Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË UDHËTIM I GJATË QIELLOR!

Si “udhëtar” i përhershëm i kësaj bote, kam preferuar këmbët e mia, biçikletën, furgonët e autobuzët e parë karakatinë dhe tani së fundi autobuzët e rinj e nganjëher aeroplanët! Nuk po flas për dëshirën time të dështuar që të kisha një makinën time e ta ngisja, pa u “pagëzuar” si shofer e duke dalur në rrugë me një patentë fallco, -gjë që rezultoi me pesë karambole e me pesë makina të katandisura për hekurishte në Elefsinë të Athinës… Perëndia e di si kam shpëtuar! Edhe aeroplanët nuk i kisha qejf për dy arsye: E para, se e kanë “të kripur” çmimin e biletës dhe, e dyta, sepse kishin filluar të blinin gjatë fluturimit, pak si shpesh, nga qielli në tokë, në det e në oqean!

E megjithatë, duke parë se po më mbaronte “rrodhani i jetës” nisa të “fluturoj” për në disa vende që i pata ëndërruar prej kohësh, si në Itali, Çeki e në Amerikë. “Le të vete edhe në Kanada që të shmallem me të tre nipçet e mi!”,-thashë me vehte, para se të më mbarojë “peri i rrodhanit”. Dhe kështu bëra. Mirëpo m’u deshën që të ndodhem në ajër më shume se 16 orë, duke qëndruar vetëm një orë e ca në Stamboll, ku asnjë kafe nuk e piva dot nga andrrallat e verifikimit të personit në fjalë(?!). Po do të ma binin kafen stjuardesat e gjata, “shtojzovallet e qiellit”, tok me buzëqeshjen e tyre në këtë udhëtim pambarim…Përbri meje qëndronte Areza (ime shoqe), që verifikonte shikimet e gjestet e mia të “paudha”… E unë do t’i mbërtheja sytë në monitor për të parë trajektoren e fluturimit tonë mbi Bukuresht, Budapest, Varshavë, Berlin, Kopenhagen. Goteborg, Stavanger e mbi ishujtë e Islandës…

Këtu ngriva i tëri e m’u duk sikur qëndronim pezull mbi ajër! Ime shoqe shikonte e pikëlluar nga dritaria e vogël e avionit ishujt e largët ku kishin vajtur për të punuar e jetuar kushërinjtë e saj, pasi kishin lënë Piqerasin, perlën e jugut, më pas edhe Greqinë, 30 vite më parë dhe erdhën në mesin e këtij oqeani verior! Perëndia e di këtë mister! Na mbeteshin edhe 6 orë që “anija fluturuese” me 600 pasagjerë në bordin e vet të arinte në kontinentin e ri…

Një film me Michael Duglas që po ndiqja në monitor, do të më shkëpuste vëmendjen nga gjithçka tjetër. Super aktrim! Po frymëmarrja ime do të rregullohej pasi do të zbrisja në Aeroportin e Torontos… “S’ka më e mirë e më e ëmbël sesa toka”, thashë me vehte, duke përqafuar Romeon me nusen e tij Arieta që kishin dalur për të na pritur në këtë vend përrallor që ndriste nga rrezatimet e perëndimit të diellit nëpër “pyllin e grandaçielave”.

Please follow and like us: