Emin Azemi: Bashkëjetesa politike shqiptaro-maqedonase
Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur falë mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve. Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare, fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dalë e para në zgjedhje të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive të tjera simotra shqiptare në Maqedoni.
Deri më tani partitë shqiptare që ia kanë mësyrë pushtetit nuk e kanë provuar të sjellin edhe kuadro të përgatitur nga diaspora, të cilët do të ishin një krenari kombëtare dhe një shkëlqim që do të errësonte mitin sllav për “shqiptarin e paaftë të bëjë shtet”. Në anën tjetër, sindroma e zgjatimit në politikë nuk është fenomen i panjohur, por kur ajo shndërrohet në doktrinë ka rrezik që të bëhet pengesë për zhvillimin normal të ideve dhe të platformave autentike e origjinale.
Shqiptarët në Maqedoni çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindromë dhe ajo ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë.
Dy opsionet dominante maqedonase që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike, VMRO-ja dhe LSDM-ja, me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me ose pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për “bashkëshortësi” të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedonase.
Sikur pasojat negative të reduktoheshin vetëm në suaza të mendësisë politike dëmi do të ishte shumëfish më i vogël, por ndodhi që kjo mendësi të shërbejë si letër lakmusi dhe të shtrihet si një lavë e rrezikshme në gjithë shoqërinë shqiptare, duke e bërë ndarjen edhe më të madhe në mes të shqiptarëve që filluan të identifikohen jo sipas afiniteteve intelektuale e krijuese, por në bazë të dostave dhe kumbarëve të tyre maqedonas. Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragmatizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike, që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedonase e shndërroi në dogmë, nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë.
Shqiptarëve të Maqedonisë u nevojitet një absorbim më i madh i mendjeve e veprimeve, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullakuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënieje intelektuale të doktrinave maqedonase, të cilat ende shkëlqimin e tyre e matin me errësirën e sinkopave shqiptare.