Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Pse nuk vallzuam njëherë bashkë?

 

Imazh i ngjashëm

 

Pse nuk vallzuam njëherë bashkë?

Harrove?

Ti nuk bleve kurrë këpucët…

 

Në raftin e gjërave të çmendura të mendjes

Si astronaut që ka humbur gravitetin vërtiten

Një palë… këpucë

Janë të kuqe, me majë dhe fjongo rozë

Përplasen trurit të fjetur e zgjojnë

Një ëndërr gruaje, që vrapon e vrapon

Nxiton e harron, harron të vallzojë

E ajo nën buzët që akoma të puthshme janë,

një melodi vërshëllen e trupi i dridhet

Sa dëshiron të vallzojë!

 

Vallzon! E notat ia trembin shtatin si gjethen e vjeshtës era,

E veshëve i fërshëllen melodi të harruara…

Vallzon! E notat i ngjyrosin faqet e buzët

Si shalqini dikur në fëmijëri…

E buzkat nuk i fshin, që djali i mëhallës t’ia shohë të kuqe, eleksir!

Vallëzo! Vallëzo sa shpirti të të ndalë!

Ndalje më të bukur e ndalje më të marrë!

Vallëzo si shtojzovalle e Bota me të mirë të të marrë…

Mos e shqetësoni, se inatin e ka me të marrë!

Nxirre nga shpirti maraz apo gaz, sido që ta quajnë Ata!

Kujt i plasi?

Njësoj jeta do mbarojë, se vallzuam apo vetëm e ëndërruam!

Mes notash endu e njih me të vërtetën!

Që asnjë dekikë mos pyetësh mes tij edhe vetes!

Kë?

Kush?

Askush. Ti dhe vetëm…

Nxirri këpucët nga rafti dhe vallëzo!

E vetveten mos e katandis një gjynahqare: Si nuk vallëzuam njëherë bashkë?

E tëmthash të të godasë kënga e “Njërës nga ato” e të lakmosh vallzimin e saj!

 

Vallëzo, këpucët si dieta e të hënës

Në raftin e mendjes tënde janë!

Më vështirë është të bësh dietë

Më lehtë notave të trandesh e të kërcesh

Se askush një femër nuk pikturoi në dietë

Shpikja moderne e shpirtit të trishtë

Më mirë Ofelia e çmendur me luledele kurore,

që orën e vdekjes harron dhe vallzon…

Më mirë sesa të vdesësh çdo ditë e nga pak

Vallëzo e nga gjymtyrët flak rutinën

Si rroba- hedhurat të dashurisë në ekstazë!

Ti fisnikëri e natyrës që laps nuk mundet

Të vdekshmëve t’iu përcjellë kërcimin tënd

Ti që je vetë pafundësia dhe Ferri dhe Parajsa…

Ti që zgjon ëndrra e vdes realitetit,

Sepse harrohesh vetvetes e të tjerëve ju jep…

Vallëzo, vallëzo e mes notash çmendu, por jeto!!!

Please follow and like us: