Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët i shkruajnë Ramës nga Kanadaja: Prano propozimin e Kokëdhimës

Hyn në fuqi legalizimi i kanabisit nga ana e Kanadasë. Vërshojnë postimet e qytetarëve në faqen zyrtare të Kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohet të marrë në konsideratë propozimi i kreut të Partisë “Zgjidhja”

Erjon Dervishi

Legalizimi i Kanabisit në Kanada, është një sinjal edhe për Shqipërinë, që të marrë në konsideratë lejimin e kultivimit dhe të industrisë së kanabisit, ashtu siç po bëjnë këto vende të zhvilluara dhe demokratike, duke haour dritën jeshile për kanabisin rekreativ dhe mjekësor. Propozimin për legalizimin e industrisë së kanabisit në Shqipëri, e ka bërë kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, por as gjatë kohës që ishte deputet, as më vonë nuk është pranuar nga autoritetet. Ditën e djeshme, nga Kanadaja dhe Greqia kanë vërshuar postimet në faqen zyrtare të kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkohet të pranojë propozimin e Kokëdhimës për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Ja dy prej postimeve:

Mishel Koçiu, Kanada

“CannabisAct hyri në fuqi sot në 17 Tetor, në Kanada. Thënë ndryshe përdorimi dhe shitja e marijuanës është legale duke nisur nga sot, në Kanada. Ky legalizim duhet të jetë ndoshta një shkelje syri për qeverinë Shqiptare dhe nismën e dikurshme Kokëdhima. Në një treg kaq të madh sa Kanadaja, ndoshta cannabis sativa ‘Made-in-Albania’ mund të gjente “tezgat” e veta duke gjeneruar miliarda dhe duke kufizuar pjesëmarrjen e krimit të organizuar në këtë biznes. Gati pesë milionë përdorues kanadezë shpenzojnë rreth $1200 dollarë secili për marijuanë për një total prej 6 miliardë dollarësh. Qeveria pret të bëjë 1.6 miliardë dollarësh fitime prej taksave. Gjithë ky gjenerim paresh shkonte deri më sot tek krimi i organizuar”.

 Anila Rezhda

“I njëjti legalizim, pra përdorim i ligjshëm, u aprovua edhe në Republikën Greke. Kohë më parë kam lexuar një raport që i referohej transportit të Cannabis për në Greqi me përfitime të mëdha për vendin prejardhjes (Shqipëri) dhe nëpërmjet Greqisë ai do të hidhej në tregun e BE-se për industrinë farmaceutike. Sido që të jetë, o sot o kurrë, zgjidhje për të siguruar të ardhura për popullin. Nuk na shkon të punojmë në kontinentin tonë si punëtor krahu te dorës së tretë tashmë, se refugjatët ulën lerën e ditës së punës. Më shumë të ardhura dhe më rehat në vendin tonë”.

Akti që legalizoi kanabisin

Kanabisi është legalizuar në Kanada nëpërmjet Aktit të Kanabisit, ndryshimi i parë i Kodit Penal Kanadez. Kjo i lejon të rriturit në Kanada të realizojë këto benefite si më poshtë: “Blerje kanabis të freskët, kanabis të thatë, vaj kanabis, fara kanabisi ose bimë të kanabisit, nga shitësit me pakicë të autorizuar nga provincat dhe territoret; Konsumimi i kanabisit në vende të autorizuara nga juridiksionet lokale; Të mund të posedojnë deri në 30 gramë kanabis të thatë me rregull ligjor, ose ekuivalent në formë jo të thata për përdorim në publik. Njerëzit kanë të drejtë të ndajnë deri në 30 gramë kanabis të thatë me persona të tjerë të rritur, e tëra kjo në mënyrë ligjore. Mund të kultivojnë deri në katër bimë kanabisi për familje (jo për persona) për përdorim personal, nga fara të licencuara ose fidanë nga një furnizues i licencuar. Mund të prodhojnë produktet ligjore që përmbajnë kanabis në shtëpi, të tilla si ushqimi dhe pije, me kusht që tretësit organikë të rrezikshëm të mos përdoren për t’i bërë ato”, thekson ligji. Kryeministri e vendosi përgjegjësinë e shitjes, shpërndarjes dhe rregullimit të marijuanës nën mbikëqyrjen e qeverisë provinciale dhe territoriale, të cilët gjithashtu do të grumbullojnë të gjitha fitimet e shitjeve të boçeve të kanabisit, duke e bërë Kanadanë tregun më të madh në botë për stokun e boçeve të kanabisit.

Kush mund të blejë marijuanë në Kanada?

Të rriturit mbi 18 vjeç, do të lejohen të mbajnë dhe shpërndajnë deri në 30 gramë marijuanë në ambientet publike, sipas një projektligji që kaloi Senati në qershor të këtij viti. Ata gjithashtu do të lejohen të kultivojnë deri në katër bimë në familjet e tyre dhe të përdorin produkte të tilla për përdorim personal. Furnizimi i marijuanës rekreative mund të kufizohet, të paktën, në disa dyqane. Zyrtarët në Nova Scotia dhe Manitoba thanë se nuk do të kenë një përzgjedhje të madhe, të paktën jo në ditën e parë, njoftoi CBC Neës. “Babai im do të jetë klienti im i parë dhe klienti im i dytë do të jetë një zonjë që ka sklerozë të shumëfishtë”, deklaroi Thomas Clarke, i cili zotëron dyqanin e shitjes me kanabis “Thomas H. Clarke” në Portugal Cove-St Philip’s, citohet të ketë thënë ai për CBC Neës. Marihuana nuk do të shitet në të njëjtin vend si alkooli ose duhani. Konsumatorët pritet të blejnë drogën nga shitësit me pakicë të rregulluar me ligj nga provincat dhe komunat në fjalë, ose nga prodhuesit federalë të licencuar, kur këto opsione nuk janë në dispozicion.

A mund të hysh apo të dalësh nga Kanadaja me marijuanë?

“Jo. Ju lutemi, ruani veten nga shumë probleme”, shpjegojnë autoritetet kanadeze. Nëse jeni duke hyrë ose duke u larguar nga Kanadaja, është e paligjshme të keni marijuanë me vete dhe ju mund të përballeni me akuza penale. Ju nuk mund të udhëtoni nëpër kufijtë ndërkombëtarë me të, edhe nëse do të shkoni në Kolorado ose në ndonjë nga shtetet e tjera të Shteteve të Bashkuara ku është legalizuar tashmë marijuana.

Pse e legalizuan kanabisin?

Legjislacioni kanadez, i njohur si Akti i Kanabisit, rrjedh nga një premtim gjatë fushatës së vitit 2015 e kryeministrit aktual të Kanadasë, Justin Trudeau për ta mbajtur marijuanën, larg nga përdoruesit e mitur dhe për të frenuar krimin e lidhur me marijuanën. Kanadaja është bërë shteti i dytë në botë pas Uruguajit që ka legalizuar posedimin dhe përdorimin e kanabisit për argëtim. Tregu kombëtar për kanabis është hapur në mesnatën e së mërkurës, ndonëse është vënë në pikëpyetje ndikimi që ky vendim do të ketë në sigurinë publike. Informacioni lidhur me ligjin e ri dhe fushatat për ndërgjegjësimin u është dërguar 15 milionë shtëpive. Uruguaji është shteti i parë që ka legalizuar marijuanën për argëtim, ndonëse Portugalia dhe Holanda e kanë dekriminalizuar këtë substancë. Provincat dhe komunat kanadeze janë përgatitur për muaj të tërë për t’i dhënë fund ndalimit të kanabisit ilegal. Këto territore janë përgjegjëse për të ofruar më shumë detaje rreth asaj se ku mund të blihet dhe konsumohet kjo substancë.

Kanabisi, peng i kartelit të drogës në qeveri

Koço Kokëdhima

Kanadaja u bë sot zyrtarisht tregu i dytë në botë, pas Uruguajit, që legalizon zotërimin dhe përdorimin e kanabisit rekreativ. Katër muaj më parë kur Parlamenti i Kanadasë do të votonte pro, kryeministri Justin Trudeau shprehej: “Ka qenë shumë e lehtë që fëmijët tanë të marrin marijuanë dhe për kriminelët të mbledhin fitimet. Sot, ne e ndryshojmë këtë gjë. Plani ynë për legalizimin dhe rregullimin e marijuanës sapo ka kaluar Senatin. Premtim i mbajtur”.

Përveçse një masë me shumë rëndësi sociale, legalizimi i kanabisit farmaceutik do të sjellë shumë të ardhura për ekonominë vendase. Prej tre vitesh që kur erdhi në pushtet Trudeau tregjet financiare vrapuan pas biznesit të ri dhe prodhuesit kanadezë të kanabisit fituan miliarda. Tre ndërmarrjet më të mëdha në bursën e Torontos tashmë kanë akumuluar më tepër se 19,9 miliardë euro për këtë biznes.

Hyrja e Kanadasë zyrtarisht në hartën botërore të vendeve që legalizuan kanabisin rekreativ dhe për qëllime mjekësore tregon edhe diferencën tragjike me atë që po ndodh në Shqipëri. Edi Rama deklaronte mbrëmë me krenari se qeveria e tij e kishte çrrënjosur kanabisin nga vendi. Tragjike!

Sot gjithë bota e bën ekonominë e kanabisit. E bëjnë edhe fqinjët tanë. Koha më dha mua plotësisht të drejtë. Kur unë e artikulova këtë tezë, asnjë vend fqinj s’e kishte hapur debatin për kanabisin. Sot, katër vite më pas, vendet fqinje kanë ekonominë kombëtare të kanabisit, bëjnë miliardat. Kanabisi do të ishte një mundësi e pashembullt për Shqipërinë dhe dy partitë e vjetra PS dhe PD ia humbën këtë shans. Ato i mohuan Shqipërisë mundësinë që ta zhvillonte këtë ekonomi që ajo të bëhej edhe shpëtimtare për ekonominë tonë mjerane dhe të brishtë. Në vend të ekonomisë kombëtare të kanabisit karteli i drogës në qeveri bashkë me kriminelët e vet bëri përfitime marramendëse nga trafiku ilegal i kanabisit.

Tregu i kanabisit ka zhvillimin më të shpejtë sot në botë, me rritje 60 për qind në vit. Ne duhet të mendonim sot për fabrika cigaresh me kanabis, për eksport, fabrika birre e ushqime me kanabis, të bëheshim pjesë e revolucionit të farmaceutikës ndërkombëtare me bazë kanabisin, të planifikonim eksport të vajit të kanabisit për industritë e botës e dhjetëra mundësi të tjera biznesi.

Fatkeqësisht, Shqipërisë i ka mbetur edhe një vit kohë që ta bëjë këtë, për të mos dalë përfundimisht nga ky treg, sepse shanset, në një masë të madhe, i ka humbur pa kthim bashkë me mundësinë e madhe për ekonominë e saj. ZGJIDHJA u bën thirrje shqiptarëve që t’i bëjnë presion kartelit të marijuanës në qeveri dhe politikanëve të ndyrë të Shqipërisë për legalizimin e menjëhershëm të kanabisit dhe që të përfshijnë Shqipërinë menjëherë në projekte investuese dhe eksportuese të produkteve dhe nënprodukteve të kanabisit.

#ZgjidhjaPerEkonomine

Please follow and like us: