CIA: Operacionet për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri
Operacionet e CIA për të rrëzuar regjimin komunist ishin një eksperiment i dështuar i amerikanëve. Në një dokument të deklasifikuar, ku jepen detaje të artikujve që kanë bërë mediat amerikane në 1982, tregohet se si SHBA u dorëzua përballë regjimit komunist. Po ashtu tregohen dhe përplasjet për shkak të bashkëpunimit me shqiptarët e arratisur nga regjimi.
20 qershor 1982, New York Times: Shqiptarët dhe spiunët e tjerë të Ballkanit në SHBA
Shqiptarët e emigruar, të cilët gjatë luftës kanë bashkëpunuar me ushtritë pushtuese të Aksit nazist, janë ndihmuar për të hyrë në SHBA në kuadër të përpjekjeve për përmbysjen e regjimit komunist të Hoxhës, sipas dokumenteve të deklasifikuara të Departamentit të Shtetit. Dokumentet janë rikuperuar nga arkivat shtetërore prej Mark Truit, i cili po punonte në një material mbi mobilizimin politik të emigrantëve shqiptarë gjatë Luftës së Ftohtë. Dokumentet e zbuluara kanë nxitur hetime mbi fshehjen e mundshme të prejardhjes së kriminelëve nazistë të luftës dhe dhënien e azilit në SHBA të kolaboracionistëve. Ato thuhet se tregojnë se fillimisht DASH refuzoi të pranonte disa nga emigrantët shqiptarë për arsye të disa karakteristikave të aktivitetit të tyre, por çështjet aktuale të fushatës së inteligjencës kundër Shqipërisë sollën më vonë kthimin e vendimit. Disa nga emigrantët shqiptarë kishin luajtur rol në fushatën amerikane të pasluftës kundër qeverisë së Hoxhës. Këto përpjekje përfshinin lëshimin e agjentëve në Ballkan me parashutë në fillim të viteve 1950, për të nxitur revolta, të cilat dështuan dhe përkeqësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. Një zyrtar i departamentit të Shtetit, Ron Nitzke, thotë se nuk i ka parë dokumentet dhe nuk mund të komentojë, por zëdhënësi Alan Remberg tha se nuk ka pasur asnjë përpjekje për të fshehur rastet e krimeve të luftës. Ai shton se mijëra shqiptarë të tjerë kanë ardhur ndërkohë në të njëjtën periudhë si emigrantë të rregullt. Shqipëria në detin Adriatik mes Jugosllavisë dhe Greqisë ishte pushtuar nga ushtritë italiane e naziste prej vitit 1939 deri në 1944, para se të ç’lirohej nga partizanët e drejtuar nga komunistët. Ajo është nga vendet më të izoluara të botës dhe prishur me ish-aleatët e saj Bashkimi Sovjetik dhe Kina, por vetëm kohet e fundit ka nisur të tregojë interes në lidhjet me Evropën perëndimore.
Zhvillimet politike
Më 18 dhjetor 1981 kryeministri shqiptar Mehmet Shehu u vra me armë ose vrau veten në Tiranë. Hetuesi i krimeve të luftës John Loftus akuzoi muajin e kaluar se inteligjenca e SHBA ka futur fshehurazi në vend kriminelë lufte për t’i përdorur në fushatat e agjitacionit kundër BRSS dhe për spiunazh në vendet e Evropës Lindore. Ai ka parë dhe dokumentacioni për individët shqiptarë, të cilat ia kaloi degës investigative të Kongresit, me argumentimin se bashkëpunëtorët e aksit nazist nuk mund të hyjnë në SHBA. Zoti Truit zotëronte një dokument ku përshkruhej vizita e Mit’hat Frashrit, drejtuesit të grupit shqiptar të kohës së luftës Balli Kombëtar, te ambasadori amerikan në Romë, të cilit i kërkonte pranimin e rreth 50 ndjekësve të tij në SHBA. I pari në listë ishte Hasan Dosti, ministri i Drejtësisë së Shqipërisë gjatë kohës së pushtimit italian. Disa muaj më vonë pas hetimit të biografisë së zotit Frashri departamenti tha se nuk e shihte të drejtë të lejonte hyrjen e 50-shes, me argumentimin: “Është e qartë se origjina politike e shumë prej emigrantëve shqiptarë në Itali është e dyshueshme dhe prezenca e tyre në SHBA mund të rezultojë herët a vonë një siklet për qeverinë tonë”. Por deri në prill 1949 Dosti ishte vendosur në SHBA dhe i kërkonte zyrtarëve tanë të mbështesnin një komitet kombëtar shqiptar në ekzil. Dosti më vonë u bë president i Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë, i sponsorizuar nga SHBA. Ndërsa tani ai është 87 vjeç dhe jeton Los Angeles.
Reagimet
Në një intervistë telefonike Dosti i refuzoi si propagandë komuniste pretendimet se kriminelë shqiptarë lufte kishin ardhur në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai kishte luftuar kundër gjermanëve, të cilët madje kishin vrarë anëtarë të familjes së tij. Ndërsa zoti Frashri ka ardhur në SHBA me ndihmën e zyrtarit të Departamentit të Shtetit, Robert Joyce. Xhafer Deva është gjithashtu një nga personazhet e dyshuar si kolaboracionistë të Komitetit Shqipëria e Lirë i cili është bërë përgjegjës nga shumë shqiptarë për masakrat e një numri shqiptarësh në Tiranë në shkurt 1944, si dhe akte të tjera të rëndë të kryera nga Gestapo në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare. Ai ka vdekur në Kaliforni në 1978. Një udhëheqës i kohës së luftës është Abaz Kupi, mbështetës i ish-mbretit Zog, i cili ka vdekur në Freeport në 1976. Komiteti Shqipëria e Lirë ka luajtur rolin e tij në politikat e SHBA, thotë ish-ministri i jashtëm britanik Ernest Bevin, i cili shton se Anëtarët e Komitetit konsultoheshin dhe operacionet e CIA në Shqipëri. Por parashutimet e agjentëve u sabotuan nga agjenti i dyfishtë sovjetik Kim Filbi dhe shumica e të infiltruarve u kapën dhe u vranë. Një nga agjentët e inteligjencës amerikane ka qenë Michael Burke, i cili në një intervistë tha se fund të viteve 1940 u ngarkua nga CIA për të krijuar një revolucion në Shqipëri. “Në fakt kjo ishte hera e parë që qeveria e SHBA kryente një operacion të këtij lloji dhe nuk ishim të sigurt nëse mund të rrëzonim një qeveri komuniste pa ndërhyrje të hapur ushtarake. Ishte një rast eksperimental në të cilin unë punova për një vit e gjysmë dhe më në fund vendosëm se nuk ishte e mundur të kryhej pa mbështetjen ajrore dhe ushtarake të Britanisë, nga ku erdhi dhe dekonspirimi”, thotë Burke.
11 mars 1988, New York, Departamenti i Drejtësisë
Konsolidimi i pushtetit nga sekretari i parë i partisë Ramiz Alia dhe rrjedhimisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike me vendet perëndimore. Burimi ynë që është një studiues dhe njohë si mirë i çështjeve shqiptare, ka informacion të dorës së parë mbi liderët politikë shqiptarë, përfshi dhe liderin aktual Ramiz Alia, me të cilin ka qenë në një shkollë. Në disa raste në të kaluarën ai i ka dhënë FBI informacione të besueshme, ndërsa informacioni i mëposhtëm është dhënë prej tij më 25 shkurt 1988: Ramiz Alia, sekretari i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, president dhe komandant i forcave të armatosura, po konsolidon me sukses pushtetin e tij në Shqipëri. Përveç mbajtjes së postit të parë në vend ai ka mbushur tre postet e tjera më të rëndësishme me të besuarit e tij. Këta njerëz kanë qenë miq të ngushtë që prej viteve 1944-1945, teksa kanë shërbyer së bashku në Brigadën e Shtatë Partizane gjatë luftës së Dytë Botërore, ku Alia ishte komisar politik.
Njerëzit e Ramiz Alisë
Adil Çarçani, kryeministri shqiptar (posti numër dy në vend) ka qenë komandant i Brigadës së Shtatë Partizane. Hekuran Isai, ministër i brendshëm e zëvendës krye-ministër (posti numër tre në vend) ka qenë oficer në Brigadën e Shtatë. Ndër përgjegjësitë e Isait është drejtimi i policisë dhe shërbimeve të inteligjencës, të njohura si Sigurimi. Prokop Murra, ministri i drejtësisë (posti numër katër në vend) ka qenë gjithashtu oficer në Brigadën e Shtatë partizane. Të gjithë këta njerëz u ngritën në pushtet nga ish-lideri Enver Hoxha përpara vdekjes së tij. Hoxha dëshironte të mbante këtë klikë për të ruajtur hegjemoninë e tij dhe atë të të vesë së tij Nexhmije Hoxha.
Kunati i Ramiz Alisë
Pas ardhjes në fuqi, Ramiz Alia ngriti edhe kunatin e tij Reiz Malile në postin e fuqishëm të Ministrit të Jashtëm. Malile përshkruhej si njeri inteligjent, serioz dhe besnik ndaj Alias dhe që postin e mori jo vetëm për aftësitë e tij por edhe prej marrëdhënies mes tyre. Diku para vitit 1973, Malile ishte ambasador në Kinë, kur gruaja e tij (motra e Alias) bashkë me dy fëmijët u vranë në një aksident ajror teksa po udhëtonin nga Pekini drejt Moskës. Malile pas kësaj pësoi një tronditje të rëndë psikologjike dhe humbi mendjen për disa kohë. Por megjithëse u rekuperua dhe u rimartua, ende vuan kriza të herëpashershme. Rreth vitit 1981 apo 1982 trupat e familjes së tij erdhën në Shqipëri dhe Malile i izolua për rreth dy javë duke mos folur e mos takuar askënd. Me konsolidimin e pushtetit të Alias, kanë nisur zhurmat e një prishjeje mes tij dhe të vesë së Hoxhës. Nexhmija dhe fraksioni i saj kërkojnë të ruajnë politikat izolacioniste të ish-diktatorit, kurse Alia kërkon një hapje më të madhe ndaj Perëndimit. Për momentin Alia raportohet se nuk kërkon hapje ndaj Shteteve të Bashkuara apo Bashkimit Sovietik. Në javët e fundit Ramiz Alia ka bërë disa gjeste pozitive ndaj Britanisë, duke përfshirë dhe një citim në shtypin vendas, ku ka thënë: “Nëse ne dhe Britania e Madhe ulemi për të diskutuar, ne mund të zgjidhim problemet tona”. Alia ka njoftuar gjithashtu se një skuadër futbolli shqiptare do të udhëtojë drejt Britanisë për disa ndeshje në vjeshtën 1988 apo në 1989.
Marrëdhëniet me Britaninë
Burimi ynë mendon se këto zhvillime janë pararendëse të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe. Gjatë vitit të fundit Shqipëria ka vendosur marrëdhënie me Kanadanë, Gjermaninë Perëndimore dhe Greqinë. Për arsye të problemeve urgjente të brendshme, burimi ynë mendon se qeveria shqiptare e pranon nevojën e zhvillimit të ekonomisë me anë të tregtisë me Perëndimin, veçanërisht me Gjermaninë Perëndimore. Këta të fundit kanë ngritur gjatë bisedimeve çështjen e të drejtave të njeriut, dhe për herë të parë qeveria shqiptare po pranon njëfarë ndjeshmërie ndaj opinionit botëror për të dhënat e saj mbi të drejtat e njeriut. Në një fjalim të kohëve të fundit të raportuar nga shtypi i brendshëm, Foto Çami, sekretari i komitetit qendror të partisë komuniste (një tjetër njeri zgjedhur nga Ramiz Alia) përmendi faktin se Shqipëria po detyrohet të përmirësojë të dhënat e saj për të drejtat e njeriut. Çami mohoi të ishte probleme për këtë temë, duke përmendur se Shqipëria kishte liri shtypi dhe fjale dhe se Shqipëria i kishte bërë një shërbim të madh popullit të saj duke e çliruar atë nga paragjykimet e fesë. Megjithëse fjalimi i Çamit mohonte problemet dhe abuzimet e qeverisë, ishte i pari që diskutonte në një nivel të lartë dhe publikisht për punët e të drejtave të njeriut. Përveç ndryshimeve të personelit të rangut të lartë, Ramiz Alia soli gjithashtu njerëz më të rinj, më të arsimuar në të gjitha strukturat e administratës, të cilët rrjedhimisht do të ishin besnikë ndaj tij. Ka pasur rezistencë për këtë nga anëtarët e vjetër të partisë, dhe veçanërisht nga besnikët e Hoxhës, por raportohet se këta janë duke u reduktuar në numër. Burimi ynë parashikon se në tre apo kaur vjet të gjtihë besnikët e vjetër të regjimit do të kalohen mënjanë, teksa Alia po krahasohet me një figurë të tipit Gorbaçov, pra të moderuar.
Të drejta e njeriut
Burimi ynë e njeh personalisht Alian, për të cilin thotë se kur ishte i vogël ishte i dashur dhe i butë, ndryshe nga pararendësi i tij Hoxha. Megjithse në Shqipëri ka ende abuzime të shumta me të drejtat e njeriut, burimi ynë thotë se arrestimet e natës dhe ekzekutimet janë reduktuar shumë. Kjo duket se ka lidhje dhe me sigurinë e brendshme teksa raportohet se numri i shqiptarëve që largohen nga Shqipëria është rritur ndjeshëm. Në muajt e fundit thuhet se një kolonel i ushtrisë me 17 ushtarë kanë dezertuar, ashtu si dhe një rast i largimit të rreth 35 fshatarëve së bashku. Qeveria i ka mbajtur të fshehta informacionet. Të kapurit e kohëve të fundit që tentojnë largimin nga vendi nuk janë ekzekutuar, dhe burimi ynë beson se kjo ka të bëjë me shqetësimin për opinionin botëror, ashtu si dhe me vetë temperamentin e Ramiz Alisë. Me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovietik, burimi ynë beson se Shqipëria do të vazhdojë të distancohet nga izolacionizmi i të kaluarës dhe shpejt do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Britaninë. Hapja ndaj Perëndimit po nis të sjellë shqetësime mbi reputacionin e Shqipërisë për të drejtat e njeriut. Abuzimet me të drejtat janë ende të shumta por është duke u bërë progres, edhe pse ai është shumë i ngadaltë.
12 tetor 1967, Mesazh sigurie
Në dosjet tona mundëm të gjenim vetëm informacione të cekëta mbi personat e përmendur në paragrafit 1, por që duket se konfirmojnë përfshirjen e tyre në masa të ndryshme në aktivitetet kundër shtetit të Shqipërisë. Nuk ka informacione se ata punonin me Destan Berishën por duket se shumica e agjentëve të këtij aktiviteti e njihnin njëri-tjetrin. Nuk ka tregues se këta persona punojnë kundër Jugosllavisë por kanë kaluar aty pas lëshimit me parashutë në Shqipëri, dhe gjatë rrugës për në Greqi. Ata kanë qenë në dorë të autoriteteve jugosllave prandaj autoritetet janë me siguri në dijeni të misioneve të tyre, dhe gjithashtu të faktit se nuk kanë si objektiv Jugosllavinë.
Dokumentet mbi Berishën tregojnë se ka nivel të ulët inteligjence, dhe ka qenë i interesuar për krijimin e grupeve të rezistencës në Shqipëri. Për një periudhë kohe ai ka qenë psikiatrisht i papërshtatshëm për t’u pranuar në programin e emigrantëve.
Të dhëna mbi subjektet
Hajredin Vuçiterna, i njohur ndryshe si Qerim Zymeri, ka lindur më 10 gusht 1915 në Beliç, Shqipëri. Është larguar nga Shqipëria në gusht 1946 pë të shkuar në Greqi, dhe në 1948-ën për në Itali. Ai është rekrutuar nga CIA dhe është parashutuar në Shqipëri në vitin 1949. Misioni ishte i pasuksesshëm dhe ai u arratis për në Jugosllavi, ku e vendosën në arrestim mbrojtës. Më tej u rekrutua nga UDB dhe pasi arriti në Trieste u bë gjithashtu agjent i CIAs dhe u drejtua kundër Mihailo Popoviç, në ambasadën jugosllave atje. Pas shtatorit 1954 nuk ka më të dhëna për të.
Shaqir Kabashi, i lindur më 14 maj 1927, në Gjilan të Kosovës. Ai është rekrutuar në kampin grek të refugjatëve shqiptarë në Lavrion në maj 1951. Është trajnuar si operator radio dhe ka marrë pjesë në tre misione tonat në Shqipëri. Ka përfunduar misionin në dhjetor 1952 dhe tani jeton në Nju Jork si shtetas amerikan.
Beqir Bajgora, i lindur në 15 korrik 1915 në Prishtinë të Kosovës. Shkoi në Shqipëri nga Jugosllavia në vitin 1930 për të punuar si fermer në zonën e Fierit. Hyri në Itali si refugjat në vitin 1949. U rekrutua prej nesh në Romë në nëntor 1950 dhe u parashutua në Shqipëri në 25 qershor 1951. Mbaroi mmisionin në 1952.
Ahmet Kabashi, vëllai i Shaqir Kabashit, i lindur në 1925 në Kosovë. Nuk ka të dhëna të jetë përdorur nga CIA në Shqipëri por është trajnuar për misione të tilla.