Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Jorgos Souris nën shqipërimin e Arqile Garos

Rezultate imazhesh për Jorgos Souris

 

TESTAMENTI IM

 

Megjithëse vdekjen s’ e shkoj nëpër mend,

në lule të moshës,  bujk pas një parmënde,

i thashë vetes sime – “bëj një testament,

që të jesh në rregull me ndërgjegjen tënde”.

Nga ta dijë njeriu çfarë e pret pas dere!

ndërsa ecën rrugës, je në qejfin tënd!

të vjen një makinë a një palo qerre,

dhe shkon n’ atë botë pa lënë testament.

“Asnjë penë për mua lavde të mos thurë,

dhe lotë të më derdhen s’dua përmbi varr,

as ai që veten ma mba dhe për burrë,

e shpreson se votën prapë do të ma marrë.

Mu në Amerikë gropën të ma bënin,

por gjersa e di që kjo gjë nuk ndodh,

në ndonjë përrua flakmëni si qenin,

mbani lavdinë  time sa t’iu bëhet rrodhë.

Dhe dua rreth meje surrate të qeshur,

pa shami të zeza, britma e ofshama,

mos vijë Karkashina me rason të veshur,

po s’ vjen dot Saliu, të mos vijë as Rama.

Të më shpien miqtë tej tek qiparisat,

me raki e birra le të bëhen deng,

e në vend të psallmës le t’ i tundin lisat,

me këngë dashurie, saze dhe aheng.

Asnjëri mos mbajë fjalim, o ju djelma,

e në qoftë se kujt do t’ i mbetet peng,

kapeni prej zverku, ngjesheni me shqelma,

që ti iki zëri e të mblidhet xheng.

Do t’ ja lë atdheut komplet pasurinë ,

me ara, bashtina, tokën e kujtimet,

e jo për të vrarë njeriu njerinë,

por të blejë një lopë, të ushqejë jetimet.

Mjekrën poetikë, baluket me onde,

qysh tani i fal e t’ i trashëgojnë,

gjithë ata që jetën e bënë vagabonde,

veç qime të ngjyer s’ kanë se si tregojnë.

Kafkën prej poeti që luftoi tiranët,

kafkologët  dinë si ta bien mbarë,

le ta hulumtojnë nga të katër anët,

mbase dhe e gjejnë vidhën q’ i kish shkarë”.

 

Shqipëroi dhe pruri në epokë: Arqile Garo, Janinë, dhjetor 2013.

 

TE SHKOJ A TE MOS SHKOJ

 

Këtë poezi ja dedikoj mikut dhe bashkëfshatarit tim, profesorit Aleks Doko me respekt, simpati e mall!

Në ballo jam i ftuar… e unë vdes për të dancuar,

të shtrëngoj një bel të hollë edhe këndshëm të lëviz,

mirë po, duhen goxha lekë që të shkoj rruar e kruar,

ku t’i gjej! është kohë e poshtër me papunësi e krizë.

Unë s’jam veç se një poet, ku më del që të shpenzoj?

eh, kështu i dhashë karar, jo ore vëlla… nuk shkoj!

Ja vajta, u bëra mondan si të tërë aristokratët,

zonjës së shoqërisë së lartë qysh do t’ i prezantohem?

T’i them poet? t’ i them shkrimtar?… do të valojnë domatet,

t’ isha të paktën profesor, a doganier, mendohem!

Në shtëpi pra do rri urtë do t’i lë këto marifete,

çoç do gjëndet për ta shtyrë… e pra, në ballo nuk vete.

Po të më qaset konsulli e të më flasë francezçe

e unë frëngjishtes nuk ja them, po hiç, s’e gërvëlis,

do turpërohem si fshatar pa do më shajnë dhe derrçe.

Po sikur të harrohem pak se gjëndem në mexhlis,

e t’i dërgoj “sto dhjavollo!” me sorollop e soj,

po të filloj të gromësij… ç’ më duhet që të shkoj?!

Zëre se nis edhe dancoj nën xhazin që kërcet

edhe më shket këmba e majtë pa dashje, pa qëllim,

e të zhgërryhem gjërë e gjatë me zonjën në parket,

dashnori a bashkëshorti i saj ta marrë për ofendim,

e të më turret befasisht të nis të më grushtojë

e të m’ i bëjë turinjtë sallatë?!… oho! jo jo nuk shkoj.

E po nuk isha elegant në sjellje, në veprime

dhe ç’ është ajo me rëndësi po s’pati as bufe,

unë të tulatem si guak, si trap në qoshen time

edhe të mbetem i pa ngrënë me një të shkretë kafe?

Edhe po kjo dhe po ajo e po… të vejë në  djall!

Pa do prezencë, pa do dhe lekë… hiç ore, nuk kam mall.

Po sikur bukur të dancoj të bëj ndonjë figurë,

edhe të them ca fjalë frëngjisht pa u ngatërruar fare,

ndonjë zonjushe ta verboj si mashkull e si burrë,

edhe të mbyllemi të dy në dhomë a në kamare?

Po sikur të ketë dhe bufe të ha të pi, do rroj

të pakten tre a katër ditë?… po more po, do shkoj.

Pa do të jenë edhe ata që shkruajnë në gazeta

për veshjet e aristokracisë, për shije e për moral,

për sy, për vithje, për sutjenë për lesh e për gërsheta,

po sikur të më vinin re, të shkruanin dy fjalë?!

O Zot!… merr vrull or djalë i mbarë, krehu edhe stolisu,

bëju modern e sqimatar e për në ballo nisu!

Do vrasin mendjen, pse s’po vjen, do të filojë gallata,

po s’kam dorashka, frak nuk kam e kujt do t’ja kërkoj.

Hej – djall i madh!- po ç’ më ka zënë? Sapo kaloi mesnata,

e unë idioti plane bëj të vete të dancoj,

hë pra?… do shtrihem e do fle pa dert e pa shpenzim,

edhe po që se dua dans, vallzoj mbi shtratin tim.

 

 Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2013.

 

NA VINI TAKSA!

Janar 1883

Vini or taksa pa mbarim mbi k’ të të varfër shpinë,

vaditeni me gjakun tonë atdheun e mjeruar,

vazhdoni ju të pini verë tek purot venë e vinë,

e ne të rrimë e t’ ju vështrojmë me sy të zgurdulluar

Tatoni dhe atë të shkretë burim që gurgullon…

na vini taksa pa mbarim, kurrizi ynë duron.

E në patëm ndonjë virtyt mbi vete, le të shkojë

e na mbuloftë çerenë e gjorë ngjyra e ligështisë,

edhe bilancin kombëtar me ne ta balancojë,

na vini taksa në çdo kockë e dell të perëndisë.

Nga mishi ynë pritni një thelë të bollshme e plot shije,

dhe hajeni tok me atdhenë shullëhur ndënë hije.

Atë çka hanë të varfërit, të jetë e kombit pjatë,

atë çka pinë të varfërit, kombi ta ketë për ngrohje˙

ju ngopuni porsi Lukulë, me ne plebejtë e ngratë,

e ne me plot përulësi, t’ ju shprehim mirënjohje.

E po, durojmë porsi hajvanë, se k’si havanesh jemi,

e nuk na bëhet as për mbarë të tërë në djall të vemi.

Shumica duhet që të jenë të varfër, të uritur,

ndërsa pakica barkun plot ta ketë përgjithëmonë,

të shumtët brënda në shtëpi të mbyllen neveritur,

të paktët lart ndër qeveri e kllabe natën vonë.

Duhet mileti që është poshtë ta mbajë barrën e rëndë,

edhe pakica për mbi të të ndihet lehtë, si pëndë.

Më këtë ligj u rrit kjo botë e me këtë do rrojë,

fuqisë së tij i rri në gjunjë çdo shoqeri civile˙

s’ ka mundësi çdo kush prej nesh të nis të mbretërojë,

sepse i prish çdo harmoni kësaj dynja debile.

Skamje dhe kamje!… një problem në shekuj i pazgjidhur,

që s’ paska as fillim as fund, veç një betejë e hidhur.

Ndaj mos guxojë ndonjë fakir e të lëvizë kapakun,

për projektligjet që valojnë askush mos pipëtijë,

por në altarin kombëtar të vijë e të falë gjakun,

e zemërzeza mos guxojë të qajë, të psherëtijë.

E në i rëntë në llotari një luftë a një gjëmim,

të dalë e të rrëfejë se është: hero, martir dhe trim.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, shkurt 2014.

 

SHQIPUA

 

Përjashta kafenesë, si beu, kapardisur,

ca rreze diellore me nge rri absorboj,

në faqet e gazetës i tëri jam vithisur,

e nuk ja var njeriu, as dua të dëgjoj.

 

Mbi një karrike këmbën e majtë e kam të hedhur,

të djathtën kam kumbisur më tej, në tavolinë,

kapelen heq nga koka, e nis me zë të dredhur

të shaj ministra, shefa, partitë dhe qeverinë.

 

Hej zot! sa ditë e ngrohtë! çfarë drite! çfarë natyre!

ekspresi me kajmak tek hunda m’ avullon,

dhe unë i frymëzuar ndjej si biçim detyre,

të hedh disa mendime përmbi planetin tonë.

 

Nis shaj englezët, grekët, e kë më del përpara,

dhe dredh mustaqen time që ndrin aty karshi,

e siç më zë inati shaj fise po dhe fara,

shaj edhe veten time, dridhem si qen në shi.

 

Më vjen ndër mend Selami por edhe Skënderbeu,

me vete zë krenohem, më ngrihet mjekra drizë,

dhe shqipon mbi të gjithë lëvdoj porsi burrë dheu,

përdridhem mbi karrike dhe vetes i bëj… “bizz!”.

 

Evropës aleate i jap munxat me duar,

dhe tavolinës rëndë i ngjesh një goxha grusht…

Pa kur m’ u derdh kafeja, ngadalë o i uruar!

ibret u bëra fare dhe shaj: shejtan e pusht!

 

Shpërthej tek kafexhiu…  atij i ndizet gjaku.

Dhe në inat e sipër i thyej dhe bufenë,

e shaj edhe më shan, pastaj valon dajaku,

së fundi… nuk paguaj!.. dhe i pi qyl  kafenë…

 

Shqipëroi dhe pruri në epokë: Arqile Garo, Janinë, shtator 2014.

 

NJE SHQIPETAR NE PARAJSE

 

 

O Zot ç’ tu shkrep kur mua shënjtëroje?

ti ke përshtypjen se më qave hallin,

përse s’ mendove rëndë të më dënoje

e të më çoje në një vend me djallin?

E mirë qënka parajsa, plot çudira,

se poshtë e lartë gjithë ditën vërdallosem,

shikoj shënjtorët rreth e s’ merakosem,

këndoj libra të shënjta, historira,

dëgjoj hymnet e hyjnore nga një çikë,

por keni një të metë, ju marrtë e mira,

se nuku flisni hiç për politikë!

 

Ti me rehat na qeveris përherë,

dhe s’ bie kurrë nga fron’ i larë me ar…

Të ish e mundur e do qe me vlerë

të kish dhe një si ti, pak gënjeshtar,

mileti qiellor në dysh të ndahej

të vij ai, të zihej e të çahej,

të bëhej pak gallatë me kundërshtarë…

Porse këtu çdo gjë shkon me logjikë,

se qielli veç ti të ka të parë

e nuku flet njeri për politikë!

 

Këtu, të gjithë në urtësi jetojnë,

mua më duket ferr e shkuar ferrit,

për politikën veshët s’ më dëgjojnë,

dhe kjo kalon çdo cak, për fjalë të nderit!

Po kishe nëpër mendje një dënim,

mu në hapsanë më prure Zoti im…

Por po ta them, se po më humb durimi,

dëbomë, se do të bëhem arrogant,

se vallahi po më pushtoi tërbimi,

do nis agjitacion e propagandë!

 

Shqipëroi dhe përshtati: Arqile Garo, Janinë, janar 2014.

 

PRIFTERESHA

 

 

Zonjë e priftit të nderuar

me një dhjak është dashuruar

e me të vete dhe vjen…

burri e saj rri e shikon,

se qysh vete qysh kalon,

por të keqe gjë nuk ndjen.

 

Shkonte koha për merak

derisa pak e nga pak

bëhet prift dhjaku hamshor

e vë mitër e kurorë.

 

Edhe burri i saj i shkretë

që inat nuk mbajti fare,

shugurimin ja bën vetë

me ceremoni fetare.

 

Dingi, dang!… qiejt bërtasin

“I zoti!” e brohorasin,

që të gjithë e tundet mesha.

Por më klithëm nazetare

“Shumë i zoti! I zoti fare!”

Përshëndet dhe priftëresha.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2013.

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: