Plani i Hashim Thaçit për kufijtë, çfarë i jepet Serbisë në këmbim të Preshevës
Plani i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve të vendit që drejton, përmes një marrëveshjeje pajtimi me Serbinë, konsiston në rikthimin në vendin e vet, të zonave të secilit shtet. Media, zbardh një pjesë të intervistës që z.Thaçi dha para disa ditësh në Real Story të gazetarit Sokol Balla, pjesë e cila në fakt mbeti në hije edhe pse u tha fare shkoqur nga z.Thaçi. “Ideja ime është vetëm korrigjimi, bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit asnjë aset i Kosovës, as Ujmani as Veriu i Kosovës as Trepça nuk vijnë në konsideratë që të jenë pjesë e Serbisë”, – deklaroi Presidenti i Kosovës, duke shtuar menjëherë më pas: “Është e vërtetë dhe tjetra që Tito dhe Rankoviç, në kohën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova në vitet 1956-1959 për të bërë një balancë demografik ia ka bashkangjitur Kosovës një pjesë të Leposaviçit, Leshakut dhe Zubin Potokut. Tani a duhet të mbesim ne viktimë e Titos? Është e drejtë historike e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tëi bashkangjiten Kosovës”, deklaroi z.Thaçi, duke qartësuar kështu se plani i korrigjimit të kufijve mes dy vendeve konsiston në atë që Kosova të rimarrë në territoret e republikës së saj, Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin, kurs Serbia të marrë Leposaviçin, Leshakun dhe Zubin Potokun. Thaçi ka shprehur bindjen se ky proces do të përfundojë, pasi kjo është e vetmja mundësi që ka Kosova për tu njohur nga Serbia. “Të tjerët që mendojnë që nuk është koha për dialog, nuk është koha për negociata, nuk është koha për marrëveshja, mendoj që janë të gabuar, pasi sa më shumë që shtyhet kjo marrëveshje çmimi më i lartë do jetë edhe për ne edhe për Serbinë. Një marrëveshje Kosovë-Serbi, një marrëveshje paqësore definitivisht mendoj që nënkupton më tepër paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor por dhe lëvizje më të shpejtë për Kosovën në NATO dhe BE por edhe për Serbinë drejt perspektivës europiane”, – theksoi ai. Presidenti siguroi se realisht i tërë procesi është duke u udhëhequr nga Bashkimi Europian me mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që qëndrojnë afër procesit të negociatave dhe që mirëpresin mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që do të nënkuptonte njohjen reciproke.
Presidenti Thaçi në Real Story: Tregon “kufijtë”, veriu nuk preket