Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Katari investon në Shqipëri, Rama heq ambasadorin atje

Përfaqësuesi i shtetit të vogël, por shumë të pasur të Katarit, dhuroi një investim të konsiderueshëm për pushtetin vendor të Tiranës. Me paratë e Katarit do të ndërtohet pjesa më e madhe e një shkolle në Tiranë. Këtë donacion bujar të Katarit e shfrytëzoi “lol” Eri për të dalë në televizion në një ceremoni zyrtare duke nënshkruar madje edhe një kontratë para mediave. Kuptohet se çdo gjë për të tani është propogandë dhe pak njerëz e mbajnë mend se si është sjellë Edi Rama me Katarin vetëm pak kohë më parë.

Shteti i vogël arab me rezerva gjigande të gazit të lëngshëm (jo të naftës si vendet fqinje me të) ka shprehur hapur ambicien e tij për të konkurruar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin në tërheqjen e turistëve nga mbarë bota. Organizimi i kampionatit botëror të futbollit në vitin 2020 dhe shtrirja e investimeve të mëdha në industri, turizëm, sport etj në mbarë botën, e renditin Katarin në vendet e para të vendeve të botës arabe që po mendon për të ardhmen e vet kur të mbarojnë rezervat e gazit natyror.

Nga ana tjetër, vendi ynë përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe likuiditeti, me ngecje në vend të investimeve të mëdha infrastrukturore dhe papunësi të lartë. Mirëpo disa kohë më parë në vend të një vizite të mirëorganizuar dhe të përgatitur me kujdes në Katar, Rama preferoi një kontakt kortezie sa për t’u njohur kalimthi. Pra axhenda dhe propozimet e Ramës për përfaqësuesit e Katarit ka qenë inekzistente gjatë vizitës së tij atje. Vetë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka vizituar më parë Katarin dhe e kishte të qartë se çfarë kërkonte Katari.

E para nuk mund të pretendosh një marrëdhënie të avancuar pa një komunikim direkt nga ajri apo nga toka me vendin përkatës. Në rastin tonë Katari gjendet rreth 5 apo diçka më shumë orë fluturim nga Shqipëria dhe ekzistenca e një linje ajrore direkte do të ishte hapi i parë. Kompania ajrore e Katarit “Qatar-airways” ofron shërbime dhe fluturime nga Turqia, Greqia dhe Europa në përgjithësi, por jo nga aeroporti i Tiranës. Kjo sigurisht për arsye ekonomike pasi asnjëherë pala shqiptare nuk ka mundur të shpalosë me statistika dhe studime të tregut se ekzistenca e një linje të tillë do të ishte e favorshme ekonomikisht.

Por edhe po ta anashkalojmë këtë pikë dhe të mbështetemi tek dashamirësia e Katarit, i cili mund të programojë vendosjen e një linje direkte me Tiranën pasi mund ta durojë faktorin ekonomik, pala shqiptare duhet të garantojë interesin e popullsisë për të udhëtuar në Katar dhe të zgjojë interesin ekonomik të lëvizjes së mallrave që do ishte një sinjal i parë pozitiv. Sigurisht që në këtë pikë edhe Rama e di se nuk mund të bëjë gjë. Tarifat e pafavorshme të aeroportit tonë si për lëvizjen e njerëzve ashtu edhe të mallrave janë pengesë thelbësore. Por vizita e Ramës në Katar, ashtu si edhe ajo e Ministrit Bushati, zhvillohej në një kohë kur ai me një vendim populist e të pamenduar ka shkurtuar vendin e ambasadorit shqiptar në Katar. Paraqitja e Ramës në Katar, nuk mund të jetë justifikim për mungesën e vizionit të diplomacisë ekonomike të Kryeministrit shqiptar.

Paraqitja në Katar kur vetë ke tërhequr Ambasadorin që Katari e mbante pa problem duke i paguar shtëpinë dhe makinën (shteti shqiptar kishte detyrim vetëm për pagesën e rrogës), është një shenjë dobësie e papërgjeshmërie. Duke ditur mirë nevojat dhe pamundësinë e shtetit shqiptar për të trajtuar me dinjitet diplomatët e tij, Katari në shenjë miqësie, me bujari, kishte ofruar këto lehtësi për vendin tonë, me qëllim që të mos kishte humbje të vëmendjes nga investimet dhe kapitalet shumë të mëdha monetare që lëvizin në këtë shtet mjaft të pasur.Por le të sqarojmë me radhë fushat ku u shpreh interes për bashkëpunim.

Fusha e turizmit padyshim që është një mekanizëm nëpërmjet të cilit vendi ynë mund të thithë investitorë dhe të zgjojë interes. Por në rastin e vizitës të Ramës, ai nuk ofroi asnjë projekt të shkruar dhe interesant për palën e Katarit. E thënë më thjeshtë, Shqipëria sot nuk ka sipërfaqe të mëdha bregdeti që të jenë pa problem pronësie për të ofruar për zhvillim sic edhe duan investitorët jo vetëm në Katar, por kudo në botë. Dosja e projekteve të Ramës për këtë cështje ka qenë bosh, edhe pse Ministrit tonë të Jashtëm në vizitën e tij të mëparshme në këtë shtet i është bërë e qartë kjo gjë.

Le të marrim fushën e bujqësisë. Katari është vend me shumicë myslimane dhe ku konsumohet mish qingji kryesisht. Sigurisht që edhe konsumi i çdo lloj produkti tjetër ushqimor është i preferuar pasi në shkretëtirë nuk ka mundësi të mbarështimit dhe rritjes së të imtave ashtu si edhe nuk mund të kultivohen perimet, frutat e të gjitha llojeve e kështu me radhë. Konsumi i popullsisë sigurohet nga importi dhe këtu futja e Shqipërisë mund të ishte një alteërnativë. Mirëpo fatkeqësisht Katari ka marrëveshje me Australinë, Zelandën e Re dhe vende të tjera që garantojnë ushqim të vazhdueshëm blegtoral dhe në sasi të mëdha. Shqipëria nuk mund të konkurrojë këto shtete me sasi, cilësi dhe çmim për shkak të parcelizimit të ekonomive bujqësore tek ne dhe mungesës së rrugëve të lira të transportit për në Katar. Ndaj edhe bashkëpunimi bujqësor i përmendur në deklaratën qeveritare nuk është i mundur, të paktën sot që flasim.

Fusha e ndërtimit ku Ramës i është bërë e qartë se kompanitë shqiptare nuk kanë eksperienca botërore në ndërtimin e autostradave, godinave futuriste, porteve, aeroporteve, stadiumeve apo të tjera. Madje Ministri i Ramës, Ahmetaj nuk ka mundur që të çojë një dosje me emrat e mundshme të kompanive shqiptare që kanë abshkëpunime me firma, turke, greke, italiane apo amerikane dhe angleze që t’u hapen dyert për kontrata fitimprurëse.

Gjithë diskutimi me Ramën është zhvilluar ndaj puntorëve të krahut më së shumti. Edhe ky opsion nuk do të ishte keq në kushtet që është vendi ynë, por paga minimale në Katar është rreth 220 dollarë dhe kjo pagesë është shumë e vogël që të nxisë shqiptarët e pakualifikuar të kërkojnë punë në Katar.

Le të shohim fushën e shëndetësisë ku qeveria thotë se është një alternativë tjetër e bashkëpunimit me Katarin. Është e vërtetë që në Katar ka një interes të madh për staf të kualifikuar mjekësor me paga shumë të mira për doktorët me eksperincë. Por tregu për mjekë dhe infermierë është gjithashtu shumë interesant edhe në Europë, shumë më afër se Katari dhe me një kulturë e ambient të ngjashëm me atë shqiptar që preferohet. Për sa i përket investimeve të Katarit në vendin tonë në fushën e mjekësisë, nuk ka interes nga pala arabe dhe kjo është bërë e ditur gjatë vizitës të Ramës atje.

Si përfundim, Rama jo vetëm që ka mbetur me duar bosh në sensin praktik nga Katari, porn ë vizitën e tij të para ca kohëve, ai ka shkuar atje i papërgatitur për sfidat e një bashkëpunimi mes vendit tonë dhe Katarit. Në valixhen e tij diplomatike ai dhe Ministrat e tij nuk kanë patur asnjë propozim interesant dhe të vlefshëm për Katarin, ndërkohë që marrëveshja mbi rregulloren e punësimit që u deklarua nga qeveria është finalizimi i projektit të nisur nga Berisha. Sa për memorandumin e bashkëpunimit, edhe ai nuk përkthehet dot me investime konkrete dhe tërheqje të kapitaleve shumë të mëdha të Katarit për në vendin tonë. Ndaj edhe politikat ekonomike të Shqipërisë sot janë inekzistente pa asnjë strategji afatgjatë dhe pa asnjë përgjegjësi nga pushtetarët.

Please follow and like us: