Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Nëse një ditë vjen

 

 

Ese

 

Nëse një ditë vjen, sigurohu të jetë e vetmja gjë që do në këtë botë! Mblidhi të gjitha e zbrit vetëm njërën! E nëse ajo jam unë, vrapo drejt meje e struku mes përqafimit të afshueshëm me mall! Nuk dua të mbledhësh lule rrugës për tek unë! As hënën mos e shiko me sy të përlotur! Mos shpreh dëshira tek yjet që pranë teje të më sjellin! Por thjesht vrapo!

E ndërsa vjen drejt meje harroji ligjërimet e dashurisë!

Harroji klishetë e bukura, unazën e ëndrrave, apo ballon e përrallave! Thjesht më përqafo, dhe aty, mu mes nesh do krijohet një univers i ri. Le të na lulëzojë përqafimi që e duam kaq shumë të dy!

E nëse atë ditë vjen, kurrë më mos ik!

Të lutem mbylle portën dhe çelësin hidhe. Ulu në kolltukun dyvendësh e rehatohu të kalosh aty gjithë jetën! Përgatitu të më mbash në krahë e më lër të të ledhatoj flokët! Lëre ajrin të bëhet hapësirë, lëre dritaren të bëhet syri i botës, lëre shtratin të bëhet livadh lodrash, lëre dhomën të bëhet kështjellë, lëre… më lër mua të jem mbretëreshë!

Po atë ditë, ti do ngjallësh nga kujtimet e do shuash përhimtësinë duke u mishëruar në atë që mua më mban gjallë. Ahh se harrova, kur të vish, të lutem laji këmbë e duar, sepse nuk dua më njolla në zemër!

Please follow and like us: