Poetë grekë nën shqipërimin e Arqile Garos
Gerasimos Markoras: Spiritualizëm
Nuk çuditem mike e vjetër,
një altar s’më lë pa mend,
texhuman i botës tjetër,
kur bëhet për hirin tënd,
kur lëviz i tëri, dridhet,
dhe, goditjet numëron,
e dëgjoj si jep përgjigjet,
se të vdekurit çoç thonë.
Kur të flet e gjegjet prore,
për mashtrim kurrkush s’dyshon,
se është dora ëngjëllore,
krahu yt q’e komandon.
Moj leshverdhë, kur para teje,
vjen meiti e qesh e qan,
seç më ndodh rri edhe gjeje,
kur më qasesh e vjen pranë!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, korrik 2015.
Georgios Vizyinos: Art dashuror
Mallkuar qoftë dimër i shkretë,
plaku janar, mallkuar!
Për të sëmurë nuk ka gajret,
as për të dashuruar.
Veç se bën ftohtë e suferinë
e mikja mbyllur brenda˙
për puthjen time ulërin,
e unë për të u çmenda!
O prift, t’ u bëfsha unë kurban,
të puth duar e faqe!
I falem Zotit me aman,
të dhëntë gëzim e paqe!
Më merr me vete miku im˙
kur të bekosh miletin,
të të ndihmoj me përkushtim,
të psall, të bëj hyzmetin!?
Të dalim herët në agim,
ta nisim nga mëhalla,
të më buçasë ky shpirti im,
tek them hymnet e rralla.
Ti vdes të vijë ndonjë vejushë
e të të puthi dorën.
Mua më digjet zemra prush,
sa të shoh pak Lenorën.
Ti beko plakun e mamanë,
këndoju marifete,
unë marr Lenorën ca mënjanë
dhe e pyes, si vete.
Ti merr ndriçim që flakëron,
dhuratë nga perëndia,
unë marr një puthje gjith’ pasion
e ikin mendtë e mia.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, maj 2013.
Jorgos Souris: Dehje
Shkurt 1880
Eja, or xhan,
na mbush ca verë,
me damixhanë…
orkestrën bjerë,
meze dhe fruta,
gërnetë, lahuta,
që të filloj,
e të dancoj
që të festoj
e të gëzoj.
E bota le të prishet
të çahet, të gremiset,
të derdhet vera det
aman o zot, medet.
Siç jam bërë dëng
iso më mbani,
do marr një këngë
të bëhet nami!
Ti çupë e mbarë,
bëj si i marrë,
sa të shquaj…
s’ mbahem do,
zë e bluaj
o bo bo.
Shokë, ma bëni hallall,
ja u bëra mendjen dhallë,
po bëj be, dëgjoni mirë,
s’ jam i dehur, as i pirë.
Ç’ është Samaraj,
Po dhe Vangjeli,
Kush vjen pastaj,
Foti Kuveli?
Unë i bëj qole
se mba revole.
në dorë një thikë
zë i mbërthej,
i mbush me frikë
e i shkërdhej.
Bo! më duket se u çpova
gishtin tim e sakatova…
Hiquni mënjanë
Se do bëj hatanë.
Gjëma do jetë
hec e më ul
Sulltanin vetë
mjekrën t’i shkul,
kamën t’i ngul,
me thikën time
si jatagan,
tru edhe qime
shkojnë havadan.
Para djema të Greqisë
i jepni dërmën Turqisë,
bjeruni në ballë
me tërbim të rrallë.
Evropë e qënit
ti moj ruspie
një komb legenit
më kot i bie?
Vate Berlini
po mend nuk kini?
Nëse je kokë
e në ke besë
lëshona tokë
dritë edhe shpresë.
E nëse tani dorështrirë
lypim e kërkojmë mëshirë
në ato vite që ikën
tërëve u shtinim frikën.
Ç’ e bën zënxhollë…
hej! kamarjer,
piq një bërxollë
dhe shpejt ma bjer.
Thyeni pjata
hidhni sallata.
Flakë lëshoj,
e zjarrin ndaj,
kë të zboj
e kë të mbaj.
O djema më lot fiqiri,
më tërboi më shoi qafiri,
por betohem, fjalën jap
për raki s’ më kini prapë.
Shqipëruar e përshtatur nga Arqile Garo, Janinë, mars 2013.
Gjeorgios Martinelis: Nëna
Nënë thërret fëmij’ e vogël,
Nënë i riu, Nënë dhe plaku,
Nënë gjithkush, sa del te praku,
oh! sa emër ëmbëltor.
Si gëzimin, hidhërimin,
nënës ke për t’ia treguar,
me një përqafim malluar,
tek rrëfehet shpirt’ i gjorë.
Në gjithë botën qënie tjetër,
nuk do gjesh të të mendojë,
nëna veç do t’ admirojë,
veç ajo do bëjë derman.
Dhe shëndetin, edhe jetën,
hallet, dertet i përçmon,
për fëminë që dashuron,
për evlatin, shpirt e xhan.
Rend në ngado dhe vetëm nëna,
sy e mend që të ndjek pranë,
që të pret e që s’ të ndan,
me zemrën q’ i drithëron.
Dhe në qoftë se ti pa mendje,
ja mbush shpirtin helm, farmak,
të përgjigjet plot merak,
më puthjen që ngushëllon.
Mjerë ai që humbet nënën.
Brengë e tij është një hata,
pse si nëna tjetër s’ka,
nëna është thesar në botë.
Dhe jetimi i mjerë pa nënën,
Nënë! gulçon thërret në ëndërr,
gjithmonë Nënë, me mend e zemër,
psherëtin e qan me lotë.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, korrik 2015.
Ekaterini Pefani: Pa dashje
Përseri të dashurova ty me epshin e mendjes time.
Duke prekur me majat e gishtërinjve diku thellë në plagën tënde.
Dashurova trupa statujash
me aroma të harruara po vetëm ti të desha.
Dashurova gjakun që rridhtë përvëlueshëm brënda meje
dhe u shndërova përseri në qenje aktive e krijimit.
Dashurova një veshtrimin tënd pa dashje
dhe në retrospektivë u bëra xheloze për gjithë kurmet vajzërore
që ti ngjalle.
Shqipëroi Arqile Garo.
Eftichia Cukala: Çaste
Mikesha të çuditshme gjithë freski
që i njoha në një udhëtim njëherë
i preka lehtë e dorën u shtrëngova
por si gjarpërushe më ikën nëpër terr.
I pyeta: ç’ emër keni vallë
do të desha përseri t’ju takoj
pse sot mu duk se s’ keni fare nge
dhe mu përgjigjen gazmoret ato:
Nuk do të na shohesh më
se, Çaste,
quhemi ne!…
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, shkurt 2014.
Dhionisios Sollomos: Marko Boçarit
Lavdia përkrah i qëndron
burrit, që rend në shtërngatë
në shtigjet e Famës së ngratë,
ndjek smira me hapin dinak,
me syrin dhe gojën farmak.
Por fati i zi kur ja thotë,
udhëtimi mbaron mbi këtë botë,
lavdia i bëhet kurorë
mbi pllakën e varrit si borë
dhe smira merr rrugët e shkon.
Mbi varrin e Markos ndaluar,
lavdia me rreze qarkuar.
I mbyllur përherë syri i tij,
ku shkrepte e luftës shkëndijë.
– Ndaj eni, dëgjoni fëmijë!
Të mençur e ju llafazanë,
largojuni, hiqi mënjanë.
Vraponi ndër varre si hije
dhe psallni me fjalë çmendurie,
– ju eni, dëgjoni, fëmijë!
Kufoma, që kishte shpëtuar
Priami me lutje e dhurata,
mbërrinte në kohën që nata
agimin me gaz përshëndeste
dhe dielli muzgun e treste.
U mblodhën nga ana e anës
trojanët me dert pikëlluar,
me nuse, fëmijë, të moshuar,
me kuje rrethuan lipsanë
që ishte për ta shpirt e xhan.
Nuk mbet’ asnjë sy pa lotuar
mbi trupin e Markos malluar.
Hej Marko, vëlla, ku na le!
Dhe dhimbja në erë shurdhëron
vajtimin shndërron në jehonë.
E njëjta jehonë do gjëmojë,
në ditën e fundit të botës,
në vrullin e ri të epokës.
E njëjta ndër varre do shkojë
heronjtë ti thërrasë e ti zgjojë.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, maj 2012.