Albspirit

Media/News/Publishing

DËSHMORI HAMDI LLESHI, TANKISTI I PARË SHQIPTAR

75 VJET  MË  PARË

DËSHMORI  HAMDI  LLESHI, TANKISTI I PARË SHQIPTAR

QË  RA PËR ÇLIRIMIN E DIBRËS SË MADHE

Sakip  Cami

Hamdi Lleshika lindur në  Zogje të Dibrës në vitin 1924.

Ai është i biri i Pëllumb  Lleshit dhe nipi i Tush Lleshit, djali i xhaxhait të Haxhi  Lleshit. Kur ke thënë këto emra ke thënë gjithë historinë e fisit të shquar Lleshi të Dibrës dhe të Shqipërisë. Gjyshi i tij, Tush Lleshi,  arriti të krijonte një çetë me luftëtarë nga fshatrat e Zogje, Gjuras, Shtushaj, Mazhicë, Bllacë, Topojan dhe Kovashicë  dhe e vuri në shërbim të çështjes kombëtare. Ai  ka qenë anëtar i Xhelisit (Kuvendit) të Dibrës. Ka dhënë kontribut gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luftës së Dahoshishtit më 1882 dhe luftës kundër Kadri Pashës më 1881. Tushi ka marrë pjesë në Kuvendin e V  të Qernanicës në Dibër të Madhe në shkurt të vitit 1899, kuvend që njihet si “Besëlidhja e Dibrës” ose “Itifaku i Madh” për luftë kundër turqve.(M. Murra, Dibra nga antikiteti në monarki, 2017 faqe 640).

Rrugën atdhetare të Tushit e vazhduan djemtë e tij, Haliti, Aqifi, Pëllumbi dhe më pas gjatë luftës antifashiste  Haxhiu, Ymeri, Luti, Abdurrahimi, Hamdiu dhe shumë të tjerë.

Hamdiu ishte nip tek  Çup  Cami në Viçisht, një luftëtar i shquar për liri dhe pavarësi. Ishte i martuar me të motrën e Dali Ndreut (Dali SufëXhelilit). Pra ishte bërë dhëndër në një fis të madh atdhetarësh, tek Elez Isuf Ndreu.

I rritur dhe i burrëruar në këtë mjedis  atdhetar, Hamdi  Lleshi u aktivizua në luftën antifashiste  qysh në prill të vitit 1941, ku mbeti i vrarë kushuriri i tij Abdurrahimi.

Në ditët e para të prillit italjanët shtrinë forcat e Divizionit “Firence” në vijën Maqellarë–Shupenzë-Miresh-Klenjë e deri në Librazhd. Në brezin e dytë që fillonte nga Smolliku në Strikçan-Zerqan-Fushë-Bulqizë-Mali i Bllacës-Katër Grykët qe vendosur Divizioni Alpin “Brenero”.

Atdhetarët dibranë bënë planin për t’u nisur në dy drejtime,  në krahun Sebetovë, Tërbaç, Çerenec, Viçisht dhe në krahun  Bllatë, Reshan e Maqellarë. Më 6 prill filluan veprimet luftarake dhe në befasi të plotë u morën postat kufitare të Ostrenit, Mireshit e Viçishtit dhe erdhën deri në kodrat e Gjoricës.  Forcat e komanduara nga Aqif Lleshi morën postën e Bllatës. Gjatë luftës u bashkuan shumë fshatarë me luftëtarët kundër pushtuesve. Armiku la shumë të vrarë e të plagosur, u zunë shumë armë, municione, veshmbathje, e ushqime që  ju shpërndanë luftëtarëve. Ranë dëshmorët e parë Abdurahim Lleshi e Vebi Jashari në Zonën e Maqellarës. Në kodrat e Çerenecit u vra mësuesi patriot Fasli Cami. Në Miresh italjanët vranë Musa Camin, Ejup Camin e Mexhit Lezin.

(Harta e veprimeve luftarake  kundër fashistëve italianë me 6 prill 1941)

Italia fashiste dërgoi forca të mëdha. Filluan raprezaljet, internimet e masat e tjera shtypëse kundër luftëtarëve që përgjakën ushtritë pushtuese më 6 prill. Në këto kushte u bë e vështirë lëvizja  e 300 luftëtarëve, prandaj ato u shpërndanë pranë familjeve me qëllim që të vazhdonin veprimtarinë antifashiste në forma të ndryshme , të gatshëm në kohën e rioganizimit, të kujdesshëm edhe ndaj mashtrimeve. Fashistët burgosën Ahmet Camin, vetëi njëzeti nga fisi i tij, Murat Bashën, Sali Llanin, Jashar Lelën, etj. “Ndërsa Pëllumb Lleshin, Lutfi Lleshin, Shaqir Skukën, Nuz Majtarën i zbuluan dhe i internuan në Peqin, Kavajë e gjer në Itali”( Haxhi Lleshi ,Vite, Njerëz,  Ngjarje Tiranë,1996 fq 43).

Kjo lëvizje në fillim ishte lëvizje e mirëfilltë antifashiste, më pas u shëndrua në lëvizje antifashiste nacional çlirimtare e drejtuar nga komandanti i Çetës së Dibrës, komandanti i Batalionit të Dibrës dhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Haxhi Lleshi, kushuriri i Hamdiut.

Hamdiu u aktivizua me Çetën partizane  të Gollobordës së bashku me vëllezërit e tij , Ymerin dhe Lutin,  sepse në këtë çetë ishin dajat e tij rreth 20 luftëtarë të Fisit Cami. Me formimin e Batalionit të Dibrës ju besua detyra e  Zv Komandantit të Çetës së Gollobordës. Komandant ishte Ahmet Cami, oficer me akademi ushtarake. Pas vrasjes së Ahmetit në tetor 1943, detyra e komandantit të çetës ju besua Hamdiut. Çeta e Gollobordës mori emrin e komandantit të saj dëshmor, emrin e Ahmet  Camit.

Në nëntor 1943 në luftën për çlirimin e Dibrës së Madhe, Hamdiut ju ngarkua një mision luftarak shumë i vështirë, misioni i tankistit dhe i luftimit me tank në prapavijën e armikut dhe në zbulim. Dolën tre vullnetarë. Ata ishin Hamdi Lleshi nga Zogje, Mete Duka nga Shtushaj dhe italiani Salvatore që kishte qenë shofer  autoblinde.

-Të kishim patur kësi lloj makinash të blinduara, s’do ta kishim lanë armikun në faqe të dheut tonë, mendonte Hamdiu. (Yje të pashuar, vëllimi I, faqe 290)

Caktoi detyrat dhe autoblinda u nis. Ajo rrëshqiti  plot  zhurmë në rrugët  e qytetit të Dibrës së Madhe dhe pasi bëri një kontroll të plotë, ju drejtua bashkisë së qytetit. Afër varrezave të qytetit ishin vendosur shumë gjermanë në pozicion luftimi. Ata hapën zjarr të dendur kundër autoblindës, por plumbat nuk e depërtonin dot autoblindën. Hamdiu qëllonte me mitroloz nga brenda autoblindës  në drejtim të  gjermanëve. Autoblinda përparonte me shpejtësi dhe nuk ndalej. Gjermanët  zinin transhetë  e ndërtuaraposaçërisht dhe  qëllonin  pa pushim në drejtim të autoblindës. Ata përdorën edhe artileri kundër autoblindës. Plagoset Metja, por nuk e jep vehten. Plagoset dhe më pas vdes italiani Salvatore, që drejtonte autoblindën. Autoblinda ndalet. Lufta vazhdonte, por nga pozicioni statik. Tani  vështirësia e përballimit të sulmit gjerman të shtuar me mitroloza dhe artileri u shtua. Një predhë e artilerisë goditi edhe Hamdiun. Mitrolozi heshti. Hamdiu mbeti i mbërthyer  tek dorezat e mitrolozit “shars” .Ishte data 16 nëntor 1943. Ishte dita e pavdekësisë për dëshmorin Hamdi Lleshi, që do të hynte në historinë e ushtrisë nacional çlirimtare  dhe të ushtrisë shqiptare si tankisti i parë shqiptar.

Poeti shkroi:

Ti nuk ishe tankist

As oficer me akademi

Ti ishte komandant

Sulmove me autoblindë

 

Metja u plagos

Ti nuk u ligështove

Bashkë me Salvatoren

Tankun e drejtove

 

Tankun e drejtove

Drejt  mizorisë

Zemra ish timoni

Drejt  rrugës së lirisë

 

Me gjakun e derdhur

Në tankun partizan

Nënshkrove  historinë

O tankisti  i  parë…

(Ujëvara të përgjakura , poezi, 2000)

LUFTA  E II  E DIBRËS  SË  MADHE

Në Dibër të Madhe dhe përqark kishte rreth 600 luftëtarë të UNÇSH (forca të Grupit të Dibrës), 1 batalion i Brigadës II Sulmuese me luftëtarë të batalionit të Çermenikës dhe një numër vullnetarësh të çetave territoriale të krahinës. Rreth 200 vullnetarë e partizanë të tjerë ndodheshin në Peshkopi dhe në Zerqan.

Shtabi i Përgjithshëm, mbështetur në analizë realiste të gjendjes në urdhrin që i dërgonte komandës së Grupit të Dibrës, më 9 nëntor 1943, ndër të tjera jepte edhe idenë e veprimeve luftarake të ardhshme të forcave partizane të qarkut. Komanda e Grupit të Dibrës, e informuar për fillimin e mësymjes armike, vuri në gatishmëri forcat partizane e vullnetarë dhe mori masa për mbrojtjen e qytetit të Dibrës së Madhe duke vlerësuar se ky ishte edhe objektivi kryesor i sulmit të trupave gjermane dhe forcave reaksionare.

Veprimet luftarake të forcave partizane në qytete do të kishin për objektiv jo ta mbanin atë me çdo kusht, por t’i shkaktonin armikut humbje sa më të shumta në njerëz dhe në mjete luftarake.

Mbrojtja e qytetit të Dibrës së Madhe u organizua rrethore, duke zënë pikat sunduese dhe në to u vendosën mitraloza, mortaja dhe topa.

Për të penguar armikun gjatë afrimit u shkatërruan pjesë rrugësh që çonin në qytet dhe u hodh në erë ura e Spilesë mbi Drin.

Armiqtë e filluan mësymjen e tyre më 16 nëntor 1943, rreth orës 10.30. Artileria armike godiste me breshëri zjarri të pandërprerë jo vetëm objektiva që mendohej se mund të ishin zënë nga forcat partizane, por edhe shtëpitë e qytetit të Dibrës së Madhe, shumë prej të cilave u shkatërruan dhe u dogjën plotësisht.

Këmbësorët nazistë u penguan mjaft nga prishja e urës së Spilesë dhe nga shkatërrimet e tjera gjatë rrugëve, por megjithatë, ata mundën ta kalonin Drinin dhe pengesat e tjera, sido që dhe me humbje.

Epërsia numerike, artileria e fuqishme dhe forcat e mjetet e shumta xheniere u dhanë atyre dorë t’i kapërcenin këto pengesa dhe t’i afroheshin qytetit të Dibrës së Madhe duke e sulmuar nga lindja e nga jugu.

Tanket, që vinin nga Struga, nuk e kaluan lumin Drin ditën e parë, për shkak të urës së prishur.

Në fillim komanda e forcave partizane mendoi të organizonte një kundërmësymje. Por kur pa se armiqtë ishin 10 herë më shumë në forca, hoqën dorë nga kjo ide. U vendos që derisa të binte nata, të mbaheshin me këmbëngulje pikat sunduese që kishin në zotërim partizanët. Komanda dha gjithashtu porosi që nga pozicionet të dëmtohej sa më shumë forca e gjallë e armikut dhe të mos lejohej që armiku të futej brenda në qytet, por të luftohej për ta rrethuar nga perëndimi e nga veriu, për të qëndruar të lira rrugët e tërheqjes.

Luftimet vazhduan afër 10 orë pa pushim. Luftëtarët e UNÇSH thyen disa sulme të nazistëve gjermanë duke mos i lejuar që të pushtonin qytetin as ta rrethonin atë plotësisht. Forcat reaksionare ishin përqendruar në veri dhe në verilindje të Dibrës së Madhe. Atyre u ishte caktuar si detyrë për të mbyllur rrugët e tërheqjes së partizanëve. Luftimet vazhduan deri në mbrëmje dhe qyteti vazhdonte gjithnjë të qëndronte në dorë të UNÇSH. Ushtria hitleriane kishte mundur të pushtonte vetëm disa shtëpi në anën jugore të tij.

Popullsia nuk u largua, megjithëse u vranë e u plagosën shumë veta nga qitjet e artilerisë së nazistëve gjermane. Burra, gra, të rinj dhe pionierë ndihmonin partizanët e vullnetarët me ushqime, shërbenin si korrierë, udhërrëfyes e zbulues, tërhiqnin dhe përkujdeseshin për të plagosurit. Ata që kishin armë luftuan krah për krah me partizanët.

Më 16 nëntor 1943 armiku filloi luftimet kundër qytetit të Dibrës. Repartet naziste gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre ishin të shumta, duke kaluar mbi 5.000 ushtarë. Në mëngjes artileria e armikut hapi zjarr të dendur mbi qytet, shkatërroi shtëpitë, vrau gra, pleq e fëmijë.

Rreth qytetit kishin zënë pozicione batalionet e Dibrës dhe Martaneshit, si dhe forca të tjera. Raporti i forcave ishte në favor të armiku. Me gjithë këtë,  komanda partizane mori vendim që të luftohej për mbrojtjen e Dibrës. Hitlerianët ishin afër pjesëve të jashtme të qytetit kur partizanët hapën mbi ta zjarr të dendur.

Detashmentet hitleriane dhe reaksionare u gozhduan në vend, megjithëse shoqëroheshin me tanke e autoblinda, Në këto kushte qëndresa e gjatë ishte e pamundur dhe rrezikonte asgjësimin e batalioneve partizane. Nga mesnata  komanda partizane dha urdhër që partizanët të tërhiqeshin dhe të kalonin në anën tjetër të Drinit, veprim ky që u bë në mënyrë të rregullt dhe të disiplinuar.

Në luftime e sipër, një grup prej disa partizanë  mbetën të rrethuar afër qytetit. Pushtuesit dhe bashkëpunëtorët  ju bënë thirrje partizanëve  të dorëzoheshin, por luftëtarët ju përgjigjën me zjarr. Nazistët gjermanë sulmuan për të kapur lartësinë ku po mbroheshin partizanët, por çdo përpjekje e tyre ishte e kotë. Ata e goditën grupin e luftëtarëve me artileri e mortaja. Me inisiativën e tyre, luftëtarët trima me shpejtësi të rrufeshme, sulmuan përpara me bomba dore, çanë rrethimin dhe u bashkuan me forcat e tjera të luftëtarëve.

 

Please follow and like us: