Roshi Ajdini: 70 VJETORI I KRYENGRITJES KUNDËRKOMUNISTE TË ZHAPOKIKËS
Kryengritja e Zhapokikës 1948 nuk është e rastësishme dhe as e nxitur nga jashtë. Ajo lëvizje u krijua mbasi në zonë u prishën disa ekuilibra tradicionale të cilat ishin krijuar në shekuj. Reforma agrare, shtetëzimet pa kriter, eleminimi i parisë së zonës dhe klerit bektashi krijuan pakënaqësi të mëdha në zonë. Këto dhe faktorë të tjerë bënë që ajka e burrave të zonës të organizoheshin në kryengritje të armatosur. Ata u gjuajtën me plumb dhe me burg. Me persekutimin 40 vjeçar u gjuajtën edhe të afërmit dhe farefisi i tyre. Unë jam bir i asaj zone dhe njohës pothuajse i të gjitha familjeve dhe historisë së tyre të persekutimit. Direkt pas shpartallimit të çetës, mbi familjet e kryengritësve do të fillonte një terror i paparë. Drejtuesi i saj politik Xhemal Brahimi nuk u dorëzua dhe kaloi në arrati. Familjen e tij, nënën, gruan dhe dy fëmijët e vegjël i internojnë në kampin famëkeq të Tepelenës nga viti 1949 deri në vitin 1953. Dihet tashmë se çfarë trajtimi kanë pasur të internuarit e atij kampi ku kanë vdekur me qindra fëmijë dhe të moshuar. Mbas kampit të Tepelenës familjen e Xhemalit e internojnë në Porto Palermo ku qëndruan 6 muaj në mes të dimrit të acartë. Nga këtu i transferojnë në Valias dhe më pas në kampin e përqëndrimit në Savër të Lushnjës. Përsëri i levizin nga Savra në Karavasta ku qëndrojnë deri në vitin 1957. Në këtë vit i kthejnë në fshat ku i vendosin në bodrumin e shtëpisë pasi shtëpia ishte kthyer në zyra lokaliteti. Solidariteti i bashkëfshatarëve nuk mungonte duke i ndihmuar të fillonin një jetë të re. Ndërkohë Xhemali hynte dhe dilte duke e sfiduar regjimin. Sigurimi bie në gjurmët e Xhemalit, por pa mundur dot ta kap dhe për këtë hakmerret me familjen e tij duke e internuar sërish në Savër. Xhemali e sfidoi sërish sigurimin duke shkuar tek familja, madje duke arritur të sjellë në jetë edhe një vajzë. Bashkëshorten e Xhemalit, Sambreten e arrestojnë duke e çuar në burgun e Beratit për moskallëzim të ardhjes së Xhemalit, burg në të cilin lind dhe vajzën Lumturinë. Vuajtjet e kësaj familje nuk kishin të sosur pasi familjen e Xhemalit e ndajnë në dy pjesë duke e ndarë nënën Sambreten nga dy djemtë e saj. Në vitin 1965 arrestojnë djalin e madh të Xhemalit, Bejon, për tentativë për arratisje duke e dënuar me 15 vjet burg. Si një nga aktivistët e revoltës së Spaçit, Bejon e ridënojnë duke i shtuar edhe më shumë vuajtjet e kësaj familje qëndrestare. Pjestar i kryengritjes ishte dhe vëllai i Xhemalit , Xhemili i cili u dënua me 25 vjet burg ,ku pas daljes nga burgu vdes pas pak vitesh si pasojë e kushteve të vështira të burgut. Mund të thuhet me plot gojën që familja e Xhemalit ka përjetuar një gjenocid shtetëror. Persekutimi do të binte mbi të gjitha familjët por në veçanti tek drejtuesit e kryengritjes. Bajram Kamberi si komandant i kryengritjes dënohet me pushkatim dhe me sekuestrim të të gjithë pasurisë. Familjen e tij dhe të vëllait Safetit i internojnë fillimisht në Tepelenë dhe më pas në Kamëz të rrethit Tiranë. Pas kthimit në fshat, kjo familje ka qenë nga më të persekutuarat në fshatrat e zonës së komunës së Luftinjës. Djalin e Barjamit, Fetahun e dënojnë me 6 muaj burg pasi ishte në çdo kohë nën provokime dhe presione. Një nga drejtuesit e lëvizjes së Zhapokikës ka qenë major Sulo Zaimi ish oficer i ushtrisë mbretërore i cili u dënua me 20 vjet burg. Fëmijët e tij u persekutuan sistematikisht nga regjimi ku si pasojë e kësaj trysnie një nga djemtë arratiset në vitin 1971 ku sot e kësaj dite familja nuk ka asnjë të dhënë për të. Djalin tjetër të Sulos, Mit’hatin e heqin nga puna në Tepelenë duke e kthyer në fshat. Mit’hati tregon sesi kanë dashur ta rekrutojnë si bashkëpuntor dhe kur ai refuzoi filluan presionet duke i thënë që po propagandon rrëzimin e pushtetit popullor. Të gjithë pjestarët e kryengritjes si dhe familjet e tyre survejoheshin nga sigurimi i shtetit por edhe nga një pjesë banorësh të zonës që ishin spiunë të atij sistemi. Ridënohen dy nga pjestarët e lëvizjes Sefer Yzeiri dhe Shaqo Muçodemaj të cilët ishin të betuar kundër sistemit duke i shprehur sërish pakënaqësitë e tyre mbas daljes së parë nga burgu. Në dënimin për herë të dytë Sefer Yzeirin e nxjerrin të lidhur në qendër të fshatit Zhapokikë me idenë për ta demaskuar por edhe per t’u futur frikën të tjerëve. Seferi mbajti qëndrim dinjitoz ku midis të tjerave u shpreh për disa që ishin drejtues në fshat që edhe ju keni qenë në listat e 48 por Xhemali e dogji listën në mënyrë që t’i ruante njerëzit. Këto thënie të Seferit tregojnë që lëvizja ishte shumë më e gjerë dhe përmblidhte pjesën dërrmuese të burrave të zonës. Të gjitha fshatrat e zonës kanë vuajtur pasojat e kryengritjes së Zhapokikës pasi na etiketonin në rreth si Zhapokika e 48. Lufta e klasave vazhdonte edhe tek brezi i tretë ku pothuajsë asnjë nga nipat dhe mbesat e pjestarëve të 48 nuk iu dha mundësia për të ndjekur shkollën e mesme. Po për shkak të kësaj lëvizje ka pasur shumë pak të shkolluar në tërësi si zonë dhe shumë pak ose aspak përfaqësim në pushtet në rang rrethi. Miqtë e mi dua të sjell këtu rastin e një personi të cilin e kemi këtu në këtë sallë të nderuar, zotin Arben Paja që për fatin e tij të keq kishte gjyshin kulak, Elmaz Paja dhe vëllain e gjyshit pjestar të kryengritjes, Teme Paja. Në mbarim të shkollës 8 vjeçare donte të vazhdonte shkollën e mesme në fshatin Izvor edhe pse ishte dy orë larg nga Zhapokika . Shkon i jati i Arbenit tek kryetari i këshillit për të marrë një vërtetim për shkollë dhe aty merr përgjigjen që ‘ça do ti këtu pasi a e njeh veten se cili je’? Ky refuzim për shkollim tek Arbeni do linte gjurmë të thella pezmatimi dhe urrejtje por do të kthehej edhe në një forcë të madhe motivimi dhe këmbëngulje pasi në ditët e para të shpërthimit të kufirit në fund të vitit 1990 do të largohej në Greqi e për t’u kthyer mbas 10 viteve emigracion duke ngritur në Tiranë hap pas hapi një kompani mjaft konkuruese në fushën e kondicionim aspirimit. Koha i dha të drejtë kauzës së burrave të fisëm të Zhapokikës. Komunizmi si një sistem antinjeri mbolli vetëm varfëri dhe depersonalizim të individit. I ashtuquajtur njeriu i ri rezultoi në fund të viteve 90 që nuk ishte as njeri dhe as majmun. Nuk mund t’i vësh asnjë emër tjetër përveçse kolera e kuqe ku pasojat e saj do i ndjemë edhe për disa dekada.
Të nderuar miq! Kjo ngjarje po përkujtohet vetëm këto vitet e fundit në raport me ngjarjet e tjera kundërkomuniste. Një pjesë e të djathtës e kanë lënë në harresë me idenë që nuk ka pasur në jug lëvizje antikomuniste ndërsa të majtët po për interesin e tyre nuk u leverdiste të thuhej që në jug ka një levizje të tillë. Gjej rastin këtu të bëj një falenderim të veçantë për ish presidentin zotin Bujar Nishani i cili e nderoi dhe vlerësoi këtë kryengritje në vitin 2014 me titullin e lartë nderi i kombit, si dhe akordimin e këtij titulli edhe për dy drejtuesit kryesorë të kryengritjes Xhemal Brahim Asllanin si dhe Bajram Kamber Hamataj. Një falenderim i veçantë shkon edhe për intelektualin e zonës profesor Sadik Bejko i cili i shkundi pluhurin e harresës kryengritjes së Zhapokikës 1948 duke shkruar i pari mbas viteve 90-të. Me pa te voglin dyshim kryengritja e Zhapokikës është simotër e Postribës dhe si e tillë duhet ta ketë vendin e vet në Muzeun Historik Kombëtar. Ngritja e një memoriali dinjitoz është një tjetër detyrë dhe vlerësim që i duhet bërë kësaj ngjarje. Përderisa koha nuk ka as fillim dhe as mbarim asnjëherë nuk është vonë për të vlerësuar dhe nderuar kontributin e burrave martirë të Zhapokikës në dobi të vendit.
NDERIM DHE PËRULËSI PARA KUJTIMIT TË TË RËNËVE DHE TË PERSEKUTUAREVE ANTIKOMUNISTË.