Tirana dhe Shkupi, ekspozitë të përbashkët për Skënderbeun
Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup çelën ekspozitën “Unë jam shqiptar”, ku përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare. Kjo ekspozitë, pas Prishtinës dhe Prizrenit, udhëtoi drejt Shkupit në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, si ngjarjet më madhore të kombit shqiptar.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë përshëndeti Ministri Kulturës së Maqedonisë, z. Asaf Ademi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Dr. Skënder Asani, drejtoresha e Galerisë së Arteve, znj. Dita Starova Qerimi, si edhe pasardhësi i familjes së Hasan Prishtinës, z. Mehmet Prishtina. Të gjithë pjesëmarrësit nënvijëzuan rëndësinë e kësaj ekspozite mjaft domethënëse në shqiptarët kudo ku ndodhen.
Gjatë vizitës zyrtare në Shkup drejtori i Muzeut Historik Kombëtar zhvilloi një takim me Ministrin e Kulturës të shtetit fqinj, z. Asaf Ademi, ku diskutuan rreth krijimit të urave të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe materiale shqiptare dhe organizimin e projekteve të ndryshme që mund të zhvillohen mes dy vendeve tona në fushën e historisë dhe thellimin e studimeve historike për shqiptarët e Maqedonisë.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite në Maqedoni, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në Tiranë, pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës “Unë jam shqiptar”, midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve- Shkup u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit për zbatimin e projekteve të përbashkëta, të cilat kanë për qëllim promovimin dhe përkujtimin e vlerave, ngjarjeve më të spikatura të historisë dhe të personaliteteve historike të popullit shqiptar.
Ekspozita “Unë jam shqiptar” do të qëndrojë e hapur deri më 30 Tetor 2018 në ambientet e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë.