Sonila Meço: Oligarkët janë gjithnjë pranë pushtetit
Cfarë na mëson historia: oligarkët janë gjithnjë pranë pushtetit, sipërmarrësit e fuqishëm janë ata që diktojnë ligje e reforma ekonomike, që u sigurojnë norma gjithnjë më të larta fitimi, të fortët përcaktojnë sektorët prioritarë ku shteti orienton koncesione e PPP-ra. Historia e afërt, po dhe ajo ca më e largët na kanë mësuar se rezultatet zgjedhore varen nga paratë e investuara në blerje votash e propagandë, se pushteti është pjesëmarrës në fitimet e oligarkëve, se kontratat, që sigurojnë biznese edhe fantazmë prodhohen në takime okulte me përfaqësues pushteti dhe jo në konkurrencë të lirë e garë transparente, se pasuri e shërbime të rëndësishme publike i lihen në dorë privatëve me justifikimin e administrimit më cilësor, por përfundojnë në “miniera” ari për një grusht njerëzish që i kanë të mjegullta vijat ndarëse mes pushtetit dhe sipërmarrjes. Viktimat janë po ato, ekonomia e dobët, biznesi i ndershëm, populli.
Ajo çfarë sot dimë, është një platformë, konkrete për të çliruar ekonominë nga krimi dhe paratë e pista dhe artikulimi i saj nga lideri i opozitës, që e ka njohur pushtetin si ministër e kryetar bashkie. Po t’i bashkëngjisim edhe propozimet për ndryshimet kushtetuese që parashikojnë vettingun e politikanëve, atëherë kemi një alternativë të plotë që mëton të çlirojë edhe politikën edhe shoqërinë nga krimi. Por, mu bash këtu, duhet të nisë një proces tretës i fortë nga ana e publikut, i etur për ndëshkimin e atyre që po e detyrojnë të nisin emigracionin edhe në moshë të tretë, a të mësoje gjermanishten në moshë madhore.
Kissinger besonte tek historia dhe filozofët, me këtë arriti të rezistonte si një ndër njerëzit me aftësi të jashtëzakonshme shtetare, duke i shërbyer shumë administratave. Teksa lexoja artikullin për biografinë e tij, në sfond platforma e re për përforcimin e Ligjit Antimafia e vettingu në politikë më ngjanin një përpjekje për të bërë shtet më të mirë, por si t’ia bëj historisë që më kujton përpjekje të ngjashme nga aktorë të sprovuar në pushtet? Si mund të bëhet më e besueshme? A mos duhet të hapet gara zgjedhore për të njëjtën transparencë, konkurrencë të lirë, shmangie korrupsioni e blerjesh, abuzimesh e ndikimesh të krimit në lista? Ose do duhej të dënohej ky sistem i tëri, me gjithë mënyrën si zgjedh përfaqësuesit e vet, ose vështirë të besohet se opozita mund ta bëjë ndryshimin e madh duke e mbajtur në këmbë me pjesëmarrjen në të.
Kjo është histori e vjetër, por sepse e patretur mirë, rrezikon të bëhet fatkeqësia jonë kronike.
E para që këto ligje të miratohen, duhet edhe vota e shumicës, asaj që opozita e cilëson të kapur nga krimi i organizuar. Pra, që kjo nismë të jetësohet, shanset janë pothuajse 0. Jemi kësisoj ende në nivel deklaratash.
Së dyti, për sa kohë zgjedhjet kontrollohen nga kryetarë, me lista të mbyllura, lidhje okulte me krimin, pa transparencë financimesh partish, shqiptarët do të vijojnë të përsërisin historinë, duke e harruar. Dhe mundet të nisin e dyshojnë se ligjet që kërkojnë konsensus të gjerë për t’u miratuar, ose e kanë cenin brenda për të shpëtuar të dy palët, ose do mbeten thjeshtë retorikë opozitare. Dhe po e njëjta histori që përsëritet I kujtoi pak ditë më parë qeverisë, se negociatat nuk hapen pa një reformë të plotë zgjedhore para zgjedhjeve lokale të vitit 2019…
Artikulli i plotë👇
http://albanianfreepress.al/…/kurthi-i-historise-opinion-n…/