Këngë helene nën shqipërimin e Arqile Garos
Jannis Kalamitsis: Njerëz të vetmuar
Ka njerëz plot që rrojnë të vetmuar,
porsi kallinj të tretur, të harruar,
në botën e paanë të zbrazëtisë,
ata në mugëtirën e vetmisë,
kallinj të zverdhur, të harruar,
njerëz të vetmuar.
Ka njerëz plot që rrojnë të vetmuar,
porsi shkëmbinj në dallgë të egërsuar,
bota një det i egër bregthepisur,
ata memecë, të vetëm, të braktisur,
shkëmbinj në dallgë të egërsuar,
njerëz të vetmuar.
Njerëz të vetmuar, degë të shkulura, rrëzuar,
tempuj të rrënuar, të shkretuar,
njerëz të vetmuar, degë të shkulura, rrëzuar
porsi unë, njëlloj si ti, malluar…
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2015.
Ti moj Mari, moj leshverdho
Tradicionale
Mari e bukur, lesh – verdho,
pa thuana, më shumë kë do,
pa na trego, çin do më shumë,
burrin apo gjiton’ e lumë?
Unë burrin tim e dashuroj,
po më gjitonin, më mirë shkoj.
Unë burrin tim e dua shumë,
por veç gjitonin shoh në gjumë.
Mari e bukur, lesh – verdho,
pa thuana, më shumë kë do,
pa na trego, çin do më shumë,
burrin apo gjiton’ e lumë?
Mermer u bëftë ky burri im,
dhe trëndafil gjitoni trim,
e duke shkelur mbi mermer,
lulet t’ ja pres e t’ u marr erë.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, korrik 2015.
Nikos Gatsios: Kur të kujtosh
Në prehrin tim edhe sonte si yll ti qëtohu,
në botë asnjë shpresë nuk na mbeti, ngado shkretëtirë,
tek nata me puthje qëndis trupin tënd veç kujtohu,
mblidh dhimbjen, largohu dhe vetëm më ler n’ errësirë.
Kur të kujtosh ëndrrën time
pres që të kthehesh, të vish,
një melodi endacake me buzë fishkëlle mikja ime,
në vezullim të pranverës me ngjyra ylberi të ndrish.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shtator 2014.
Sarandis Alivizatos: Kjo natë kundërmon jasemi
Mbushur bota me këngë,
mal me puthje, dashuri
lodërzojnë e shkëlqejnë n’ ato sy.
Jetën ti ma ndryshove,
dridhja zemrën ma rrëmben
dhe buzëqeshjen në lotë shpesh ma kthen.
Të të marr mikja ime me një eros çmenduri,
çartet truri, përngjan me furtunën lubi.
Dhe një yll vagabond të çon ledha në gji,
veç kjo natë kundërmon jasemi.
Ç’ mund të them unë tani, po pastaj?
Se të dua më thuaj: kam faj?!
Hëna ndrin gjithë zili,
dhe kjo natë kundërmon jasemi.
Rrugëtojmë përqafuar,
dhe mendimet fluturojnë,
po për udhë as u nisëm, as shkojmë.
Bie mbrëmja, sa dua
të të kem në gjirin tim
por ti s’ vjen as në darkë as n’ agim.
I vetmuar dhe sonte, si në jerm ëndërroj
por imazhin e dashur largoj.
Dhe një yll vagabond të çon ledha në gji,
veç kjo natë kundërmon jasemi.
Ç’ mund të them unë tani, po pastaj?
Se të dua më thuaj: kam faj?!
Hëna ndrin xhelozi,
dhe kjo natë kundërmon jasemi.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2015.
Eleni Fotaki: Hi
Derdha lotë për ty moj mike,
të mprehta porsi teh thike,
të shtrenjta, për zi.
Me to udhët i vaditja,
ngrija supet, i gëlltitja,
ti fshihja nga ti.
Dhe thoja se nuk të shkoja,
habiteshe që shikoja,
ngado gaz e bot!
E në gjumë tek bij’ e çoje,
diçka prisje, ëndërroje,
që s’ ta jepja dot.
Mbyll e fshihu n’ ato brigje,
ta vajtoj jetën me ligje,
që shkoi e pa vlerë.
Në të gjefsha në inate,
hi do bëhem, pluhur nate,
dhe ti bëju erë.
Ngjanin detet, udhëtimet,
ku ti s’ ishe, me jetimet,
ankth, monotoni.
Një vështrim kur të dërgoja,
gjak e zemër të helmoja,
vdekje, lemeri.
Derdhe lotë mike për mua,
më dogjën flakët e tua,
shoh se po mbaroj.
Moj e bukur si sorkadhe,
unë të desha punë e madhe,
qaj edhe rënkoj.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2015.
Lefteris Hapsiadhis: Haberi i mallkuar
Mbrriti haber i mallkuar,
tek rrinim në kafene
dhe me duart kryqëzuar,
thamë: o Zot ç’ na gjeti ne?!…
Vdekj’ e pabesë, e pafytyrë,
si na e bëre k’ të mënxyrë?!
More nga shoqëria jonë,
njeriun më të mirë.
Dolëm rrugës të shushatur,
shpirt vrerosur e nxiranë,
pse një rregull s’ duhet mbajtur,
që të rinj mos shkojmë matanë?!
Vdekj’ e pabesë, e pafytyrë,
si na e bëre k’ të mënxyrë?!
More nga shoqëria jonë,
njeriun më të mirë.
Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2015.