Albspirit

Media/News/Publishing

Sjellja e re politike, qasje në kontekstin shqiptar

Dr. Hajri MANDRI

 

Pritet që politika shqiptare të hyjë në rrjedha të reja dhe të papara ndonjëherë. Konfigurimi i një fronti të ri opozitar do të vërë nën presion të madh qeverinë “Rama 2”, pasi situata ekonomike është ende e rënduar, investitorët e huaj nuk duken në horizont, papunësia njeh nivele të papara dhe shpresa se ky vend do të ndryshojë është e mjegullt. Nga ana tjetër, pritet të rritet presioni mbi institucionet e drejtësisë me hyrjen në fuqi të SPAK-ut dhe reforma në drejtësi do të fillojë vetëspastrimin e organeve të drejtësisë nga elementi i korruptuar, i instaluar prej dekadash në sistem. Ajo që tani presin shqiptarët janë reformat e thella në institucionet publike dhe që do të shoqërohet me përplasje politike të mëdha. Krimi dhe korrupsioni i majmur dhe i kamufluar, i lidhur me një mijë fije do të tronditet, po kjo nuk do të thotë që nuk do të kundërqëndrojë. I lidhur me politikën, krimi dhe pushtetarë të korruptuar do të përdorin të gjitha instrumentet për të bllokuar reformat e thella dhe të dhimbshme. Mali i korrupsionit që pret grushtin e drejtësisë përbëhet nga dosjet e qeveritarëve që flenë me vite. Populli dhe zgjedhësit e thjeshtë që shohin pasuri përrallore fizike nga njerëzit e tyre dhe komshinjtë, që pak vite më parë ishin të barabartë, ndërsa pas detyrave të rëndësishme në vendet ku “bëhet lek”, ngritën pasuri të patundshme, të pajustifikuara në asnjë rrethanë, si rrogëtarë të shtetit. Kjo pakënaqësi është akumuluar ndër vite dhe kjo tani ka ardhur në pikën e vlimit. Nëse dështon reforma, atëherë fati i shqiptarëve vihet në pikëpyetje. Pak a shumë prioritet e qeverisë dihen, pasi ato janë deklaruar edhe në fushatë dhe kudo njerëzit i kanë shpallur hapur kërkesat e tyre themelore komunitare dhe nuk është nevoja për të bërë shou sa për të shtyrë stinën e nxehtë të verës me dëgjesa publike.

Madje, këto që dalin nga dëgjesat publike janë pika premtimi nga disa subjekte elektorale. Modeli që shqiptarët zgjodhën për t’u qeverisur dhe alternativa që ata preferuan nuk jep shanse zhvillimi. Ajo është po ai model i katër viteve të shkuara, ku mbolli varfëri dhe mjerim, papunësi dhe mungesë perspektive për të hapur punë të reja ndërtimtare. Edhe turizmi që ishte shpresë për gjallërimin e ekonomisë nuk dha rezultatin e pritur. Partia socialiste u kërkoi shqiptarëve të qeverisë vetëm dhe tani ka votat për ta bërë një gjë të tillë. Të shikojmë performancën e saj. Duke parë miellin, dihet buka si do të dalë. PS-ja ka tani pushtet absolut. Dhe pushteti absolut rrezikon korrupsion absolut. Ende nuk dihet fuqia opozitariste, hapat dhe strategjia e saj. Nëntori do të na tregojë matjen e forcave dhe balancën pozitë-opozitë. Nëse do të funksionojë, ka gjasa që vendi të fuqizojë demokracinë e brendshme dhe institucionet të marrin seriozitetin që kërkohet. Në horizont për momentin duket një ndarje më e qartë pushtetesh, që veprojnë dhe kundërveprojnë dhe kjo është një shpresë e re që na bën të besojmë në konsolidim të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Një rol të rëndësishëm do të ketë dhe formatimi i ri dhe pozicionimi i Partisë Demokratike, e cila është partia kryesore opozitare. Roli i saj konstruktiv në mbrojtje të vlerave demokratike dhe qëndresa e saj pa u lëkundur dhe me zigzage do të ishte një garante e fortë e reformave. Liria dhe shteti janë të kundërtat e domosdoshme për jetën e njeriut. Liria na duhet për t’u mbrojtur nga abuzimet e shtetit, ndërsa shteti na duhet për t’u mbrojtur të gjithë nga abuzimet me lirinë. PD-ja është para ristrukturimit të plotë dhe të gjithanshëm të saj, ku po kalon një gjendje të vështirë të trazimit dhe çrregullimit të rendit të vlerave dhe të sistemit oligarkik të klasifikuar në dy dekada e gjysmë dhe pas dy votimesh refuzuese nga elektorati shqiptar 2013 dhe 2017 është e domosdoshme shkundja dhe rifreskimi i saj. Duhet të rikonsiderojë strukturat e saj duke bërë një filtrim të thellë të të gjitha strukturave dhe programit e statutit, me qëllim të motivohet maksimalisht një strukturë e re drejtuese, e motivuar dhe që nuk është konsumuar dhe majmur në kurriz të demokratëve të thjeshtë, që votojnë nga dëshira për demokraci, pa ditur se kë ka në forume.

Gabimet, si shëmbëlltyra paradigmatike

Gabimet e PD-së përgjatë historisë së saj janë shëmbëlltyra paradigmatike, (si njësi në procesin e qarkullimit) prandaj duhen nxjerrë mësime dhe nuk duhen përsëritur. Rol të rëndësishëm të marrë këshilli kombëtar, kryesia dhe të konsolidohet demokracia e brendshme. Të drejtojnë PD-në njerëzit që e duan atë edhe në kohë të mira edhe të vështira, që e duan atë edhe kur u jep karrige edhe kur dalin në punë private. Vështirë të motivosh në një front të përbashkët njerëz idealistë e të përkushtuar në kredon dhe misionin e tyre dhe të atyre që “kanë lindur me lugë argjendi në gojë”. U duhet dhënë fund aleancave me subjekte politike apo individë, pa miratim institucional. Natyrisht, partia është organizatë politike, që hyn vullnetarisht për të kontribuar dhe mbështetur programin e saj, por secili duhet t’u bindet rregullave dhe të pranojë hierarkinë e vlerave. Pranimi i rendit të vlerave sa është i rëndësishëm, është edhe i vështirë, pasi ka të bëjë me raporte subjektive të vlerësimit të brendshëm dhe atij të jashtëm të anëtarit konkurrues. Ndaj, për të shpëtuar nga subjektivizmi dhe gabimet apriori duhet që të ndërtohen mekanizma dhe filtra që përcaktohen në statut dhe bëhen normë politike dhe juridike e anëtarësisë. Ndaj, shëndoshja e situatës së brendshme të PD-së është një shpresë e re për demokracinë shqiptare. Politika është përgjegjësi. Në qoftë se merr përgjegjësi politike dhe nuk punon, atëherë duhet të konsiderohet kostoja e të bërit asgjë. Prandaj analizat, debatet dhe llogaridhënia janë forcë lëvizëse brenda një force politike. Nëse dikush merr përsipër të jetë kandidati deputet i partisë më të madhe në vend, duhet të jetë responsibël për ata poshtë që e votuan. Ta ilustrojmë me një shembull. Nënkryetari i Partisë Demokratike në degën e Bulqizës filloi një punë intensive për ristrukturimin e PD-së nga seksionet deri te kryesia e partisë dhe ajo kishte një motivim dhe mobilizim shumë të mirë. Konkurrimi i Edmondit si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, i treti në radhë në listën shumemërore të PD-së për qarkun Dibër ishte një zgjedhje e mirë nga kryetari Basha dhe në përputhje dhe me propozimin kryesor të degës PD-së Bulqizë. Me këtë frymë dhe objeksion fitoreje, PD-ja zhvilloi në Bulqizë një fushatë të qetë dhe model, mbështetur në vlerat programore në rang qendror dhe lokal. Pati takime shumë të mira dhe mbresëlënëse të grupit elektoral të degës në çdo fshat dhe lagje votuesish. U arrit rezultati shumë i mirë sa Partia Demokratike doli forcë e parë, duke lënë pas PS-në që kishte mbështetjen e shtetit, LSI-në që kishte pushtetin vendor dhe strukturat bashkiake në gjithë rrethin. Pavarësisht kësaj, PD-ja e qarkut Dibër doli dobët në Mat dhe Dibër dhe kjo bëri që nga tre deputetë që kishte PD-ja në 2013, të marrin dy. Kështu që Edmondi nuk fitoi mandatin për të cilin luftoi dhe punoi. Një javë pas rezultatit të zgjedhjeve, Edmond Isaku ndërmori në sërë takimesh në seksione dhe grupseksione të partisë për t’i takuar anëtarët dhe simpatizantët. E para për t’i falënderuar për mbështetjen dhe e dyta për t’u qëndruar afër e për t’u thënë që unë “jam këtu, me ju, përsëri dhe së bashku do vazhdojmë luftën. Kemi humbur betejën, jo luftën. Nga strukturat pati një mirënjohje të thellë, që shprehej kudo si një mesazh që do të vlente për tërë politikën shqiptare në përgjithësi. “Ne – i thanë zgjedhësit, – kemi votuar dhe i kemi bërë deputetë dhe nuk kanë ardhur asnjëherë të na takojnë dhe herën tjetër kanë ndërruar zonë dhe s’jemi parë me ta. Kurse juve zoti Edmond, edhe humbët dhe jeni midis nesh këtu, kjo për ne është respekt për votën tonë, për besimin tonë dhe na detyron të punojmë dhe ta forcojmë më shumë punën për rritjen e Partisë Demokratike të Bulqizës”. Ky është një mesazh që ka të bëjë me një sjellje të re politike, që po afirmohet dalëngadalë në PD dhe që duhet shkuar drejt lidhjes së fortë të strukturave drejtuese me seksionet në bazë, atje ku buron mbështetja dhe vota për të cilën më shumë anatemojmë se punojmë. Shpirti nuk do vetëm bukë dhe ujë, do edhe njerëzoren, veprën e mirësisë për t’u përmbushur. Njëkohësisht, njerëzit e mençur që drejtojnë Partinë Demokratike duhet që të kuptojnë qartë se cilat janë vlerat që preferon votuesi. Ata, atje larg, të varfrit në fshat, cili është statusi i tyre ekonomik social dhe shpirtëror.

Kriza që ka mbërthyer marrëdhëniet ndërvepruese të shtetarit dhe shtetasit

Cila është kriza që ka mbërthyer marrëdhëniet ndërvepruese të shtetarit dhe shtetasit, të politikanit dhe qytetarit, midis logosit dhe patosit. E vërteta është se ka një ftohje të qytetarit me politikën. E vërteta është se akoma kemi fshatra dhe lagje që nuk kanë të zgjidhur ujin e pijshëm si nevojë jetike, apo ujin vaditës si element progresi ekonomik. Bëjmë mirë të pohojmë se në këto 25 vjet janë të panumërta arritjet dhe ndryshimet cilësore në përmirësimin e jetës së shqiptarëve, por demokracia të hap oreksin dhe nuk të shuan urinë, pasi konsumi i vlerave dhe shija estetike e jetës ka arritur nivele të reja dhe më të larta, prandaj politika duhet të mendojë dhe të punojë ditë e natë për zgjidhje të reja, për daljen nga kriza, për gjallërimin në radhë të parë të ekonomisë sonë, që ende nuk po starton ngjitje. Në historinë e politikës ka njerëz që lënë gjurmë në historinë e një komuniteti, duke i bërë atij shërbime të shquara e përjashtimore. Kryetari Basha tani duhet të punojë për të maksimalizuar motivimin e intelektualëve që i japin partisë mbështetje reale. Pragmatizmi politik është para së gjithash interes për pushtet. Sipas Hobsit, e drejta natyrore është shuma e të drejtave të pakufizuara të njeriut, ndaj është e natyrshme që individët të bien në konflikt me njëri-tjetrin. Ndaj janë shpikur normat dhe ligjet për rregullimin e marrëdhënieve mes njerëzve. Ka ikur koha e rutinës organizative, kur njerëzit vraponin pas partive dhe festonin kur pranoheshin anëtarë, tani vrapojnë partitë pas njerëzve, ndaj duhet komunikim i planifikuar, dialog dhe shkëmbim idesh, kërkimi i zgjidhjeve dhe përfshirjes së njerëzve konstruktivistë, që ndërtojnë ide, që prodhojnë ide, dhe jo për hir të prezencës historike afatgjatë t’i mbajmë duke i shndërruar në mite dhe idole, tashmë kur vota për ta po largohet dhe “lëkura iu vlen pesë grosh”. Njerëzit protestojnë nganjëherë edhe ngaqë janë mësuar me të mira pa mbarim. Protesta e njeriut kur ka të drejtë të shqetëson, ndërsa protesta e atij që s’ka të drejtë të argëton. Në fushatën për kryetarin e Partisë Demokratike, u thanë arsyet dhe shkaqet e humbjes së PD-së. Shitblerja e votës, largimi i shqiptarëve në emigrim dhe kryesisht demokratë, dalja me vonesë në zgjedhje, ndërkohë që grupet e punës dhe kandidatët duhej të zbrisnin në zonë një vit përpara për të pasur kontakte të gjalla me votuesit. Sondazhi italian i televizionit “Ora News” e nxirrte PD-në 36 për qind. Një javë më vonë, në sondazhin e dytë, 37 për qind. Në sondazhin e tretë regjistrohet rënia e parë e opozitës, për të mbërritur te shifra 29 për qind e zgjedhjeve reale.

PD, e vetmja forcë politike që konkurroi me një program konkret

PD-ja ishte e vetmja forcë politike që konkurroi me një program konkret, i hartuar në bashkëpunim me ekspertët e CDU-së. Kolonat bazë të programit u emetuan nga ‘Çadra’, ku u mbajtën për 90 ditë 180 ligjërata nga kryetari Basha dhe nga intelektualë brenda dhe jashtë PD-së. Faktori ndërkombëtar relevant ishte në mbështetje. Këshilltari i zonjës Merkel, mbështeti fuqimisht programin e PD-së. Por partnerët ndërkombëtarë nuk i shqetëson shumë, me sa duket, shitblerja e votës. Vëzhguesit e OSBE-së, nënvizuan në raportin e tyre paraprak se pesë për qind e firmave në qendrat e vëzhguara ishin vënë nga një dorë. Këto janë firma e kartave të bllokuara, që nëse përkthehen në votë shkojnë mbi 70.000. Shitblerja është kompromisi më i pamoralshëm që u aplikua në atë masë sa cenoi procesin dhe deformoi rezultatin. U shfrytëzua varfëria e njerëzve. Shitblerja e votës u shndërrua në një dukuri masive politiko-shoqërore. Pasuria dhe krenaria e të varfrit është nderi, por ai nuk e konceptoi të drejtën e votës si prestigj apo si instrument për të përmirësuar të ardhmen e tij, ndaj e shet lirë, e shpërdoron, shpeshherë voton pa ditur as program dhe pa njohur as kandidatin për të cilin po voton. Kjo është fusha ndërvepruese dhe terreni konkret i shitblerjes së votës. Ndaj këto zgjedhje nuk kanë si të konsiderohen si normale, pavarësisht qetësisë që u zhvilluan. Partnerë, amerikanë dhe gjermanë, kanë përparësi Reformën në Drejtësi dhe pak vëmendje kanë në këtë problem elektoral. Elektorati i majtë i regjistruar si fitues realisht i ka fiktive votat, pasi ata janë lekë droge dhe krimi. Kjo të bën të mendosh se e djathta shqiptare duhet të riorganizohet dhe të dimensionohet në hapësirat e saja elektorale pasi ajo, edhe në ditën më të keqe, i kundërqëndroi drogës dhe krimit përballë, duke mos u gjunjëzuar para tij në 30 përqindëshin e saj. Duhet vlerësuar çdo votë që vjen nga elektorati gri, pasi një kokërr gruri nuk e mbush hambarin, por ndihmon të tjerat ta mbushin atë. Marrëveshja Rama-Basha nuk e ndaloi shitblerjen e votës. Skenari “Create the problem and come with the solution” (krijo problemin dhe të dalë me zgjidhje), rezultoi si intrigë politike në favor të PS-së. Kur të hysh në politikë, së pari duhet të mësosh hilet e saj. Popujt kanë komplekset e veta. Në kthesa dhe tronditje të forta historike kthehen në psikoza kolektive. Ne duhet të besojmë në fuqinë dhe ristrukturimin e PD-së. Gjithmonë ka rezistencë ndaj ndryshimit. Rezistenca ndaj ndryshimit vjen nga frika se nuk përmbushen interesat e grupit. Duhet të reduktohet kjo frikë për të favorizuar shfaqjen e sjelljeve të reja, modelin e ri. Zakonet e një grupi modifikohen më lehtë se te një individ. Përgjithësisht inteligjenca nuk motivon ndryshim radikal, ajo mbron interesat e veta. Presim vjeshtën dhe shpresojmë në zhvillime të reja demokratike me interes kombëtar dhe shoqëror mbarëshqiptar. Njeriu bën më mirë atë që beson më shumë. Jetojmë në shekullin e elipsës së natyrës njerëzore inteligjente.

Please follow and like us: