Andi Bushati: Rama nuk ofendon gazetarët, fyen të vërtetën
Pasi po shikoja kolazhin e përgatitur nga Lapsi.al me lumin e padurueshëm të fyerjeve, akuzave, britmave dhe shpërthimeve që Edi Rama derdhi të martën në mbrëmje ndaj katër gazetarëve, kërshëria më shtyu të bëj një kërkim të thjeshtë. Të lundroj në Google dhe të gjej raste të tjera kur kryeministri është sjellë me po të njëjtin stil të shëmtuar si në “Dritare”. Eshtë e vërtetë, duhet pranuar se ai nuk ka asgjë personale me Rudina Xhungën, kur i drejtohet me një fjalor rruge: “A je në metro”? Ai nuk ka mëri as me Rakipllarin, kur e etiketon shpifës, apo me Muratin kur i thotë qesharak. E gjitha kjo është fatkeqësisht një baltë e përgatitur me kujdes.
Dhe për t’u bindur për këtë mjafton ti hedhësh një sy ngjarjeve dhe datave kur shefi i qeverisë e ka shthurur gjuhën si një burrë i përdalë.
Filmi mu kthye plot një vit më parë, kur Edi Ramës sapo i kishte plasur skandali më i madh i qeverisë së Rilindjes, përgjimet italiane që vërtetonin lidhjen e ish ministrit të brendshëm Tahiri me trafikantët e bandës së Habilajve.
Ndryshe nga sa u detyrua të bënte më vonë, kryeministri refuzoi t’ia hiqte imunitetin palamentar, simbolit të policisë që deshëm.
Dhe për të shmangur vëmendjen nga ky akt i turpshëm, ai u vërsul me një gjuhë të rëndë kundër reporterëve që e prisnin jashtë kuvendit: “injorantë”, “të palexuar”, “jeni për të qarë hallin”.
Po të kërkosh në lajmet e datës 25 -26 tetor 2017 duket qartë se debati në vend që të mbizotërohej nga rrefuzimi i shumicës për ti hapur rrugë hetimeve, u vërsoll rreth reagimeve dhe kundër reagimve të sjelljes së kryeministrit me shtypin.
E njëjta fabul u përsërit edhe pasi shpërtheu skandali i përgjimit të vëllait të ministrit të brendëshëm Fatmir Xhafa.
Gazetarja e re Fax News, Ambrozia Meta, i bëri pyetjen më të thjeshtë të mundshme: A nuk gjendet dot në PS një ministër i brendëshëm i pa lidhur familjarisht me drogën?
Në vend që të përgjigjej Rama e kërcënoi me emrin e pronarit dhe dhuroi një show të vërtetë live duke braktisur konferencën me sebebin që pyetja vinte era propogandë.
Pra strategjia është e qartë, sa herë kapet me preshë në duar në një skandal, Rama përpiqet ti mbivendosë atij zhurmën, boomin dhe thashethemnajën e një konflikti banal.
Kështu ka bërë edhe me Eni Vasilin, që e krahasoi me dashnoren e Eskobarit. Kështu ka bërë edhe më Ilva Taren, të cilën e ofendoi se ishte e pa informuar pasi duhet të kryente detyrat si nënë e një vajze të vogël. Kështu u soll edhe me Blendi Fevziun, me të cilin fotografia duke i tërhequr veshin, i shërbeu daravitjes së ushtrimit të dhunës fizike mbi djalin e Neritan Cekës.
Pra strategjia e Ramës nuk ka asgjë të re nga metodat e ngjashme që përdorin nga liderët populistë si Trump, e deri tek satrapë si Erdogan apo Putin: për të gjithë ata nxjerja në sipërfaqe e përplasjes me lajmësin shërben vetëm për një gjë, për të varrosur lajmin.
Prandaj, duke e njohur këtë metodë, ne duhet ta shohim emisionin e së martës “Dritare” jo si një arenë ku u fyen kolegët tanë, por si një premisë për të kuptuar se çfarë kërkon të fshehë Edi Rama.
Dhe në këtë linjë gjuha e ndyrë e kryeministrit, ndaj Xhungës, Rakipllarit, Telës dhe Muratit nuk duhet parë e shkëputur nga shashkat e ditëve të fundit për mbylljen e mediave on line apo për ashpërsimin e dënimeve kundër shpifjeve.
Ato të gjitha mëtojnë tërheqjen e vëmendjes tek konflikti mes mediave dhe kryeministrit. Sepse për Edi Ramën është më i kollajshëm debati teorik me akuza se po shkel lirinë e shprehjes, se po bëhet diktator, se po ecën në një shteg anti demokratik, sesa përballja konkrete me faktet se ai po ndihmon krimin dhe po krijon alibi për kriminelët.
Eshtë e qartë se ofendimet ndaj gazetarëve, hedhja e fishekzjarreve me emra mediash të palegalizuara, apo kërcënimet me gjoba marramendëse, po tentojnë të mbivendosen sipër një skandali më të madh.
Ato duan të anashkalonë gënjeshtrën e kryeministrit se dispononte një provë shkencore që zëri në përgjim nuk qe i Agron Xhafajt.
Ato duan të shmangin faktet se policia dhe prokuroria kryen krimin e fabrikimit të dëshmitarëve të rremë.
Ato duan të varrosin idenë që po triumfonte, se i gjithë shteti i ngjan një makinerie prodhimi gënjeshtrash vetëm për të justifikuar alibitë që nxjerr nga goja i pari i qeverisë.
Pikërisht, kur në betejëjn e fakteve, peshorja e së vërtetës po anonte ndjeshëm kundër Ramës, ai kërkoi ta zhbalanconte atë duke kërcënuar me dënime për shpifje, me mbyllje mediash dhe duke shthurur gjuhën ndaj gazetarëve që kishte përballë në “Dritare”.
Por, është kjo metodë, tashmë e dalë boje, që na bën të kuptojmë se përpara se t’u qajmë hallin Rudinës, Erlit, Bertit, apo Andit, i’a vlen më mirë të zbulojmë makthin që ka Rama.
Kryeministrin nuk e ha meraku nëse Xhunga ka braktisur prej kohësh gazetarinë, as nëse Rakipllari është shpifës, apo Murati qesharak, shqetësimi i tij është se i doli bllof në sy të publikut loja e gatuar keq me dëshmitarin e rremë. Një lojë që edhe një herë më shumë e renditi në llogoren e krijuesit të alibive për krimin. Kjo i djeg dhe prandaj qëndron gjithë ditën në skenë duke bërë zhurmë.