Albspirit

Media/News/Publishing

Rama dhe qeveria në rrugën për lesh. Po Pandeliun do e paditë Balla për shpifje?

Në këtë kohë të zymtë për fatin e ecurisë demokratike të vendit dhe në afshin e xhelatëve të prokurorisë e policisë që duan të presin kokën dhe gjymtyrët e opozitës kryesore të vendit, dua të rikujtoj diçka. Jo për historinë e përgjimeve ku të gjithë ata që mendojnë me kokën e tyre dhe jo me mendjen e qeverisë, e dinë se qeveria ka rrëshkitur në batak e agoni. As nuk dua të mbush mendjen e ndokujt se Kryeministri, babai i të cilit rezulton të ketë vënë firmën për varjen e një poetin, tashmë në gjurmët e të atit kërkon të dënojë gazetarët dhe fjalën e lirë me gjoja argument banalë të shpifjes.

Për të gjithë ata që e kanë harruar ose edhe bëjnë sikur e harrojnë dua të kujtoj një histori të kaluar të disa kohëve më parë ku jo opozita por vetë Pandeli Majko, si eksponent i vlerësuar brenda radhëve të PS-së u shpreh në lidhje me Taulant Ballën dhe jo vetëm. Që paralajmërimi i Pandeli Majkos në atë kohë për leshin drejtuar në fakt opozitës, të kthehej në një profeci për ecurinë e qeverisë Rama dhe partisë së tij, nuk ishte parashikuar nga askush. Në fakt po e provon koha.

Dhe deklarata e Majkos u bë vetëm 8 muaj nga ardhja në pushtet e PS-së. Pra në prill- maj të viti 2014. Në atë kohë, personazhe si deputeti Balla u kthyen në karikatura mediatike duke zaptuar faqet e para të gazetave ku u kërkohej llogari nga Pandeliu për burimin e parave që shpenzojnë për të parë ndeshje futbolli në stadiumet më të shtrenjta dhe më të mira të botës dhe të shoqëruar me gjithë fisin e grave, kunatave, hallave, etj.

Kryeministrit Rama, deputetit Balla dhe të gjithë ministrave të kësaj qeverie, rruga e leshit që përmendi Pandeliu mund t’u dukej si rruga e famshme e mëndafshit, pasi të tillë e besojnë dhe të tillë duan ta shpallin para popullit të tyre, por realiteti është ky, që edhe barinjtë në Shqipëri e dinë se qeveria dhe Rama kanë marrë rrugën për lesh. Ramës i ka ikur kontrolli i gjërave që ndodhin realisht në gjithë skutat apo sheshet e institucioneve qendrore e lokale ku ministrat e tij kryesojnë garën e paaftësisë, madje në një konkurrencë të admirueshme se kush është më i padituri dhe më i pazoti. Që Rama nuk do ta kuptojë se çdo ditë vartësit e tij dhe gjithë struktura piramidale qeverisëse hedhin një hap edhe më fatal rrugës për lesh kjo nuk u intereson shumë qytetarëve. Ata në të gjitha bisedat mes tyre e dinë se është çështje kohe që qeveria të marë leshin e merituar e të shkojë në punë të vet. Kjo pasi nuk shpjegohet dot ndryshe që në rreth 6 vite qeverisjeje kabineti i Ramës na paska zbuluar se zyrat e punës në vetvete nuk kanë në zotërim vende pune, por janë një hallkë ndërmjeteëse mes bizneseve dhe qytetarëve që kërkojnë punë. Me pak fjalë, gjithë lyerja e zbukurimi i fasadave të zyrave të punës kanë patur të bëjnë me një iluzion optik dhe mashtrim, pasi kush do një vend pune, brenda zyrave të shtetit, gjen vetëm drejtues që paguhen nga Rama që t’u thonë njerëzve se thjesht nuk ka punë.

Kujtoni pak deklaratat skandaloze të Erion Veliajt, kampionit të gënjeshtrës se do punësonte shqiptarët në rajon, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Punësim rajonal e quajti në atë kohë. E nga kjo gënjeshtër askush nuk di të thotë se çfarë u bë. Me siguri një episod tragjiko-komik i qeverisë lolo. Veliaj padyshim që ishte dhe është është ekzemplar në rrëfimet e tij të gënjeshtërta. Sot për shkak të shumë ndodhive dhe skandaleve qeveritare njerëzit kanë harruar se çfarë ndodh me kompensimin për ish të përndjekurit. Askush nuk interesohet se në emër të atyre që nuk kanë marrë fare dëmshpërblim po lihen me ‘gisht në gojë’ edhe ata të mjerë që dita ditës po e mendojnë seriozisht sa zemërgjerë paska qenë qeveria Berisha që u ka dhënë pjesërisht atë çfarë duhet të merrnin.

Nga ana tjetër, situata me pensionet është alarmante, me ndihmën ekonomike është skandaloze pasi ka komuna të tëra dhe rajone madje që me një të rënë të lapsit u është refuzuar dhënia e ndihmës ekonomike që përfitonin në kohën e qeverisjes së Berishës. Nuk bëhet fjalë për pagesat e energjisë elektrike dhe kompensimet që janë detyrime ligjore ndaj shtresave në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuara. Kudo ka vetëm kaos ashtu siç ka në filozofinë e të parit të qeverisë. Një gjendje kaosi është Këshillin Kombëtar i Punës ku arritja e qeverisë Berisha në lidhje me vendosjen e dialogut social dhe tri-partitizmin në marrëdhëniet e shtetit me sindikatat dhe bizneset është pasqyruar edhe në raport progreset e viteve të fundit. Jo vetëm që marrdhëniet me një prej partnerëve kryesorë siç janë Sindikatat e Pavarura janë minuar, por tashmë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë në një akt të paprecedentë vendosën të largoheshin nga Këshilli Kombëtar i Punës.

Nuk është më e mirë gjendja në sektorin e bujqësisë, ku skema e subvencionimit të aktiviteteve të fermerëve shqiptarë është e përqëndruar vetëm në fushën e Lushnjës. Asnjë prej atyre që duan të merren me bujqësi në zonat malore apo fushore të vendit nuk e di se ku janë zyrat rajonale të drejtorëve të bujqësisë që nga ana e tyre kanë zhgënjyer edhe vetë qeveritarët. Por problem më i madh i bujqësisë dhe fermerëve lidhet me faktin se skemat financuese dhe të fuqishme ekonomike që mund të jenë diçka në këtë drejtim merren vetëm me rimbursimin e përqindjeve të interesave bankare nëse ndokush ka marë kredi. Por në kushtet kur kreditë për aktivitetin bujqësor nga bankat janë në vlera të papërfillshme atëherë kemi skema financimi joeficentë dhe të gabuara. Ajo që po ndodh është se askush nuk është në gjendje të garantojë thithjen me sukses të fondeve të BE-së që lehtësojnë bujqësinë dhe në Ministrinë e Bujqësisë nuk munden të harxhojnë fondet monetare që Europa jep për të testuar aftësinë menaxhuese dhe harxhuese të këtyre parave që duhet të shërbejnë për të ngritur nivelin e bujqësisë shqiptare. Asnjë fjalë dhe asnjë projekt madhor për ujitjen, e cila ishte vendosur prioritet kombëtar nga qeveria e kaluar e Berishës, që pas realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore kishte deklaruar se ujitja do të ishte prioriteti në vazhdim. Kjo nuk ishte një dëshirë e ish-Kryeministrit Berisha, por një domosdoshmëri e shtyrë në kohë dhe e vonuar për shkak të përparësive me rrjetin rrugor që i ndryshoi faqen vendit. Ministria aktuale e Infrastrukturës dhe Transporteve është jashtë kuptimit kohor dhe zhvillimor të vendit, pasi prioriteti i shumë viteve ka qenë vetëm mirëmbajtja e rrugëve duke vendosur tabela sinjalizuese të cilat vihen sot dhe vidhen nesër, pa një projekt madhor infrastrukturor dhe pa ndonjë orientim të qartë. Vendosja e pagesave për të kaluar në rrugën e kombit dhe akseve të tjera rrugore ka qenë e vetmja zgjidhje që paska menduar qeveria dhe Ministria. Nuk është nevoja që të marrim e të shohim më tej Ministrinë e Gjiknurit që nuk ka asnjë plan të ri përveçse forcimi i marrdhënieve me Azerbajxhanin, rrugë e nisur nga qeveria e mëparshme e Berishës, e cila pati aftësinë të parashikonte e të lidhte vendin tonë pas një projekti të madh si ai i TAP-it. Gjiknuri në rolin e Ministrit nuk ka arritur të sjellë në Shqipëri asnjë kompani serioze të gazit apo burimeve alternative të energjisë për të krijuar pavarësinë e sistemit tonë energjitik nga vendet e rajonit.

Në fakt si Gjiknuri si Ahmetaj e si Rama lajmëruan me vrull hapjen e kompanisë “Gulf”, e cila ishte vetëm një mashtrim me pasoja shumë të rënda financiare për të gjithë. Askush nuk vuan asnjë dënim për atë skandal. Po kështu pa asnjë reformë dhe strategji kombëtare është edhe Ministria e Ekonomisë, për të mos përmendur Ministriën e Turizmit e me radhë. Kjo gjendja lesh e li që po rëndon mbi shpatullat e qytetarëve e ka kthyer kabinetin Rama në një skemë joeficente që vecse ka marë për vete rrugën për lesh, premtimin më të madh që mund t’i bëjë tani shqiptarëve është se që andej ku do shkojë do na sjellë të gjithëve edhe nga një tufë lesh nga ai i zgjedhuri që do marrin për vete.

Please follow and like us: