim me tre vëllime që mban po këtë titull.
Dhjetë vjet shkrime mbi problematika shqiptare të ditës, personalitete me rëndësi për botën shqiptare e amerikane, zhvillime në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe efektin e tyre mbi shqiptarët, viktimat e komunizmit dhe kujtesën për ta, për të sjellë një kontribut ndërtues dhe jo shkatërrues në një hapësirë të shqetësuar shoqërore-politike si ajo shqiptare.
Dhjetë vjet mendim kritik shpalosur në faqet e gazetës “Telegraf”, botuesi i së cilës, Agim Çiraku ishte edhe mundësuesi i këtij botimi libri, në kuadër të Vitit Jubilar të Gjergj Kastriot-Skënderbeut si dhe i aktivitetit përurues të tij sot, më 11 shtator në Tiranë. Me karrierë të gjatë të ngritur në një mjedis radiofonik si; gazetar, redaktor, shef i seksionit shqip, këshilltar i lartë programacioni në Drejtorinë Evropiane, zëvendësdrejtor për Bashkimin Sovjetik dhe drejtor i Drejtorisë Europiane në “Zërin e Amerikës”, Shkreli në këta dhjetë vitet e fundit ka ndërtuar një profil të spikatur edhe si analist në gazetarinë e shkruar, gjë që u vu në pah nga Besnik Mustafaj në fjalën e tij hapëse si profesionist i fjalës së shkruar. “Gazetaria e ngritur si një kauzë profesionale dhe thënia e së vërtetës përmes shkrimit”, janë tipari kyç i Shkrelit, i cili është “një gazetar i lirë së brendshmi, gjë e rrallë në kohët e sotme”, vlerësoi më tej Mustafaj. Për të Shkreli është një pasues dhe pasurues i traditës së nisur si një shkollë nga rilindësit e të ngritur edhe më tej nga vatranët, nga të cilët ka marrë e bërë të vetën, sidomos, aftësinë për ta parë çështjen shqiptare si një tërësi. Identifikues i problematikave që ka shoqëria shqiptare në Ballkan, tek ai vërehen edhe dy tipare të tjerë të rëndësishëm.
-Evokimi i historisë kryhet me qëllimin e shquarjes së një trashëgimie të dobishme, të përbashkët e gjithëshqiptare, trashëgimi e cila nuk ka veç vlera muzeale, por që është vitale dhe duhet të zhvillohet edhe më tej si e tillë.
-Pasuria dhe pastërtia e gjuhës është mbresëlënëse, veçanërisht duke pasur parasysh, se Shkreli është larguar fare i ri nga mjedisi amtar, trevat shqiptare në Mal të Zi (në kohën e largimit të tij bashkë me familjen – Jugosllavi). Në një kohë kur gazetaria moderne shqiptare vuan nga deformimi i gjuhës së shkruar për arsye ndikimi nga fjalët e huaja dhe nga zhvillimi i saj edhe nëpërmjet ndikimit të mediave sociale, gjuha e Shkrelit është një mësim për gazetarët e rinj. Të gjitha këto e pa hyrë në analizë më të thellë bëjnë që kjo ditë të jetë e shënuar e “të festohet si një rast gëzimi”, mbylli fjalën e tij Mustafaj.
Besimi në Zot, shërbimi për atdheun e të parëve, përpjekja konstante për të mbrojtur demokracinë liberale amerikane dhe përpjekja për të luftuar murtajën komuniste në Shqipëri, janë tiparet kryesore të veprës së Shkrelit, shkruan Sami Repishti me rastin e këtij botimi. “Njerëz si Shkreli na sjellin në mend vargjet e Nolit “Mbahu nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë“”, u shpreh Simon Mirakaj në fjalën e tij. “Demokracia ka nevojë për edukim të vazhdueshëm” dhe shkrimet e Shkrelit shërbejnë plotësisht në këtë drejtim, sidomos në një kohë kur “kompjuterkracia mund të na zëvendësojë demokracinë, me platforma digjitale ku ne kemi vetëm të drejtë të qajmë hallet tona, por nuk marrim pjesë si vendimmarrës”, tha Zamira Çavo në fjalën e saj. Pavarësisht vështirësive me të cilat ndeshemi sot si shqiptarë, e duke kuptuar që “Pranvera Shqiptare nuk ka çelur ende lulet për të cilat prisnim dikur”, mesazhet e shkrimeve kanë qenë gjithmonë “larg përçarjeve të momentit, në frymën e dialogut, duke ngritur virtytet e kombit shqiptar”, plotësoi vetë Shkreli ndërhyrjet e përshtypjet nga lexuesit e njohësit e punës së tij publicistike. Ndonëse mund të duket ndryshe, “dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën. Ai do ta udhëheqë kombin në rrethana të reja në të cilat kombi do të dalë ngadhënjyes mbi gjithë sfidat”. Duke iu referuar në mbyllje Kadaresë, ai u shpreh se figura ndriçuese si; Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nënë Tereza na udhëheqin e na orientojnë me veprën e shembullin e tyre. Në këtë frymë optimiste, mund të përpiqemi si lexues të këtij botimi e si ndjekës të shkrimeve të Shkrelit në faqet e gazetës “Telegraf”, që të kuptojmë apo më mirë përfytyrojmë se sa shumë është zhvilluar Shqipëria që nga viti 1991, kur në vizitën e tij të parë autori u gjend në Tiranë në kuadër të përgatitjeve për rihapjen e Ambasadës Amerikane e për pritjen e ish-sekretarit të shtetit James Becker. Ishte koha kur për herë të parë ai ka mësuar edhe për jehonën e rëndësinë që ka patur “Zëri i Amerikës” në formimin e opinionit politik shqiptar drejt rrëzimit të diktaturës komuniste. Me kujtesën se si përjetohej në shtëpinë tonë dëgjimi i “Zërit të Amerikës”, me zë sa më të ulët e me vesh sa më pranë radios, me kënaqësi më mbetet që si pjesëmarrëse në përurim e hartuese e këtij shkrimi, t’i jap të drejtë z.Shkreli në gjithë sa ai tha. As ai vetë ndoshta nuk e kish menduar, që një ditë do të ndodhej në mes të Tiranës, në përurimin e librit të tij dhe si ish-gazetar në karrierë në “Zërin e Amerikës” do të intervistohej nga një korrespondent i “Zërit të Amerikës” në Tiranë. Përurimi i “DEMOKRACIA NUK PRET” u përshëndet në hyrje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij theksoi se demokracia duhet të mbrohet e duhet të fitohet dhe se kjo është koha që të punohet për të rritur identitetin tonë kombëtar. Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në mjediset e Hotel Rogner e që do të mbahet mend gjatë për mesazhet e vlerën që përcolli, ishin edhe shumë personalitete të jetës së vendit, mes tyre ish-presidenti e ish-kryeministri Sali Berisha, politikanë të tjerë nga gjithë spektri politik, diplomatë, përfaqësues të mediave, shkrimtarë e njerëz të kulturës në përgjithësi.
Marjana Bulku: KRONOLOGJIA E NGJARJEVE DHE KUJTESA HISTORIKE NË DEMOKRACI
Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?!
Është kjo një enigmë që shtjellohet pak nga pak teksa lexon “Demokracia nuk pret”, një set me refleksione e reagime, analiza dhe opinione, kritika dhe thirrje që e tejkalojnë përmasën e gazetarisë, investigimit, reagimit, dëshmisë, akuzës, duke e lakuar demokracinë në çdo rasë e duke u bërë pishtar i saj, autori Frank Shkreli i bën kështu një shërbim shumë të madh jo vetëm konceptit të saj teorik por e shtjellon praktikisht shumë dimensionalitetin e saj në gazetari, histori, politikë dhe kulturë.
Sot, kur demokracia ndjehet më e dhunuar se kurrë ne kemi nevojë ta sjellim në vemendjen e gjithsejcilit se ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish është një marrdhënie e dyanshme ku balancohen liritë kur respektohen ato. Sot më shumë se kurrë klasa politike duhet të shikojë se trashëgimnia e gabimeve dhe moskorrektimi i tyre i ka shpierë në gabime të tjera. Kur demokracitë rrezikohen nga demonë politikë dhe jo vetëm, populli ka rastin të kuptojë rolin e vet, fuqinë e mohuar nga paliria, atë që buron nga e kaluara historike plot me të panjohura dhe drithije të qëllimshme, aktet e krenarive kombëtare, reagimi, korrektimi, reflektimi. Në kushtet kur demokracia rrezikohet nga dështimi për shkak të aplikimit të saj nga njerëzit e gabuar, metoda të gabuara të yshtura prej kulturës sonë politike të trashëguar, leksionet amerikane, praktikat amerikane nuk mungojnë në setin e mendimeve tek “Demokracia nuk pret”.
Shtëpia e rrënuar e Gjergj Fishtës, pikturat e tmerrit të internimit të Tepelenës, dosjet e pahapura të komunizmit kjo gangrenë nga ku burojnë plagët shqiptare, janë hone të thella gjykimesh por edhe tablosh të një demokracie që afiksohet kur mendimi vdes dhe intelektualët heshtin. Demokracia nuk pret, vjen si një vëzhgim i hollë, i vëmendshëm, sistematik, nga jasht por gjithmonë brenda atij realiteti, parë me sytë që e duan atë vend, ia duan të mirën, ia dijnë shtigjet se nga buron ajo.
E që demokracia të mos jetë një mision i pamundur, roli i opozitës është oksigjenues, reagimi i qytetarëve është vendimtar dhe zëri i intelektualëve jetëdhënës dhe pa asnjē dyshim, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë ai i dritës dhe i arsyjes gjithashtu.
Kjo vepër, kronologji ngjarjesh e historish, datash dhe eventesh është një shkollë për gazetarët, politikën dhe qytetarinë. Në demokraci çdo frymë ka rol në jetëzimin dhe vitalizimin e këtij sistemi që nuk dhunon edhe pse dhunohet, ku çdo jetë ka vlerë dhe çdo liri nis nga rregulli dhe vdes nga e kundërta e tij.
Sa herë që një sistem i drejtë kërcënohet nga padrejtësitë, është koha për të kuptuar më mirë demokracinë ku e drejta merr jetë duke ta garantuar atë.
Marjana Bulku
20 shtator 2018