Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: ‘Vaterloja e Ramës’ me qeverinë dhe detin

 

 

Kryeministri Rama nuk ka mundur të shprehet mbi skandalin që rëndon me financimin e qeverisë greke të lobimit në Shqipëri për mbarëvajtjen e opinionit publik shqiptar, në pranimin e një marrëveshjeje të papërshtatshme detare. Ndërkaq është përzgjedhur ky moment që të dalë skandali tjetër qeveritar me përfshirjen dhe arrestimin e dy ish-deputetëve të PS, njëri prej të cilit deri para një muaji edhe Drejtori Përgjithshëm i Burgjeve.

Në fakt qeveria po kalon një periudhë shumë të vështirë ekzistenciale ku njeri pas tjetrit nën efektin domino po bien njerëz të onturazhit të Kryeministrit dhe kjo batërdi ndër radhët e pashtrënguara të partisë vetëm sa ka filluar. Dërgimi nga ana e Gjermanisë së njerëzve që drejtojnë byronë kriminale atje për të markuar Ministrin Xhafa me anë të një këshilltari të atashuar vazhdimisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme në punën e vet thotë shumë për mungesën e besueshmërisë që partnerët kanë se policia ka vullnet të zbatojë ligjin.

Po kështu pjesëmarrja e agjentëve të DEA-s në zbulimin e laboratorit të heroinës në veri të vendit, tregojnë shenjat e një tërmeti të madh brenda radhëve të mazhorancës që imponohet nga ndërkombëtarët dhe presioni i tyre i madh që qeveria të luftojë krimin e organizuar, madje duke filluar nga vetja. Dhe me këto ngjarje faktohen një pjesë e akuzave publike të opozitës që ka përgjime të agjensive partnere të shumë figurave të larta në hierarkinë e shtetit dhe radhëve të PS të ngatërruar me segmente të errëta të krimit në vend.

Pyetja është sa lart në zinxhirin komandues të PS dhe shtetit do të guxojnë të shkojnë agjensitë ligjzbatuese për zbatimin e ligjit. Dhe një pyetje akoma më e rëndësishme se a do të mbajë ndonjë faj përsipër Rama apo do të mjaftohet me reagime qesharake përmes cicërimës se nuk ka çfarë të bëjë për ish të njohurit e tij që tashmë i bën hasha.

Duke u kthyer tek akti i shëmtuar i pranimit të parave që u janë dhënë nga shteti fqinj gazetarucëve, pronarëve të portaleve dhe opinionistëve që lëvrijnë në studiot e mëdha televizive për të tjetërsuar realitetin dhe perceptimin publik në Shqipëri, nuk mund ta shohim të gjithën të shkëputur nga përpjekja qeveritare për të ‘shitur sapunin për djathë’ për marrëveshjen e detit. Logjika e tradhtarëve që hiqen si kozmopolitë është pak a shumë e tillë: Pse të mos i marrim paratë kur vetë Kryeministri deklaron se marrëveshja është e mirë? E themi edhe ne duke iu referuar atij dhe marrim edhe paratë.

E që të mos harrojmë të shkuarën që të mos e pësojmë për të ardhmen le të kthehemi pak mbrapa në vitin 2014 në muajin qershor. Në atë kohë ish ministri i Jashtëm grek Venizellos, njëherazi edhe ish ZëvendësKryeministër i shtetit helen, në cilësinë e kreut të Presidencës greke të drejtimit për atë 6-mujor të BE, e kishte bërë të qartë në fjalën e tij në forumin për energjinë që u mbajt në Athinë, pasqyruar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke, kur u shpreh se diskutimet që ishin bërë me palën shqiptare nën qeverisjen Rama për marrëveshjen detare tregojnë se të dy vendet duan që të mos ketë çështje pezull për sa i takon ujrave detare edhe pse kur Rama ishte në opozitë kishte refuzuar dakortësinë me Athinën. Kuptohet se kundërshtimi i tij ka qenë taktikë politike dhe pa motiv thelbësor, nëse përjashtojmë ndjenjën anti Berishë.

Në fakt tani pas skandalit me pagesat e fshehta të Greqisë mund të konkludohet pa frikë se marrëveshja e detit që nënshkroi Berisha me Karamanlis është më e mira. Pas turpit të parave që bien erë të hidhur tradhtisë, Ramës i kanë shkuar kot të gjitha. Përbetimet, fjalimet, klithmat, egërsimet dhe mburrjet se nuk do falte asnjë pikë ujë nga deti. Në fakt ka falur 12 milje detare. E konfirmon Ministri i jashtëm grek Kotzias në letrën e tij të dorëheqjes.

Ndaj Rama pas zbulimit të pagesave të fshehta nga mediat greke ka një hall më të madh se kundërshtitë politike të opozitës. Ai në mënyrë të fshehtë dhe jo transparente nga debati publik e shoqëror i ka thënë “Po” Athinës për detin dhe kjo që ka thënë është gati e njëjtë me “Po”-në që delexhinjtë e freskut qeveritar, por gjoja me petk gazetaresk kanë thënë për pranimin e parave të helmëta te tradhtisë kombëtare.

Please follow and like us: