Shkrimtares Helena Kadare, Medalja Presidenciale e Meritave dhe Harta e Artë e Kosovës
-Presidenti Thaçi dekoroi shkrimtaren Helena Kadare më Medaljen Presidenciale të Meritave/
-Kryeministri Haradinaj: Helena dhe Ismail Kadare na kanë ndihmuar neve të jemi ata që jemi sot/
PRISHTINË, 8 Tetor 2018-Gazeta DIELLI/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekoruar shkrimtaren e njohur Helena Kadare me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Presidenti Thaçi ka thënë se në kujtimet dhe publicistiken e shkrimtares Helena Kadare, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës.
“E dekorova shkrimtaren e njohur Helena Kadare për kontributin e saj autentik në pasurimin e letërsisë shqipe. Tek Helena Kadare, në kujtimet dhe publicistiken e saj, vend të veçantë zë edhe dashuria ndaj Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, shkrimtarja Helena Kadare e ka falënderuar presidentin Thaçi për dekoratën e ndarë dhe ka evokuar kujtime nga vizitat e saj të mëhershme.
“Sa herë që vij në Kosovë, vërej përparim dhe i gëzohem çdo të arriture të Kosovës”, ka thënë shkrimtarja Kadare.
Presidenti Thaçi ka theksuar se fryma oksidentale e familjes Kadare është një vlerë e veçantë e kulturës sonë.
***
“Helena Kadare, Ismail Kadare, i kanë dhënë kombit tim, lexuesve, vlerën më të lartë në letërsi, na kanë ndihmuar neve të jemi ata që jemi sot”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që pati sot me shkrimtaren Helena Kadare.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se për të është një ditë e veçantë, një ditë e bukur në jetën e tij, për faktin se priti në Qeverinë e Kosovës, zonjën Helena Kadare.
Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi për veprën e çmuar, dekoroi zonjën Helena Kadare me Hartën e Artë të Kosovës.
“Një meritë e posaçme për Helenën, Ismailin dhe një falënderim i posaçëm i gjithë shqiptarëve kudo që janë, është se iu kanë ndihmuar shumë popujve të tjerë të botës që të dinë për ne dhe ta dinë kush jemi”, vlerësoi Kryeministri Haradinaj.
Ndërsa, shkrimtarja Helena Kadare, e cila u shpreh shumë e emocionuar për nderin që ia bëri Kryeministri Haradinaj, tha se është pak të thuhet që është e nderuar, sepse siç theksoi ajo, Kosova për të është një gjë e veçantë dhe çdo ardhje këtu, është një gëzim i veçantë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
“Kjo që po bën kryeministri sot, z.Haradinaj më nderon jo shumë, por nuk gjej dot fjalën e përshtatshme për ta thënë se çfarë gjëje e bukur dhe e jashtëzakonshme është kjo”, tha shkrimtarja Kadare./b.j. gazeta dielli/