Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Rimbaud, ky gjeni!…

Arthur Rimbaud, (Rembo), u shfaq vonë në botën e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Ai erdhi me vargje tronditëse, vezulluese e magjike. Dhe sapo u shfaq, atë e njohën se ky poet vinte nga universi i gjenisë. E përqafuan njëherësh. E kthyen në mit. Në vitet 20’-30’’ të shekullit të kaluar, jo pak liceistë të Liceut francez të Korçës, recitonin në shkollë vargjet e Rimbaud-së. Anija e dehur apo Një stinë në ferr i rrëmbente ata të rinj dhe i çonte larg, në detra të tjerë drite, magjie dhe tallazi. Rimbaud dhe Verlaine vinin bashkë; bashkë me idhullin e tyre Charles Baudelaire dhe poetët e tjerë simbolistë. Sa herë përkthehej Baudelaire, do të përktheheshin dhe poetët e “mallkuar”, Rimbaud e Verlaine; do të flisnin në shqip dhe poetët e rrugës e të jetës boheme, të dhimbjes dhe dramës njerëzore, të ngazëllimit dhe shpresës. Poetët e humbjes së madhe. Të gjithë donin ta dëgjonin sërrish këngën e tyre, që dhe ata të përvijonin në botra të tjerë, në një tjetër jetë, atë të pavdekësisë. Dhe jo pak ishin ata që donin t’u përngjanin. Migjeni, me «vargjet e lira» dhe forcën e vargut të tij, ishte një lloj Rimbaud shqiptar. Në një tjetër ndjesi, me mistiken dhe imazhin poetik, në një tjetër rrafsh dhe Lasgushi kishte diçka nga vargu i poetit të madh. A nuk shkruante ai «Se s’dashuroja as unë as ti, por dashuronte dashuria/ një dashuri, një fshehtësi, më e fshehtë se fshehtësia/»? Alkimi e Verbit si tek Rimbaud? Vargu mistik?… Ngjizmë e shpirtit, e agut me terrin, e plagës dhe dashurisë, e protestës së moskuptimit?

Ja ku pas një botimi të shkurtër në vitin 1997, Arthur Rimbaud, na rivjen përsëri në një libër më të plotë, ku përmblidhet thelbi i artit të tij poetik. Ky «poète maudit», ky «poet i mallkuar», siç e cilësonte Verlaine në më të parat shkrime për të, konsiderohet gjithnjë si një nga titanët e gjenisë poetike të mbarë njerëzimit. Ndër më të mëdhenjtë, ndër më të befasueshmit, ndër më kompleksët dhe imagjinarët, ndër më të dëshpëruarit dhe tragjikët. Universi i tij, herë është një det apo humbëtirë e madhe, e herë një lundrim i vështirë në ujrat e së Panjohurës, në dykuptimet e fjalëve apo fjalë të nderura pezull në ajër që të ngasin imazhe të tjera. A nuk na trondisin ende me poetikën e tyre vargjet e prozës së tij poetike në Après le Déluge, (Pas Kataklizmës)?

«… Zonja vendosi një piano në Alpet. Mesha dhe pagëzimet e para festohen në njëqind mijë altare të katedrales. Karvanet u nisën. Dhe Splendid Hôtel u ngrit në kaosin e akujve dhe natën e polit tokësor…»

Eshtë e paimagjinueshme që ky poet të ketë shkruar poezi vetëm gjatë pesë vjetëve. Pesë vjet në ethet dhe zjarrminë e poezisë. Njëzet e një vjeçar, ai e mbylli portën e madhe të poezisë dhe iku për mos tu kthyer më, duke lënë në galaksinë poetike gjurmën e pashuar të një komete që digjej dhe vazhdon të digjet ende. Megjithatë, vargu i Rimbaud-së i printe gjithnjë jetës së tij, i printe qënies njerëzore, madje e linte në hije atë. Me të drejtë biografja angleze Enid Starkie, ka shkruar: “A mund ta rindërtojmë një imazh të saktë të poetit përballë kontraditash kaq të mëdha të kritikëve, një imazh që ta përfaqësojë atë si një qënie më vete dhe jo si një përgjithësi abstraksionesh të ngjitura me njëra tjetrën?”…

Në këtë frazë ka një të vërtetë të madhe, pasi nga Rimbaud, tek banori i këtij universi, kanë mbetur vargjet e tij dhe shumë pak nga jeta e tij. Rimbaud kështu u njësua me vargun. Gjenia e artit përfaqësoi njeriun. Padyshim që një pjesë e madhe e jetës poetike të Rimbaud-së është e lidhur me Parisin, qytetin që ai adhuronte dhe ku ëndërronte të bëhej poet e më pas “profet”. Pikërisht në Paris kaloi jeta më e stuhishme e tij, një jetë e ngjizur në rrugë, hotele, skuta, kafene e «braseri», në gjithë imazherinë e këtij qyteti.

I lindur në Ardennes të Francës, (Charleville), më 20 tetor 1854, që adoleshent, Rimbaud-ja tashmë kishte hyrë në botën e poezisë. Shkruante vargje dhe e kuptonte se vargjet e tij ishin ndryshe nga ato të të tjerëve, se ishin copra imazhesh kaotike, por që në kadencën e simboleve të tyre nxisnin ndjesi e mendime të mëdha. Në një shkrim të vitit 1864 apo 1865, të titulluar Narration, ai shkruante:

Dielli ishte akoma i ngrohtë dhe megjithatë ai pothuaj nuk e ndriçonte fare tokën; si një pishtar i vendosur përpara, kubetë gjigande nuk i ndriçonte më, veç përmes një drite të zbehtë; kështu dielli, ky pishtar tokësor shuhej dhe linte të ikte nga trupi i zjarrtë i tij një dritëz të fundme të zbehtë, që lë ende të shihen gjethet e gjelbërta të pemëve, lulet e vogla nën njollat e dritës dhe majat gjigande të pishave, plepave dhe lisave shekullorë…”

Por në këtë tregim, adoleshenti Rimbaud revoltohej për atë çka duhej të mësonte në shkollë: për histori mbretërish apo gjuhë të vjetra. Janë revoltat e para, madje ai qesh me botën. Dhe më poshtë ai shkruante: “Përse duhet mësuar greqishtja, latinishtja? Nuk e di. Në fund të fundit s’kemi nevojë për ato… Askush nuk e mëson latinishten, askush nuk e flet. Nganjëherë e shoh nëpër gazeta, por, o Zot, faleminderit, unë nuk do të bëhem gazetar. Përse të mësojmë dhe histori dhe gjeografi. Vërtet kemi nevojë të mësojmë se Parisi gjëndet në Francë, por nuk pyetet se në çfarë nivel lartësie gjëndet ai. Në histori, të mësoj jetën e Chinaldon, të Nabopolassar, të Darius, Cyrus apo Alexandre dhe të bashkëkohësve të tyre të njohur me ato emra diabolikë, është një torture. Ç’më duhet mua nëse Alexandre ka qënë i famshëm?…”

Gjeniu po lindëte, siç do të thoshte për të dhe një nga poetët e Parnasse-it. Alkimia e vargjeve me intonacione tingujsh e ngjyrash të çuditshme që dinin të trazonin jo vetëm shpirtin, por dhe fantazinë, ëndrrën, ndjesinë e thellë që flinte në shpirtin e kujdo. «E përqafova agimin» – shkruante Rimbaud në një poezi, «Një shije hiri valëvitet në ajër», shkruante diku tjetër…

«Shtriva litarë nga një këmbanë në tjetrën / vura kurora nga një dritare në tjetrën / zinxhirë ari nga një yll në tjetrin dhe kërceva».

Larg në provincën e trishtë, Rimbaud i ri lexonte Baudelaire-in, Verlaine-in, de Banville-in dhe ëndërronte të bënte pjesë në rrethin e poetëve të «Parnasse»-it, pra të ishte një «parnasien», siç shkruan dhe në letrën e parë që ai i dërgoi poetit të njohur të asaj kohe, Theodore de Banville, bashkë me tre poezi (Ofelia, etj), që të mund t’ia botonte në revistën e tij: «Ne jemi në muajin e dashurisë, – i shkruante ai. – Jam shtatëmbëdhjetë vjeç. Eshtë mosha e shpresave dhe e iluzioneve… Mjeshtri im i shtrenjtë! Ju do të më çmëndni nga gëzimi e shpresa nëse do të donit të më bënit një vënd mes «parnasienëve»…

Ai donte të bëhej poet i njohur dhe të largohej nga ajo shoqëri mediokre që e rrethonte dhe ku veten e ndjente të pafuqishëm përballë atij fataliteti. Kur poetit de Banville i dërgoi poezinë e shkruar në latinisht Credo in unam, djaloshi nga Charleville shkruante: “A do të gjejnë vënd këto vargje në Parnasse contemporain? Unë nuk jam i njohur, por ç’rëndësi ka kjo. Poetët janë vëllezër. Këto vargje besojnë; ato duan; ato shpresojnë. Kjo është e gjitha!…” Nga poezitë e asaj kohe duket influenca e Baudelaire-it, i cili kishte disa vite që kishte vdekur. Por de Banville, edhe pse ishte habitur me poezitë e këtij poeti të ri, nuk i kishte botuar ato. Madje nuk i ishte përgjigjur as letrës së tij. Megjithatë zëmra e djaloshit digjej për Parisin.

