Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Shqiptarët që u bënë pjesë e shërbimit sekret italian

CIA ka dhënë detaje se shqiptarët që arratiseshin nga regjimi komunist bashkëpunonin me shërbimet sekret të vendeve fqinje. Në një dokument të deklasifikuar nga amerikanët, tregohet se në Itali shumica e shqiptarëve u kthyen në spiunë të tyre.

Shkurt 1949, Punësimi i refugjatëve shqiptarë për qëllime inteligjence

Në rrethet shqiptare në Romë po qarkullojnë zhurma se një numër refugjatësh shqiptarë që jetojnë në Itali po punësohen nga agjenci të ndryshme inteligjence. Këto operacione raportohet se kanë si qëllim nisjen e infiltrimeve për mbledhje inteligjence nga Italia me refugjatë shqiptarë që kanë qenë partizanë me britanikët. Operacione të tjera do të nisen nga Greqia të cilat do të përdorin refugjatë shqiptarë prezentë si në Itali dhe Greqi. Një operacion po organizohet aktualisht në Greqi, nën kujdesin e autoriteteve ushtarake greke, në të cilin po përdoren si shqiptarë ortodoksë ashtu dhe jo-ortodoksë rezidentë atje. Një tjetër program me aktivitet të paqartë supozohet të nisë nga shqiptarë të Jugosllavisë që tani jetojnë në Itali, të cilët kanë lidhje me partinë e ish-mbretit Zog. Personat e mëposhtëm supozohet se janë të lidhur me operacione të inteligjencës italiane: Tefik Likaj, i cili i largua papritur nga kampi i të zhvendosurve në Fermo një javë më parë; Feti Premte, Hysen Cami, Lon Prizreni i cili ashtu si Premte e Cami jetojnë në kampin e të zhvendosurve në Cinecitta. Këta persona kanë orare të çuditshme dhe shumicën e kohës nuk janë në kamp. Ethem Cako është larguar nga kampi i Bagnoli pranë Napolit, për të shkuar në kampin e Cinecitta, por nuk arriti kurrë në destinacionin e tij. Geman Hyska jeton në kampin e Bagnolit, por në Cionecitta flitet se është përfshirë në një operacion sekret. Aziz Caco është larguar papritur nga kampi i Cinecitta në një datë të paspecifikuar. Dy shqiptarë të tjerë nga Shkodra njihen që janë larguar nga kampi i Le Fraschette dhjetë ditë më parë për një destinacion të panjohur. Këta persona besohet se të gjithë janë anëtarë të partisë politike Bali Kombëtar. Informacionet mbi ta janë konfirmuar nga Enver Resilia.

Nëntor 1951, Organizmi i lëvizjes anti-Hoxha

Populli shqiptar mbetet i demoralizuar prej kushteve të vështira të jetesës, përndjekjes së policisë, burgosjes së figurave popullore dhe vuajtjeve të papërshkrueshme të mijëra njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë gra, pleq e fëmijë që janë mbyllur në kampet e përqendrimit. Gjithsesi besimi në rilindjen kombëtare është i fortë teksa çdo akt heroik, çdo ekzekutim i skuadrave të pushkatimit të Hoxhës nxit më shumë shpresat e shqiptarëve për një Shqipëri të lirë. Morali i popullit me siguri do të ngrihej e do të forcohej në rast të lindjes së rezistencës së organizuar për çlirimin e vendit. Organizata të tilla mund të financohen edhe në momente të tilla, megjithë demoralizimin që vjen nga shembja e shpresave të mëparshme për çlirim. Organizata të tilla do të ishin më efektive në veri të vendit ku popullata është ende homogjene dhe nuk ka elementë me prirje fraksionale apo ambicie personale. Në rajonet jugore ekzistojnë përçarje të tilla dhe shumica e popullsisë e pranon stabilizimin e regjit aktual apo ndoshta dhe vendosjen e hegjemonisë greke. Nëse lëvizja anti-Hoxha bazohet në jug kjo do të kërkonte shpenzime të mëdha në kohë dhe përpjekje dhe sakrifikimin e shumë njerëzve të vlefshëm. Mundësi të konsiderueshme ekzistojnë për depërtimin e ushtrisë dhe të policisë nga elementë anti-komunistë. Një hap i tillë do të ishte shumë i rrezikshëm dhe tentativa do të kërkonte kohë e burime të konsiderueshme financiare, si dhe shfrytëzimin e njerëzve të aftë e me influencë brenda shërbimeve qeveritare. Në ushtri ka pakënaqësi të madhe dhe kjo ndihmon në tentativat e depërtimit. Policia nga ana tjetër mbështetet më shumë nga regjimi i Hoxhës dhe integrohet nga agjenci të ndryshme si krimet, spiunazhi dhe faktorë të tjerë.

Nëntor 1951, Stabiliteti i regjimit, interesat e fqinjëve

Shqipëria është e rëndësishme për Bashkimin Sovjetik si një post i largët i komunizmit. Pas ndarjes së Jugosllavisë nga blloku sovjetik dhe dështimit të luftës guerile komuniste në Greqi, tashmë humbja e Shqipërisë do të ishte një goditje e rëndë për Moskën. Ekonomikisht Shqipëria është një barrë për BRSS ndërsa ushtarakisht ajo ka rëndësi të vogël për të. Aktivitetet e rezistencës janë një shqetësim për regjimin e Hoxhës, por jo një kërcënim urgjent. Për sa kohë që lëvizja e rezistencës është e shpërndarë dhe nuk merr ndihma të konsiderueshëm nga jashtë, forcat vendase të sigurisë do ta përmbajnë. Interesat e fqinjëve të Shqipërisë konfliktojnë me njëra-tjetrën prandaj në përgjithësi pranojnë një Shqipëri të pavarur në gjendjen aktuale. Shqipëria e ka humbur vlerën strategjike për Bashkimin Sovjetik pas shkëputjen nga blloku të Jugosllavisë, pasi vendi ka mbetur i izoluar nga ana tokësore prej orbitës. Por Shqipëri mund të kishte rëndësi për fushata të mundshme tokësore në Ballkan, teksa në bashkëpunim me Bullgarinë mund të kontribuojë në ndarjen e Greqisë nga Jugosllavia. Në Shqipëri, para debatit jugosllav në 1948, Shqipëria ishte e lidhur ngushtë me Beogradin, por në momentin e duhur nuk zgjodhi të ndiqte “herezinë” e Titos, por u rreshtua në kampin e Moskës dhe nis një fushatë të ashpër për eliminimin e elementëve “nacionalistë”. Kështu Hoxha jo vetëm që arriti të shkëpusë vendin nga lidhjet me Jugosllavinë por me këtë rast eliminoi dhe të gjithë konkurrentët seriozë për udhëheqjen në Shqipëri. Rivaliteti i raportuar me Shehut e Hoxhës nuk pritet të ketë rëndësi pasi të dy ata duken të kontrolluar ashpërsisht nga Kremlini. Në ndihmën sovjetike Shehu e Hoxha ia kanë dalë deri tani të udhëheqin vendin me metodat e zakonshme të terrorit policor dhe kontrollit të ashpër ekonomik. Megjithë rastet e oportunizmit dhe mungesës së besnikërisë, organet e sigurisë kanë rezultuar të suksesshme në shtypjen e opozicionit. Asistenca sovjetike për Shqipërinë nuk mbështetet nga një traktat bashkëpunimi, ndoshta sepse BRSS dëshiron ta lërë situatën të hapur dhe të evitojë përkushtimin zyrtar, që mund të rezultojë i sikletshëm në rrethana të caktuara. Shqipëria ka një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë, prej 16 dhjetorit 1947. Gjithsesi çdo ndryshim në situatën shqiptare që kërcënon kontrollin sovjetik mund të kthehet menjëherë në një kërcënim për prestigjin sovjetik në rajonin ku një nga satelitët tashmë e ka sfiduar Kremlinin, kështu që toleromi do të jetë më i vogël se në rastin e parë. Në kushtet aktuale ndryshimi mund të ndodhë vetëm me ndihmën e një ose disa vendeve fqinje dhe domosdoshmërish do të sillte përkeqësim të situatës ndërkombëtare, prandaj dhe kundërveprimi sovjetik do të bazohej në interesat e tij të strategjisë globale.

Përplasjet

Brenda vendit, incidenti më i zhurmshëm i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por më shumë impakt ndaj regjimit komunist kanë qenë atentatet dhe disa sabotime në strukturën ekonomike. Deri tani regjimi Hoxha ka arritur të përballojë lëvizjet e opozicionit me masa represive. Kështu Shehu ka organizuar batalione të veçanta të ndjekjes në zonat malore kundër grupeve të veçanta të rezistencës. Refugjatët shqiptarë në Greqi e Jugosllavi raportojnë për grupe individuale rezistence me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu” “Uniteti Kombëtar” etj., por nuk duket se ka koordinim mes tyre megjithë qëllimin e përbashkët për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Mes grupeve të rezistencës në emigracion, më me influencë është Komiteti Shqipëria e Lirë e sponsorizuar nga SHBA me seli kryesore në Romë, ndërsa grupe të tjera sipas ndarjeve politike janë Partia Kombëtare Agrare (ish-Balli Kombëtar) me influencë në jug të Shqipërisë, partia e Legalitetit pro-ish-mbretit Zog, të cilat kanë kontradikta mes tyre për llojin e qeverisë së ardhshme në vend. Për momentin si përpjekjet e grupeve të brendshme të rezistencës dhe ato të jashtëm nuk kanë koordinim mes tyre dhe kjo ka thjeshtësuar detyrën e organeve të sigurisë për neutralizimin e tyre. Tre fqinjët e Shqipërisë gjithmonë kanë pasur interesa kontradiktore në pretendimet e tyre ndaj vendit pasi vetë ekzistenca e shtetit shqiptar është vendosur nga fuqitë e mëdha. Supozohet se të tre fqinjët e Shqipërisë dëshirojnë rrëzimin e regjimit komunist të Hoxhës por interesat e tyre për statusin përfundimtar të vendit nuk përputhen me njëra-tjetrën. Që prej izolimit të Shqipërisë me prishjen me Jugosllavinë në 1948 politika e secilit prej fqinjëve ka qenë pozicionimi i tillë në mënyrë që të përfitojë sa më shumë nga rënia e mundshme e regjit, prandaj çdo vend ka punuar për të neutralizuar lëvizjet e tjetrit. Kjo ka sjellë ndër të tjera dhe çortientimin e përpjekjeve të rezistencës dhe dëmtimin e punës së koordinuar të Perëndimit. Italia dhe Jugosllavia e kanë pranuar zyrtarisht parimin e një Shqipërie të pavarur me kufijtë e saj aktualë dhe të çliruar nga kontrolli sovjetik. Ndërsa Greqia është më hezituese për të hequr dorë nga pretendimet e Epirit të Veriut, por statusi i ri i Shqipërisë do të varet nga mbështetja që ajo do të marrë nga fuqitë e mëdha.

Shtator 1952, Deklaratë e Cedo Mijoviç

Mijoviç deklaron se është autorizuar nga eprorët të mbrojë se politika e Jugosllavisë është ajo e ruajtjes së gjendjes aktuale me Shqipërinë dhe Ballkanin, dhe se cilido që tentonte të prishte balancat kufitare ne Ballkan do të haste në kundërmasat ushtarake të Beogradit. Mijoviç thotë më tej se pavarësia dhe integriteti territorial i Shqipërisë do të mbrohen nga Jugosllavia kundër çdo kërcënimi. Ky parim, thekson ai është qartësuar në një artikull zyrtar në 1951 të të përditshmes së Beogradit Borba. Mijoviç gjithashtu përfitoi nga rasti për të përsëritur propozimin e Randolf Çërçil që Shqipëria të ndahet mes Greqisë dhe Jugosllavisë, të cilit Tito iu përgjigj se Jugosllavia i gëzohet pavarësisë dhe integritetit të saj territorial por dëshiron të kërkojë respekt për të gjithë popujt, të madhej e të vegjël. Prandaj vendi i tij në asnjë mënyrë nuk do të përfshihej në eliminimin e vendit të vogël, bujar e fisnik të Shqipërisë. Fakti që shqiptarë të të gjitha feve, rajoneve e bindjeve politike marrin pjesë në Komitetin e refugjatëve të Prizrenit, është një provë e sigurtë se kjo organizatë është e motivuar të realizojë qëllimet jugosllave për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Shqipëria sot është në një situatë të vështirë, pasi nuk ka qenë kurrë kaq e izoluar dhe pa asnjë vend mik. As Rusia sovjetike dhe as vendet satelite nuk duan të bëjnë pakte asistence të ndërsjellë me të. Ajo gjithashtu nuk ka asnjë garanci nga vendet Perëndimore. I vetmi traktat që ajo kishte me Jugosllavinë u prish nga Hoxha në 1948. Por sot vetëm, Jugosllavia po mbron të drejtat e Shqipërisë, megjithëse nuk ka ndërmend të ndërhyjë në çështjet e brendshme. Jugosllavia i ka organizuar refugjatët shqiptarë mbi bazën sa më të gjerë të mundshme dhe kjo duket qartë në statutin e Komitetit të Prizrenit. Mijoviç thotë se në një nga rastet, po punonte në raportin mbi çështjet shqiptare për partinë komuniste, kur Milovan Xhilas tha se shqiptarët duhet të lihen të lirë të organizohen sipas interesave të tyre patriotike, pa marrë parasysh bindjet prej kohës së luftës. Patriotët shqiptarë duhet të binden se kanë mbështetjen dhe miqësinë tonë të plotë, tha Xhilas. Prandaj refugjatët shqiptarë në Jugosllavi janë të lirë të shkruajnë e të flasin si të dëshirojnë. Mijoviç përmendi miqësinë që kishte me Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Lutfi Spahiu, të cilët i respektonte për patriotizmin dhe sinqeritetin e tyre, megjithëse nuk ishin komunistë. Ata nuk kishin nevojë të fshihnin idetë apo ndjenjat e tyre politike në Jugosllavi. Mijoviç tha se opinioni i tij personal ishte se BRSS nuk do të hynte në luftë për Shqipërinë, e cila kishte një vlerë të madhe strategjike si një pikë mesdhetare qendrore, por me daljen e Jugosllavisë nga blloku kishte mbetur e izoluar. Ai tha se çdo tentativë tjetër për çlirimin e Shqipërisë, përveçse me anë të Komitetit të Prizrenit do të ishte shumë e kushtueshme dhe nuk do të arrinte rezultatet e dëshiruara. Është detyra e çdo patrioti të japë mbështetjen e tij për Komitetin e Prizrenit. Për arsye të vuajtjeve e sakrificave të pësuara në terren, udhëheqësit e Ballit Kombëtar Indipendent kanë fituar të drejtën që zëri i tyre të dëgjohet në arenën politike shqiptare. Në lidhje me komentin e tij se Greqia preferon ndarjen e Shqipërisë, Mijoviç tha se është shumë më tepër e këshillueshme të tolerohet regjimi i Hoxhës sesa të pranohet ndarja e Shqipërisë.

Vetëvrasja e krerëve rinorë nxisin spastrimet

Sinjalizimet e fundit se regjimi i Hoxhës po përpiqet të revolucionarizojë shoqërinë shqiptare dhe të krijojë “shqiptarin e ri” po hasin rezistencë prandaj qeveria po shtyp dhe spastron elementët konservatorë. Në një artikull të 20 dhjetorit “Zëri i Popullit” raporton për herë të parë se udhëheqës rinorë komunistë të Tepelenës kishin kryer vetëvrasje në fund të 1969, çka kishte sjellë spastrime të radhëve lokale të partisë. Sipas artikullit dy të rinjtë ishin akuzuar gabimisht nga zyra e partisë si tradhtarë e armiq të popullit. Artikulli nuk saktëson natyrën e akuzave apo shpifjeve ndaj të rinjve, por i lavdëron ata si “militantë të pararojës” dhe e bën të qartë se tentativat e tyre për të luftuar për linjën e partisë mbi emancipimin e grave dhe të rinjve ishin arsyet që sollën ngritjen e opozicionit nga “armiqtë e klasës”. Duke theksuar seriozitetin me të cilin regjimi e merrte në konsideratë incidentin, gazeta raportonte se Komiteti Qendror i Partisë ishte takuar në një datë të paspecifikuar për të diskutuar çështjen dhe kishte “denoncuar ashpër qëndrimin e gabuar të komitetit të Tepelenës dhe drejtuesve të tij”. Ai shtonte se sekretariati i partisë ishte takuar dhe Enver Hoxha kishte dhënë një fjalim më 18 tetor me titull “Të drejtat dhe liritë e grave e të të rinjve duhet të kuptohen e të mbrohen nga të gjithë”. Asokohe fjalimi i Hoxhës nuk mori shumë publicitet dhe nuk ishte publikuar i plotë, por një raportim i mëvonshëm i tij në “Zërin e Popullit” më 14 dhjetor, ishte intensifikuar në përmbajtje për të parapërgatitur opinionin për raportimin e vetëvrasjeve një javë më vonë. Kjo solli një tronditje të thellë të aparatet lokal partiak në rrethin e Tepelenës. Vetëvrasjet dukej tashmë se kishin ndodhur gjatë verës ose në fillim të vjeshtës, ndërsa raportimi i fjalimit të Hoxhës më 14 tetor mbronte teoritë moderne të “thellimit të demokracisë me të drejta të grave e të të rinjve” dhe pranonte se lufta e klasave e përpjekja për revolucionarizimin e çdo aspekti të jetës së vendit po studiohej në të gjitha nivelet organizative. Pas takimit të sekretariatit në tetor dhe fjalimit të Hoxhës, një artikull i 20 dhjetorit thoshte se një plenum i Komitetit të Partisë së Tepelenës kishte rehabilituar figurën e dy të rinjve të vetëvrarë dhe kishte shkarkuar tre sekretarë partie zonalë nga detyra. Artikulli shton se plenumi mori gjithashtu masa disiplinore ndaj disa zyrtarëve të tjerë që kishin bërë gabime, ndërsa ngritësit kryesor të akuzave ndaj të ndjerëve i ishte dhënë dënimi maksimal për shpifje. Publikimi i incidentit të Tepelenës sugjeron se me të regjimi po përpiqet të justifikojë intensifikimin e fushatës aktuale të revolucionarizimit ideologjiko-politik. Shqipëria ka nisur versionin e saj të revolucionit kulturor në 1967, sipas modelit kinez, me qëllim emancipimin e grave dhe të të rinjve, si dhe eliminimin e të gjitha zakoneve apo institucioneve të vjetra fetare apo borgjeze. Artikulli thekson më tej se kuadrot e partisë duhet të nxjerrin mësime nga incidenti dhe nënkupton se në të ardhmen fenomene të tilla konceptesh të huaja apo konservatorizmi do të dënohen ashpër. Artikuj mbyllet duke thënë: “Incidenti thekson nevojën e forcimit të punës organizative dhe ideologjike të partisë për edukimin e masave. Të gjitha qendrat e vogla dhe të mëdha të punës, si dhe kooperativat kanë nisur tashmë një analizë të plotë të gjendjes së gjërave pas fjalimit të shokut Enver, dhe kudo po vërehet fryma e autokritikës”.

Please follow and like us: