Shaban Murati: Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës
-Libri i ri i Shaban Muratit për Kosovën-
Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit Shaban Murati “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, botuar në kuadrin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga Fondacioni i mirënjohur “Alsar” në Tiranë, i cili vazhdon kontributin me botimin e veprave të autorëve të njohur shqiptarë të fushave të ndryshme.
Libri paraqet një antologji të analizave sistematike të autorit për problematikën diplomatike të shtetit të Kosovës nga krijimi i tij deri në ditët e sotme. Sistematizimi i çeshtjeve, konsekuenca dhe dinamika e ndjekjes së tyrë në zhvillim e sipër, e bëjnë librin aktual dhe lexuesi mund të gjejë në të disa përgjigje për pikëpyetjet dhe për zhvillimet e sotme rreth Kosovës.
Analiza e autorit përmbledh çeshtjet më të mprehta, me të cilat është përballur diplomacia dhe shteti i Kosovës në dhjetëvjetëshin e parë të jetës së vet. Kjo përfshin frontin e vështirë diplomatik të përballimit me diplomacinë e Serbisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, si dhe përballjet me barrierat e pafund antikosovare të diplomacisë ruse. Përfshin ballafaqimet me segmente të diplomacisë europiane, e cila jo gjithmonë ka ruajtur koherencën e saj për Kosovën dhe për Ballkanin. Përfshin trajtimin e disa marrëdhënieve dhe problemeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Një trajtim të thelluar marrin temat e mekanizmave dhe intrigave diplomatike të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.
Në libër trajtohen për herë të parë nga autori çeshtje si e drejta e Kosovës për reparacione, e drejta e Kosovës për pjesën e trashëgimisë së ish Federatës Jugosllave, e dreja e paditjes së Serbisë në Hagë për genocid, çeshtja e kufijve, e Luginës së Preshevës, e Sanxhakut, etj. Një vëmendje të vecantë në libër i kushtohet analizës së procesit të bisedimeve në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë dhe implikimet e tij gjatë viteve deri në 2018, kur doli në plan të parë çeshtja e një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve.
Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” i autorit Shaban Murati paraqet një interes aktual diplomatik, akademik dhe kombëtar.