Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Mos ec mbrapsht…

 


-Vargje për ata që duan të dëgjojnë-

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se pushteti s`është lojë fëmijësh,

të ecësh mbrapsht padashur bie,

në fundin e thepisur të greminës.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se rreth teje do të lëvrijnë zvarranikë,

do të tërheqin n`punët e tyre të pista,

do të përzihesh në llum me ndyrësitë.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se ata që të ngritën e të deshën do dënosh,

n`botën e turbull që do krijosh në errësirë,

vetëm me diktat dhe krime do t`mbijetosh.

 

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se në jetë “nyje gordiane” do të lidhësh,

më pas  ti Aleksandërin do të imitosh,1)

“nyjet” me forcën e shpatës t`i zgjidhësh.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

se papritmas ti shndërrohesh n`ortek,

që rrokulliset dhunshëm nga lartësitë,

mbulon gjithçka, shkatërron dhe vret.

 

Mos ec mbrapsht, o miku im,

me sundimtarin që mallkove do ngjasosh,

frika dhe ambicia do të t`bëjnë tjetër njeri,

në një radhë me diktatorët do të qëndrosh…

 

——————-

1). Nyja gordiane dhe historia e saj janë shumë të njohura. Nga mitologjia greke dimë se ajo ishte një lidhje(nyje) e komplikuar që nuk mund të zgjidhej. Aleksandri i Madh, përballë kësaj nyje, ngaqë nuk e zgjidhi dot, e preu me forcën e shpatës.

 

Please follow and like us: