Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: “Iliada”, kumte qytetëruese nga mugu i qytetërimit

 

Ese

 

…Homerit iu desh të hidhte themelet e poezisë europiane si mjeshtër i vetëm, duke i kërkuar “gurët” e rëndë në minierën e pasur të miteve të Gadishullit. Ai nuk preku me dorë një libër, por u shndërrua vetë në librin më të rëndësishëm të kohërave…

Gjatë rrjedhës së shekujve, lexuesit e “Iliadës” së Homerit janë mahnitur me artin e thurjes së tekstit dhe kumtin e përcjellë. Ati “analfabet” i poetëve, Homeri, si gjithë gjenitë, u ka folur dhe u flet me gjuhën e tyre brezave duke i lënë të mahnitur. Edhe lexuesit e shekullit XXI tronditen nga leximi i kujdesshëm i “Iliadës”.
Homeri u mëkua me mitet, legjendat e mrekullueshme të gadishullit. Ai qe analfabet, sepse në kohën kur jetoi, ende grekët nuk e kishin marrë alfabetin dhe nuk e shkruanin gjuhën e tyre të vyer. Ati i poetëve nuk pati asnjë pararendës, nga i cili të formohej dhe të nisej në krijimin e tij. Shekspiri, gjeniu i Rilindjes, kishte epërsi të madhe në këtë drejtim, sepse kishte biblioteka të tëra ku mund të shfletonte kronika dhe histori pa fund. Ai pati fatin e artë të shfletonte tragjikët e mrekullueshëm të antikitetit, Eskilin, Sofokliun, Euripidin. Pa asnjë dyshim nxënësi i tragjikëve të mëdhenj i kaloi mësuesit e tij dhe krijoi një art të madhërishëm, duke u ngritur në majat më të larta të artit gjithëkohor. Ndërsa Homerit iu desh të hidhte themelet e poezisë europiane si mjeshtër i vetëm, duke i kërkuar “gurët” e rëndë në minierën e pasur të miteve të Gadishullit. Ai nuk preku me dorë një libër, por u shndërrua vetë në librin më të rëndësishëm të kohërave.
Kumtet e poemës së famshme e trondisin lexuesin e sotëm, si në planin artistik, po ashtu edhe në atë semantik. Duket sikur teksti është nyjëtuar dje, jo afro tridhjetë shekuj më parë. Homeri, nga fisi grek, nuk mban anë në rrëfimin e tij, duke qënë i baraslarguar si me akejtë, po ashtu edhe me teukrit. Ky fakt të trondit. Me mjaft dashuri ndërtohet figura e Hektorit, princit trojan, që u bë tmerri dhe ferri i akejve rreth mureve të Trojës. Madje, Akili, greku gjysëmhyjni, portretizohet si njeri tipik i kohës së tij, me zemërimin primitiv, me mërinë e tij, me forcën, me urrejtjen e pashterrshme, me arsyen për të cilën lufton: për famë, për plaçkë, për hakmarrje, krejt ndryshe nga heroi trojan, Hektori. Homeri, nga mugu i kohërave, i dha qytetërimit që do të vinte figurën e njeriut modern, Hektorit, njeriu jashtë kohës së tij, i cili shkon në luftë jo nga urrejtja, por nga detyra.
Kur lexon tekstet e Hygoit, Napoleoni krahasohet me shqiponjën plot lavdi, ndërsa Tolstoi e përshkruan atë si një ushtarak mediokër, ndërsa gjeneralit rus Kutuzov i thur një portret monumental. Njëzetë e tetë shekuj pas Homerit, të dy shkrimtarët e mëdhenj mbajnë anë, pa e lënë lexuesin të gjykojë në mënyrë të pavarur. Hidhuni një sy teksteve të autorëve të shekullit në të cilin jetojmë, ku trajtohen tema historike: rrallë gjen ndonjë autor që nuk mban anën e bashkëpatriotëve të tij, duke zvogëluar në këtë rast hartën e ndikimit të lexuesve, kurth, të cilit mrekullisht i ka shpëtuar Homeri.
Gjenia e homerike shkëlqen në gjetjen e pretekstit të luftës midis grekëve dhe trojanëve. Nga mugu i qytetërimit erdhi preteksti më i çuditshëm dhe njëhërësh më tronditës: fiset e akejve do të bashkohen për herë të parë, do të shkojmë në Trojë dhe do të luftojmë për t’i kthyer Mikenës Helenën e bukur, për t’u kthyer trojeve të tyre bukurinë e grabitur. Nuk mund të mbillnin as të korrnin, nuk mund të festonin, as të trishtoheshin pa bukurinë e grabitur nga princi i Trojës. Qytetarët e asaj hapësirë donin të jetonin estetikisht, pikërisht në mug të qytetërimit, ndërkohë, për fat të keq, ende në shekullin e njëzetë e një ka mjaft komunitete në botë që jetojnë, ose përpiqen të jetojnë vetëm biologjikisht.
Grekët luftuan dhjetë vjet për shkaqe estetike, për t’i kthyer hapësirave helene bukurinë. Dikush mund të thotë, preksti, preteksti. Le t’ua lëmë historianëve arsyet e vërteta të betejës dhe të qendrojmë në botën e trillimit. Ajo gjithmonë është më e bukur se bota e njëmëndët dhe ndonjëherë edhe më e vërtetë se ajo.
Po trojanët pse nuk e dorëzuar Helenën e bukur dhe t’i jepnin fund masakrës dhjetëvjeçare dhe të shmangnin tragjedinë e rrënimit të Trojës?! Ata, mendoj, kanë patur një arësye më madhore se helenët. Ata nuk adhuronin vetëm bukurinë e Helenës, por kishin një arsye madhore: dashurinë e Lekë Paridit. U përgjakën gjatë dhjetë viteve në emër të bukurisë dhe ç’është më e rëndësishmja në emër të dashurisë. Troja është qyteti i parë që u dogj e u shkatërrua për hir të bukurisë dhe dashurisë. Përherë Helena është thirrur Helena e Trojës, jo Helena e Mikenës apo e Helena e Grekëve. Pse?! Ndoshta, e drejta kaloi nga grekët te trojanët, pas shkatërrimit të Trojës. Akejtë morën me vete trupin e Helenës, ndërsa shpirti i saj mbeti atje, në rrënojat e Trojës. Bota ia riktheu Helenën Trojës, pikërisht duke i thirrur gruas më të bukur të gjithë kohërave, Helena e Trojës. Të bukurën e meriton ai që lufton për ta zbuluar, për ta përjetuar dhe krijuar. A mund të vinte një kumt më i madhërishëm nga poema e parë e Europës?!
Me të drejtë kanë shkruar studiues të ndryshëm, se të gjitha pretekstet për nisjen e luftërave pas “Iliadës” e deri në ditët e sotme, krahasuar me pretekstin homerik, janë pretekste banale.
Gjithashtu, nga mjegulla e shekujve, nga teksti homerik mësojmë se gruaja e bukur nuk është një pasuri e paluajtshme. Ajo, një ditë, do ta kërkojë diku tjetër dashurinë, nëse nuk rrethohet me dashuri. Dhe të mendosh se ky kumt vjen nga kohërat kur gratë më së shumti qenë skllave të burrave të fortë.

Please follow and like us: