Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: RESTAURIMI I KËSHTJELLËS

(Përse-ja e një kambane?)

Një nga ata, që mendohej për arsye që dihen, sa dhe psikoanalistët vanë të mihin, në tregimin e jetës sa dhe në veprën e tij, se kryeveprën e mori me vete dhe në mërgim dhe që, si thonë, e prekte herë pas herë me penel mallëngjimi, vetullat i hoqi për hir të buzëqeshjes, ishte, është, ende Leonardo da Vinçi, fiorentini i madh. Në mjeshtëri dhe gjeni i paarritshëm, legjendar për zvarritjet që s’u vinte fundi dhe veprat që u lanë pambaruar, ose më mirë në përpjekje per t’i bërë me të përkryera. Aq më pak, që në atë rrekje s’kishte asgjë kombëtare, por art tejet të pastër.

Në këtë kontekst nuk di pse është zgjedhur “Kështjella” si vepër letrare për këto ndryshime drastike, por nuk besoj të jetë zgjedhur rastësisht dhe as për nga numri i faqeve, krahasuar me të tjerat. Apo, në u ndërroftë kjo vepër, të tjerat merret me mend që po! Koha dhe vlera e saj historike në të gjitha ribotimet, nga 1972 deri 2003, siç përmendet në esenë e shkruar nga miku im gjuhëtar, Ardian Vehbiu, një shkrim unik sot, kur ka një komercializëm dhe në një mungesë të plotë të kritikës letrare të pavarur dhe të papaguar, është një model i rrallë. I përpiktë, gjithashtu. Por, padashur, dua ta shikoj këtë dukuri të mistershme me një dritë tjetër.

TITULLI-MBISHKRIMI MBI PORTE

Mund të jetë më shumë ose jo tjetër se ç’është, për arsyet që i di vetë autori, dhe që mund t’i vihet çdo emër, dhe prapë nuk do të jetë m’i sakti, përderisa ai vetë nuk e ka folur dhe e ka shkruar arsyen/t e këtij ndryshimi. E drejta e tij. Dhe unë, aspak ithtar, nuk do ta mbroj nga kritika, por do mundohem të mësoj nga të dyja (nga kritika ndaj Kadaresë dhe Kadareja).
“Kështjella”, “Daullet e shiut”, “Kasnecet e shiut”, “Rrethimi”, secili tregon këndvështrimin apo ndërrimendjen që ka pasur autori, do të thotë dikush, në marrëdhënien e ndërlikuar me diktaturën, postdiktaturën dhe predemokracinë e mefshtë, edhe pse në emigracion, në zemër të Europës së re. Dikush tjetër, ndonjë ekonomist i çartur si Besart Varfi, do të thoshte që është për tregti, të shesë sa më shumë kopje (sikur nuk ka shitur mjaft), që për mendimin tim, edhe pse nuk është e re si ushtrim, praktikë, gjeniale në përshtatjen dhe për veprat letrare (teatri dhe bijat e tij, opera dhe baleti, e kanë bërë këtë gjithë kohën, për më tepër është pjesë përbërëse e jetës së tyre). Mendoni për një çast Monalizën me vetulla, në një kopje të fshehur diku në ndonjë stallë të mbretit të Francës a tek ndonjë dashnore e oborrit, se sa fitim do t’i sillte tregut dhe njerëzisë. Dhe ripunimi i ndershëm, që autori i ka bërë, dukshëm nuk është vetëm në të përbrendshmet, ndërsa siç bëhet rëndom nga gratë që presin të lexohen rishtazi. Por edhe kjo, rapsodi apo jo, ka një fund, ardhja e çastit, po aq të zi dhe fatlum, pret me gërshëren e saj, gjithë këtë mesele. Pra nuk mund të jetë as për këtë, edhe pse mundi, siç bëri i bukuri da Vinci, fshehur mbajti më shumë se një. Aq më tepër fjala në femërore “kasnece”, e cila ka zëvendësuar fjalën “lodër”, nuk tingëllon aq shumë arbërisht, kur mund të jetë lajmëset, por këtu unë dal nga skena, të gjej ndonjë fjalor për këtë. Di që dhe Çabejin e kishte mik dhe në këto punë dhe udhërrefyes. Sigurisht çdo ndryshim është njëfarë mohimi i asaj që ishte më parë, por në këtë rast nuk është i plotë, por do të thoja i mjaftë, për të theksuar diçka tjetër, një bri i ri mbi atë kokë apo një ngjyrë e re balashe në gëzof. Ndoshta thinjë urtie a vjeshte. Ah, Econ e vlerësoj, si të gjithë, por nuk besoj që edhe Kadareja, duke qenë dhe ai, siç thonë, lexues i zjarrtë, të mos ia ketë njohur idetë dhe këshillat në ndërthurrjen e veprës. Por dhe nëse jo, ky eksperiment si beteja e Anghiar-it, mund të jetë aq sa arritje, po aq dhe tragjedi. Por duhet, duhet të jetë diçka tjetër për të rrezikuar kaq shumë?

DEKONTEKSTUALIZIMI

Pavarësisht nga mënyrat dhe gjetjet artistike të përdorura nga autori i “Kështjellës”, për ne lexuesit e parë, me mall vazhdojmë ta quajmë të tillë, siç bëhej rëndom në kohën e diktaturës, kur për inat përdornim emrin e vjetër për t’i shpëtuar heroizmit të stisur, ngjit ky titull, që po ta shohësh hollë-hollë, dhe në kontekst nuk ka ndryshuar, ose ka ndryshuar deri sa erdhi përsëri aty ku ishte. Mund ta quajmë si të duam, por në thelb në të gjitha versionet e mundshme ka një: mbijetesë. Se ç’është kështjella, veç një mur qarkor për t’u mbrojtur nga invazionet dhe sulmet nga të gjitha anët, rrethim nga hordhi këto, që si tek filmi “Kapedani”, kishin flamuj dhe shallvare apo brekushe të ndryshme, armë e topa po ashtu, emra komandantësh që mezi shqiptohen, sikur të kesh zall në gojë, Vollodja apo Turgud, si dhe ca të tjerë, arbër, që bënë ta zhbënin Trojën. Disa si kjo ide, të vërteta, edhe pse u përdorën për arsye të këqija nga njerëz të këqinj, i ka provuar historia ashtu siç i ka shkruar, gërvishur dhe gdhendur vetë rapsodi, thuajse në çdo libër të tijin, sa është bërë pjesë, në mos e gjitha, ndërgjegje e kombit. Sigurisht në “Lodrën” a “Kasnecen e shiut” është në vetevete herë ogur i zi vdekjeje e herë i bardhë shprese, qëndron varur mbi kokë si në mitologjinë e lashtë. Vetmia e madhe ende vazhdon. Dhe kjo, për mendimin tim modest, vazhdon, jo nga mungesa e miqve, por më shumë nga vetja. Një gjysmëfaj i zgjedhjeve të gabuara dhe po aq të atyre që nuk arritëm t’i bëjmë si duhet apo se duhej, të detyruar nga të shumta ngjarje apo arsye. Sot, në të fundit në Europën e bashkuar nën Bizant apo nën atë franko-gjermane, jemi midis dhe të rrethuar njësoj. Fqinjë grabitës, të mëdhenj po ashtu, në të fundit, me apo pa ksenofobi, na ka mbrojtur vetja, rrethuar në atë zemër vend nga vargmalet Akeruane apo kufij të stisur, që në shekuj janë lëvizur e shteruar sa s’ka më, në tri pjesë që s’janë pjesë por një e tërë dhe ajo e cunguar. Propaganda totalitare e përdori për të mbuluar dështimin e vet, por kjo s’do të thotë që s’është e vërtetë dhe po të kthehemi nga vetja, që bardi ynë e di, të keqen e kemi brenda nesh. Në cilën apo cilën keshtjellë mbrojmë aty në atë ndërgjegje shoqërore? Alegorizmi, me zgjuarsi, në këtë mënyrë i shpëton mureve, ikën nga shekulli pesëmbedhjetë, ikën dhe nga i njëzeti, dhe nga i njëzetenjëti, dhe të tjerëve që çuditërisht përsëriten, për të ngelur mbi çdo portë mendjeje. Këtë për mua në një paradoks e tregon edhe vetë ndryshimi i titullit, që shpjegues, drejtues për të gjetur diçka, apo fshehur pas petkash të reja, në thelb është një, ndoshta si ajo e Dantes ngeli edhe pas tij.

Feja, ndoshta dhe ajo mund të jetë pjesë e veshjes së re të librit, novelës, romanit ose thellësisht në zemër të saj, e megjithatë, me kuptim të shumëfishtë! Besë, e dhënë dikur, besë e parë, apo asfare asnjëherë, veç përshtatje? E drejtë e rëndësishme e një të vërtete njerëzore, që u mohua dhunshëm nga një lloj regjimi dhe që në kohën e sotme pjesë përbërese e jetës së përditshme. Ka qenë gjithmonë feja e shqiptarit, shqiptaria? Pse jo Shqipëria? Ç’është shqiptaria pa Shqipërinë? Ç’dinte një pasha mijëra kilometra larg për fenë e të parëve, kur kishte vrarë kaurë dhe gjaurë të pafe? Apo është kjo një thirrje e tërthortë për aleanca të reja të çimentuara apo të ngritura mbi themelet e lashta, apo për të thënë atë që është mohuar nga historia dialektike e fitimtarëve, që ish ajo fe e Zonjës së Shkodrës që vuri, çuditërisht themelet e gjuhës shqipe, siç bëri dhe për shumë kombe të tjera. Por mund të jetë vetëm një pohim i mirëfilltë i asaj kohe. Bastion i kishtërimit ndaj një force shkatërruese per te mbrojtur një kulturë, q’ende sot është në themel të asaj moderne perëndimore. Shumë libra e studime të vjetra, rilindase apo nga vende e kombe të tjera (në Itali dhe Francë) e kanë pranuar e shpallur këtë. Ashtu si përzierja e saj, fesë me paganizmin e lashtë, mjaft të shohësh që manastiri i Ardenicës në fakt duhej të quhej i Artemisës, mbi themelin dhe gurët e të cilës u ngrit apo Festa e Verës, kur çuditërisht ndihemi më shqiptarë, apo në epos, që u mblodh nga fretërit françeskanë. Po dhe po, shtuar si të reja apo të nxjerra më në pah, është në këtë kontekst dhe rreziku i otomanizmit të ri. Perandoritë në çdo kohë emrin, titullin mbi portë e ndryshojnë, por urinë e qëllimit kurrë. Gjeopolitika është aty, por ne nuk jemi atje ku duhemi, pjesë e kontinetit ku ishim, nuk erdhëm si gjithë të tjerët, rreth, mbi dhé nën ne, nga lindja. Ne, për Kadarenë, siç e ka shprehur, shkruar e gdhendur, jemi këtej jo andej përtej ngushticës, që emrin mban dhe sot, të Dardaneve, para Kseksit. Të gjitha këto, flasim se duhet të jetë diçka tjetër, shumë m’e vlefshme, për të rrezikuar kaq shumë, në vlerën e kësaj vepre, mes një përzgjedhje fesh, për një veshje më të përshtatshme historike.

GLUHA

Këtu s’ka asnjë dyshim, që çdo gjë është e qëllimtë, deri në një imtësi marramendëse emrash, fjalë të ngulura nga pushtimi i gjatë, arbëreshisma, nëse mund të quhet kështu gjuha e ngrirë disi në atë kohë, fjalëformimet kadareike, shpesh të përçudnuara që kongreset e drejteshkrimit dhe as rrugëtimi i popullatës në male a në fusha, nuk morrën kurrë mundimin t’i përkthenin apo kuptonin, se ç’ishte ogurzeza krra-krra. Këtu del qartë një përpjekje mendjemadhe sa dhe nacionaliste, ajo e Rilindjes, “purizmit”, me të cilën bashkohem edhe une, jo për ksenofobi as për revoltë ndaj rregullave dhe ligjeve objektive gjuhësore, as për nacionalizëm nostalgjik mërgimtari, por…
Përse kjo përpjekje e stisur, romantike, jashtëkohore, anakronike? Po është shekulli njezetenjë! Shqipëria është mëvete? Është e gjitha, me copa rrecka të humbura, dhe ato të mbetura pas një gardhi ndërtuar, nga të mëdhenj për vete e jo për ne dhe as në bazë të një të vërtetë historike objektive. Gluha, ajo që mezi mbijetoi nga Barleti në Arbërinë e Re, arbëreshe, në atë të zhdukur thuajse fare dhe mizorisht arvanitase, ka alfabetin e saj, latin, ka pasur kongrese unifikimi, që shtypën një anë e ngritën një tjetër, siç ka një sulm të vazhdueshëm nga të gjitha gjuhët e tjera që hynë a u ngulën në tru të njerëzisë. Sigurisht gjërat janë dhe do të bëhen më mirë, por rreziku i humbjes është i vërtetë. Ka një Shqipëri, por ç’e do, kur më shumë se një e treta e saj, ndoshta gjysma, ka marrë arratinë nëper botë shpërndarë si zogjtë e korbit. Të vetëm, të paorganizuar, për të mirën e të tjerëve, siç kanë bërë në shekuj, po humbasin ngadalë të asimiluar gjuhën si dhe fëmijet e tyre, të rritur e lindur atje. Në atë kohë dikur, rilindasit, shkruanin ta mbështetnin kombin e ri, pa shkolla, apo, më saktë, të ralla sa numëroheshin me gishta. Tani universitete plot, por gjuha nuk mësohet si duhet sa duhet, lënë pas dore si arumunët të udhëtojë ku të dojë sa të dojë, ku dialektet janë më të rënda e shtyhen të ndahen më shumë se të afrohen, ndaj ndoshta për këtë, në këtë ripunim përdor shumë e më shumë gegënishten, dhe nuk besoj ta bëjë se i thërret parreshtur një faj i papranuar. Por besoj ky është bastioni i fundit i mbijetesës, që vetëm një përpjekje titanike si ajo e rilindasve do ta shpëtojë, ndoshta dhe poezia kur të flitet, siç u fol në shekuj, si ajo e Homerit, në rite lindjeje, mort a në çdo tjetër dhe prapë ndoshta gjithmonë do të ketë nevojë për ta. Kushdoqofshin, ngadoqofshin! Ka fjalë, në praktikën e përditshme që do ngulë tashmë globalizmi, siç po bëhet në çdo gjuhë, ka një ekosistem dhe për gjuhën, atë salamandër të gjallë si të tjerat, por do të isha i lumtur nëse do zëvendësonim sa të mundnim fjalë të huaja, me çtë mundej fjalë të gegëve malsorë apo arbëreshëve e arvanitasve, këtë e ka për detyrë çdonjëri nga ne, por do duhen rilindas t’i këndojnë, rapsodë si i yni, që për çfarëdolloj arsyeje nuk rreshti së kënduari vendit të tij, që e pa në çdo gur dhe fjalë.

Për mua, kështjella që kur lindi, lindi si një alegori bashkëkohore, diktaturë apo jo, qe dhe mbetet nën çdo titull, një poezi me personazh të fshehur, që, siç thotë Eco, duhet ta lexosh shtresë pas shtrese dhe prapë e përsëri prapë, kurrë nuk ishte historike as një novelë tregimtare, si Silvia e Narvalit, nuk dihet se ku fillon dhe mbaron e tashmja. Ligjet prishi kudo dhe kurdo, dhe nuk është mbase Xhokondë e pazakontë, por është ama përtej çdo gjëje të prekeshme, një amanet, last will, dëshirë e fundit e një rapsodi, që kështjellë për mbijetesë, ngriti me veprën e tij që mbi gjithçka, ta mbrojmë atë më të shtrenjtën mbi gjithçka, gluhën e të parëve.

Gjuhën nuk e bëjnë gjuhëtarët, por jo me pak e pa dyshim poetët, qe popullin e tyre e bëjnë të ndërgjegjshëm për bukurinë dhe mrekullinë e saj!

Fotografia e Emil Asdurian

Fotografia e Emil Asdurian

 

Please follow and like us: