Dy fjalë për përmendoren e një “Etnomartiri”
Faqja më e madhe me lajme kishtare greqisht Romfea.gr (portal i pavarur), njoftoi se në fshatin Sopik të “Vorio Epirit”, u përkujtua At Kristo Papa, i cili vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1951, mbasi “u torturua nga regjimi ateist, sepse nuk e mohoi besimin e tij”.
Përderisa përkujtimorja e kryer nga kleri i KOASh-it këto ditë njoftohet vetëm në Greqi, fatkeqësisht kjo përshpirtje merr një përmasë jo spirituale, gjë që duket në politizimin e vetë titullit të shkrimit greqisht: “U nderua etnomartiri (dëshmori i kombit) prifti Kristos Papas”.
Shtrëngohemi të rendisim disa pika, jo se do të kenë ndonjë dëgjesë a ndikim në botën shqiptare, sepse siç thonë grekët, “portës së shurdhit, bjeri sa të duash”. Sidoqoftë, duhet bërë “për ata që kanë veshë për të dëgjuar”, por sidomos për të nderuar kujtimin e një kleriku që flijoi jetën për besimin e tij, në kundërshtim me shumicën dërrmuese të klerikëve sot, të cilët rrojnë vetëm për interesa të vogla dhe të përkohshme.
Së pari, siç duket në fotot e shkrimit greqisht më poshtë, edhe pllaka përkujtimore është bërë vetëm greqisht, atje ku martiri i besimit cilësohet “Etnomartir”. A është i drejtë ky epitet?
Një klerik apo besimtar që jep jetën për besimin, i përket më parë Kishës dhe pastaj kombit. Në këtë rast, është e qartë nga vetë shkrimi greqisht, ku thuhet se ai “nuk e mohoi besimin e tij”.
Së dyti, para se t’ua hedhim fajin të huajve, si gjithmonë, le të shquajmë se kontradikta e këtij njoftimi në greqishtje është pasojë e kontradiktave të mëdha brendashqiptare, një tregues i krizës morale dhe emocionale që ka pushtuar dhe mundur shqiptarët sot. Kjo bën që dhe politikanët të sillen rëndom si shumica dërrmuese e shqiptarëve, duke qenë një pasqyrë e popullit dhe e cilësive të tij, përndryshe ata kanë frikë se mos nuk rizgjidhen, duke rrezikuar pushtetin dhe sidomos privilegjet e tij.
Së treti, edhe nëse ka dëshmi historike se At Kristo Papa ishte vetëm grek dhe aspak shqiptar, si mund të shkëputet një klerik nga përkatësia te Kisha Vendore, si mund ta ndash atë nga bashkëvuajtësit e tij, atje ku e caktoi Zoti? Si mund t’i mohosh grigjës unitetin, duke helmuar larminë vendore dhe diversitetin spiritual të një populli, të cilin e ka bekuar në ekzistencë vetë Zoti Perëndi?
Me këtë përmendore monogjuhësore, ai që lëndohet më shumë është vetë dëshmori i besimit, por dhe ata me të cilët Prifti ishte i pranishëm gjatë fundit të jetës së tij të hirshme në këtë botë, ata që nuk dinin greqisht por që ai i deshi njësoj. Në çfarë gjuhe iu fliste Prifti bashkëvuajtësve?
Vetë grekët e mirëfilltë, kur ngrenë në vende të tjera përmendore të tilla si në këto foto, i shkruajnë edhe në gjuhën zyrtare të atij vendi, ndërsa në mjaft vende perëndimore nuk i shkruajnë fare greqisht.
* * *
Në një këndvështrim kishtar ortodoks, strategji të tilla përçarëse që ushqehen dhe mbështeten nga KOASh-i, nga një hierarki e ardhur nga Greqia dha nga familje myslimane shqiptare, nuk e ndihmojnë fuqizimin e Besimit Ortodoks në Shqipëri, pavarësisht suksesit politik dhe kulturor.
Heshtja e KOASh-it në lajmet shqip mbi aktivitete të tilla është e qëllimshme, pikërisht se dëshmorët tanë të besimit, janë kyçur në harresë, disa prej tyre akoma të pavarrosur kishërisht, të dergjur atje ku i çuan përndjekësit e diktaturës ateiste.
Kryepriftërinjtë Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi dhe Irine Banushi, e të tjerë dëshmorë të besimit, klerikë e laikë, vazhdojnë të ndëshkohen në harresë, vetëm se janë pjesëtarë të një Kishe të kapur dhe të një kombi të përndarë, të papjekur e të çoroditur.
I përjetshëm kujtimi i At Kristo Papës dhe i gjithë dëshmorëve të besimit ortodoks në Shqipëri!