Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim AHMETAJ: Trekëndëshit të Bermudës i duhet thyer një brinjë (!)

 

 

Për lexuesin e thjeshtë më duhet të jap nja dy a tri shpjegime të vogla se çfarë është “Trekëndëshi i Bermudës”. Gjeometrikisht është një trekëndësh barabrinjës, i cili gjendet në Oqeanin Atlantik dhe shtrihet në një një sipërfaqe prej 1.2 milionë metra katror, ai ka për kënde Bermudën, Porto Rikon dhe Fort Loterdejt (Florida). Për shkak të ngjarjeve tragjike dhe misterioze që kanë ndodhur në këtë zonë quhet ndryshe edhe “Trekëndëshi i Djallit”. Aty kanë humbur anije disa mijëra tonëshe, avionë luftarakë të pa sulmuar nga askush (6 të tillë të marinës amerikane), turistë të zakonshëm që kanë dalë në lundrime turistike, si dhe avionë civilë. Historitë dhe fatet e çuditshme të tyre kanë zgjuar kureshtjen e studiuesve, shkëncëtarëve dhe teologëvë të çilët kanë arritur në përfundime të rëndësishme në më të shumtën e rasteve mistike, konspirative por edhe shkençore.
Florida, Bermuda dhe Porto Riko janë ndër vendet më të bukura, më të begata dhe më të lakmueshme të brigjeve të Atlantikut dhe më gjerë, ndoshta pikërisht kjo begati, kjo harmoni, kjo larmi burimesh e ka bërë “trekëndëshin” misterioz, të rrezikshëm dhe burim fatkeqësish të pashpjegueshme.
Edhe pse shkrimi im s’ka për objeçt kurrfarë hulumtimi shkencor, aq më pak teologjik. Edhe pse ndoshta brinjët e trekëndëshit që dua të trajtoj në këtë shkrim s’kanë kurrfarë përputhje me emrat e vendeve dhe fatet e popullsive të tyre prapë se prapë për misterin dhe fuqinë negative të këtij trekëndëshi misterioz që sjellë vetëm fatkeqësi qasja e titullit dhe trajtimit të mëposhtëm gjejnë lidhje dhe lypin angazhimin e njerëzve të shqetësuar që ta zhbëjnë “trekëndëshin djallëzor” që sjell fatkeqësi dhe mbetet mister pothuajse i pashpjegueshëm në vendin tone të ngjashëm për nga burimet natyrore me vendet që përbëjnë “trekëndëshin e Bermudës”.
“Trekëndëshi i Djallit” në vendin tim, në vendin tonë, të cilit i lipset me çdo kosto t’i thyhet njëra prej brinjëve në mënyrë që t’i prishet magjia përbehet nga “lidershipi i mazhorançës qeverisëse”, nga “lidershipi i opozitës aktuale” dhe nga “qytetarët e vendit” të cilin e ka zanë halli edhe me lidershipin e mazhorancës edhe me lidershipin e opozitës, pra me të dy brinjët e “Trekëndëshit të Djallit” pasi këtu e mbrapa nuk do e quaj më “Trekëndëshi i Bermudës”.
Brinja e parë e “Trekëndëshit të djallit” që përfaqëson lidershipin e mazhorancës në këto pesë vite ka provuar botërisht që prodhon krim, fatkeqësi, varfëri, konflikt, vrasje, drogë, ikje masive të brinjës popull, debat shterpë, politikanë të tredhur në tru, media që e dinë që po mashtrojnë, ekonomi që tkurr vetën, qeverisje që mbyllë shkolla dhe hapë burgje, qeverisje që nga mëngjesi deri në darkë prodhon propagandë dhe skamje, eksporton drogë dhe njerëz të dëshpëruar në tregjet e Bashkimit Europian, importon emrigrant që vinë nga zona konfliktesh të lindjes, si dhe plehra të gjithëfarëllojshme, vrasës më pagesë, pasiguri dhe krim të organizuar ndërkombëtar. Pafundësisht mund ti veshish epitete dhe krahasime negative dhe që të gjitha i bien për trup Liderit djallëzor të mazhorancës qeverisëse dhe organizatës që ai drejton.
Brinja tjetër e “Trekëndëshit të Djallit” që përfaqëson lidershipin e opozitës në këto 5 vite të keq-qeverisjes së mazhorancës së majtë ka treguar që është krejtësisht e pa fuqishme, anemike dhe akoma më keq, ajo për asnjë moment se ka demostruar vullnetin, dëshirën dhe energjinë që i nevojitet një opozite serioze të paktën për të mos u bërë palë me brinjën tjetër të “trekëndëshit të djallit” që po çmonton demokraçinë dhe besimin tek vlerat e saj në Shqipëri. Lidershipi i opozitës ka treguar se ka lidhje të zbehta me partnerët tanë euro-atlantikë, kjo edhe për shkak të sjelljeve të tij krejtësisht anti perendimore në jetën e brendshme të partisë ku shpërfillen zgjedhjet e brendëshme, injorohen dhe përjashtohen ata që kanë mendime dhe alternative të ndryshe prej liderit. Forumet e partisë ngrihen e shkrihen në varësi të interesave të rastit nga lideri duke injoruar dhe shkelur në flagrancë statutin dhe dokumentet e tjera që rregullojnë jetën e brendëshme të një partie politike. Natyrisht që këto sjellje nuk pëlqehen në Perëndim dhe padyshim që janë këto arësyet pse opozita e sotme dhe lidershipi i saj ka marrëdhenjë krejtësisht burokratike dhe aspak miqësore më aleatin tanë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe me aleatët e tjere europianë.
Përmbledhtazi Lideri i opozitës është kallzuar që mashtron, që i keqmenaxhon dhe i shpërdoron mjetet financiare, se nuk e pranon demokracinë e brendshme, nuk i pranon zgjedhjet e lira, nuk i respekton instituçionet, shpërfillë parimësinë dhe legjitimitetin. Ai është provuar që i ka më të forta lidhjet me liderin e mazhorancës se me brinjën e tretë të “Trekëndëshit të Djallit” që janë qytetarët.
Brinja e tretë e “trekëndëshit të Djallit” në këtë shkrim timin janë qytetarët apo e thënë më qartë viktima e drejtëpërdrejtë e dy brinjëve të tjera të këtij trekëndëshi magjik e djallëzor. Kjo brinjë e “Trekëndëshit të Djallit” meriton një trajtim shumë serioz dhe duhet parë në aspektin sociologjik, ekonomik dhe historik. Por brenda një shkrimi është e pamundur t’i shkoqis të gjitha arësyet pse kjo brinjë e “Trekëndëshit të Djallit” është edhe viktimë edhe fajtore për viktimizimin e vet. E parë në aspektin historik e majta ka 77 vite investime ideologjike, përvojë dhe jetëgjatësi në rekrutime të gjithfarëllojshme nga ato në parti deri tek sigurimi i shtetit herë si “vullnetar” herë si profesionist. Në rrafshin ekonomik e majta me ndikimin e vet tek e dhjathta ka ndërtuar ligje dhe afera që të mbështesë dhe inkurajojë pasurimin e kontigjentit e saj që në gjuhën konspirative quhet “Katoviça” e cila në Shqipëri fatkeqësisht është zbatuar me përpikmëri matematike. Tek e majta mund të kenë infiltruar 1% e të djathës historike , ndërsa tek e djathta e re që përfaqësohet nga brinja e dytë e “Trekëndëshit të Djallit” janë importuar 30 deri në 40% nga kontigjenti i të majtës historike 77 vjeçare. Kjo e ka bërë të djathtën fraxhile, të paqëndryeshme dhe pse jo edhe të shitshme në tregun e çmendur të aferave korruptive që afron brinja e parë e “Trekëndëshit të Djallit”.
Brinja e tretë e “Trekëndëshit të Djallit” pra qytetarët për hirë të së vërtetës e kanë mbështetur të djathtën apo opozitën e sotme dhe e kanë sjellë atë në pushtet me mbi një milion vota edhe në 92-in edhe në 2005-ën. E kundërta ka ndodhur me të majtën e cila ka ardhë në pushtet në 97 me armë dhe herët e tjera gjithmonë me pak më shumë se gjysëm million vota. E vërteta është se e djathta ka berë shumë më tepër se e majta për qytetarët në përgjithësi kur ajo ka qeverisur, por pritshmëritë dhe ndjeshmeria ndaj saj kanë qënë dhe mbeten përherë më të larta se tek e majta. Ata, qytetarët, brinja e tretë e “Trekëndëshit të Djallit” kur sjellin të majtën në pushtet e dinë se çka i pret, por kësaj rradhe e majta e drejtuar prej Edi Ramës i ka kaluar të gjitha pritshmëritë e tyre, të gjitha caqet, edhe diktatori Hoxha do krenohej me të, ndoshta do ja kishte edhe lakmi.
Qytetarët, brinja e tretë e “Trekëmdëshit të Djallit” kanë reaguar energjikisht ndaj kësaj gjendje depresuese, ju kanë përgjigjur thirrjes së Lulzim Bashës, brinjës së dytë të “Trekëndëshit të Djallit” për ta shembur, për ta thyer, për ta gjunjëzuar brinjën e parë dhe përgjegjësen direkte të këtij trekëndëshi fatkeqësish që e ka mbërthyer vendin, që i ka pllakosur shqiptarët, ata ja kanë mbushë sheshet Lulzim Bashës si kurrë më pare. Sa herë që ai i ka thirrur, ata i janë përgjigjur, tri katër herë është mbushur Bulevardi “Dëshmorët e Kombit me mbi 200 mijë qytetarë shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, dhe ai, i ka përcjellur të zhgënjyer, besim thyer dhe shpresë vrarë. Ata, brinja e tretë e “Trekëndëshit të Djallit”, rrugën e vetme të shpëtimit tashmë kanë gjetur ikjen nga Shqipëria, një ikje e frikshme që po s’u ndalë do ta shndërroj Atdheun në një kujtim që mund ta lexojmë nëpër libra, ta shohim nëpër fotografi apo nëpër filma.
“Trekëndëshi i Bermudës” në Amerikën e Veriut dhe “Trekëndëshi i Djallit në Shqipëri kanë një gjë të përbashkët sjellin vetëm fatkeqësi djallëzore për njerëzit të pafajshëm, por kanë edhe një ndryshim ndërsaTrekëndëshi i Bermudës është barabrinjës, ky i yni është dybrinjëshëm, kateti i tretë populli apo qytetarët sa vjen e e zvogëlohet e tkurret në mënyrë të frikshme.
Për mbyllje të këtij shkrimi të frymëzuar nga besimi i vrarë, nga shpresa e djegur, nga realiteti i frikshëm, në mënyrë që ta shpëtojmë Atdheun nga braktisja njëra prej brinjëve të “Trekëndëshit të Djallit” duhet thyer, duhet shembur, duhet thërrmuar me cdo formë, me cdo mjet. Të gjithë njerëzit normal besoj se gjykojnë që brinja e tretë, brinja palcë jo vetëm që s’duhet shembur por duhet kuruar, duhet shëndoshur e forcuar. Po të kishim një opozitë normale dhe një lidership të përgjegjshëm të saj do të ngriheshim dhe do ta zhbënim brinjën që është përgjegjëse kryesore për mallkimin që na ka zënë poshtë vetës, brinjën që mban emrin e Edi Ramës. Por këtë normalitet e ka thyer, e ka bërë pluhur dhe hi marrëveshja e 18 Majit të vitit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, kështu që të rrënohet brinja e djallit me emrin edi rama duhet shëmbur së pari brinja e djallit me emrin Lulzim Basha.

Please follow and like us: