Albspirit

Media/News/Publishing

Prof.dr. Bardhosh Gaçe: Të mësosh për historinë nga jeta e Vasjarëve…

Image result for bardhosh gace

 

Libri monografik “Oxhaku Vasjari” i autorëve Xhezo Cana dhe Ibrahim Vasjari ka vlerë jo vetëm për njohjen me familjen Vasjari, së cilës i kushtohet, por është një burim i veçantë referencial për shumë histori, ngjarje, kohë, fakte dhe personazhe të tjerë historikë për të cilët flitet, të rreshtuar qysh nga kohët e hershme e deri vonë. Si në shumë historiografi, jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të vendeve të tjera europiane, historitë e veçanta familjare kanë rëndësinë dhe rolin e vet, si pjesë përbërëse e historisë së çdo kombi.

Në këtë kuptim, historia e fisit Hysoskëndaj ka veçanërisht një marrëdhënie interesante me historinë e madhe të krahinës dhe të vendit. Ashtu siç ndodh zakonisht në familjet me emër e histori, edhe për Hysoskëndajt (Vasjarët) ka tregime mitike, me kohë të “legjendizuara”. Të ardhur nga Nivica e Kurveleshit, për ata ka një gojëdhënë me mitin e “lëkurës së kaut”. Por më e rëndësishme është fuqia dhe vitaliteti i kësaj familjeje për t’u ambientuar shpejt në vendbanimin e ri, duke arritur të krijojnë pasuri dhe emër të nderuar mes parësisë së fshatit Vasjar.

Dy autorët Xhezo Cana dhe Ibrahim Vasjari e kanë ndërtuar informacionin monografik të librit kryesisht mbi figurat e njohura të familjes Vasjari gjatë një rrjedhe të gjatë e të vijueshme kohore prej dy shekujsh, mbështetur në një bollëk  dokumentesh arkivore, por edhe në vepra të studiuesve dinjitozë, të tillë si: P. Aravantino, Pukëvil, Aristith Kola, Irakli Koçollari etj, duke hedhur dritë mbi ngjarje, histori dhe njerëz të shquar jo vetëm për Pashallëkun e Janinës, por dhe për historinë në përgjithësi.

Autorët kanë arritur kështu t’i japin publikut lexues një vepër me vlera të mirëfillta studimore-shkencore, paraqitur me një gjuhë të thjeshtë e të rrjedhshme, falë një bashkëpunimi të frytshëm mes tyre, ku gërshetohen në mënyrën më të mirë kapacitetet e veçanta cilësore të këtyre dy krijuesve. Të tilla bashkëpunime autorësh janë të sukseshme veçanërisht në zhanrin e monografisë. Të bie në sy harmonizimi i punës së tyre në këtë libër ku spikat aq qartë puna këmbëngulëse, pasioni hulumtues dhe aftësia profesionale prej studiuesi cilësor e Xhezo Canajt në gjurmimin, seleksionimin dhe interpretimin e një materiali kaq të bollshëm dokumentar, sa edhe narrativa e rrjedhshme, kujdesi gjuhësor dhe aty-këtu koloriti figurativ i profilit krijues prej shkrimtari të Ibrahim Vasjarit.

Kolona e figurave të shquara të familjes Vasjari nis me Ago Vasjarin, veprimtaria dhe cilësitë e tij burrërore, intelekti dhe temperamenti i të cilit shpalosen në Pashallëkun e Janinës. Ago Vasjari bashkë me të vëllezërit kanë marrë pjesë në shumë ekspedita të sukseshme ushtarake në shërbim të Pashait.

Si njëri nga njerëzit më të afërt të Ali Pashës, Ago Vasjari merrte pjesë në marrëveshjet kryesore dhe bisedimet e pashallëkut. Ai ishte administrator i pashallëkut, i ndërtimit të kalave, urave, rrugëve, kullotave, staneve të kapedanëve dhe mjaft punëve të tjera më të cilat kishte lidhje pashallëku.

Jo vetëm në fushën ushtarake, si njohës i mirë i artit të luftës, por edhe në fushën e diplomacisë shfaqet me tregues inteligjentë, ku duhet të “interpretonte’’ mjaft situata delikate. Ago Vasjari vepron me zgjuarësi në një nga situatat më të vështira nëpër të cilën po kalonte Pashallëku i Janinës, kur ishte nevoja për t’i bindur suliotët të bashkoheshin me Ali Pashën në luftë kundër Portës së Lartë. Me bëmat e veta, ai hyri në njoftimet e gazetave të kohës, madje u përjetësua dhe në një tablo të vitit 1821. Për këto arsye, Ago Vasjari është vënë në objektin e studiuesve vendas e të huaj si njëri nga burrat më në zë të kohës.

Veiz Vasjari vijoi traditën e të vëllait, të burrave të luftës e të mendjes. Ai u përfshi në zhvillimet më të rëndësishme politike dhe ushtarake të kohës që nga Kuvendi i Beratit (1828), si përfaqësuesi i kazasë së Tepelenës, e deri në fund të viteve ’40 të shek. XIX. U shqua kudo e kurdoherë, duke krijuar një profil të vetin prej luftëtari antiosman. Veiz Vasjari renditet denjësisht krahas krerëve të shquar të kryengritjeve popullore të Jugut, si: Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Çelo Picari, Rrapo Hekali, Cane Myftari etj, të cilët krahas luftës shtruan para pushtuesit dhe kërkesa politike mjaft të rëndësishme për kohën.

Në rrjedhën historike të familjes Vasjari, në njërën nga kohët më të rëndësishme të Shqipërisë, atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shfaqet Myslim Vasjari. Anëtar themelues i Komitetit Shqiptar të Janinës (1877), miku i ngushtë i Abdyl Frashërit, Myslim Vasjari veproi kryesisht në Janinë, Gjirokastër dhe Përmet. U shqua veçanërisht si një nga eksponentët e luftës për mbrojtjen e Janinës nga sulmet e shovinistëve grekë më 1880.

Historia e kësaj familjeje vazhdon pa ndërprerje me Rilindjen Kombëtare, Pavarësinë, mëkëmbjen dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar deri në fund të Luftës II Botërore. Mobilizimi i energjisë patriotike vazhdon pa e ulur intensitetin, pa i ulur kontributet dhe vlerat. Vijojnë shumë pasardhës, ndonëse libri veçon disa prej tyre, ata më kryesorët: Veli Vasjarin, Syrja Vasjarin dhe Halil Vasjarin, me ca dallime ideore nga njëri-tjetri, por të gjithë bashkë në mbrojtje të shqiptarizmit.

Libri monografik i Xhezo Cana dhe Ibrahim Vasjarit, në dukje si një histori familjare, është i rëndësishëm dhe i nevojshëm edhe për historinë kombëtare, pasi ai pasuron me ngjarje, individë dhe dëshmi të reja momente të rëndësishme të saj, që nga koha e Pashallëkut të Janinës e deri në ditët tona.

Me këtë rast, ashtu siç unë kam përjetuar kënaqësi dhe nevojë për ta lexuar këtë libër, i cili është shkruar me sinqeritet, me kujdes në përdorimin e kujtimeve, dëshmive dhe burimeve të tjera, mendoj se çdo lexues do të ndiejë këtë kënaqësi.

Kur shkruhet për të vërtetat, libri gjithmonë është i bukur, por më së shumti i nevojshëm, pasi autorët kanë ndriçuar mjaft dëshmi historike, duke i bërë një shërbim të çmuar historiografisë shqiptare.

 

Tiranë – Vlorë, gusht 2018

Please follow and like us: