Unifikohet deputeti me Policinë e Shtetit: Djali s’ka ushtruar dhunë
Policia vijon të mbrojë familjen e deputetit socialist Rahman Rraja edhe pse e detyruar nga presioni publik u detyrua t’i arrestojë djalin. Ka një sinkronizim të plotë mes Policisë dhe bindjes së deputetit se i biri nuk ka ushtruar dhunë ndaj Xhisiela Malokut.
Deputeti socialist nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar socialist që zhvillua me dyer të mbyllura këtë të hënë. Por i pyetur për vendimin e Gjykatës së Krujës, pas një takimi me Taulant Ballën ai ka mohuar që djali i tij të ketë dhunuar 25 vjeçaren.
Të njëjtin version ka dhënë edhe policia për arrestimin, ndryshe nga Prokuroria që e akuzon për dhunë dhe përndjekje, aq më tepër që ekspertiza konfirmoi goditjen me pistoletë dhe djegien me cigare, të klasifikuara si vepra të torturës.
Në mbledhje kreu i grupit Taulant Balla mësohet të këtë mohuar edhe deputetëve se ka qenë në komisariatin e Fushë Krujës siç pretendon ish-oficeri Emiljano Nuhu. Ai ka thënë se sikur te kishte pasur edhe nje fije implikim do ta kishte lënë detyrën dhe se tani çështja është në dorë të drejtësisë.
Njoftimi i Policisë
Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e Urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189 dt. 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë. Ai akuzohet për veprën penale “Përndjekja” parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme./respublica/