Kadare zbret Orfeun dhe Euridiçen në ferrin komunist
FRANCESCA WADE
Legjenda thotë se vetëm Orfeu qe i aftë të vinte në gjumë Cerberin, qenin shumëkokësh që ruante portat e Ferrit. Pavarësisht këtij suksesi, Orfeu e humbi përgjithmonë Euridiçen, pasi ktheu kokën pas, teksa e udhëhiqte atë për në tokë, duke shkelur paktin që kishte bërë me Hadesin.
Kur zotat dëgjuan për këtë gabim të vogël, shkruan Ismail Kadare në versionin e tij të mitit në “E penguara” (“A Girl in Exile”), disa u tallën me dobësinë e njeriut, të tjerët u vunë në anën e Orfeut, pasi pakti ishte fals, sepse Euridiçja nuk kishte qenë atje fare. Mes viteve 1970 dhe 1982, Kadare (që mbushi 80 vjeç në muajin janar) ka qenë anëtar Parlamenti në Shqipërinë e Enver Hoxhës, diktatorit komunist për 4 dekada. Mënyra qartësisht ironike e të shkruarit të Kadaresë, i cili përshkon tema të kobshme të censurës dhe të kontrollit shtetëror, shkaktoi tmerr në mesin e autoriteteve, të cilët ishin të shqetësuar se, duke vendosur librat e tij në të kaluarën e lashtë, ai po shmangte dënimin si disident. “Shkrimtari është armiku natyral i diktaturës”, është shprehur Kadare.
“E penguara” trajton direkt pamundësinë për të bërë art, për të dashuruar, apo për të jetuar një jetë të zakonshme në kushtet e vendosura në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Orfeu ynë është Rudian Stefa, një dramaturg; Cerberi është ministri i Punëve të Brendshme; Euridiçe, nusja e zhdukur, e cila mund të mos ketë ekzistuar fare, është një vajzë misterioze e quajtur Linda B. Kur Rudiani ishte thirrur pa asnjë shpjegim përpara Komitetit të Partisë, ai nuk ishte i sigurt nëse ishte në telashe për shkelje publike apo private: ishte ndonjë problem me dramën e tij të fundit, për të cilën ishte duke pritur lejen për ta vënë në skenë, apo lidhja e tij me Migenën, një studente e Arteve, të cilën gjatë një zënke e kishte akuzuar për spiune?
Ai do të befasohej kur një sekretar do ta informonte rreth një vetëvrasjeje të fundit të një vajze, që ai kurrë nuk e kishte takuar, një mikeshë e Migenës; mes sendeve të saj ishte gjetur një nga librat e tij, nënshkruar: “Për Linda B., kujtim nga autori”. Por ka edhe një komplikim të mëtejshëm: vajza ishte në internim, dhe ka frikëra se vetëvrasja e saj kishte për qëllim të përcillte një mesazh politik. Rudiani do të informohej se vajza e kishte përmendur shpesh emrin e tij në ditarin e saj.
I dëshpëruar për të gjetur se çfarë kishte ndodhur me Lindën, Rudiani maste rrugët, priste telefonin të binte, rrezikon duke rregulluar një takim me një agjent të Sigurimit për një kafe të fshehtë. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, bëhet një topografi e rrezikut dhe parehatisë, çdo ndërtesë simbolike; ne mësojmë se Linda, e internuar në “një krahinë shqiptare të harruar nga Zoti”, së bashku me familjen e saj për krime të paqarta politike, e kishte të ndaluar të udhëtonte për në qytet.
E lidhur me obsesionin e Rudianit me Lindën, është marrëdhënia e tij me Migenën; kur ajo nuk e telefonon për disa ditë, ai nuk mund të ishte i sigurt nëse ajo e kishte lënë atë pas sherrit të tyre, apo nëse shteti po e mbante atë larg. “Kush je ti?”, shkruante Migena në një letër që ajo e la mbi jastëkun e tij pas seksit.
“Dhe unë, kush jam unë?” Në një botë “kurthesh, tradhtish kudo”, ku feja është ndaluar dhe kushdo mund të vritet nëse kritikon Stalinin, ku është përfolur se një në katër njerëz është spiun dhe dorëshkrimet janë të ndaluara për shkak se “realizmi socialist nuk i lejon fantazmat”, është e vështirë të njohësh dhe të besosh veten, e lëre më një person tjetër. “Më mirë të mos e dini”, i thotë hetuesi Rudianit, kur ai e pyet se pse Linda vrau veten.
“Më mirë të mos e dini”, i thotë një karakter në dramën e Rudianit, një fantazme që në të qarë pyet: “Unë kam qenë 19 vjeç. Pse duhej të vdisja?”. Kadareja mjeshtërisht evokon një atmosferë paranoje, çdo zhvillim rrjedh si “e fshehur pas një perdeje të vendosur nga një fuqi e panjohur”.
Duke reflektuar mbi vetëvrasjen e Lindës, Rudiani arrin në përfundimin se “të gjithë ishin fajtorë: ky vend, koha në të cilën jetonin, të gjithë, duke përfshirë edhe veten”. Distopia duket oruelliane, por ishte e vërtetë: i titulluar “A Rekuiem për Linda B”, ky roman i fuqishëm është një monument për “vajzat shqiptare që lindën, u rritën dhe kaluan rininë e tyre në mërgimin e brendshëm”.
2 maj 2018