Një biograf, që i referohet një bashkëkohësi dhe shoku të Rimbaud-së, thotë se për herë të parë, Rimbaud shkoi në Paris bashkë me një të dashurën e tij. Për të paguar biletën e trenit, atij i ishte dashur të shiste orën e dorës. Natën e parë e kishin kaluar sëbashku në stolin e një bulevardi parizian. Në një nga letrat e tij, atë kohë ai kishte shkruar: “Dua të punoj i lirë, por këtë e dua në Paris. Unë jam një udhëtar, një këmbësor, asgjë më shumë. Sapo kam arritur në këtë qytet të pamatë pa asnjë grosh në xhep”. Biografë të tjerë thonë se pikëtakimi i parë i Rimbaud-së me Parisin, është i kësaj kohe, pikërisht një muaj pasi ishte vendosur pushteti i Komunës së Parisit. Ai ishte nisur me këmbë nga Charleville i Ardennes. Ç’udhëtim i jashtëzakonshëm!…

Kur ishte shfaqur në Paris, ai ishte paraqitur si një simpatizant i Komunës. Parisi ziente. Djaloshin e ri e thërrisnin “Rimbaud komunari”. Jo larg prusianët kërcënonin kryeqytetin. Miku i tij i shkollës, Delahay, kujtonte se ai u angazhua në grupin e “pushkatarëve të revolucionit”, edhe pse nuk mbajti armë. Ai u strehua në kazermën e një  lagjeje të Parisit, në Babylone, ku kishte plot të mjerë e të dehur. Poeti shkruante. Hidhte vargje në copra letre. Me vargun e tij kërkonte të pushtonte atë qytet që kishte mbartur aq shumë shpirtra të rrebeluar. Madje dhe “kurtizanen kuqse me gjinjtë e mëdhenj luftarakë”. Fjalë tronditëse sikur donte të pushtonte dhe t’i klithte gjithë universit. Ndryshe si çdo herë tjetër, imazhet e këtij Parisi do t’i shohim në vargjet e poezisë së tij Orgjia pariziane apo Parisi popullohet sërrish:

Paris, kur këmbët e tua kanë vallëzuar aq shumë

Në zëmërimet e tua,

Kur ti i goditur je nga aq shumë thika,

Kur ti i dergjur në bebëzat e tua të pastra mban pak

Nga mirësia e kësaj rilindje të tmerrshme,

O qyteti dhimbshëm, o qytet pothuaj i vdekur,

Me kokën dhe dy gjinjtë e mëdhenj hedhur drejt të Ardhmes…

Që në atë moshë, Rimbaud e kuptoi se botës i duhej një varg tjetër, një poezi tjetër, një mision i ri. Më 15 maj të vitit 1871, ai i shkruante mikut të tij Paul Demeny: “… Të thashë se poeti duhet të jetë një “profet”, pra duhet të bëhemi “profetë”… poeti i kërkon të gjitha format e dashurisë, të dhimbjes, të çmëndurisë. Ai i provon në vetvete të gjitha helmet për të ruajtur veçse thelbësoret. Torturë e pa treguar, kur ndërkohë ai ka nevojë për gjithë besimin, për gjithë forcën mbinjerëzore, ku midis të tjerëve ai bëhet i sëmuri më i rëndë, krimineli më i madh, i mallkuari i madh dhe Dijetari suprem, sepse ai arrin tek e Panjohura…”

Kur mori vesh se trupat monarkiste të ardhura nga Versailles po tentonin të pushtonin Parisin dhe të përmbysnin Komunën, ai ia mbathi për në shtëpinë e tij në Ardennes. Komuna dhe historia e saj do ta frymëzonte atë për një seri poezish si, Duart e Jeanne-Marie, (për vajzat e fenerëve me vajguri, të arrestuara nga versajasit), apo Chant de guerre parisien, (Këngë lufte pariziane). Në mungesë të një përgjigje nga Theodore de Banville, po nga Charleville, ai i kishte shkruar një letër poetit Paul Verlaine, i cili atëherë kishte filluar të bëhej i njohur, madje i kishte dërguar dhe disa nga poezitë e tij. Me t’i marrë poezitë e këtij djaloshi, i habitur jashtë mase, Verlaine ua kishte kaluar miqve të tij poetë, duke u thënë se kishte zbuluar një poet gjenial. Ishte Verlaine-i ai që do t’i shkruante djaloshit të ri: ”Eja o shpirt i shtrenjtë e i madh. Ju thërrasin! Po ju presin!”… Dhe me bujarinë e njohur të tij, ai i kishte bashkangjitur në këtë letër dhe paratë e rrugës, duke e ftuar të banonte te ai.

Në Parisin e “parnasianëve”

Rimbaud erdhi në Paris në shtatorin e vitit 1871, kur dhuna ndaj komunarëve ishte qetësuar disi. Atë kohë Verlaine banonte te shtëpia e vjehrit dhe gruas së tij, tek zotit Mauté në 14, Rue Nicolet, në Montmartre. Meqë Verleni kishte qënë një simpatizant i komunarëve të Komunës, atë e kishin larguar nga puna që bënte më parë në administratën e bashkisë së qytetit. Atë ditë, kur zbriti nga treni në stacionin e Gare de l’Est, Rimbaud nuk gjeti njeri që ta priste dhe pas pak, me adresën në dorë, në këmbë kishte marrë rrugën drejt Montmartres. Gjithë pluhur e djersë, me një fytyrë të skuqur nga dielli, ai arriti para shtëpisë, por çuditërisht, Verlaine nuk ishte aty. Portën ia hapi gruaja e Verlaine-it, Matilda 17 vjeçare, e cila i tha t’a priste atë në sallon. Pak kohë më vonë erdhi dhe Verlaine-i, i cili në fakt vinte nga stacioni i trenit, por që mjerisht ishte shfaqur atje pak me vonesë dhe nuk kishte mundur ta takonte. Ai nuk e njihte Rimbaud-in si fytyrë dhe priste të shikonte një të ri në moshën e tij, por djaloshi me sy blu ishte një adoleshent, me trup të gjatë e të hollë. Por dhe Rimbaud nga ana e tij ishte habitur që kishte parë ballë tij atë burrë me mjekër dhe faqet me gropa, dhjetë vjet më të madh se ai.

Që të nesërmen, Verlaine do t’i zbulonte Parisin mikut të tij të ri. Ata shëtitën në Butte de Montmartre, rrahën me këmbë bulevardet e mëdhenj, shkuan në Quartier Latin, ku mblidheshin shumë shkrimtarë e artistë. Atëherë, “parnasianët” mblidheshin çdo muaj, dhe në takimin më të pare, Verlaine e mori me vete poetin e ri. Madje e vuri të lexonte pjesë nga poema Anija e Dehur, të cilën ai sapo kishte shkruar: “Dhe që atëherë jam larë në Poemën e Detit/ ngjizur me yje dhe në ngjyrën nakrë/ duke përpirë yjet jeshilë/ ku një i mbytur i menduar/ zbret nganjëherë i kënaqur e i zbehtë…”

Të pranishmit u habitën me vargjet e figurëshme të tij, me shpirtin e këtij poeti kaq të ri, «tetëmbëdhjetë vjeçar, me një fytyrë fëmije, – siç shkruan Léon Valade, – me karakter të egër por timid, me sy blu dhe këmbë të mëdha, por që dukej si trembëdhjetë vjeçar”. Por siç do të pohojë Verlaine, “një vit më vonë, të pakët ishin ata që e pranuan Rimbaud si poet”. Poetët e mëdhenj, “les grands parnassiens”, nuk e deshën, edhe pse Verlaine-i mbetej një nga adhuruesit e vetëm të tij. Ndoshta e kishin inat se Rimbaud ishte shprehur se kishte ardhur koha që vargu aleksandrin të zhdukej dhe se duhej shkruar një tjetër lloj poezie. Por si mund t’i “mësonte” ai?! Ky poet, atyre u dukej si një njeri haluçinant.

Thonë se kur Verlaine-i ia kishte prezantuar Victor Hugo-së, pasi kishte dëgjuar poezitë e tij, Hugo kishte thënë: ”Ja Shakespeare i vogël”. Por këtë gjë Verlaine-i nuk n’a e konfirmon në kujtimet e tij. Sidoqoftë, Anija e dehur la gjurmë ndër poetët parizianë dhe shumë prej tyre e kishin kopjuar dhe e kishin ndër duar:

“Njoh qiejt e plasaritur duke shkrepëtyer/ dhe mbrëmjet me rrjedha e sajna e ciklone/ si një trumbë pëllumbash, Agim i rrëmbyer/ Njeriun kam parë shpesh ndër haluçinacione!”

Ato ditë, Verlaine e çoi Rimbaud-në dhe te miku i tij, fotografi Etienne Carjat, në studion e tij në rrugën Notre-Dame-de-Lorrette, ku ai e fiksoi në fotografinë më të njohur të Rimbaud-së që kemi sot. Atëherë Mathilde ende s’kishte lindur. Ajo ishte në muajt e fundit, ndërkohë që dy poetët bridhnin kafenetë e pinin absint, herë në Boul’Mic apo Chez Battur, herë në Rat Mort, në Café de Madrid apo Café de Suède. Rimbaud i ngjante një lloj “Gavroshi”, i hollë, i zbehtë, tallës dhe përbuzës ndaj shoqërisë. Kur Verlaine e çoi te “zutistët”, një grup letrar që mblidheshin në “Hotel des Etrangers”, Rimbaud u bë aty i përditshëm. Madje i binte pianos së kompozitorit Cabaner. Aty dhe flinte. Ai u bë nga më aktivët e grupit zutist me poezitë e shkruara në Album zoutique, dhe shpesh e gjeje në holl me kokën mbi tavolinë, ngaqë ende flinte, pas një nate të zbardhët. Në atë kohë Rimbaud pinte hashish dhe provonte tabutë e kësaj bote, edhe pse ishte i varfër e pa para. Shpejt Verlaine e kuptoi se po prishte shumë të holla për të mbajtur mikun e tij dhe kështu filloi të mbledhë ndihma për ta ushqyer dhe sistemuar në një hotel. Kështu ai bënte lista ku artistët jepnin para për “beben e Muzave”, (le nourrisson des Muses), siç e quante ai.

Pikërisht në këtë periudhë ai n’a la një nga poezitë më të njohura të botës letrare: Sonata e Zanoreve, (Sonnet des Voyelles), të cilës i janë referuar me mijra studjues, historianë, linguistë e kritikë, për të deshifruar thellësinë e imazheve dhe ekuivokeve të tij:

«A e zezë, E e bardhë, I e kuqe, U e gjelbërt, O blu: zanore, /Një ditë do ti them ngjizmën dhe lindjet tuaja, /A, gjoksore e zezë leshtore e mizave shkëlqyese /Që vijnë rrotull me kundërmime të tmerrëshme /Në gjire të errët; E, ngazëllime avujsh dhe tendash, /Heshta akujsh krenare, mbretër të bardhë, drithërime lulesh ombrellëz, /I, të purpurat, gjak i pështyrë, e qeshur e buzëve të bukura /Në zëmëratë apo në dehjen e dënueshme; / U, cikle, dridhje ëngjëllore e deteve të gjelbërt /Paqe e kullotave plot kafshë, paqe e rrudhave /Që alkimia krijon në ballet e njerëzve të ditur; /O, trumpetë supreme, plot tingujt të çuditshëm çjerrës, /Heshtje të përshkuara nga Bota dhe Engjëjt; /O, Omega, rreze vjollcë e Syve të Saj!»

Dashuri mes poetësh

Ndër poetët e botës, dashuria e Rimbaud-së me Verlaine-in njihet si një nga dashuritë më të çmëndura dhe skandaloze, për të cilën do të shkruhet shumë, veçanërisht në Francë, Angli, Belgjikë apo Amerikë; do të xhirohen filma dhe vihen në skenë pjesë teatrale. Vargjet, gjëndja e ekzaltuar dhe dëshira për të kapur fundin e shpirtit njerëzor si dhe shtatzënia e Mathilde-s, me sa duket i çoi ata drejt kësaj dashurie homoseksuale që njohu veçse drama të mëdha. Ajo nisi pikërisht në këto rrugë të Parisit, në pijetoret dhe “braseritë” e shumta, në netët e gjata e të dehura, në skutat e errta plot britma, ku secili nga ta ndjente nevojën e shpërthimit poetik. Kur Mathilde lindi djalin e tyre, Georges, Verlaine kthehej në shtëpi gjithnjë e më vonë, madje në orët e para të mëngjesit. Gjithë pasioni i tij tani ishte Rimbaud, ky djalosh i prapë e i çthurrur, ky gjeni i poezisë, i cili i krijonte jo pak shqetësime ndër miqtë e tij dhe në gjirin e familjes së re. Por jeta për Mathilde-n po bëhej e padurueshme. Një ditë, tek zbuloi morrat apo pleshtat e Rimbaud-së në krevatin ku ai flinte, ajo i kërkoi Verlaine-it që Rimbaud të largohej nga shtëpia e tyre. Por Verlaine kundërshtonte dhe mes tyre filloi një dramë e vërtetë. Një ditë në zënkë e sipër, ai e kishte goditur gruan e tij; një tjetër ditë, i tërbuar nga këmbëngulja e Mathilde-s që donte ta zbonte Rimbaud-in, ai e kishte flakur tutje fëmijën. Një herë i kishte vënë flakën flokëve të Mathilde-s, e cila e llahtarisur e fiku menjëherë. Kur ajo kërkoi divorcin, Verlaine erdhi në vete, i kërkoi të falur dhe pranoi që Rimbaud më së fundi duhej të largohej. Me zemër të thyer, ai i kërkoi poetit de Banville ta strehonte Rimbaud-in në shtëpinë e tij, në Rue Buci, diku në një masandër. Por që në ditët e para, Rimbaud do të thyente pasqyrën e lavamanin, do të hidhte plehrat në rrugë e do të bënte aq zhurmë saqë fqinjët iu ankuan poetit de Banville që ai t’a largonte. Kështu, Verlaine u detyrua t’i gjente një strehë në shtëpinë e një kompozitori, pastaj në një hotel e më pas, diku në bulevardin Montparnasse. Më së fundi, ai morri me qera një apartament sipër depos së një tregëtari verërash në Rue Campagne-Première, përballë varrezave të Montparnasse. Ishte janari i vitit 1872.

Tani dhe Verlaine e kishte braktisur familjen e tij. Ata flinin bashkë, kërleshur me njëri tjetrin, të dehur, të përqafuar. Dhe për orgjinë e tyre, siç shkruan biografi J. J. Lefrère, kur dehej, Rimbaud nuk kishte turp ta deklaronte se «Gjithë natën të tjerët kanë bërë qef me prapanicën time.» Fjala ishte për Verlaine. Madje Rimbaud mbante në portofolin e tij dhe një poezi të shkruar nga Verlaine, e titulluar Bon disciple, (Një dishepull i mirë), që fliste për marrëdhëniet e tyre intime. Një ditë ata do të shkruanin të vetmen poezi të përbashkët, Soneta e vrimës, (Sonnet du trou du cul). Në fillim, Verlaine e merrte me vete në mbrëmjet poetike, ku mblidheshin poetët më në njohur të epokës. Një mbrëmje e tillë ishte organizuar dhe në Odeon. Por në fund të mbrëmjes, Rimbaud kishte sharrë poezitë e të tjerëve duke bërë skandal. Të nesërmen, në faqet e një gazete, një nga kritikët kishte shkruar me tallje se «në këtë mbrëmje ishte parë dhe Verlaine me një person të këndshëm në krah të tij, zonjushën Rimbaud». Më vonë, Edmond de Goncourt do të shkruante në ditarin e tij se «Rimbaud është gjeniu i perversitetit», duke mos harruar të shënonte dhe britmat e poetit të ri: «Unë jam i vrarë! Unë kam vdekur!»…

Që atëherë, Verlaine-in e porosisnin që të vinte vetëm, pasi Rimbaud nuk ishte i mirëpritur në rrethin e «parnasienëve». Ishte koha e jetës boheme të dy poetëve të mëdhenj, por që shoqëria ende nuk e kishte pranuar poezinë e tyre. Në modë ishin poetë të tjerë si Heredia, Leconte de l’Isle, de Banville, etj. Vëllimi i Verlaine-it Parnasse contemporain, (Parnasi bashkëkohor), u refuzua të botohej, edhe pse ishte albumi më i mirë poetik i tij. Anatol France shkruante se «autori është i padenjë dhe këto vargje janë ndër më të këqiat që kemi lexuar». Edhe pse poetët nuk e pranuan në gjirin e tyre, Rimbaud e adhuronte Parisin dhe e kishte të vështirë të ndahej nga ai. Ai e donte këtë qytet, rrugët dhe sheshet e tij, Senën dhe brigjet e saj, urat, jetën njerëzore.

Qiej gri të kristaltë. Një vizatim i çuditshëm urash, ca të drejta, ca të kërcyera, të tjera që zbresin pjerrtas mbi të parat… Një xhaketë e kuqe shquhet e ndoshta të tjera kostume dhe intrumenta muzikore. Mos janë këngë popullore, pjesë koncertesh fisnikësh, mbetje himnesh publike?… Një rreze e bardhë bie nga thellësia e qiellit dhe shuan këtë komedi” (Iluminations).

Rimbaud u bë padyshim një nga bredharakët më të mëdhenj të Parisit. Ai vazhdimisht ndërronte vendbanimet dhe hotelet e tij: një herë në Rue Monsieur le Prince, (Hôtel de l’Orient), pastaj në Hotel Cluny, pranë Sorbonës, ku shpesh ndalonte në një bujtinë të vjetër e të pisët që pijanecët e quanin “Akademia e absintit”, për shkak të kësaj pije të gjelbërt që ishte si një lloj droge… Jo rrallë iu desh të kalonte netët nën harqet e urave bashkë me të dehurit dhe lypësit. Një herë, në lagjen Saint-Sulpice, në kafenenë e Vieux-Colombier, ndërkohë që miqtë e tij artistë lexonin poezi, Rimbaud shau artin e tyre dhe në zënkë e sipër atë e nxorrën jashtë. Por në rrugë, me një hu në dorë, Rimbaud i xhindosur priste kundërshtarët e tij. Më së fundi, një ditë Rimbaud i kërkoi Verlaine-it që të iknin nga Parisi dhe të bridhnin botën, por Verlaine nuk pranoi. Ku ta linte gruan e tij, fëmijën? I dëshpëruar dhe pa asnjë dysh në xhep, Rimbaud i shkroi një «letër lamtumire» dhe e çoi vetë në shtëpinë e tij, në Rue Nicolet.

Duke kujtuar këtë ditë të 7 korrikut, Verlaine ka shkruar në kujtimet e tij: « Atë ditë gruaja ime ishte sëmurë, me sa duket e griposur… Më kërkoi që ti merrja një ilaç në farmaci. Vura kapelen dhe dola me shkop në dorë, kur ndërkohë pashë në rrugë tek vinte drejt shtëpisë Rimbaud me një zarf në dorë me adresën time. “Po vija te ty! Mjaft më me këtë Paris! Po iki në Belgjikë, por unë s’do të iki vetëm. Ti do të vish me mua!… – Por… – Jo, ti do të vish, dhe menjëherë! Nuk të lëshoj! – Por kam gruan sëmurë dhe më duhet të shkoj në farmaci për t’i marrë ndonjë çaj! – Jo! Dhe n’a lër rehat me atë gruan tënde! Hajde të thashë, ikim. – Dhe sigurisht, unë e ndoqa atë. Po atë ditë ne u nisëm!..

Atë kohë ndoshta Verlaine kishte frikë, meqë gjyqet kundër simpatizantëve të komunarëve vazhdonin ende. Njerëzit burgoseshin. Në stacionin e trenit Rimbaud e tërhoqi edhe atë dhe së bashku, dy poetët bohemë, zbarkuan në Arras, në veri të Francës, ku për fatin e tyre të keq përfunduan në polici për “prishje të rendit publik”. Pasi u larguan nga Arrasi, Verlaine i shkruante të shoqes se «do vijë një ditë që ai do ta takojë»… Më pas ata mbërritën në Bruksel. Kur e morrën vesh këtë, Mathilde dhe e ëma e saj u nisën urgjentisht që të kthenin Verlaine-in në shtëpi. Dy bohemët i gjetën në hotel dhe më së fundi i bindën që të kthehen, Verlaine pranë familjes, ndërsa Rimbaud në Charleville. Ata i hipën trenit sëbashku, por në ndalesën e parë, që të dy poetët u zhdukën. Të vetmuara dhe të trishta, nënë e bijë u kthyen drejt Parisit, ndërsa ata, që nga ajo ditë nisën rrugëtimin e tyre drejt Belgjikës, Londrës, botës.

Londra e “coffe-hauses”

Në korrik të vitit 1873, dy poetët i gjejmë në Londër. Pasi vizituan qytetin e zhurmshëm, më së fundi ata u vendosën në një dhomë në Howland Street, West 1, Fitzroy Square. Nga vizitat e para në “National Gallery”, ku shohin tablotë e Turner dhe në muzeun “Wallace”, pasi shohin “Tour de Londres”, “London Bridge” dhe shëtisin në Hyde Park, ata përfundojnë në lagjet e dokerëve, në tavernat dhe “coffe-houses”, duke pikëtakur komunarët e mërguar dhe francezët e lagjes libertine “Soho”, ku gëlonin prostitutat dhe homoseksualët. Në lagjet popullore të Whitechapel dhe Poplar mjerimi është i madh. Jo rrallë, dy parizianët përfundonin në klubet kineze të opiumit. Por edhe këtu, francezët flasin për marrëdhëniet e çuditshme të poetëve Verlaine dhe Rimbaud. Herë i gjejmë në “British Library” e herë duke parë Macbeth-in në teatrin e “Royal Prince’s Theatre”. Bohemët nuk kanë kohë të ulen të shkruajnë poezi, pasi ata duan të shijojnë botën, “pub”-et e natës. Por zënkat e tyre janë të mëdha. Duket se çunaku Rimbaud e mëshiron tashmë idhullin e dikurshëm të tij: «Vëlla i mëshirshëm! Ç’netë të pagjumta që i detyrohem… Për fajin tim ne jemi tani në mërgim, në skllavëri”… (Vagabonds, në vëllimin Illuminations).

Megjithatë Verlaine gjente kohë të shkruante poezitë e tij të fundit për vëllimin Romanca pa fjalë, (Romances sans paroles). Madje ata filluan të mësonin anglisht dhe të takonin shkrimtarë francezë e anglezë. Për familjet e dy poetëve Verlaine dhe Rimbaud lajmet që vinin nga Londra ishin të trishta. Si nëna e Rimbaud-së, Vitalie, ashtu dhe ajo e Verlaine, donin t’i shkëpusnin djemtë e tyre nga njëri tjetri. Madje Vitalie kishte marrë udhën deri në shtëpinë e Mathilde-s, në Paris, për të qarë hallet mes tyre. Më së fundi, në dhjetor të vitit 1873, Rimbaud e dëgjoi nënën e tij dhe u kthye në Charleville, duke e lënë Verlaine-in në Londër. Verlaine e vuajti shumë largimin e tij. Vetë ai kishte frikë të kthehej në Paris meqë jo pak njerëz e simpatizantë të Komunës vazhdonin ende të dënoheshin nga gjyqet e Thiers. I vetëm dhe me natën në sy, Verlaine shkruante:

Bije shi në zëmrën time/ siç bije shi mbi qytet/ Ç’është ky trisht që hyn në zëmrën time?/…

Por më së fundi dhe ai do të largohej drejt Belgjikës. Kjo ndarje ishte e dhimbëshme për të dy ata, siç kuptohet dhe nga një letër e Verlaine drejtuar një mikut të tij për të ndërhyrë pranë Rimbaud: “Miku im. Po vdes nga dhimbja, sëmundja, mërzija dhe braktisja”… Kjo ndarje mes tyre do të jetë e përkohëshme. Rimbaud do të kthehej shpejt në Londër dhe poetët përsëri do të vazhdojnë aventurat e tyre londoneze. Por shpesh Rimbaud tallej me të, çka një ditë, kjo e detyroi Verlaine-in që kësaj rradhe ta braktiste ai Rimbaud-në. Ai donte tashmë të kthehej në familje, të pajtohej me Mathilde-n dhe të merrej me birin e tij, Georges, që kishte kohë pa e parë. Pas një zënke me Rimbaud-në në apartamentin e tyre, ai mori anijen dhe u nis drejt Brukselit, duke e njoftuar gjithashtu gruan e tij, se nëse nuk vinte pranë tij në Bruksel brënda tre ditësh, siç shkruante ai, “do t’ia heqë vetes”!

Një plumb për Rimbaud-në

Në ditët e para të korrikut, sapo zbriti në Hotel Liegeois, Paul Verlaine i shkroi Rimbaud-së: “Miku im. Dua të të them se më së fundi ti duhet ta kuptosh se më duhej të ikja patjetër nga kjo jetë e dhunshme që pa arësye m’a shkaktonte fantazia jotë. Meqë të doja shumë, po të them se nëse brënda tre ditëve nuk do bëhem më me gruan time, unë do të vras veten… Mendimi im i fundit do të jetë për ty. A do që të përqafoj dhe tani që po marr fund?… I mjeri yt, Verlaine”.

Nga ana tjetër, dhe Rimbaud i shkruante një letër nga Londra: “Eja, eja miku im i vetëm! Të betohem se do të sillem mirë me ty. Nëse isha jo i mirë ndaj teje, kjo ka qënë një shaka dhe për këtë pendohem. Kam dy ditë që qaj parreshtur. Kthehu të lutem dhe të kesh kurajo. Ti s’mund të më harrosh! Unë të kam gjithnjë këtu, pranë vetes! I yti përgjithnjë, Rimbaud.”

Edhe pse Rimbaud donte të ishte i lirë, atij i vinte keq për të. Ai përsëri e mishëronte, e donte. Më së fundi, në korrik të vitit 1873, ai u nis ta takojë. Nëna e Verlaine-it, Elisa, tashmë ishte në hotel me të. Kur mbërriti në Bruksel, ai nuk e gjeti Verlaine-in në hotel. Ai kishte dalë të pinte, diku në një pijetore. Në mbrëmje, dy miqtë u takuan. Ata qëndruan disa ditë bashkë në një dhomë, krahë Elise-s që flinte në një dhomë tjetër. Kësaj rradhe ishte Rimbaud që përpiqej ta bindë që të ndaheshin nga njëri tjetri dhe ai të kthehej te Mathilde. Një të enjte, Verlaine ishte zgjuar si në kllapi, nga dehja e një nate më parë. Ai iku që në mëngjes dhe në drekë u shfaq në hotel, ku e priste e ëma, që donte ta merrte për në Paris. Ishte data 10 korrik. Por kur hyri në dhomën e hotelit, ku ishte Rimbaud-i, ai e mbylli menjëherë me çelës derën e jashtme dhe i tregoi mikut të tij pistoletën që sapo kishte blerë. Pastaj, në kllapi e sipër e qëlloi atë dy herë. Një nga plumbat, mikut të tij i çpoi kyçin tejpërtej. Kur e pa Rimbaud-në të gjakosur dhe e kuptoi se ç’kishte ndodhur, ai hapi derën dhe nxitoi tek porta e dhomës së nënës për t’i thënë se ç’kishte bërë. Ndërkohë në derë u shfaq dhe Rimbaud. Verlaine i zgjati pistoletën dhe i kërkoi që ta qëllonte në tëmtha dhe të ikte sa më parë nga kjo botë e mallkuar, por Rimbaud nuk mund ta bënte këtë. E tronditur, nëna e Verlaine-it filloi t’i lidhë plagën dhe menjëherë që të dy e shoqëruan atë në spital. Kur dolën nga spitali, Rimbaud donte t’ia mbathte drejt stacionit të trenit, por Verlaine kërkoi ta ndalojë. Atëherë ai nxorri përsëri pistoletën dhe në tërbim e sipër e kërcënoi se po të ndahej nga ai, do ta qëllonte. Kur ja, në rrugë diku, gjëndej një polic… Rimbaud nxitoi drejt tij dhe Verlaine u arrestua. Rimbaud-në e çuan përsëri në spital që të mjekohej mirë, por kur doli pas një jave dhe kërkoi të tërhiqte deponimin e tij kundër Verlaine-it, me akuzë për tentative vrasje, Verlaine ishte në burg dhe hetimet kishin filluar. Proçesi nuk mund të mbyllej. Kështu do të niste koha e burgimit të Verlaine-it dhe ndarja e pashmangëshme e dy miqve të vjetër. Ai u dënua me 2 vjet burg dhe 200 franga gjobë, kohë kur më pas ai do të shkruante veprën e tij poetike Mes Prisons, (Burgjet e mia)…

Please follow and like us: